Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Qytezat e izoluara të Bolivisë dëgjojnë lajmin e mirë

Qytezat e izoluara të Bolivisë dëgjojnë lajmin e mirë

Qytezat e izoluara të Bolivisë dëgjojnë lajmin e mirë

JEMI mbledhur nja 20 veta në breg të lumit e mezi presim të nisim udhëtimin për në fshatrat e rrjedhës së sipërme. Ndodhemi rrëzë Andeve, aty ku lumi Beni rrjedh mes rrafshinave të paana të pellgut të Amazonës. Ç’vend me bukuri të pashoqe!

Mirëpo ne s’jemi turistë. Disa nga ne janë vendës, të tjerë kanë ardhur nga qytete të largëta për të jetuar këtu, në Rurenabaki, një qytezë e këndshme me pemë të lulëzuara, shtëpi me çati prej gjethe palmash dhe rrugë të qeta, ku dëgjohet veç tek-tuk zhurma e ndonjë motoçiklete-taksi. Pse do të nisemi në këtë udhëtim?

Këtu po ndodh diçka që është karakteristike për shumë pjesë të Bolivisë. Dëshmitarë të Jehovait nga qytete të mëdha e nga shtete të tjera po çojnë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë në qytetet më të vogla.—Mateu 24:14.

Bolivia ndodhet në qendër të Amerikës së Jugut dhe zë një sipërfaqe sa dyfishi i Francës, por popullsia është pak më shumë se një e dhjeta e saj. Pjesa dërrmuese e banorëve të këtij vendi jetojnë ose në qyteza minatorësh e qytete në lartësi marramendëse, ose në qendrat bujqësore nëpër lugina. Mirëpo në ultësirat tropikale, hapësirat e mëdha me pyje i izolojnë qytezat nga njëra-tjetra.

Në vitet 50-60, disa misionare të guximshme, si Beti Xhekson, Elsi Majenberg, Pamela Mozli dhe Sharlota Tomashafski, e përhapën veprën në shumë qyteza të izoluara. U mësuan njerëzve të sinqertë të vërtetën nga Bibla dhe ndihmuan në formimin e kongregacioneve të vogla. Gjatë viteve 80-90, numri i Dëshmitarëve të Jehovait u gjashtëfishua, kryesisht në qytetet e mëdha, ku tani ka kongregacione në çdo lagje. Ka kongregacione në lagjet e pasura, ku njerëzit punojnë në ndërtesa shumëkatëshe zyrash, banojnë në shtëpi elegante dhe e bëjnë pazarin në supermarkete. Por ka kongregacione edhe në periferi, ku njerëzit jetojnë në shtëpiza qerpiçi, e bëjnë pazarin në tregjet e rrugës dhe mbajnë veshje vendëse shumëngjyrëshe. Gjithsesi, ç’mund të bëhet, që edhe njerëz të tjerë në zonat e izoluara ta njohin Jehovain?

Sakrifikojnë rehatinë e qyteteve

Dy dhjetëvjeçarët e fundit, një lumë njerëzish në Bolivi kanë ikur nga fshatrat dhe qytezat e minatorëve, për të jetuar në qytetet e mëdha. Transferimi në drejtim të kundërt, pra nga qytetet e mëdha në fshatra, duket gjë e çuditshme. Shumë fshatra kanë veç një telefon dhe kanë drita vetëm pak orë në ditë. Dëshmitarët në këto qendra banimi të vogla mund t’i shohin bashkëbesimtarët e tyre vetëm një herë në vit, në kongrese, dhe udhëtimi mund të jetë i shtrenjtë, i rrezikshëm e rraskapitës. Në shkollat e fshatrave jepet veç arsimim bazë. Çfarë i shtyn atëherë disa Dëshmitarë të Jehovait të transferohen nga qytetet e mëdha në fshatra?

