Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Imitoni durimin e Jehovait

Imitoni durimin e Jehovait

Imitoni durimin e Jehovait

«Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij, . . . por është i durueshëm.»​—2 PJETRIT 3:9.

1. Cilën dhuratë të pakrahasueshme u ka premtuar Jehovai njerëzve?

JEHOVAI na ka premtuar diçka që s’mund të na e premtojë askush tjetër. Është diçka shumë tërheqëse dhe e çmuar, por as mund të blihet e as mund të fitohet. Ai na premton dhuratën e jetës së përhershme. Për shumicën prej nesh, kjo do të thotë një jetë pa fund në një tokë parajsore. (Gjoni 3:16) Sa kënaqësi do të jetë! Gjërat që na shkaktojnë kaq shumë hidhërim, si luftërat, dhuna, varfëria, krimet, sëmundjet, e madje edhe vdekja, nuk do të jenë më. Njerëzit do të jetojnë në paqe dhe unitet të përsosur, nën sundimin e dashur të Mbretërisë së Perëndisë. Sa me padurim e presim atë Parajsë!—Isaia 9:6, 7; Zbulesa 21:4, 5.

2. Pse nuk e ka zhdukur ende Jehovai sistemin e Satanait?

2 Jo vetëm ne, por edhe Jehovai mezi e pret kohën kur do të vendosë Parajsën në tokë. Kjo sepse ai e do të drejtën dhe drejtësinë. (Psalmi 33:5) Jehovai nuk gjen asnjë kënaqësi kur sheh këtë botë indiferente dhe armiqësore ndaj normave të tij të drejta, këtë botë që s’do t’ia dijë për autoritetin e tij dhe që keqtrajton popullin e tij. Por ai ka arsye të forta pse nuk ka vepruar ende për ta zhdukur sistemin e lig të Satanait. Këto arsye kanë të bëjnë me çështjet morale që përfshijnë sovranitetin e tij. Për zgjidhjen e këtyre çështjeve, Jehovai po shfaq një cilësi që të bën për vete, por që sot shumë njerëzve u mungon: durimin.

3. (a) Ç’kuptim ka fjala greke dhe hebraike, të përkthyera «durim» në Bibël? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë tani?

3 Ka një fjalë greke që është përkthyer tri herë «durim» në Përkthimin Bota e Re. Fjalë për fjalë, do të thotë «gjerësi e frymës», prandaj shpeshherë përkthehet «shpirtgjerësi». Si fjala greke, ashtu edhe ajo hebraike përcjellin idenë që të përmbahesh e të mos zemërohesh shpejt. Si nxjerrim dobi ne nga durimi i Jehovait? Ç’mësime nxjerrim nga durimi dhe vetëpërmbajtja e Jehovait dhe e shërbëtorëve të tij besnikë? Si e kuptojmë se durimi i Jehovait ka kufi? Le të shohim.

Shqyrtoni durimin e Jehovait

4. Çfarë shkroi apostulli Pjetër për durimin e Jehovait?

4 Apostulli Pjetër shkroi këto fjalë për durimin e Jehovait: «Të mos ju shpëtojë pa vënë re kjo, o të dashur, se për Jehovain një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet, si një ditë. Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij, siç e konsiderojnë ngadalësinë disa njerëz, por është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin.» (2 Pjetrit 3:8, 9) Shikoni, ju lutemi, dy aspekte të paraqitura këtu, që na ndihmojnë të kuptojmë durimin e Jehovait.

5. Si ndikon në veprimet e Jehovait koncepti që ka ai për kohën?

5 Aspekti i parë është se Jehovai nuk ka të njëjtin koncept si ne për kohën. Për Atë që jeton përgjithmonë, një mijë vjet janë si një ditë. Jehovain nuk e kufizon dhe nuk e shtrëngon koha, por nga ana tjetër nuk është i ngadalshëm për të vepruar. Ngaqë ka një mençuri të pakufishme, ai e di me saktësi kur është koha më e mirë për të vepruar në dobi të të gjithëve, e me durim pret të vijë ajo kohë. Megjithatë, nuk duhet të nxjerrim përfundimin se Jehovai është i pandjeshëm ndaj vuajtjeve që mund të kalojnë ndërkohë shërbëtorët e tij. Ai është një Perëndi me ‘dhembshuri të butë’, është vetë personifikimi i dashurisë. (Luka 1:78; 1 Gjonit 4:8) Është i aftë të zhbëjë—krejtësisht dhe një herë e mirë—çfarëdolloj dëmi që mund të jetë shkaktuar nga lejimi i përkohshëm i vuajtjeve.—Psalmi 37:10.

