Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i Nehemisë

Pika kryesore nga libri i Nehemisë

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i Nehemisë

KANË kaluar dymbëdhjetë vjet që nga ngjarjet e fundit të regjistruara në librin biblik të Ezdrës. Është afër koha e ‘daljes së fjalës për të restauruar dhe për të rindërtuar Jerusalemin’, ngjarja që shënon fillimin e 70 javëve vjetore që vazhdojnë deri në ardhjen e Mesisë. (Danieli 9:24-27) Libri i Nehemisë përmban historinë e rindërtimit të murit të Jerusalemit nga populli i Perëndisë. Ajo përshkruan ngjarjet e një periudhe mjaft të rëndësishme 12-vjeçare, duke filluar që nga viti 456 p.e.s. deri pak kohë pas vitit 443 p.e.s.

Ky libër është shkruar nga guvernatori Nehemia dhe është një tregim mjaft emocionues se si lartësohet adhurimi i vërtetë kur vendosmëria ndërthuret me mbështetjen e plotë te Perëndia Jehova. Aty tregohet qartë se si i drejton gjërat Jehovai, që të përmbushë vullnetin e tij. Libri flet edhe për një udhëheqës të fortë dhe të guximshëm. Sot, adhuruesit e vërtetë nxjerrin mësime mjaft të dobishme nga libri i Nehemisë, «sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi».—Hebrenjve 4:12.

«MË NË FUND MURI PËRFUNDOI»

(Nehemia 1:1–6:19)

Nehemia është në kështjellën e Shushanit, dhe atje, në një pozitë të lartë, i shërben mbretit Artakserks Dorëgjatit. Kur merr vesh se populli i tij «është në gjendje shumë të keqe e të poshtëruar dhe muri i Jerusalemit është shembur e portat e tij janë djegur nga zjarri», Nehemia shqetësohet shumë. Prandaj lutet me përgjërim dhe kërkon drejtimin e Perëndisë. (Nehemia 1:3, 4) Me kalimin e kohës, mbreti vë re trishtimin e Nehemisë dhe e lejon të shkojë në Jerusalem.

Pasi mbërrin në Jerusalem, Nehemia shkon në errësirën e natës për të parë në ç’gjendje është muri dhe u tregon judenjve planin e tij për ta rindërtuar. Rindërtimi i murit fillon, e bashkë me të fillojnë edhe pengesat. Por nën drejtimin e guximshëm të Nehemisë, «më në fund muri [përfundon]».—Nehemia 6:15.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

1:1; 2:1—A është llogaritur ‘viti i njëzetë’ që përmendet në këto dy vargje, duke iu referuar së njëjtës pikë kohore? Po, bëhet fjalë për vitin e njëzetë të mbretërimit të mbretit Artakserks. Por mënyra e llogaritjes në këto vargje ndryshon. Sipas llogaritjeve të historianëve, mbreti Artakserks hipi në fron në vitin 475 p.e.s. Skribët babilonas e kishin zakon të llogaritnin vitet e mbretërimit të mbretërve persë duke filluar nga muaji nisan (mars-prill) e duke përfunduar në nisanin e vitit vijues. Kështu, sipas kësaj llogaritjeje, Artakserksi ka filluar të mbretërojë në nisan të vitit 474 p.e.s. Pra, viti i 20-të i mbretërimit që përmendet te Nehemia 2:1 kishte filluar në nisan të vitit 455 p.e.s. Kuptohet që muaji hislev (nëntor-dhjetor) që përmendet te Nehemia 1:1, ishte ai i vitit të mëparshëm, domethënë i vitit 456 p.e.s. Nehemia i referohet këtij muaji si një muaj në vitin e 20-të të mbretërimit të Artakserksit. Në këtë rast, ai po llogariste vitet që nga data që mbreti hipi në fron. Ndoshta Nehemia po e llogariste kohën sipas vitit civil, siç e quajnë judenjtë e sotëm, i cili fillon në muajin e tishrit që i korrespondon periudhës shtator-tetor. Sidoqoftë, viti në të cilin doli fjala për të restauruar Jerusalemin ishte në vitin 455 p.e.s.