«Mund të bëja karrierë në qytetin e La Pazit,—tha para pak kohësh Luisi.—Por prindërit gjithnjë më kishin ndihmuar ta shihja veprën e bërjes së dishepujve si karrierën më të dëshirueshme. Kështu, ndoqa një kurs të shkurtër për metodat e ndërtimit. Kur vajta njëherë për pushime në Rurenabaki, vërejta se sa të etur ishin njerëzit për të dëgjuar lajmin e mirë. Pashë sa pak vëllezër kishte atje dhe mendova që duhej të shkoja patjetër e t’i ndihmoja. Tani drejtoj 12 studime biblike. Studioj, për shembull, me një çift të ri me katër fëmijë. Burri e kishte ves të pinte shumë e të luante bixhoz. Por i ka hequr këto vese, dhe ka nisur t’u tregojë shokëve të vet se çfarë po mëson për Jehovain. Gjithnjë përgatitet për studimin. Kur i duhet të largohet tri a katër ditë për të prerë dru në pyll, mërzitet, pasi nuk do që të humbasë asnjë nga aktivitetet e krishtere. Kur i shoh të gjithë bashkë në mbledhjet e krishtere, e ndiej se sakrifica që bëra për të ardhur këtu, ia ka vlejtur vërtet.»

Huana është prind i vetëm. «Punoja në La Paz si shërbyese shtëpie,—thotë ajo.—Kur im bir ishte i vogël, nisa shërbimin e plotkohor. Pas një udhëtimi në Rurenabaki, e kuptova se, po të transferohesha këtu, mund të bëja shumë më tepër. Kështu pra erdhëm, dhe gjeta punë si shërbyese shtëpie. Në fillim mezi i duronim insektet dhe vapën. Por ja, tani bëhen shtatë vjet që jemi këtu. Çdo javë drejtoj shumë studime biblike, e mjaft studentë tregojnë çmueshmëri duke ardhur në mbledhje.» Huana dhe i biri janë mes atyre që po hipin në motobarkë, për të shkuar në rrjedhën e sipërme të lumit. Me gjithë qejf ju ftojmë të vini me ne.

Udhëtimi për në rrjedhën e sipërme

Motori uturin tek kalojmë në grykën e lumit, mes malesh. Një tufë papagajsh protestojnë për ardhjen tonë me sa u ha zëri. Nga malet vërshojnë rrëmbyeshëm përrenj balte, por drejtuesi e manovron me mjeshtëri motobarkën mes vorbullës së tyre. Është ende mëngjes, kur mbërrijmë në një fshat të vogël. Atje takojmë një nga pleqtë e kongregacionit të Rurenabakit, e ai na tregon se ku të predikojmë.

Fshatarët na mikpresin o nën hijen e ndonjë peme, o në shtëpitë e ndërtuara me bambu e të mbuluara me gjethe palmash. Pak më tej takojmë një çift të ri, që punon pa u lodhur. Po shtypin kallamsheqeri në një shtypëse druri që bëhet në vend dhe lëngun që del, e derdhin në një tas bakri. Më pas do ta ziejnë gjersa të bëhet shurup i zi (melasë), që ta shesin në qytet. Ata na ftojnë në shtëpi dhe na bëjnë shumë pyetje rreth Biblës.

Vazhdojmë udhën përgjatë rrjedhës së sipërme të lumit, duke predikuar fshat më fshat. Mjaft veta e dëgjojnë me kënaqësi të madhe atë që thotë Bibla për fundin e sëmundjeve e të vdekjes. (Isaia 25:8; 33:24) Këtu kujdesi shëndetësor është i mangët, dhe shumica e familjeve janë hidhëruar nga humbja e një fëmije. Jeta është e rëndë dhe e pasigurt për këta bujq e peshkatarë, që me zor nxjerrin bukën e gojës. Ndaj shumë prej tyre i tërheq premtimi i Perëndisë në Psalmin 72 për një qeveri që do t’i japë fund varfërisë. Gjithsesi, a do të bënin përpjekje të interesuarit në këto vende të izoluara, për të ndjekur mbledhjet e krishtere? Kjo pyetje i fuste në mendime Erikun dhe Vikin, që shërbejnë në kohë të plotë në Santa-Roza—një qytet në pellgun e Amazonës, tri orë larg me makinë.

A do të vijnë të interesuarit?

Eriku dhe Viki, nga Kalifornia, SHBA, shkuan në Bolivi 12 vjet më parë. Një mbikëqyrës udhëtues u sugjeroi të transferoheshin në Santa-Roza. «Ka vetëm dy telefona në qytezë dhe asnjë lidhje me Internetin,—thotë Viki.—Gjithandej sheh shpendë a kafshë të egra. Kemi parë sa e sa herë aligatorë, strucë e gjarpërinj të mëdhenj, ndërsa shkojmë me motoçikleta për në periferi. Më interesantë se kafshët, ama, janë njerëzit. Studiojmë Biblën me çiftin Vaka, që kanë katër fëmijë. Ata banojnë rreth 26 kilometra larg qytetit. Babai ishte pijanec, por tani ka ndryshuar. Çdo javë, sjell gjithë familjen dhe motrën e vet më të vogël në Sallën e Mbretërisë. Gruaja dhe foshnja rrinë në mbajtësen e bagazhit të biçikletës së tij të madhe. Djali 9-vjeçar merr në biçikletë motrën më të vogël, kurse djali tjetër 8 vjeç vjen vetë me biçikletë. Udhëtojnë tri orë për të ardhur në Sallë.» Kjo familje e do vërtet Jehovain dhe bën çdo përpjekje për t’u shoqëruar me kongregacionin.

