Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lista e librave të Biblës: Dëshmi e hershme për saktësinë e saj

Lista e librave të Biblës: Dëshmi e hershme për saktësinë e saj

Lista e librave të Biblës: Dëshmi e hershme për saktësinë e saj

«DUKET sikur çdo rresht është shkruar enkas për të ngjallur kureshtjen e atyre që u intereson historia e krishterimit të hershëm.» Këto fjalë i referohen një dokumenti të lashtë. A ua merr mendja se për çfarë dokumenti bëhet fjalë?

Edhe mund të keni dëgjuar për të, ose jo. Është fjala për Fragmentin Muratorian. Sidoqoftë mund të pyesni: ‘Pse është kaq i veçantë Fragmenti Muratorian?’ Sepse është lista më e vjetër e besueshme e librave të Shkrimeve të Krishtere Greke.

Ju mund ta merrni si të mirëqenë që disa libra janë pjesë e Biblës. Por, a do të habiteshit po t’ju thoshin se dikur diskutohej se cilët libra do të përfshiheshin në të? Fragmenti Muratorian, përmban një listë tekstesh që mendohet se janë frymëzuar nga Perëndia. Siç mund ta kuptoni, përmbajtja e saktë e Biblës është me rëndësi të madhe. Atëherë, çfarë zbulon ky dokument në lidhje me librat që tani përbëjnë Shkrimet e Krishtere Greke? Së pari, le të mësojmë paksa për historinë e këtij dokumenti.

Zbulimi i tij

Fragmenti Muratorian është pjesë e një kodiku me 76 fletë pergamenësh, çdonjëra prej të cilave 27 centimetra e gjatë dhe 17 centimetra e gjerë. Ludoviko-Antonio Muratori (1672-1750), historian i shquar italian, e zbuloi atë në Bibliotekën Ambroziane, në Milano të Italisë. Në vitin 1740, Muratori e botoi gjetjen e tij—ja përse u bë i njohur si Fragmenti Muratorian. Me sa duket, kodiku është shkruar në shekullin e tetë në manastirin e lashtë të Bobios, afër Piaçencës, në veri të Italisë. U bë pjesë e Bibliotekës Ambroziane në fillim të shekullit të 17-të.

Fragmenti Muratorian përbëhet nga një tekst prej 85 rreshtash që gjenden në fletët 10 dhe 11 të kodikut. Teksti është në latinisht, e me sa duket është kopjuar nga një skrib jo shumë i kujdesshëm. Disa nga gabimet e tij janë zbuluar duke e krahasuar me të njëjtin tekst që gjendet në katër dorëshkrime të shekullit të 11-të dhe 12-të.

Kur u shkrua?

Ndoshta mund të pyesni se kur u shkrua për herë të parë Fragmenti Muratorian. Me sa duket origjinali i tij u shkrua në greqisht shumë shekuj para tekstit të Fragmentit, i cili nuk është tjetër veçse përkthimi i tij në latinisht. Te Fragmenti gjejmë diçka që na ndihmon për të kuptuar kohën kur u shkrua origjinali. Aty përmendet një libër jo biblik me titull Bariu për të cilin thotë që një burrë me emrin Hermes e shkroi «tani afër, në kohën tonë, në qytetin e Romës». Nga llogaritë e studiuesve del se Bariu i Hermesit ka mbaruar së shkruari aty rreth viteve 140-155 të e.s. Pra, ja përse teksti origjinal në greqisht i Fragmentit Muratorian, që është në latinisht, daton aty rreth viteve 170-200 të e.s.

Përmendja në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të Romës tregon se ai mund të jetë shkruar në këtë qytet. Por autorësia mbetet me pikëpyetje. Mendohet që mund ta kenë shkruar ose Klementi nga Aleksandria, ose Melito nga Sarda, ose Polikrati nga Efesi. Megjithatë, shumica e studiuesve janë të mendimit se ishte Hipoliti, një shkrimtar mjaft prodhimtar që shkruante në greqisht dhe jetonte në Romë gjatë periudhës që ndoshta u përpilua përmbajtja e Fragmentit Muratorian. Edhe nëse kjo mund të ngjallë një farë interesi, ndoshta doni të dini më tepër se ç’përmban Fragmenti që e bën atë kaq me vlerë.

