Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Begati e vërtetë në botën e re të Perëndisë

Begati e vërtetë në botën e re të Perëndisë

Begati e vërtetë në botën e re të Perëndisë

DAVIDI, * një bashkëshort dhe baba i krishterë, shkoi për të punuar në Shtetet e Bashkuara, i sigurt se po vepronte si duhet. Megjithëse nuk i pëlqente të largohej nga gruaja dhe fëmijët, ishte i bindur se po të kishin më shumë para, jeta do të ishte më e mirë për të gjithë ata. Kështu që e pranoi ftesën e të afërmve në Nju-Jork dhe shumë shpejt gjeti punë atje.

Por, ndërsa muajt kalonin, siguria e Davidit filloi të shuhej. Rrallë kishte kohë për aktivitetet e krishtere. Në një rast, gati humbi besimin te Perëndia. Vetëm pasi iu dorëzua një tundimi imoral e kuptoi se në ç’gjendje kishte rënë. Përqendrimi në mirëqenien materiale po e largonte dalëngadalë nga çdo gjë që kishte më tepër rëndësi për të. Duhej të bënte diçka.

Ashtu si Davidi, shumë të tjerë emigrojnë çdo vit nga vendet e tyre të varfra me shpresë se do të përmirësojnë gjendjen e tyre ekonomike. Por, shumë shpesh, paguajnë një çmim tepër të lartë nga ana frymore. Disa mund të kenë pyetur veten: ‘A është e mundur që një i krishterë të rendë pas pasurisë materiale e në të njëjtën kohë të jetë i pasur në sytë e Perëndisë?’ Disa shkrimtarë dhe predikues të njohur janë të mendimit se po. Por, ashtu siç mund ta ketë kuptuar Davidi dhe shumë të tjerë, është e vështirë të arrish njërën pa humbur tjetrën.—Luka 18:24.

Paraja nuk është e keqe në vetvete

Sigurisht që paraja është një shpikje e njeriut. Ashtu si shpikjet e tjera, nuk është diçka e keqe apo e gabuar në vetvete. Në të vërtetë nuk është asgjë tjetër veçse një mjet shkëmbimi. Prandaj, kur përdoret siç duhet, ajo mund të shërbejë për një qëllim të mirë. Për shembull, Bibla thotë që ‘paraja është mbrojtje’, sidomos ndaj problemeve që vijnë nga varfëria. (Eklisiastiu 7:12) Duket se, të paktën për disa njerëz, «paraja është përgjigjja për çdo gjë».—Eklisiastiu 10:19, New International Version.

Shkrimet e dënojnë dembelizmin dhe na inkurajojnë të punojmë pa u lodhur. Duhet të kujdesemi për nevojat e familjes dhe, nëse kemi me tepricë, ‘do të kemi diçka për t’i shpërndarë ndonjë nevojtari’. (Efesianëve 4:28; 1 Timoteu 5:8) Për më tepër, Bibla nuk na thotë që të mohojmë veten, por na inkurajon që t’i gëzojmë gjërat që kemi. Ajo na thotë ‘të marrim pjesën [tonë]’ dhe të gëzojmë frytet e mundit tonë. (Eklisiastiu 5:18-20) Në fakt, në Bibël gjejmë shembuj të disa grave dhe burrave besnikë të Perëndisë që ishin të pasur.

Besnikë dhe të pasur

Abrahami, një shërbëtor besnik i Perëndisë, kishte plot bagëti, argjend, ar dhe një numër të madh shërbëtorësh që arrinin në qindra. (Zanafilla 12:5; 13:2, 6, 7) Edhe Jobi i drejtë kishte një pasuri të madhe, bagëti, shërbëtorë, ar dhe argjend. (Jobi 1:3; 42:11, 12) Këta burra, edhe sipas standardeve të sotme, ishin të pasur, por ishin të pasur edhe në sytë e Perëndisë.