6. Cilin përfundim nuk duhet të nxjerrim për Perëndinë, e përse?

6 Natyrisht, nuk është e lehtë të presësh për diçka që e dëshiron shumë. (Proverbat 13:12) Për shembull, kur disa njerëz nuk i përmbushin shpejt premtimet, të tjerët mund të nxjerrin përfundimin se s’kanë ndër mend t’i përmbushin. Po sa e pamend do të ishte ta mendonim këtë për Perëndinë! Nëse e ngatërrojmë durimin e Perëndisë me ngadalësinë, kalimi i kohës mund të na shtyjë me lehtësi të dyshojmë e të shkurajohemi. Kështu rrezikojmë të bëhemi të plogësht frymësisht. Më keq akoma, mund të na mashtrojnë ata për të cilët paralajmëroi Pjetri disa vargje më sipër, domethënë tallësit, njerëzit pa besim. Me qesëndi, ata thonë: «Ku është kjo prania e tij e premtuar?! Se ja, që nga dita që paraardhësit tanë ranë në gjumin e vdekjes, të gjitha gjërat po vazhdojnë tamam si nga fillimi i krijimit.»—2 Pjetrit 3:4.

7. Si lidhet durimi i Jehovait me dëshirën e tij që njerëzit të pendohen?

7 Ja një aspekt i dytë që mund të kuptojmë nga fjalët e Pjetrit: Jehovai duron ngaqë dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin. Ata që me kokëfortësi nuk pranojnë të kthehen nga rrugët e tyre të këqija, do të ndëshkohen nga Jehovai. Megjithatë, Perëndia nuk kënaqet me vdekjen e të ligut. Përkundrazi, ai gëzohet kur sheh që njerëzit pendohen, kthehen nga rrugët e tyre të këqija dhe vazhdojnë të jetojnë. (Ezekieli 33:11) Prandaj, ai po tregon durim dhe po bën që lajmi i mirë të shpallet në të gjithë tokën, që njerëzit të kenë çdo mundësi për të zgjedhur jetën.

8. Ç’mund të mësojmë për durimin e Perëndisë nga mënyra se si veproi me kombin e Izraelit?

8 Durimin e Perëndisë e shohim edhe në mënyrën si veproi me kombin e lashtë të Izraelit. Për shekuj me radhë, ai e duroi mosbindjen e tyre. Me anë të profetëve të vet, i nxiti shumë herë me radhë: «Kthehuni nga udhët tuaja të këqija dhe mbani urdhërimet e normat e mia, sipas gjithë ligjit që u urdhërova paraardhësve tuaj dhe që jua kam dërguar me anë të shërbëtorëve të mi, profetëve.» Cili ishte rezultati? Mjerisht, njerëzit «nuk dëgjonin».—2 Mbretërve 17:13, 14.

