Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Kemi gjetur Mesinë»

«Kemi gjetur Mesinë»

«Kemi gjetur Mesinë»

«KEMI gjetur Mesinë.» «Kemi gjetur atë për të cilin shkroi Moisiu në Ligj dhe Profetët.» Dy judenj të devotshëm në shekullin e parë thanë këto fjalë që ngjallën habi. Më në fund, Mesia për të cilin kishin shpresuar kaq shumë, kishte mbërritur! Ata ishin të bindur për këtë!​—Gjoni 1:35-45.

Kur mendon për kontekstin historik e fetar të asaj kohe, bindja e tyre merr edhe më tepër domethënie. Në atë kohë kishin dalë shumë që hiqeshin si çlirimtarë, me bujë të madhe e me tërë ato premtime, por shpresat ishin shuar shpejt, kur këta burra nuk kishin arritur t’i çlironin judenjtë nga zgjedha romake.​—Veprat 5:34-37.

Kurse këta dy judenj, Andrea dhe Filipi, ishin plotësisht të bindur se kishin gjetur Mesinë e vërtetë. Madje, në vitet që pasuan, kjo bindje iu përforcua, sepse i panë vetë veprat e mrekullueshme që kreu ai njeri, duke përmbushur kështu atë që ishte parathënë për Mesinë.

Pse këta dy judenj dhe shumë të tjerë treguan besim tek ai, të bindur se nuk ishte një Mesi i rremë ose një mashtrues që do t’i zhgënjente njerëzit? Cilat prova tregonin qartë se ai ishte Mesia i vërtetë?

Sipas historisë, Andrea dhe Filipi identifikuan si Mesinë e premtuar dhe të shumëpritur, Jezuin nga Nazareti, një ish-zdrukthëtar. (Gjoni 1:45) Një historian i kujdesshëm i asaj epoke, Luka, thotë se ardhja e Mesisë ndodhi «vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar». (Luka 3:1-3) Viti i 15-të i mbretërimit të Tiberit filloi në shtator të vitit 28 të e.s. dhe mbaroi në shtator të vitit 29 të e.s. Më tej, Luka thotë se në atë kohë, judenjtë ‘ishin në pritje’ të Mesisë. (Luka 3:15) Pse e pritnin pikërisht atëherë? Le ta shohim.

Provat që identifikojnë Mesinë

Meqë Mesia do të luante një rol jetësor, është logjike të presim që Krijuesi, Jehovai, të siguronte dëshmi të qarta për t’i ndihmuar njerëzit besnikë e vigjilentë të identifikonin Mesinë e premtuar. Përse? Sepse, në këtë mënyrë, ata që ishin syçelë, nuk do të binin në grackën e mashtruesve, siç ndodhi me shumë të tjerë.

Kur një ambasador paraqitet te një qeveri tjetër, nga ai pritet ta vërtetojë emërimin e vet zyrtar me letër kredencialet e nevojshme. Po kështu, mjaft kohë më parë Jehovai kishte dokumentuar kërkesat që do të plotësonte Mesia. Prandaj, kur të shfaqej «Kryepërfaqësuesi», do të ishte si të paraqitej me dokumente ose kredenciale që vërtetonin identitetin e tij.​—Hebrenjve 12:2.

Provat specifike që duheshin si kredenciale për Mesinë, ishin paraqitur në një numër të madh profecish biblike të shkruara shekuj më parë. Ato parathoshin në hollësitë më të vogla mënyrën si do të vinte Mesia, natyrën e shërbimit të tij, vuajtjet që do të hiqte nga të tjerët dhe si do të vdiste. Me siguri të intereson të dish se ato profeci të besueshme parathoshin edhe ringjalljen e tij, lartësimin në të djathtën e Perëndisë dhe, së fundi, bekimet që do të sillte Mbretëria e tij në të ardhmen. Kështu, profecitë biblike siguronin një model unik, që mund të krahasohet me shenjat e gishtërinjve, të cilat mund të identifikojnë vetëm një njeri.

Natyrisht, kur u shfaq Jezui në vitin 29 të e.s., nuk u përmbushën menjëherë të gjitha profecitë Mesianike. Për shembull, ende nuk e kishin vrarë e nuk ishte ringjallur. Gjithsesi, Andrea, Filipi e shumë të tjerë treguan besim te Jezui duke u nisur nga ajo që mësonte dhe që bënte. Panë prova të bollshme që tregonin se ai ishte vërtet Mesia. Po të jetoje në atë kohë e të mund t’i studioje vetë provat, me mendje të hapur, me siguri edhe ti do të bindeshe se Jezui ishte Mesia.

