Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Dëshmi për të gjitha kombet»

«Dëshmi për të gjitha kombet»

«Dëshmi për të gjitha kombet»

«Do të jeni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin më të largët të tokës.»—VEPRAT 1:8.

1. Kur dhe ku e dëgjuan për herë të parë dishepujt profecinë e Mateut 24:14?

FJALËT e Jezuit te Mateu 24:14, janë kaq të njohura, sa shumë prej nesh i dinë përmendësh. Por ky shkrim është edhe një profeci vërtet e pashoqe! Përfytyroni se çfarë duhet të kenë menduar dishepujt, kur e dëgjuan në fillim! Ishte viti 33 i e.s. Dishepujt kishin qenë për tre vjet bashkë me Jezuin dhe tani kishin ardhur me të në Jerusalem. Kishin parë mrekullitë që kishte bërë dhe kishin dëgjuar mësimet e tij. Ndonëse kënaqeshin me të vërtetat e çmuara që u kishte mësuar Jezui, e dinin mirë se jo të gjithë ishin aq të kënaqur sa ata. Jezui kishte armiq të fuqishëm e me pushtet.

2. Çfarë rreziqesh e sfidash do të hasnin dishepujt?

2 Në Malin e Ullinjve, katër dishepuj u ulën pranë Jezuit dhe e dëgjuan me vëmendje ndërsa fliste për rreziqet dhe sfidat që do të vinin. Më parë, Jezui u kishte thënë se atë do ta vritnin. (Mateu 16:21) Tani u bëri të qartë se edhe ata do të hasnin një kundërshtim të egër. «Atëherë do t’ju dorëzojnë në shtrëngim e do t’ju vrasin,—u tha,—dhe të gjitha kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.» Po nuk do të mbaronte me kaq. Do të dilnin profetë të rremë që do të mashtronin shumë veta. Të tjerë do të pengoheshin dhe do të tradhtonin e do të urrenin njëri-tjetrin. Të tjerë akoma, madje ‘shumica’, do të lejonin që t’u ftohej dashuria për Perëndinë e për Fjalën e tij.—Mateu 24:9-12.

3. Pse janë vërtet mahnitëse fjalët e Jezuit që gjejmë te Mateu 24:14?

3 Pasi përmendi këto kushte të zymta, Jezui tha disa fjalë që me siguri duhet t’i kenë mrekulluar dishepujt. Ai tha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) Po, vepra që e filloi Jezui në Izrael—për të dhënë «dëshmi për të vërtetën»—do të vazhdonte e do të zgjerohej, derisa të përfshinte gjithë tokën. (Gjoni 18:37) Sa të mahnit kjo profeci! Ta përhapje këtë vepër te «të gjitha kombet» do të ishte një sfidë, por ta bëje këtë, ndërkohë që do të përballeshe me ‘urrejtjen e kombeve’, do të ishte tamam një mrekulli. Kryerja e kësaj detyre kolosale do të nxirrte në pah jo vetëm epërsinë dhe fuqinë e Jehovait, por edhe dashurinë, mëshirën dhe durimin e tij. Veç kësaj, do t’u jepte shërbëtorëve të tij mundësinë që të tregonin besimin dhe përkushtimin e tyre.

4. Cilëve iu tha të kryenin veprën e predikimit, e ç’ngushëllim u dha Jezui?

4 Jezui nuk u la asnjë dyshim dishepujve se kishin për të bërë një vepër historike. Para se të ngjitej në qiell, ai iu shfaq atyre dhe u tha: «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.» (Veprat 1:8) Natyrisht, shumë shpejt, me ta do të bashkoheshin edhe të tjerë. Po gjithsesi, dishepujt ishin të paktë në numër. Sa shumë duhet të jenë ngushëlluar kur morën vesh se fryma e shenjtë e Perëndisë do t’u jepte fuqi për të kryer këtë caktim që u kishte dhënë Ai!

5. Çfarë nuk dinin dishepujt në lidhje me veprën e predikimit?