Përmbajtja e tij

Ai nuk është thjesht një listë e librave të Shkrimeve të Krishtere Greke. Ai flet edhe për librat e për shkrimtarët e tyre. Po ta lexonit tekstin, do të shihnit se rreshtat e parë të dorëshkrimit mungojnë, dhe përveç kësaj duket sikur mbaron papritur. Në fillim përmend ungjillin e Lukës dhe thotë se shkrimtari i këtij libri biblik ishte mjek. (Kolosianëve 4:14) Më tej vazhdon se ungjilli i Lukës është i treti, dhe kjo lë të nënkuptohet se pjesa që mungon fliste për ungjijtë e Mateut dhe të Markut. Nëse keni arritur në këtë përfundim, do të gjeni mbështetje te Fragmenti Muratorian, i cili thotë se ungjilli i katërt është ungjilli i Gjonit.

Fragmenti mbështet faktin që libri i Veprave të Apostujve u shkrua nga Luka për ‘fort të shkëlqyerin Teofil’. (Luka 1:3; Veprat 1:1) Pastaj ai vazhdon duke renditur letrat e apostullit Pavël drejtuar korintasve (të dyja), efesianëve, filipianëve, kolosianëve, galatasve, selanikasve (të dyja), romakëve, Filemonit, Titit dhe letrat drejtuar Timoteut (të dyja). Edhe letra e Judës dhe dy letrat e Gjonit përmenden si letra të frymëzuara. Ndërsa letra e parë e apostullit Gjon ishte përmendur tashmë bashkë me ungjillin e tij. Apokalipsi, ose ndryshe Zbulesa, mbyll listën e librave që konsiderohen të frymëzuara.

Është domethënës fakti që Fragmenti përmend një Apokalips të Pjetrit, por thotë se disa mendonin se nuk duhej lexuar nga të krishterët. Shkrimtari i Fragmentit tregon se në kohën e tij qarkullonin kopje të rreme të këtij Apokalipsi. Fragmenti Muratorian shpjegon se këto nuk duheshin pranuar pasi «nuk është mirë që gjëja e hidhur të përziehet me mjaltin». Dokumenti përmend edhe tekste të tjera që nuk duheshin përfshirë në shkrimet e shenjta. Kjo ndoshta ose sepse u shkruan pas periudhës së apostujve, ashtu si edhe Bariu i Hermesit, ose sepse u shkruan për të mbështetur herezitë.

Nga sa u tha me sipër, mund të keni vërejtur se letra drejtuar hebrenjve, dy letrat e Pjetrit dhe ajo e Jakovit nuk përmenden në këtë listë të librave të frymëzuara të Biblës. Megjithatë, pasi foli për mjeshtërinë e atij skribi që kopjoi dorëshkrimin, dr. Xhefri-Mark Hanemani u shpreh se është «e arsyeshme të mendosh se Fragmenti mund të ketë pasur edhe pjesë të tjera që tani kanë humbur, dhe se letra e Jakovit, e hebrenjve (dhe 1 Pjetrit) mund të kenë qenë ndër ta».—Fragmenti Muratorian dhe Shkrimi i listës së librave biblikë.

Pra, Fragmenti Muratorian vërteton se shumica e librave që tani gjenden në Shkrimet e Krishtere Greke që në shekullin e dytë të erës sonë konsideroheshin si libra të frymëzuar nga Perëndia. Sigurisht, e drejta e tyre për t’u përfshirë në Bibël, nuk varet nga fakti nëse janë përmendur në ndonjë listë të lashtë ose jo. Ajo që vërteton se librat e Biblës janë fryt i frymës së shenjtë, është përmbajtja e tyre. Të gjitha mbajnë autorësinë e Perëndisë Jehova dhe janë të gjitha në harmoni të plotë me njëra-tjetrën. Harmonia dhe ekuilibri i 66 librave të frymëzuar biblikë vërtetojnë unitetin dhe plotësinë e tyre. Prandaj bëni mirë nëse i pranoni këto libra për atë që janë, pra për Fjalën e frymëzuar të Jehovait, e ruajtur deri në ditët tona.—1 Selanikasve 2:13; 2 Timoteut 3:16, 17.

[Figura në faqen 13]

Ludoviko Antonio Muratori

[Figura në faqen 14]

Biblioteka Ambroziane

[Figura në faqen 15]

Fragmenti Muratorian

[Burimi]

Diritti Biblioteca Ambrosiana. Vietata la riproduzione. Aut. No. F 157/05

[Burimet e figurave në faqen 13]

Fragmentet: Diritti Biblioteca Ambrosiana. Vietata la riproduzione. Aut. No. F 157 / 05; Muratori, bazuar në pikturën nga: © 2005 Brown Brothers