Apostulli Pavël e quan Abrahamin «ati i të gjithë atyre që kanë besim». Abrahami nuk ishte as dorështrënguar e as tepër i dhënë pas pasurisë së tij. (Romakëve 4:11; Zanafilla 13:9; 18:1-8) Po kështu, vetë Perëndia e përshkruan Jobin si «të paqortueshëm dhe të drejtë». (Jobi 1:8) Ai ishte gjithmonë gati t’i ndihmonte të varfrit dhe të munduarit. (Jobi 29:12-16) Abrahami dhe Jobi, të dy e vinin besimin te Perëndia, dhe jo te pasuria që kishin.—Zanafilla 14:22-24; Jobi 1:21, 22; Romakëve 4:9-12.

Një shembull tjetër është edhe mbreti Solomon. Si trashëgimtar i fronit të Perëndisë në Jerusalem, Solomoni u bekua jo vetëm me mençuri hyjnore, por kishte edhe pasuri e lavdi me bollëk. (1 Mbretërve 3:4-14) Për pjesën më të madhe të jetës së tij, ai qëndroi besnik. Megjithatë, në vitet e tij të mëvonshme, Solomoni «nuk iu kushtua me gjithë zemër Jehovait». (1 Mbretërve 11:1-8) Në të vërtetë, përvoja e tij e hidhur ilustron disa nga grackat e pasurisë. Më poshtë përmenden disa prej tyre.

Grackat e pasurisë

Rreziku më i madh është të bëhemi të dashuruar pas parasë dhe pas gjithçkaje që ajo mund të blejë. Pasuria zgjon te disa një etje që nuk shuhet kurrë. Në fillim të mbretërimit të tij, mbreti Solomon e kishte vënë re këtë prirje te të tjerët. Ai shkroi: «Ai që do argjendin, nuk do të ngopet me argjend, as ai që do pasurinë, me të ardhura. Edhe kjo është kotësi.» (Eklisiastiu 5:10) Si Jezui, ashtu edhe Pavli, më vonë i paralajmëruan të krishterët për këtë dashuri mashtruese.—Marku 4:18, 19; 2 Timoteut 3:2.

Kur e shohim paranë si një nga gjërat më të dëshiruara, dhe jo si një mjet për të plotësuar një nevojë, atëherë jemi më të prirur për të rënë pre e tundimeve të pamoralshme, ku përfshihet edhe gënjeshtra, vjedhja dhe mashtrimi. Judë Iskarioti, një nga apostujt e Krishtit, e tradhtoi zotërinë e tij vetëm për 30 monedha argjendi. (Marku 14:11; Gjoni 12:6) Disa kanë arritur deri në atë pikë sa kanë lejuar që vendin e Perëndisë ta zërë paraja, duke e adhuruar si perëndi. (1 Timoteut 6:10) Prandaj, të krishterët duhet të jenë gjithmonë të ndershëm në lidhje me arsyen e vërtetë se përse duan të fitojnë më shumë para.—Hebrenjve 13:5.

Rendja pas pasurisë sjell edhe rreziqe që nuk janë kaq të dukshme. Së pari, pasuria e madhe shpesh çon në besim të tepërt te vetvetja. Jezui e kishte fjalën pikërisht për këtë kur foli për ‘fuqinë mashtruese të pasurisë’. (Mateu 13:22) Edhe një nga shkrimtarët e Biblës, Jakovi, i paralajmëroi të krishterët të mos e harronin Perëndinë edhe kur bënin plane pune. (Jakovi 4:13-16) Meqenëse paratë japin njëfarë pavarësie, për ata që janë të pasur ekziston rreziku i vazhdueshëm që ta vënë besimin te paratë dhe jo te Perëndia.—Proverbat 30:7-9; Veprat 8:18-24.

Së dyti, ashtu siç e kuptoi edhe Davidi që përmendëm më sipër, rendja pas pasurisë të ha aq shumë kohë dhe energji sa gradualisht të largon nga gjërat frymore. (Luka 12:13-21) Për të pasurit, ekziston gjithashtu tundimi i vazhdueshëm për të përdorur gjithçka kanë për t’u argëtuar ose për të përmbushur interesat personale.