5 Dishepujt e dinin se duhej të predikonin lajmin e mirë dhe ‘të bënin dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’. (Mateu 28:19, 20) Po nuk e dinin deri në ç’masë do të jepej dëshmi dhe as nuk dinin kur do të vinte fundi. Këtë nuk e dimë as ne. Janë çështje që i vendos vetëm Jehovai. (Mateu 24:36) Kur të jetë dhënë dëshmi aq sa Jehovai të jetë i kënaqur, ai do të sjellë fundin e këtij sistemi të lig. Vetëm atëherë, të krishterët do ta kuptojnë se vepra e predikimit është kryer në masën që kishte për qëllim Jehovai. Me siguri, ata dishepuj të hershëm as që mund ta imagjinonin dot sa dëshmi e madhe do të jepej në këtë kohë të fundit.

Dëshmia që u dha në shekullin e parë

6. Ç’ndodhi në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., e pak më vonë?

6 Në shekullin e parë, vepra e predikimit për Mbretërinë dhe e bërjes së dishepujve pati rezultate të mahnitshme. Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., rreth 120 dishepuj ishin në një dhomë të sipërme, në Jerusalem. Mbi ta u derdh fryma e shenjtë e Perëndisë, pastaj apostulli Pjetër mbajti një fjalim të fuqishëm, ku shpjegoi pse ishte bërë kjo mrekulli, dhe, si pasojë, rreth 3.000 veta u bënë besimtarë e u pagëzuan. Por ky ishte vetëm fillimi. Pavarësisht nga përpjekjet këmbëngulëse të udhëheqësve fetarë për ta ndalur predikimin e lajmit të mirë, «Jehovai bashkonte përditë me [dishepujt], ata që hynin në rrugën e shpëtimit». S’kaloi shumë dhe «numri i burrave arriti në rreth pesë mijë veta». Më pas, «shumë burra e gra u shtoheshin besimtarëve në Zotërinë».—Veprat 2:1-4, 8, 14, 41, 47; 4:4; 5:14.

7. Pse ishte një ngjarje historike kthimi në besim i Kornelit?

7 Në vitin 36 të e.s., ndodhi një ngjarje tjetër historike: kthimi në besim dhe pagëzimi i Kornelit, që ishte johebre. Duke e drejtuar apostullin Pjetër te ky njeri i devotshëm, Jehovai tregoi se urdhri i Jezuit «bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet», nuk kufizohej vetëm te judenjtë që ndodheshin në vende të ndryshme. (Veprat 10:44, 45) Cili ishte reagimi i atyre që merrnin drejtimin? Kur e kuptuan se lajmi i mirë u duhej çuar edhe njerëzve të kombeve, pra jojudenjve, apostujt dhe pleqtë në Jude i dhanë lavdi Perëndisë. (Veprat 11:1, 18) Ndërkohë, vepra e predikimit vazhdoi të jepte fryt te judenjtë. Disa vjet më vonë, ndoshta rreth vitit 58 të e.s., përveç besimtarëve johebrenj, kishte edhe «mijëra besimtarë [judenj]».—Veprat 21:20.

8. Si ndikon lajmi i mirë te njerëzit?

8 Edhe pse rritja në numër e të krishterëve në shekullin e parë të bën përshtypje, nuk duhet të harrojmë kurrë se ato nuk ishin vetëm shifra, ishin individë. Mesazhi biblik që dëgjuan, ishte i fuqishëm. (Hebrenjve 4:12) U ndryshoi tërësisht jetën atyre që e pranuan. Njerëzit pastruan jetën e tyre, veshën personalitetin e ri dhe u pajtuan me Perëndinë. (Efesianëve 4:22, 23) E njëjta gjë është edhe sot. E ata që pranojnë lajmin e mirë kanë që të gjithë shpresën e mrekullueshme të jetës së përhershme.—Gjoni 3:16.