9. Si e pasqyroi në mënyrë të përsosur Jezui durimin e Atit të tij?

9 Së fundi, Jehovai dërgoi Birin e tij, i cili shumë herë me radhë u bëri nxitje judenjve të pajtoheshin me Perëndinë. Durimi i Jezuit ishte pasqyrim i përsosur i durimit të Atit të tij. Duke e ditur fare mirë se së shpejti do ta vritnin, Jezui vajtoi: «Jerusalem, Jerusalem, vrasës i profetëve, që i vret me gurë ata që janë dërguar te ti! Sa herë desha t’i mblidhja bashkë fëmijët e tu, ashtu si i mbledh klloçka zogjtë nën krahë! Por ju nuk deshët.» (Mateu 23:37) Këto fjalë prekëse nuk janë fjalët e një gjykatësi të rreptë që mezi pret të ndëshkojë dikë, por fjalët e një miku të dashur që është i duruar me të tjerët. Ashtu si dhe Ati i tij në qiell, Jezui donte që njerëzit të pendoheshin dhe të shpëtonin nga gjykimi i pafavorshëm. E, në fakt, disa iu bindën paralajmërimeve të Jezuit dhe shpëtuan nga gjykimi i tmerrshëm që erdhi mbi Jerusalemin në vitin 70 të e.s.—Luka 21:20-22.

10. Si kemi nxjerrë dobi nga durimi i Perëndisë?

10 A nuk mrekullohemi kur mendojmë për durimin e Perëndisë? Megjithëse njerëzimi është treguar paturpësisht i pabindur, Jehovai i ka dhënë mundësi secilit prej nesh, si dhe miliona të tjerëve, që ta njohim dhe të marrim shpresën e shpëtimit. «Konsiderojeni durimin e Zotërisë tonë si shpëtim»,—u shkroi Pjetri të krishterëve të tjerë. (2 Pjetrit 3:15) A s’jemi mirënjohës që kemi mundësinë të shpëtojmë, falë durimit të Jehovait? A nuk lutemi që Jehovai të vazhdojë të jetë i durueshëm me ne, ndërsa i shërbejmë ditë pas dite?—Mateu 6:12.

11. Çfarë nxitemi të bëjmë, kur kuptojmë pse duron Jehovai?

11 Kur e kuptojmë pse po duron Jehovai, e kemi më të lehtë të presim me durim shpëtimin që do të sjellë ai, pa menduar asnjëherë se është i ngadalshëm në përmbushjen e premtimeve. (Vajtimet 3:26) Vërtet, ne vazhdojmë të lutemi që të vijë Mbretëria e Perëndisë, por ama kemi besim se ai e di kur është koha më e mirë për t’iu përgjigjur kësaj lutjeje. Veç kësaj, nxitemi ta imitojmë Jehovain, duke treguar durim si ai, në marrëdhëniet me vëllezërit tanë dhe me njerëzit te të cilët predikojmë. As ne s’duam që të shkatërrohet ndonjë, por dëshirojmë që të pendohen e të kenë edhe ata shpresën e jetës së përhershme si ne.—1 Timoteut 2:3, 4.

Shqyrtoni durimin e profetëve

12, 13. Në përputhje me Jakovin 5:10, si e ndihmoi durimi profetin Isaia për të pasur sukses në caktimin e tij?

12 Kur shqyrtojmë durimin e Jehovait, arrijmë ta vlerësojmë këtë cilësi e në të njëjtën kohë ta zhvillojmë edhe vetë. Për njerëzit e papërsosur s’është e lehtë të mësojnë durimin, por mund t’ia dalin mbanë. Për këtë mund të mësojmë nga shërbëtorët e lashtë të Perëndisë. Dishepulli Jakov shkroi: «Vëllezër, merrni si shembull të vuajtjes dhe të durimit profetët që folën në emër të Jehovait.» (Jakovi 5:10) Ngushëllohemi dhe marrim zemër kur mësojmë se të tjerë kanë arritur të kapërcejnë probleme të ngjashme me tonat.

13 Për shembull, profetit Isaia i duhej patjetër durim në caktimin e tij. Jehovai vetë ia tha këtë, me fjalët: «Shko e thuaji këtij populli: ‘Dëgjoni herë pas here, por pa kuptuar. Shikoni herë pas here, por pa marrë njohuri.’ Bëje të pandjeshme zemrën e këtij populli, mbyllua sytë dhe veshët, që me sy të mos shohin, me veshë të mos dëgjojnë, me zemër të mos kuptojnë dhe të mos kthehen e të shërohen.» (Isaia 6:9, 10) Edhe pse populli ishte indiferent, me durim Isaia i shpalli mesazhet paralajmëruese të Jehovait, të paktën për 46 vjet! Edhe neve, durimi do të na ndihmojë të qëndrojmë në veprën e predikimit të lajmit të mirë, ndonëse shumë veta janë indiferentë.