Një tablo e përbërë

Çfarë do të të kishte ndihmuar të arrije në këtë përfundim? Gjatë shekujve, profetët e Biblës renditën kërkesat specifike që do të plotësonte Mesia, për t’u identifikuar në mënyrë të pagabueshme. Ndërsa shekull pas shekulli profetët siguronin këto hollësi, u krijua një tablo e Mesisë. Henri H. Hallei komentoi: «Ta zëmë se disa burra nga vende të ndryshme, që kurrë s’e kishin parë njëri-tjetrin e nuk kishin komunikuar në ndonjë mënyrë, do të hynin në një dhomë dhe secili do të sillte nga një copë mermeri të gdhendur, e këto copa, kur të viheshin bashkë, do të formonin një statujë të përsosur. Si ta shpjegonim ndryshe këtë, përveç që një Person kishte vizatuar hollësitë dhe i kishte dërguar çdonjërit pjesën që duhej të bënte?» Pastaj bëri këtë pyetje: «Si mund të shpjegohet ndryshe kjo tablo mahnitëse e jetës dhe e veprave të Jezuit, e krijuar nga shkrimtarë të ndryshëm të vendeve të ndryshme, shekuj para se të vinte Jezui, përveç që NJË MENDJE MBINJERËZORE duhet ta ketë mbikëqyrur shkrimin?» Hallei nxori përfundimin se ajo ishte «Mrekullia e të gjitha kohëve»!

Kjo «mrekulli» nisi që në librin e parë të Biblës. Përveç profecisë së parë biblike që tregonte rolin e Mesisë, shkrimtari i Zanafillës dokumentoi se Mesia do të vinte nga linja gjenealogjike e Abrahamit. (Zanafilla 3:15; 22:15-18) U zbulua edhe një hollësi tjetër, pra që Mesia do të vinte nga fisi i Judës. (Zanafilla 49:10) Nëpërmjet Moisiut, Perëndia u tha izraelitëve se Mesia do të ishte një zëdhënës dhe çlirimtar më i madh edhe se vetë Moisiu.​—Ligji i përtërirë 18:18.

Gjatë kohës së mbretit David, profecitë zbuluan se Mesia do të ishte trashëgimtari i fronit të Davidit dhe se mbretëria e Tij ‘do të ishte e patundur përjetë’. (2 Samuelit 7:13-16) Libri i Mikesë zbuloi se Mesia do të lindte në qytetin e Davidit, në Betlehem. (Mikea 5:2) Isaia paratha se Ai do të lindte nga një vashë e virgjër. (Isaia 7:14) Profeti Malakia paratha se ardhja e Tij do të shpallej nga dikush që ishte si Elija.​—Malakia 4:5, 6.

Një hollësi tjetër specifike për Mesinë, doli në librin e Danielit. Duke përcaktuar me saktësi vitin kur do të shfaqej Mesia, profecia thotë: «Ti duhet ta dish e të kesh gjykim të thellë, se që nga dalja e fjalës për të restauruar dhe për të rindërtuar Jerusalemin deri te Mesia, Udhëheqësi, do të kalojnë shtatë javë, si edhe gjashtëdhjetë e dy javë. Ai do të rivendoset dhe do të rindërtohet, me një shesh dhe me një hendek, por në një kohë plot shtrëngime.»​—Danieli 9:25.

Mbreti pers, Artakserksi, e tha ‘fjalën’ për të restauruar e për të rindërtuar Jerusalemin në vitin e 20-të të mbretërimit të vet. Ky mbretërim filloi në vitin 474 p.e.s., prandaj viti i 20-të i binte viti 455 p.e.s. (Nehemia 2:1-8) Kështu, një periudhë prej 69 (7 plus 62) javësh profetike do të ndante urdhrin për të restauruar e rindërtuar Jerusalemin nga shfaqja e Mesisë. Natyrisht, 69 javë të mirëfillta janë baraz me vetëm 483 ditë, ose më pak se dy vjet. Por, kur zbatohet rregulli i përcaktuar profetik «një ditë për një vit», del se Mesia do të shfaqej 483 vjet më vonë, domethënë në vitin 29 të e.s.​—Ezekieli 4:6. *

Ndonëse gjatë viteve u shfaqën disa pretendues për Mesi, Jezui nga Nazareti u shfaq në vitin 29 të e.s. (Luka 3:1, 2) Pikërisht atë vit, Jezui vajti te Gjon Pagëzori dhe u pagëzua në ujë. Në atë kohë, Jezui u miros me frymën e shenjtë si Mesia. Më vonë, Gjoni, pararendësi i parathënë që do të ishte si Elija, ia prezantoi Jezuin Andreas dhe një dishepulli tjetër, duke e quajtur «Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës».​—Gjoni 1:29; Luka 1:13-17; 3:21-23.

Gjenealogjia dhe identifikimi i Mesisë

Profecitë e frymëzuara e lidhnin Mesinë me disa familje të caktuara judaike. Prandaj, është më se e arsyeshme që Krijuesi tejet i mençur të merrte masa që Mesia të vinte në një kohë kur kishte dokumentime gjenealogjike për të vërtetuar prejardhjen e tij.