Brenda 18 muajsh, 3 veta janë kualifikuar për pagëzim, dhe rreth 25 veta shkojnë në Sallën e re të Mbretërisë në Santa-Roza. Ndonëse ka goxha njerëz që duan të studiojnë Biblën, shumë prej tyre duhet të kalojnë pengesa të jashtëzakonshme për t’i shërbyer Jehovait.

Vështirësia e legalizimit të martesave

Marina dhe Osni—një çift misionarësh që shërbejnë në një qytezë të izoluar boliviane pranë kufirit me Brazilin—shpjegojnë se shumë njerëz këtu nuk e shohin martesën si një lidhje të përhershme dhe kalojnë sa nga një partner te tjetri. «Ky është një problem që frenon përparimin frymor,—thotë Osni.—Nëse ndokush do që të bëhet i krishterë i vërtetë, e pret një proces i ndërlikuar dhe i kushtueshëm. Disave u duhet të shkëputin lidhjet me partnerët e mëparshëm e pastaj të martohen ligjërisht. Sidoqoftë, pasi e kuptojnë se regjistrimi i martesës siç duhet është një kërkesë biblike, disa punojnë pa u lodhur që të fitojnë paratë e nevojshme për legalizimin e martesës.»—Romakëve 13:1, 2; Hebrenjve 13:4.

Marina tregon përvojën e Norbertos. «Ai kishte bashkëjetuar me gra të tjera, para se të bashkëjetonte me një grua që ishte bukëpjekëse. Kjo grua ishte nja 35 vjet më e re se ai dhe kishte një djalë që Norbertoja e adoptoi. Ndërsa djali rritej, Norbertoja donte t’i linte një shembull më të mirë. Prandaj, kur një Dëshmitar shkoi në furrën e bukës dhe i ofroi studim biblik pa pagesë në shtëpi, Norbertoja pranoi, edhe pse nuk dinte të lexonte e i kishte kaluar tashmë të shtatëdhjetat. Kur mësuan kërkesat e Jehovait, ai dhe gruaja me të cilën bashkëjetonte u martuan ligjërisht e më pas u pagëzuan. Tani djali është një i ri i krishterë i përgjegjshëm, tamam si kishte shpresuar babai i tij adoptues. Norbertoja mësoi të lexonte e madje ka mbajtur fjalime në mbledhjet e kongregacionit. Ndonëse është mjaft i dobët fizikisht për shkak të moshës, ai është shërbëtor i zellshëm i lajmit të mirë.»

Fryma e Jehovait u jep fuqi

Jezui u tha ithtarëve të tij të hershëm: «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin më të largët të tokës.» (Veprat 1:8) Sa inkurajuese është të shohësh burra e gra të krishtere që fryma e Perëndisë i nxit të transferohen në skaje të largëta! Në vitin 2004, për shembull, rreth 30 të krishterë të zellshëm pranuan caktime të përkohshme si pionierë specialë në territore të izoluara. Ata e çmojnë shembullin e rreth 180 të huajve, që kanë shkuar në Bolivi për të shërbyer si pionierë, mbikëqyrës qarkorë, vullnetarë në Bethel ose misionarë. Në këtë vend, 17.000 lajmëtarët e Mbretërisë drejtojnë afro 22.000 studime biblike në shtëpitë e të interesuarve.

Të gjithë këta vëllezër e ndiejnë se po i udhëheq fryma e Jehovait, dhe kjo gjë i mbush me gëzim. Roberti dhe Kethi, për shembull, pranuan caktimin si misionarë në Kamir, që ka qenë përherë një qytezë e izoluar mes kodrash të gjelbra, buzë një lumi. «Me ç’duket, mbërritëm tamam në momentin e duhur,—thotë Roberti.—Brenda dy vjetësh, rreth 40 veta janë bërë lajmëtarë të lajmit të mirë.»