4:17, 18—Si mund të punonte në ndërtim një punëtor duke përdorur vetëm një dorë? Për hamejtë kjo nuk ishte problem. Kur e vendosnin ngarkesën mbi kokë ose mbi shpatulla, mund ta mbanin lehtë me një dorë, «ndërsa me tjetrën mbanin heshtën». Ndërtuesit që gjatë punës kishin nevojë për të dyja duart, «e kishin shpatën të ngjeshur në brez ndërsa punonin». Ata ishin gati të mbroheshin, nëse armiku i sulmonte papritur.

5:7—Në ç’kuptim filloi Nehemia ‘t’i qortonte fisnikët e mëkëmbësit’? Këta po kërkonin fajde nga judenjtë e tjerë, por kjo thyente Ligjin e Moisiut. (Levitiku 25:36; Ligji i përtërirë 23:19) Për më tepër, interesi që kërkonin huadhënësit ishte tepër i lartë. Po të kërkohej çdo muaj, ‘e njëqindta’, nënkuptonte që duhet të jepnin 12 për qind në vit. (Nehemia 5:11) Ishte mizore të kërkoje diçka të tillë nga këta njerëz që tashmë duhet të paguanin shumë taksa dhe në një kohë kur vendi ishte në zi buke. Nehemia i qortoi të pasurit sepse thyenin Ligjin e Perëndisë dhe nxori në shesh shkeljet e tyre.

6:5—Duke qenë se letrat zakonisht vendoseshin në një çantë të vulosur, përse Sanballati i dërgoi «një letër të hapur» Nehemisë? Ndoshta sepse Sanballati donte që t’i bënte publike akuzat e tij të rreme duke i dërguar në një letër të hapur. Mbase shpresonte se kjo do ta xhindoste aq shumë Neheminë, sa të linte punën përgjysmë dhe të shkonte për t’u mbrojtur. Ose Sanballati mund të ketë menduar se përmbajtja e letrës do t’i frikësonte aq shumë judenjtë, sa të gjithë do ta linin ndërtimin e murit. Nehemia nuk u frikësua dhe me qetësi vazhdoi punën që i kishte caktuar Perëndia.

Mësime për ne:

1:4; 2:4; 4:4, 5. Kur ndodhemi në situata të vështira ose kur duhet të marrim vendime shumë të rëndësishme, duhet të ‘ngulmojmë në lutje’ dhe të veprojmë në përputhje me drejtimin që marrim nga Fjala e Perëndisë.—Romakëve 12:12.

1:11–2:8; 4:4, 5, 15, 16; 6:16. Jehovai u përgjigjet lutjeve të sinqerta të shërbëtorëve të tij.—Psalmi 86:6, 7.

1:4; 4:19, 20; 6:3, 15. Vërtet Nehemia ishte i dhembshur, por nga ana tjetër la një shembull të shkëlqyer si njeri i veprimit që ishte i vendosur për të mbrojtur drejtësinë.

1:11–2:3. Burimi kryesor i gëzimit të Nehemisë nuk ishte pozita e tij e lartë si kupëmbajtës, por të çonte para adhurimin e pastër. A nuk duhet të jetë edhe për ne gjëja kryesore dhe burimi më i madh i gëzimit adhurimi i Jehovait dhe gjithçka që e çon përpara këtë adhurim?!

2:4-8. Jehovai bëri që Artakserksi ta lejonte Neheminë që të shkonte dhe të rindërtonte murin e Jerusalemit. «Zemra e mbretit është si rrëketë e ujit në dorën e Jehovait. Ai e kthen atë nga t’i pëlqejë»,—thuhet te Proverbat 21:1.

3:5, 27. Punën fizike që bëjmë për adhurimin e pastër nuk duhet ta konsiderojmë si diçka që na ul dinjitetin, ashtu siç e shihte «paria» e tekoitëve. Por ne duhet të imitojmë tekoitët e thjeshtë, që vullnetarisht dhanë ndihmën e tyre.

3:10, 23, 28-30. Edhe pse disa mund të transferohen atje ku nevojiten më shumë lajmëtarë të Mbretërisë, ne mund ta mbështetim adhurimin e pastër pa qenë nevoja të transferohemi. Mund ta bëjmë këtë duke marrë pjesë në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, duke ndihmuar viktimat e katastrofave natyrore, dhe kryesisht duke marrë pjesë në veprën e predikimit të mbretërisë.

