Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Cilat janë tri rreziqet për të cilat po paralajmëronte Jezui te Mateu 5:22?

Në predikimin në Mal Jezu Krishti i paralajmëroi ithtarët e vet: «Unë po ju them se kushdo që vazhdon të jetë i zemëruar me vëllanë e vet, do të japë llogari para gjyqit. Kushdo që i drejtohet vëllait të vet me një fyerje të rëndë do të japë llogari para Gjykatës së Lartë, dhe kushdo që thotë: ‘Njeri i poshtër!’ rrezikon të dënohet në Gehenën e zjarrtë.»—Mateu 5:22.

Jezui përmendi gjëra që për judenjtë ishin të njohura, si gjyqi, Gjykata e Lartë dhe Gehena e zjarrtë, me qëllim që t’u përcillte atyre idenë se sa më të rënda të ishin mëkatet, aq më të rënda ishin ndëshkimet.

Së pari, Jezui tha se kushdo që vazhdon të jetë i zemëruar me vëllanë e vet, do të japë llogari para «gjyqit» ose gjykatës vendëse. Sipas traditës, këto gjykata formoheshin në qytete ku numri i meshkujve të rritur ishte 120 ose më shumë. (Mateu 10:17; Marku 13:9) Gjykatësit në këto gjykata kishin autoritet të jepnin gjykime, madje edhe për raste vrasjesh. (Ligji i përtërirë 16:18; 19:12; 21:1, 2) Kështu Jezui po tregonte se një njeri që ushqen zemërim kundër vëllait të vet kryen një mëkat të rëndë.

Më tej, Jezui tha se një njeri që «i drejtohet vëllait të vet me një fyerje të rëndë do të japë llogari para Gjykatës së Lartë». Fjala greke rhaká e përkthyer ‘fyerje e rëndë’ ka kuptimin «bosh» ose «kokëbosh». Sipas një fjalori (The New Thayer’s Greek-English Lexicon of the New Testament) ajo fjalë ishte «një term poshtërues që përdornin judenjtë në kohën e Krishtit». Pra, Jezui po paralajmëronte se sa e rëndë ishte të shprehje urrejtje ndaj një vëllai me një fjalë fyese dhe përçmuese. Madje Jezui po thoshte se dikush që përdorte një fjalë të tillë nuk do të gjykohej thjesht nga një gjykatë vendëse, por nga Gjykata e Lartë, mbarë Sinedri, trupi gjykues në Jerusalem që përbëhej nga kryeprifti dhe nga 70 pleq e skribë.—Marku 15:1.

Së fundi, Jezui shpjegoi që në rast se një njeri i thoshte një tjetri «Njeri i poshtër!», rrezikonte të dënohej në Gehenën e zjarrtë. Fjala «Gehenë» vjen nga fjalët hebraike geh hinóm, që kanë kuptimin «lugina e Hinomit», e cila gjendej në perëndim dhe në jug të Jerusalemit të lashtë. Në ditët e Jezuit lugina ishte bërë një vend për të djegur plehrat, përfshirë edhe kufomat e kriminelëve të poshtër që konsideroheshin si të padenjë për të pasur një varr. Pra, fjala «Gehenë» ishte një simbol i përshtatshëm i shkatërrimit të plotë.

Atëherë, çfarë do të thoshte shprehja «njeri i poshtër»? Fjala e përdorur këtu tingëllonte e ngjashme me një term hebraik që ka kuptimin «rebel». Ajo përshkruan një individ të pavlerë moralisht, një apostat dhe një rebel kundër Perëndisë. Prandaj, ai që i thotë vëllait të vet «njeri i poshtër», është njësoj sikur të thotë se vëllai duhet të marrë ndëshkimin që meriton një rebel kundër Perëndisë, pra shkatërrimin e përhershëm. Nga këndvështrimi i Perëndisë, ai që shprehte një dënim të tillë kundër një tjetri, mund ta meritonte vetë atë dënim të rëndë: shkatërrimin e përhershëm.—Ligji i përtërirë 19:17-19.

Kështu, Jezui po vendoste për ithtarët e tij një normë më të lartë se ajo që ishte në parimet që gjendeshin pas Ligjit të Moisiut. Ndonëse njerëzit mendonin që një vrasës ‘do të jepte llogari para gjyqit’, Jezui shkoi më tej. Ai mësoi se ithtarët e tij madje nuk duhej as t’u mbanin mëri vëllezërve të tyre.—Mateu 5:21, 22.