Një bixhozçi pijanec dëgjon lajmin e mirë

Shumë banorëve të qytezës u bën përshtypje ndryshimi i atyre që studiojnë Biblën. Ja për shembull, një ditë, nja katër vjet përpara, një pijanec me emrin Ariel po rrinte në shtrat, pasi ndihej keq nga të pirët e tepërt. Ndonëse loja e bixhozit e kishte bërë të famshëm, në kokë i vërtiteshin mendime shqetësuese për malin me borxhe, për martesën plot telashe dhe për të bijat që po i linte pas dore. Mendimet ia ndërpreu një Dëshmitar i Jehovait, që po bënte vizita shtëpi më shtëpi. Arieli ishte tërë sy e veshë, teksa vëllai i jepte shpjegime nga Shkrimet. Pas pak, Arieli ishte prapë në shtrat, por kësaj here po lexonte për jetën e lumtur familjare, për Parajsën dhe për shërbimin e Perëndisë. Më vonë ra dakord të studionte Biblën.

Kur misionarët arritën në Kamir, edhe gruaja e Arielit, Arminda, po studionte, por jo me ndonjë entuziazëm kushedi. «Do të provoj çdo gjë, vetëm e vetëm që të mos pijë më ai,—tha Arminda.—Por s’ma ha mendja të nxjerr gjë në dritë. S’i bëhet më gjë atij.» Megjithatë, studimi i Biblës ishte më interesant nga ç’e mendonte. Brenda një viti, ajo u pagëzua dhe i jepte dëshmi familjes. S’kaloi shumë e disa të afërm të saj ia kushtuan jetën Jehovait.

Kurse Arieli kishte një betejë të fortë për të hequr dorë nga pija, duhani e bixhozi. Pika e kthesës ishte kur i ftoi gjithë të njohurit e tij në Përkujtimin e vdekjes së Jezuit. E kishte ndarë mendjen: «Nuk shoqërohem më me ata që s’vijnë. Me ata që do të vijnë, do të studioj Biblën.» Ashtu filloi tre studime biblike. Që para se të bëhej pjesëtar i kongregacionit, Arieli studioi Biblën me një të afërm i cili bëri përparim dhe u pagëzua në një ditë me Arielin. Arminda thotë: «Duket sikur ai Arieli i dikurshëm nuk ekziston më!»

Roberti tregon: «Gjithsej 24 anëtarë të kësaj familjeje ndjekin mbledhjet rregullisht. Dhjetë janë të pagëzuar dhe tetë të tjerë janë lajmëtarë të papagëzuar. Disa që vërejtën ndryshimet në sjelljen e tyre, nisën po ashtu të studionin Biblën e po vijnë në mbledhjet e kongregacionit. Pjesëmarrja në mbledhje është rritur nga 100 në 190 veta. Kethi dhe unë po drejtojmë afro 30 studime biblike, e të gjithë këta studentë ndjekin mbledhjet. Ndiejmë vërtet kënaqësi që jemi këtu.»

Kjo që po ndodh në qytezat e izoluara të Bolivisë, është veçse një pjesë e vogël e një vepre grumbullimi mbarëbotërore, e cila u paratha në librin e Zbulesës, kapitulli 7. Aty tregohet se gjatë ‘ditës së Zotërisë’ do të mblidheshin ata që do ta mbijetojnë shtrëngimin e madh. (Zbulesa 1:10; 7:9-14) Kurrë më parë në historinë e njerëzimit nuk ka ndodhur që miliona veta nga të gjitha kombet të bashkohen në adhurimin e të vetmit Perëndi të vërtetë. Çfarë dëshmie drithëruese se po afron plotësimi i premtimeve të Perëndisë!

[Figura në faqen 9]

Beti Xhekson

[Figura në faqen 9]

Pamela Mozli

[Figura në faqen 9]

Elsi Majenberg

[Figura në faqen 9]

Sharlota Tomashafski, djathtas në cep

[Figura në faqen 10]

Çdo javë, familja Vaka udhëton tri orë me biçikleta për në Sallën e Mbretërisë

[Figura në faqen 10]

Eriku dhe Viki shkuan të shërbejnë atje ku ka nevojë për më shumë lajmëtarë të Mbretërisë

[Figura në faqen 11]

Fshatarët pranë lumit Beni e dëgjojnë me vëmendje lajmin e mirë

[Figura në faqen 12]

Roberti dhe Kethi shërbejnë si misionarë në Kamir