Bashkëpunëtorë të Perëndisë

9. Cilin privilegj dhe përgjegjësi kuptuan se kishin të krishterët e hershëm?

9 Të krishterët e hershëm nuk e mbajtën për vete meritën për atë që po bëhej. Ata e kuptonin se vepra e tyre e predikimit mbështetej me «fuqinë e frymës së shenjtë». (Romakëve 15:13, 19) Jehovai ishte përgjegjës për rritjen frymore. Në të njëjtën kohë, ata të krishterë e dinin se kishin privilegjin dhe përgjegjësinë për të qenë «bashkëpunëtorë të Perëndisë». (1 Korintasve 3:6-9) Prandaj, në harmoni edhe me këshillën e Jezuit, përpiqeshin fuqimisht në veprën që u ishte caktuar.—Luka 13:24.

10. Ç’përpjekje bënë disa të krishterë të hershëm, për t’u dhënë dëshmi të gjitha kombeve?

10 Si «apostull i kombeve», Pavli udhëtoi me mijëra kilometra në rrugë detare e tokësore, duke formuar shumë kongregacione në provincën romake të Azisë dhe në Greqi. (Romakëve 11:13) Shkoi në Romë e ndoshta edhe në Spanjë. Ndërkohë, apostulli Pjetër, të cilit i ishte besuar «lajmi i mirë . . . për ata që [ishin] të rrethprerë», udhëtoi deri në Babiloni, në drejtim të kundërt, dhe shërbeu në atë qendër të rëndësishme të judaizmit në atë kohë. (Galatasve 2:7-9; 1 Pjetrit 5:13) Ndër shërbëtorët e tjerë të shumtë që punuan pa u lodhur në veprën e Zotërisë kishte edhe gra, si Trifena dhe Trifosa. Edhe për një grua tjetër, me emrin Persida, u tha se «u mundua shumë në Zotërinë».—Romakëve 16:12.

11. Si i bekoi Jehovai përpjekjet e dishepujve?

11 Jehovai i bekoi shumë përpjekjet e tyre, si edhe të punëtorëve të tjerë të zellshëm. S’kishin kaluar as 30 vjet që kur Jezui paratha se do të jepej dëshmi në të gjitha kombet, e Pavli shkroi se «lajmi i mirë» u ishte ‘predikuar të gjitha krijesave nën qiell’. (Kolosianëve 1:23) A erdhi atëherë fundi? Në njëfarë kuptimi, po. Erdhi për sistemin judaik, në vitin 70 të e.s., kur ushtritë romake shkatërruan Jerusalemin dhe tempullin. Gjithsesi, Jehovai kishte përcaktuar se do të jepej një dëshmi shumë më e madhe, para se ai të sillte fundin e botës së ligë të Satanait.

Dëshmia që po jepet sot

12. Si e kuptonin Studentët e hershëm të Biblës urdhrin për të predikuar?

12 Gjatë pjesës së fundit të shekullit të 19-të, pasi kishte kaluar një periudhë e gjatë kohe me apostazi fetare, adhurimi i pastër u rivendos. Studentët e Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, e kuptuan qartë urdhrin për të bërë dishepuj në të gjithë tokën. (Mateu 28:19, 20) Në vitin 1914, kishte rreth 5.100 veta që merrnin pjesë aktivisht në veprën e predikimit, dhe lajmi i mirë kishte arritur në afro 68 vende. Mirëpo, ata Studentë të hershëm të Biblës nuk e kuptuan plotësisht Mateun 24:14. Deri në fund të shekullit të 19-të, Bibla—e cila përmban lajmin e mirë ose ungjillin—ishte përkthyer dhe shtypur në shumë gjuhë, nga shoqëritë biblike, dhe ishte shpërndarë përreth botës. Kështu, për disa dhjetëvjeçarë, Studentët e Biblës arsyetuan se tashmë u ishte dhënë dëshmi kombeve.

13, 14. Cila kuptueshmëri më e qartë e vullnetit dhe e qëllimit të Perëndisë u paraqit në një numër të Kullës së Rojës në vitin 1928?