4:14. Kur hasim kundërshtime, edhe ne mund ta kapërcejmë frikën, duke mbajtur në mend «atë që është i madh e ngjall frikë».

5:14-19. Për mbikëqyrësit e krishterë, guvernatori Nehemia është një shembull i shkëlqyer përulësie, modestie dhe maturie. Megjithëse me zell i nxiste të tjerët të zbatonin Ligjin e Perëndisë, ai nuk ushtronte kontroll mbi ta për arsye egoiste. Përkundrazi, tregonte dhembshuri kundrejt të shtypurve dhe të varfërve. Edhe me bujarinë e tij, Nehemia la një shembull të mirë për të gjithë shërbëtorët e Perëndisë.

«MË KUJTO PËR MIRË, O PERËNDIA IM»

(Nehemia 7:1–13:31)

Sapo përfundon muri i Jerusalemit, Nehemia vendos dyert dhe merr masa për mbrojtjen e qytetit. Pas kësaj, ai bën regjistrimin e popullsisë. Kur populli mblidhet «në sheshin që ishte përpara Portës së Ujërave», prifti Ezdra lexon librin e Ligjit të Moisiut dhe Nehemia, bashkë me levitët, u shpjegojnë njerëzve Ligjin. (Nehemia 8:1) Kur mësojnë për mbajtjen e festës së kasolleve, ata nxiten që ta mbajnë këtë festë me gëzim të madh.

Pas kësaj bëhet një grumbullim tjetër, gjatë të cilit «fara e Izraelit» rrëfen mëkatet e kombit, levitët flasin për marrëdhënien e Izraelit me Perëndinë dhe populli bën be se ‘do të ecë në ligjin e Perëndisë së vërtetë’. (Nehemia 9:1, 2; 10:29) Meqë popullsia e Jerusalemit është e paktë në numër, hidhet shorti që një në dhjetë banorë që jetojnë jashtë qytetit, të vijë e të transferohet brenda në qytet. Pastaj, përurimi i murit bëhet me aq entuziazëm, sa ‘gëzimi i Jerusalemit dëgjohet deri larg’. (Nehemia 12:43) Dymbëdhjetë vjet pas ardhjes së tij, Nehemia largohet nga Jerusalemi për t’u kthyer në shërbim të Artakserksit. Por populli i judenjve përfshihet në gjëra të papastra. Kur kthehet në Jerusalem, Nehemia ndërmerr veprime të prera për të rregulluar gjendjen. Ndërsa për veten ai bën një kërkesë mjaft të përulur: «Më kujto për mirë, o Perëndia im!»—Nehemia 13:31.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

7:6-67—Pse lista që bëri Nehemia për mbetjen që u kthye me Zorobabelin në Jerusalem ndryshon në numër nga lista që bëri Ezdra për çdo shtëpi? (Ezdra 2:1-65) Arsyeja e këtyre ndryshimeve mund të jetë që Ezdra dhe Nehemia përdorën burime të ndryshme. Për shembull, numri i atyre që u regjistruan për t’u kthyer mund të ketë qenë ndryshe nga numri i atyre që u kthyen vërtet. Ndoshta këto dy regjistrime ndryshojnë edhe sepse disa judenj që nuk kishin mundësi të përcaktonin gjenealogjinë e tyre në fillim, arritën ta përcaktonin më vonë. Megjithatë të dy tregimet përputhen në një pikë: numri i atyre që u kthyen në fillim ishte 42.360, pa llogaritur skllevërit dhe këngëtarët.

10:34—Pse iu kërkua popullit që të bënte furnizimin me dru? Oferta e drurit nuk urdhërohej në Ligjin e Moisiut. Kjo kërkesë lindi nga nevoja e ngutshme. Nevojiteshin sasi të mëdha me dru që të digjeshin flijimet në altar. Me sa duket, nuk kishte aq nethinimë sa duhej, që të shërbenin në tempull si skllevër joizraelitë. Prandaj, hodhën short në mënyrë që drutë të mos mungonin asnjëherë.

