A kemi nevojë për Mesinë?
A kemi nevojë për Mesinë?
ËSHTË më se normale të pyesësh: «A kemi nevojë për Mesinë?» Po, është logjike të mendosh nëse Mesia do të ndryshonte ndonjë gjë në jetën tënde.
Disa njerëz, mendimi i të cilëve vlerësohet, do të të siguronin se përgjigjja është e qartë dhe e pagabueshme: ti patjetër ke nevojë për Mesinë, po aq sa gjithë të tjerët. Në shekullin e parë, një specialist i ligjit judaik shkroi këto fjalë për Mesinë: «Pavarësisht se sa shumë janë premtimet e Perëndisë, ato janë bërë ‘po’ me anë të tij.» Kështu, ai e përqendroi vëmendjen te roli kyç që luan Mesia në qëllimin e Krijuesit tonë për të bekuar gjithë kombet e tokës. (2 Korintasve 1:20) Roli i Mesisë është kaq i rëndësishëm, saqë ardhja dhe jeta e tij janë në qendër të profecive të Biblës. Në një manual të përdorur nga miliona veta gjatë 70 viteve të fundit, Henri H. Hallei tha: «Besëlidhja e Vjetër u shkrua për të krijuar një ndjenjë pritjeje dhe për të shtruar rrugën për Ardhjen e [Mesisë].» Por, a është e nevojshme ardhja e tij? Pse duhet të të interesojë?
Fjala «Mesia» (fjalë për fjalë: i mirosuri) është një titull për dikë që caktohet në një pozitë të veçantë (si mbret ose prift) dhe është ekuivalenti i termit shumë të njohur «Krishti». Ai, të cilin Encyclopædia Britannica, botimi i vitit 1970, e quan «shpenguesi më i madh», duhej të vinte për shkak të veprimeve të pamenda të çiftit të parë njerëzor, Adamit dhe Evës. Ata u krijuan të përsosur, me mundësinë e mrekullueshme për të jetuar pafundësisht në Parajsë, por e humbën këtë mundësi. Një engjëll rebel, që u njoh me emrin Satana Djalli, u la të nënkuptonin se Krijuesi i tyre ishte tepër kufizues dhe se do të ishin më mirë po ta vendosnin vetë të mirën e të keqen.—Zanafilla 3:1-5.
Eva u mashtrua dhe e besoi këtë gënjeshtër. Adami, me sa duket, duke vlerësuar shoqërinë e gruas së tij më tepër se besnikërinë ndaj Perëndisë, u bë bashkëpunëtor në këtë rebelim të nxitur nga Djalli. (Zanafilla 3:6; 1 Timoteut 2:14) Por, me veprimet e tyre, nuk e humbën vetëm për vete mundësinë e jetës pa fund në kushte parajsore. Mëkatin dhe pasojën e tij, vdekjen, ua kaluan si trashëgimi edhe pasardhësve, që ende s’kishin lindur.—Romakëve 5:12.
Krijuesi ynë, Jehovai, menjëherë përcaktoi mënyrën për të ndrequr dëmet që do të shkaktonin ngjarjet që erdhën si pasojë e rebelimit. Ai do të bënte një pajtim, me anë të një rregulli që më pas do të ishte parim ligjor në Ligjin e Moisiut: barazimi. (Ligji i përtërirë 19:21; 1 Gjonit 3:8) Duhej zbatuar ky parim ligjor, që të paktën disa nga pasardhësit e pashpresë të Adamit dhe Evës të kishin mundësi të merrnin jetën e pafundme në një tokë parajsore, siç kishte vënë si qëllim Krijuesi për familjen njerëzore. Kjo na çon te Mesia.
Kur dënoi Djallin, Perëndia Jehova shpalli në profecinë e parë të Biblës: «Do të vë armiqësi mes teje dhe gruas, mes farës sate dhe farës së saj. Ai do të të shtypë kokën, dhe ti do ta plagosësh në thembër.» (Zanafilla 3:15) Një studiues biblik tha se «historia e premtimeve mesianike, e paraqitur në Shkrime, fillon me [këtë] thënie». Një tjetër studiues komentoi se Mesia është mjeti me të cilin Perëndia ‘do të kthejë mbrapsht gjithë gjëmën që solli mëkati’ i parë, e në të njëjtën kohë do t’i sjellë bekime njerëzimit.—Hebrenjve 2:14, 15.
Megjithatë, ti ndoshta e kupton se, tani për tani, njerëzimi nuk po bekohet. Përkundrazi, raca njerëzore është zhytur në dëshpërim dhe është pa shpresë. Prandaj, The World Book Encyclopedia thotë se «shumë judenj ende presin të vijë Mesia» dhe se ai «do t’i ndreqë gabimet e do të mundë armiqtë e popullit». Mirëpo, Bibla thotë se Mesia tashmë ka ardhur. A ka arsye për të besuar atë që thotë Bibla? Përgjigjen do të na e japë artikulli vijues.