13 Hap pas hapi, Jehovai i dha popullit të vet një kuptueshmëri më të qartë të vullnetit e të qëllimit të tij. (Proverbat 4:18) Kulla e Rojës, 1 dhjetor 1928, thoshte: «A mund të themi se me shpërndarjen e Biblës, u përmbush predikimi i ungjillit të mbretërisë, që ishte parathënë? Absolutisht jo! Pavarësisht nga kjo shpërndarje e Biblës, është e nevojshme që grupi i vogël i dëshmitarëve të Perëndisë në tokë, të shtypë literaturë për të shpjeguar [qëllimin] e Perëndisë dhe të shkojë në shtëpitë e atyre të cilëve u është dhënë një Bibël. Përndryshe njerëzit do të mbeteshin në padije lidhur me vendosjen e qeverisë Mesianike në kohën tonë.»

14 Më tej, në atë numër të Kullës së Rojës thuhej: «Në vitin 1920, . . . Studentët e Biblës e kuptuan saktë profecinë e Zotërisë tonë, që gjendet te Mateu 24:14. Pastaj kuptuan se ‘ky ungjill’ që do të predikohej në të gjithë botën si dëshmi për johebrenjtë ose për të gjitha kombet, nuk ishte ungjilli për një mbretëri që ende duhej të vinte, por një ungjill që, me pak fjalë, thotë se Mbreti Mesianik e ka filluar sundimin e tij mbi tokën.»

15. Si është zgjeruar vepra e predikimit që nga vitet 20?

15 Ai ‘grup i vogël dëshmitarësh’ i viteve 20, nuk mbeti aq i vogël. Në dhjetëvjeçarët që pasuan, u identifikua dhe filloi të mblidhej ‘një shumicë e madhe’ e ‘deleve të tjera’. (Zbulesa 7:9; Gjoni 10:16) Sot, ka 6.613.829 lajmëtarë të lajmit të mirë, në 235 vende të botës. Ç’përmbushje mahnitëse e profecisë! Kurrë më parë, «ky lajm i mirë i mbretërisë» nuk ishte predikuar në shkallë kaq të gjerë! Kurrë më parë nuk ka pasur në tokë kaq shumë shërbëtorë besnikë të Jehovait!

16. Çfarë është bërë vitin e kaluar të shërbimit? (Shih tabelën në faqet 27-30.)

16 Së bashku, kjo turmë e madhe Dëshmitarësh ka qenë aktive gjatë vitit të shërbimit 2005. Ata kaluan më shumë se një miliard orë duke shpallur lajmin e mirë në 235 vende. Bënë miliona rivizita dhe drejtuan miliona studime biblike. Kjo vepër është kryer nga Dëshmitarët e Jehovait, të cilët kanë ofruar falas kohën dhe energjitë e tyre për t’u folur të tjerëve për Fjalën e Perëndisë. (Mateu 10:8) Me anë të frymës së tij të shenjtë të fuqishme, Jehovai vazhdon t’u japë forcë shërbëtorëve të vet për të kryer vullnetin e tij.—Zakaria 4:6.

Punë e palodhur për të dhënë dëshmi

17. Si po u përgjigjet populli i Jehovait fjalëve të Jezuit për predikimin e lajmit të mirë?

17 Edhe pse kanë kaluar afro 2.000 vjet që kur Jezui tha se do të predikohej lajmi i mirë, zelli i popullit të Perëndisë për këtë vepër nuk është ulur. E dimë se, duke treguar qëndrueshmëri në vepra të mira, pasqyrojmë cilësitë e Jehovait: dashurinë, mëshirën dhe durimin. Njësoj si ai, as ne nuk dëshirojmë të shkatërrohet ndonjë, por duam që njerëzit të pendohen e të pajtohen me Jehovain. (2 Korintasve 5:18-20; 2 Pjetrit 3:9) Dëshmitarët e Jehovait, të zjarrtë në frymën e tij, vazhdojnë ta shpallin me zell lajmin e mirë deri në skajet e tokës. (Romakëve 12:11) Rrjedhimisht, njerëz nga çdo vend po pranojnë të vërtetën dhe po ndjekin drejtimin e dashur që jep Jehovai. Ja disa shembuj.

18, 19. A mund të tregoni ndonjë përvojë për individë që iu përgjigjën pozitivisht lajmit të mirë?