13:6—Sa kohë zgjati largimi i Nehemisë nga Jerusalemi? Bibla thotë vetëm se «më vonë» ose fjalë për fjalë «në ditët e fundit», Nehemia i kërkoi mbretit leje që të kthehej në Jerusalem. Prandaj, është e pamundur të përcaktohet se sa kohë zgjati largimi i tij. Kur u kthye në Jerusalem, Nehemia pa që populli as i mbështeste priftërinjtë, as sabatin nuk e mbante. Shumë prej tyre ishin martuar me gra të huaja dhe fëmijët e tyre nuk e flisnin gjuhën e judenjve. Përderisa gjërat kishin arritur deri këtu, Nehemia duhet të ketë qenë larguar për një kohë të gjatë.

13:25, 28—Përveç ‘qortimit’ të judenjve për shkeljet e tyre, çfarë masash të tjera korrigjuese mori Nehemia? Nehemia ‘i mallkoi’ duke u treguar gjykimet që gjendeshin te Ligji i Perëndisë. Ai ‘goditi disa prej tyre’, ndoshta duke marrë masa gjyqësore kundër tyre. Si shenjë të indinjatës së tij, ai ‘u shkuli flokët’. Dëboi edhe nipin e kryepriftit Eliashib, që ishte dhëndri i Sanballat horonitit.

Mësime për ne:

8:8. Si mësues të Fjalës së Perëndisë, ne ‘shpjegojmë domethënien’ duke bërë një shqiptim të mirë, duke theksuar, duke i shpjeguar saktë shkrimet dhe duke bërë të qartë zbatimin e tyre.

8:10. «Gëzimi i Jehovait» vjen kur e kuptojmë dhe e plotësojmë nevojën tonë frymore dhe kur i bindemi drejtimit të Perëndisë. Sa e rëndësishme është që të studiojmë me zell Biblën, të ndjekim rregullisht mbledhjet e krishtere dhe të marrim pjesë me zell në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve!

11:2. Të linin gjithçka që kishin trashëguar dhe të transferoheshin në Jerusalem kërkonte shpenzime personale dhe kishte disa anë negative. Ata që dolën vullnetarë për një gjë të tillë treguan një frymë vetëmohuese. Edhe ne mund të tregojmë një frymë të tillë kur lind nevoja që të dalim vullnetarë për t’u shërbyer të tjerëve në kongres ose në raste të tjera.

12:31, 38, 40-42. Kënga është një mënyrë e shkëlqyer për të lavdëruar Jehovain dhe për t’i shprehur mirënjohjen tonë. Prandaj duhet të këndojmë me gjithë zemër në mbledhjet e krishtere.

13:4-31. Duhet të tregojmë kujdes që të mos e lejojmë materializmin, korrupsionin dhe apostazinë të ndikojnë në jetën tonë.

13:22. Nehemia e kishte kuptuar se do të jepte llogari përpara Perëndisë. Edhe ne, nuk duhet të harrojmë se do t’i japim llogari Jehovait.

Nevojitet miratimi i Jehovait

«Po s’e ndërtoi Jehovai shtëpinë, më kot lodhen ndërtuesit»,—tha psalmisti në këngën e tij. (Psalmi 127:1) Sa bukur e ilustron libri i Nehemisë vërtetësinë e këtyre fjalëve!

Mësimi që nxjerrim është i qartë. Nëse duam që përpjekjet tona të kenë sukses në çfarëdolloj gjëje që ndërmarrim, duhet të kemi miratimin e Jehovait. Jehovai patjetër që do të na bekojë, nëse vëmë në vend të parë adhurimin e vërtetë. Prandaj, ashtu si Nehemia, adhurimi i Jehovait dhe përparimi i këtij adhurimi qofshin shqetësimi ynë kryesor!

[Figura në faqen 8]

«Zemra e mbretit është si rrëketë e ujit në dorën e Jehovait»

[Figura në faqen 9]

Nehemia, njeri i veprimit dhe i dhembshur, vjen në Jerusalem

[Figurat në faqet 10, 11]

A e dini se si mund ‘të shpjegojmë domethënien’ e Fjalës së Perëndisë?