14, 15. Çfarë e ndihmoi Jereminë të përballonte vështirësitë dhe shkurajimin?

14 Natyrisht, gjatë shërbimit, profetëve nuk iu desh të duronin vetëm indiferencën e njerëzve. Ata patën edhe përndjekje. Jereminë e vunë në fallaka, «e futën në burg» dhe e hodhën në një sternë. (Jeremia 20:2; 37:15; 38:6) Këtë keqtrajtim e pati nga po ata njerëz që dëshironte t’i ndihmonte. E megjithatë, Jeremia nuk mbajti mëri dhe as nuk u hakmor. Me durim, qëndroi i patundur për dhjetëra vjet.

15 Përndjekjet dhe talljet nuk ia mbyllën gojën Jeremisë, dhe as neve sot nuk na e mbyllin dot gojën. Kuptohet, nganjëherë mund të ndihemi të shkurajuar. Edhe Jeremia u shkurajua. «Fjala e Jehovait u bë për mua shkak për poshtërim e shpotitje tërë ditën,—shkroi ai.—Unë thashë: ‘Nuk do ta përmend më dhe nuk do të flas më në emër të tij.’» Po pastaj, çfarë ndodhi? A e la vërtet predikimin Jeremia? Ai tha: «Fjala [e Perëndisë] ishte në zemrën time si një zjarr përvëlues i mbyllur në kockat e mia. U lodha duke ndenjur në heshtje dhe nuk durova dot më.» (Jeremia 20:8, 9) Vini re se, kur u përqendrua te talljet e njerëzve, Jeremia e humbi gëzimin. Pastaj, kur filloi të mendonte për bukurinë dhe rëndësinë e mesazhit që kishte, gëzimi iu rigjallërua. Për më tepër, Jehovai ishte me Jereminë «si një i fuqishëm dhe i tmerrshëm», duke i dhënë forcë për ta shpallur fjalën e Perëndisë me zell e me guxim.—Jeremia 20:11.

16. Si të ruajmë gëzimin në veprën e predikimit të lajmit të mirë?

16 A gjente gëzim në veprën e tij profeti Jeremia? Sigurisht që po! Ai i tha Jehovait: «Kur më erdhën fjalët e tua, i përpiva. Fjala jote është ngazëllimi dhe gëzimi i zemrës sime, sepse thirrem me emrin tënd, o Jehova.» (Jeremia 15:16) Jeremia gëzonte për privilegjin që të përfaqësonte Perëndinë e vërtetë dhe të predikonte fjalën e Tij. Këtë gëzim e kemi edhe ne. Për më tepër, ne, ashtu si edhe engjëjt në qiell, gëzojmë që shumë veta në mbarë botën e pranojnë mesazhin e Perëndisë, pendohen dhe hyjnë në rrugën drejt jetës së përhershme.—Luka 15:10.

‘Qëndrueshmëria e Jobit’

17, 18. Çfarë qëndrueshmërie tregoi Jobi dhe me çfarë përfundimi?

17 Pasi foli për profetët e lashtë, dishepulli Jakov shkroi: «Ju keni dëgjuar për qëndrueshmërinë e Jobit dhe e keni parë shpërblimin që i dha Jehovai, se Jehovai është shumë i butë në përzemërsi dhe i mëshirshëm.» (Jakovi 5:11) Fjala greke që këtu është përkthyer ‘qëndrueshmëri’, ka kuptim të ngjashëm me fjalën që Jakovi e përdori një varg më sipër për ‘durimin’. Një dijetar shkroi sa vijon për ndryshimin midis këtyre dy fjalëve: «E para është durimi kur të tjerët na keqtrajtojnë, kurse e dyta është ngulmimi me guxim kur jemi në rrethana të vështira.»