Cyclopedia, të Meklintokut dhe Strongut, thuhet: «S’ka dyshim se regjistrat e fiseve dhe të familjeve judaike humbën kur u shkatërrua Jerusalemi [në vitin 70 të e.s.], e jo më parë.» Ka prova të qarta se Mateu dhe Luka i shkruan Ungjijtë e tyre para vitit 70 të e.s. Prandaj, mund t’i kenë kontrolluar këta regjistra, ndërsa përpilonin tregimet e tyre për prejardhjen e Jezuit. (Mateu 1:1-16; Luka 3:23-38) E sigurisht, meqë kjo gjë kishte rëndësi të madhe, shumë bashkëkohës të tyre do të kishin dashur ta verifikonin vetë prejardhjen e Jezuit.

Përmbushje e rastësishme te Jezui?

Megjithatë, a mund t’i ketë përmbushur Jezui këto profeci Mesianike thjesht rastësisht? Në një intervistë, një studiues u përgjigj: «S’ka se si. Shifrat e probabilitetit janë kaq astronomike, sa e përjashtojnë këtë. Dikush bëri llogaritjet dhe nxori si përfundim se, probabiliteti që të përmbushen vetëm tetë nga ato profeci, është një në njëqind milionë miliardë.» Për ta shpjeguar më qartë këtë shifër kolosale, ai tha: «Po ta kishe këtë shifër në monedha . . . , do të mbulonin shtetin e Teksasit [me sipërfaqe 690.000 kilometra katrorë] deri në një lartësi 0,6 metra. Po t’i vije shenjë njërës prej monedhave dhe pastaj të caktoje një njeri me sytë e lidhur të endej në të gjithë shtetin e të përkulej për të marrë një monedhë, sa mundësi do të kishte që ai të zgjidhte pikërisht atë me shenjë?» Pastaj, ai tha se ky është «i njëjti probabilitet që dikush në histori të ketë përmbushur qoftë edhe vetëm tetë nga profecitë [Mesianike]».

E megjithatë, gjatë shërbimit të tij që zgjati tre vjet e gjysmë, Jezui përmbushi jo tetë, po shumë më tepër profeci biblike. Me këtë dëshmi të jashtëzakonshme, ai studiues përfundoi: «Jezui, dhe vetëm Jezui në gjithë historinë, ia doli t’i përmbushte ato.»

«Ardhja» e Mesisë

Është e qartë, pra, se Mesia erdhi në vitin 29 të e.s. dhe ishte Jezui nga Nazareti. Kjo ishte ardhja e tij si Shpengues i përulur e i përvuajtur. Nuk erdhi si një Mbret i pamposhtur për të thyer zgjedhën shtypëse të romakëve, siç kishin shpresuar, me sa duket, shumica e judenjve e madje edhe ithtarët e tij. (Isaia, kapitulli 53; Zakaria 9:9; Veprat 1:6-8) Megjithatë, ishte parathënë se, kur të vinte në të ardhmen, ai do të kishte pushtet dhe autoritet të madh.​—Danieli 2:44; 7:13, 14.

Studimi i kujdesshëm i profecive të Biblës i ka bindur njerëzit që arsyetojnë, kudo qofshin, se Mesia erdhi në shekullin e parë dhe se do të kthehej prapë. Provat tregojnë se kthimi i tij i parathënë, fillimi i «pranisë» së tij, ndodhi në vitin 1914. * (Mateu 24:3-14) Në atë vit, Jezui, në mënyrë të padukshme, u kurorëzua në qiej si Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë. Së shpejti, ai do ta çlirojë tokën nga pasojat e rebelimit në Eden. Mbretërimi i tij Mijëvjeçar që do të pasojë, do t’i bekojë të gjithë ata që tregojnë besim tek ai si Fara e premtuar, Mesia, i cili «heq mëkatin e botës».​—Gjoni 1:29; Zbulesa 21:3, 4.

Nëse dëshiron, Dëshmitarët e Jehovait me kënaqësi do të shqyrtojnë me ty këto prova dhe do të të tregojnë nga Bibla se ç’mund të nënkuptojë sundimi i Mesisë për ty e për njerëzit e tu të afërt.

[Shënimet]

^ par. 17 Për më shumë hollësi rreth Danielit 9:25, shih Mendjehollësi mbi Shkrimet, vëllimi 2, faqet 899-904, anglisht, dhe Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!, faqet 186-191, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 27 Për më tepër hollësi, shih kapitujt 10 e 11 të librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diagrami dhe figurat në faqet 6, 7]

455 p.e.s., ‘fjala për të restauruar Jerusalemin’

29 i e.s., Mesia vjen

483 vjet (69 javë profetike)​—Danieli 9:25

1914, Mesia kurorëzohet në qiell

Së shpejti, Mesia do t’i japë fund ligësisë e do ta bëjë tokën parajsë