A ndodhi rënia frymore e Solomonit deri në një farë mase sepse lejoi që jetesa e tij luksoze t’ia mpinte mendjen? (Luka 21:34) Ai e dinte që Perëndia i kishte ndaluar në mënyrë të prerë lidhjet martesore me kombet e tjera. Megjithatë, ai formoi një harem me rreth një mijë gra. (Ligji i përtërirë 7:3) Me dëshirën e madhe për t’u bërë qejfin grave të tij të huaja, ai bëri një përzierje të feve për nder të tyre. Ashtu siç u tha edhe më parë, zemra e Solomonit filloi të largohej dalëngadalë nga Jehovai.

Është e qartë që këta shembuj tregojnë vërtetësinë e këshillës së Jezuit: «Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.» (Mateu 6:24) Atëherë, si mund t’i kapërcejë me sukses një i krishterë problemet ekonomike që shumë njerëz hasin sot? Ç’është më e rëndësishmja, çfarë shprese ka për të ardhmen?

Një begati e vërtetë na pret

Ndryshe nga dy patriarkët Abraham dhe Job, e ndryshe nga kombi i Izraelit, ithtarët e Jezuit janë urdhëruar ‘të bëjnë dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’. (Mateu 28:19, 20) Përmbushja e këtij urdhri kërkon kohë dhe përpjekje që, në rast të kundërt, mund të përdoren për veprimtari të tjera. Gjëja kryesore që mund të bëjmë për të pasur sukses është të zbatojmë atë që tha Jezui: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.»—Mateu 6:33.

Pasi për pak humbi familjen, besimin dhe marrëdhënien me Perëndinë, Davidi e mori sërish në dorë timonin e jetës së tij. Ashtu siç kishte premtuar Jezui, kur Davidi filloi t’i jepte përsëri përparësi studimit të Biblës, lutjes dhe shërbimit, çdo gjë në jetën e tij filloi të merrte drejtimin e duhur. Marrëdhënia me gruan dhe fëmijët filloi të përmirësohej. Atij iu kthye paqja dhe gëzimi. Deri tani ka vazhduar të punojë pa u lodhur. Në të vërtetë nuk është se u bë i pasur. Por, nga përvoja e dhembshme që kaloi, mësoi shumë.

Davidi tani nuk e konsideron më një vendim të mençur transferimin e tij në Shtetet e Bashkuara dhe ka vendosur që vendimet e tij të mos diktohen kurrë më nga paraja. Tani e di që gjërat më të vlefshme në jetë, lumturia e familjes, miqtë e mirë dhe marrëdhënia me Perëndinë, nuk mund të blihen me para. (Proverbat 17:17; 24:27; Isaia 55:1, 2) Vërtet, pasuria morale është më e rëndësishme sesa ajo materiale. (Proverbat 19:1; 22:1) Bashkë me familjen, Davidi është i vendosur që t’u japë gjërave rëndësinë që u takon.—Filipianëve 1:10.

Përpjekjet e njerëzimit për të ndërtuar një shoqëri të begatë dhe me vlera morale gjithmonë kanë dështuar. Megjithatë, Perëndia ka premtuar se Mbretëria e tij do të sjellë një bollëk gjërash materiale dhe frymore, që të bëjmë një jetë sa më të mirë. (Psalmi 72:16; Isaia 65:21-23) Jezui tregoi se begatia e vërtetë fillon me plotësimin e nevojave frymore. (Mateu 5:3) Prandaj, pavarësisht nëse jemi të pasur apo të varfër, mënyra më e mirë që na përgatit për botën e re të Perëndisë në të ardhmen, është duke u dhënë përparësi tani gjërave frymore. (1 Timoteut 6:17-19) Në atë kohë shoqëria do të ketë begati të vërtetë, si nga ana materiale, ashtu edhe frymore.

[Shënimi]

^ par. 2 Emri është ndryshuar.

[Figurat në faqen 5]

Jobi besonte te Perëndia, jo te pasuria

[Figurat në faqen 7]

Gjërat më të vlefshme në jetë nuk mund të blihen me para