Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Paraja dhe morali: Një mësim nga historia

Paraja dhe morali: Një mësim nga historia

Paraja dhe morali: Një mësim nga historia

MË 7 PRILL të vitit 1630, rreth katërqind njerëz u nisën me katër anije nga Anglia për në Amerikë. Shumë prej tyre ishin me arsimim të lartë. Disa të tjerë biznesmenë të suksesshëm. Madje disa ishin anëtarë parlamenti. Ekonomia e Anglisë në ato kohë ishte në krizë për shkak të Luftës Tridhjetëvjeçare në Evropë (1618-1648). Kështu që, duke rrezikuar, ata lanë shtëpinë, punën dhe të afërmit e u nisën në kërkim të mundësive më të mira.

Por këta nuk ishin një grup tregtarësh që po përfitonin nga rasti. Ishin puritanë të zellshëm që largoheshin për shkak të përndjekjeve fetare. * Në të vërtetë, qëllimi i tyre ishte të krijonin një komunitet që drejtohej nga ligjet e Perëndisë, ku ata dhe pasardhësit e tyre do të jetonin në begati materiale, pa bërë kompromis me normat e Biblës. Pak kohë pasi zbritën në Salem, Masaçusets, zunë një copë tokë përgjatë bregut, dhe vendin e tyre të ri e quajtën Boston.

Ekuilibër i vështirë për t’u arritur

Xhon Uintropi, udhëheqësi dhe guvernatori i tyre, bëri çmos që të nxiste pasurinë private dhe begatinë e komunitetit në koloninë e re. Ai dëshironte që njerëzit të jetonin në pasuri, por, në të njëjtën kohë, sipas normave morale. Por doli që ky ishte një ekuilibër i vështirë për t’u arritur. Që t’u paraprinte sfidave, ai foli gjerë e gjatë me njerëzit e tij për rolin e pasurisë në një shoqëri të perëndishme.

Ashtu si edhe udhëheqësit e tjerë puritanë, Uintropi mendonte se të kërkoje pasurinë, nuk ishte e gabuar në vetvete. Ai arsyetonte se qëllimi kryesor i pasurisë ishte të ndihmonte të tjerët. Pra, sa më i pasur të ishte dikush, aq më shumë do të mund t’i ndihmonte të tjerët. «Gjëja që ia turbullonte më shumë mendjen puritanëve ishte pasuria,—thotë historiania Patricia O’Tul.—Ajo ishte edhe një provë e bekimit të Perëndisë, por edhe një joshje e fuqishme drejt mëkatit të krenarisë . . . dhe mëkateve të mishit.»

Për të shmangur mëkatet që vinin nga pasuria dhe luksi, Uintropi i nxiste të ishin të përmbajtur dhe çdo gjë të ishte me masë e me karar. Por, shumë shpejt, dëshira e zjarrtë që kishin bashkëqytetarët e tij për të fituar sa më shumë, filloi të pengonte përpjekjet e tij për t’i bindur që të ishin të perëndishëm dhe ta donin njëri-tjetrin. Rebelët filluan të sfidonin atë që e konsideronin si ndërhyrje shtypëse nga ana e Uintropit në çështjet private. Disa filluan të kundërshtonin e të kërkonin mbledhjen e një asambleje që të merrte vendime. Ndërsa të tjerët votuan «me këmbë», domethënë ikën fare, dhe u transferuan në qytetin fqinj të Kënektikatit, në mënyrë që atje t’u kushtoheshin interesave të tyre.

«Mundësitë për përfitim, begatia, demokracia,—thotë O’Tul,—ishin faktorë të fuqishëm në jetën e puritanëve në Masaçusets, dhe pavarësisht nga ideali i Uintropit për një përfitim kolektiv, të gjithë kishin prirjen të ushqenin ambiciet individuale.» Në vitin 1649, në moshën 61-vjeçare, Uintropi vdiq pothuajse pa një qindarkë në xhep. Pavarësisht nga problemet, kolonia e dobët mbijetoi, megjithatë Uintropi, sa ishte gjallë, nuk e pa kurrë ëndrrën e tij të realizohej.

Kërkimi vazhdon

Pikëpamja idealiste e Xhon Uintropit për një botë më të mirë nuk u shua me vdekjen e tij. Me qindra mijëra veta emigrojnë çdo vit nga Afrika, Azia Juglindore, Evropa Lindore dhe Amerika Latine me shpresën për të gjetur një jetë më të mirë. Disa prej tyre joshen nga qindra mijë libra të rinj, seminarë dhe site në Internet që dalin çdo vit dhe premtojnë të tregojnë sekretin se si mund të bëhesh i pasur. Është e qartë se shumë njerëz vazhdojnë të rropaten për të fituar para, me shpresën se nuk do t’i braktisin vlerat morale.

Në të vërtetë, rezultatet kanë qenë zhgënjyese. Në shumicën e rasteve, ata që rendin pas pasurive, në fund flijojnë në altarin e pasurisë, parimet e tyre, e ndonjëherë edhe besimin te Perëndia. Pra, me të drejtë mund të pyesni: «A është e mundur që dikush të jetë i krishterë e në të njëjtën kohë i pasur? A do të ketë ndonjëherë një shoqëri që mund të jetojë në begati materiale dhe sipas vlerave morale e fetare? Ashtu siç tregohet edhe në artikullin vijues, Bibla jep përgjigjen e këtyre pyetjeve.

[Shënimi]

^ par. 3 Në shekullin e 16-të, disa protestantë të kishës së Anglisë që donin të spastronin kishën e tyre nga çdo ndikim i katolicizmit romak, u quajtën puritanë.

[Burimet e figurave në faqen 3]

Varkat: The Complete Encyclopedia of Illustration/J. G. Heck; Uintropi: Vëllezërit Braun