Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Çfarë domethënie ka trekëndëshi ngjyrë vjollcë?»

«Çfarë domethënie ka trekëndëshi ngjyrë vjollcë?»

«Çfarë domethënie ka trekëndëshi ngjyrë vjollcë?»

«PAK ditë më parë mora një kopje të Kullës së Rojës nga një Dëshmitare e Jehovait»,—shkroi një nëpunës civil, që punon në ministrinë e drejtësisë në Seul të Republikës së Koresë. Ai thoshte më tej: «Duke e lexuar, mësova disa fakte për përndjekjen e Dëshmitarëve të Jehovait nën regjimet naziste dhe komuniste. Por më lindi një pyetje. Në fotografinë e kapakut tregohen Dëshmitarë të Jehovait që kanë në anën e majtë të xhaketës një trekëndësh të përmbysur ngjyrë vjollcë. Çfarë domethënie ka trekëndëshi ngjyrë vjollcë?»

Në Gjermani, në kohën e regjimit nazist, Dëshmitarët e Jehovait nuk pranonin të thoshin përshëndetjen «Hail Hitler» dhe qëndruan asnjanës lidhur me çështjet politike dhe ushtarake. Për pasojë, nazistët i përndoqën mizorisht, duke burgosur rreth 12.000 Dëshmitarë, për periudha të ndryshme, në burgje dhe kampe përqendrimi. Rreth 2.000 prej tyre vdiqën, nga të cilët qindra veta u ekzekutuan.

Çfarë domethënie kishte trekëndëshi ngjyrë vjollcë te uniforma e burgut? Libri Anatomia e shtetit SS (anglisht) shpjegon: «Kategoritë e ndryshme të të burgosurve në kampet [naziste] mbanin shenja të veçanta dalluese. Sipas sistemit të vendosur përpara luftës, për vënien e shenjave dalluese, mbi çdo uniformë të burgosuri qepej një copë pëlhure trekëndëshe. Ngjyra e saj varej nga kategoria e të burgosurve: për të burgosurit politikë, ngjyrë e kuqe; për Dëshmitarët e Jehovait, vjollcë; për elementët antishoqërorë, të zezë; për kriminelët, të gjelbër; për homoseksualët, rozë; për emigrantët, blu. Përveç trekëndëshit me ngjyrë, të burgosurit hebrenj duhej të mbanin një trekëndësh të verdhë që ishte qepur mbi trekëndëshin me ngjyrë në atë mënyrë që të formohej Ylli gjashtëkëndor i Davidit.»

Profesori Xhon K. Roth shkroi në librin e tij Politika e holokaustit (anglisht): «Nëse domethënia e tij morale do të vazhdojë të kujtohet në të ardhmen, trekëndëshi ngjyrë vjollcë mund të jetë një mburojë kundër katastrofave, majat trekëndore të së cilës na e drejtojnë vëmendjen dhe na bëjnë përgjegjës ndaj sjelljes së virtytshme që meriton në një masë shumë të madhe respektin njerëzor.» Dëshmitarët e Jehovait kanë prodhuar dokumentarin me temë Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë të patundur kundër sulmit nazist, dokumentar i cili ka fituar edhe çmim. Pse të mos i kërkoni një Dëshmitari të Jehovait që t’ju krijojë mundësinë të shihni këtë kasetë?