18 Çarlsi ishte fermer, në Kenian Perëndimore. Në vitin 1998 shiti më shumë se 8.000 kilogramë duhan dhe mori një certifikatë si «Fermeri më i mirë i duhanit». Në atë kohë, filloi të studionte Biblën. S’kaloi shumë dhe e kuptoi se, një njeri që merrej me prodhimin e duhanit, po shkelte urdhrin e Jezuit për të dashur të afërmin. (Mateu 22:39) Pasi nxori përfundimin se ‘fermeri më i mirë i duhanit’, në fakt, ishte ‘vrasësi më i mirë’, Çarlsi i spërkati me helm bimët e duhanit që kishte. Bëri përparim, u kushtua, u pagëzua dhe tani është pionier i rregullt dhe shërbëtor ndihmës.

19 Nuk ka dyshim se Jehovai po i lëkund kombet me anë të dëshmisë globale që po jepet, dhe gjërat e dëshirueshme të tyre—njerëzit—po vijnë tek ai. (Hageu 2:7) Pedroja, i cili jeton në Portugali, hyri në një seminar fetar kur ishte 13 vjeç. Synonte të bëhej misionar dhe t’u mësonte të tjerëve Biblën. Por, pas një kohe të shkurtër, iku nga seminari, sepse në mësim, Biblës nuk i kushtohej pothuajse fare vëmendje. Gjashtë vjet më vonë, hyri në një universitet në Lisbonë dhe studionte për psikologji. Jetonte me tezen, e cila ishte Dëshmitare e Jehovait dhe e nxiste të studionte Biblën. Në atë kohë, Pedroja nuk ishte i sigurt që Perëndia ekzistonte dhe as nuk vendoste dot të fillonte ose jo një studim biblik. Foli me profesorin e tij të psikologjisë për problemin e pavendosmërisë. Profesori i tha se një parim i psikologjisë është se njerëzit që s’marrin dot vendime, kanë prirjen të shkatërrojnë vetveten. Pas kësaj, Pedroja vendosi të studionte Biblën. U pagëzua kohët e fundit dhe tani po drejton vetë studime biblike.

20. Pse mund të gëzohemi që po u jepet dëshmi kombeve në një shkallë kaq të gjerë?

20 Ende nuk e dimë deri në ç’masë do t’u jepet dëshmi kombeve, as e dimë ditën dhe orën kur do të vijë fundi. Dimë vetëm që është shumë afër. Na gëzon fakti që predikimi i lajmit të mirë në një shkallë kaq të gjerë është një nga treguesit e shumtë se po afron koha kur Mbretëria e Perëndisë do të zëvendësojë qeveritë njerëzore. (Danieli 2:44) Çdo vit që kalon, miliona njerëzve u jepet mundësia t’i përgjigjen pozitivisht lajmit të mirë, dhe kjo i sjell lavdi Perëndisë tonë, Jehovait. Le të jemi të vendosur të mbetemi besnikë dhe, bashkë me vëllezërit tanë në mbarë botën, të jemi të zënë duke u dhënë dëshmi të gjitha kombeve! Duke vepruar kështu, do të shpëtojmë veten dhe ata që na dëgjojnë.—1 Timoteut 4:16.

A ju kujtohet?

• Pse Mateu 24:14 është një profeci kaq mahnitëse?

• Çfarë përpjekjesh bënë në predikim të krishterët e hershëm e me ç’rezultate?

• Si e kuptuan Studentët e Biblës nevojën për t’u dhënë dëshmi të gjitha kombeve?

• Çfarë ju bën përshtypje kur shqyrtoni veprimtarinë e popullit të Jehovait gjatë vitit të kaluar të shërbimit?

[Pyetjet]

[Tabela në faqet 27-30]

RAPORTI BOTËROR I DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT PËR VITIN E SHËRBIMIT 2005

(Shiko botimin)

[Harta dhe figurat në faqen 25]

Pavli udhëtoi me mijëra kilometra në rrugë detare e tokësore, për të predikuar lajmin e mirë

[Figura në faqen 24]

Jehovai e dërgoi Pjetrin që t’i jepte dëshmi Kornelit dhe familjes së tij