18 Jobi pati rrethana shumë të vështira. U rrënua financiarisht, humbi gjithë fëmijët dhe i ra një sëmundje e dhembshme. I duhej të merrej edhe me akuzat e rreme se Jehovai po e ndëshkonte. Jobi nuk vuajti në heshtje; ai vajtoi për situatën e tij, e madje la të kuptohej se ishte më i drejtë se Perëndia. (Jobi 35:2) Gjithsesi, nuk e humbi kurrë besimin dhe nuk e shkeli integritetin e tij. Nuk e mallkoi Perëndinë, siç kishte pretenduar Satanai. (Jobi 1:11, 21) Cili ishte përfundimi? Jehovai «i bekoi vitet e mëvonshme të jetës së Jobit më shumë se të mëparshmet». (Jobi 42:12) Jehovai i riktheu shëndetin Jobit, i dyfishoi pasurinë dhe e bekoi me një jetë të kënaqshme e të lumtur, së bashku me njerëzit e vet të dashur. Kjo cilësi që shfaqi Jobi, qëndrueshmëria besnike, i dha mundësi edhe ta kuptonte më mirë Jehovain.

19. Çfarë mësojmë nga qëndrueshmëria me durim e Jobit?

19 Ç’mësojmë nga qëndrueshmëria me durim e Jobit? Ashtu si ai, edhe ne mund të na bien sëmundje ose të kemi vështirësi të tjera. Ndoshta s’e kuptojmë plotësisht pse Jehovai po lejon që të kalojmë një sprovë të veçantë. E megjithatë, mund të jemi të sigurt për një gjë: po të mbetemi besnikë, do të bekohemi. Jehovai i shpërblen gjithnjë ata që e kërkojnë me ngulm. (Hebrenjve 11:6) Jezui tha: «Ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.»—Mateu 10:22; 24:13.

«Dita e Jehovait do të vijë»

20. Pse mund të jemi të sigurt që dita e Jehovait do të vijë?

20 Edhe pse është i durueshëm, Jehovai është edhe i drejtë e nuk do ta tolerojë përgjithmonë ligësinë. Durimi i tij ka kufi. Pjetri shkroi: «[Perëndia] nuk ia kurseu ndëshkimin një bote të lashtë.» Edhe pse Noeja me familjen e tij shpëtuan, ajo botë e paperëndishme u përmbyt nga uji. Jehovai solli gjykimin edhe mbi Sodomën e Gomorrën, duke i bërë shkrumb e hi. «Njerëzve të paperëndishëm» këto gjykime duhet t’u shërbejnë si ‘një model i gjërave që do të vijnë’. Mund të jemi të sigurt për këtë gjë: «Dita e Jehovait do të vijë.»—2 Pjetrit 2:5, 6; 3:10.

21. Si ta tregojmë durimin dhe qëndrueshmërinë tonë? Cilën temë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

21 Atëherë, le të imitojmë durimin e Jehovait, duke ndihmuar të tjerë që të arrijnë pendimin dhe të shpëtojnë. Gjithashtu, le të imitojmë profetët, duke e shpallur me durim lajmin e mirë, pavarësisht nga reagimi indiferent i njerëzve te të cilët predikojmë. Veç kësaj, mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na bekojë me bollëk nëse, ashtu si Jobi, durojmë sprovat dhe mbajmë integritetin. Kemi çdo arsye për të gëzuar në shërbim, pasi vëmë re se si i ka bekuar Jehovai përpjekjet e popullit të tij për ta predikuar lajmin e mirë në gjithë tokën. Këtë do ta shohim në artikullin vijues.

A ju kujtohet?

• Pse tregon durim Jehovai?

• Ç’mësojmë nga durimi që treguan profetët?

• Si shfaqi qëndrueshmëri Jobi e me çfarë rezultati?

• Nga e dimë se durimi i Jehovait ka kufi?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 18]

Durimi i Jezuit ishte pasqyrim i përsosur i durimit të Atit të tij

[Figurat në faqen 20]

Si e shpërbleu Jehovai Jereminë për durimin e tij?

[Figurat në faqen 21]

Si e shpërbleu Jehovai Jobin për qëndrueshmërinë e tij?