Cilët i zbatojnë sot mësimet e Krishtit?
Cilët i zbatojnë sot mësimet e Krishtit?
JEZU KRISHTI shihet në përgjithësi si një nga njerëzit më të mëdhenj që ka jetuar ndonjëherë. Shumë veta e konsiderojnë si njeriun më të madh. Për pothuajse dy mijë vjet, mësimet e tij kanë ndikuar thellë në jetën e njerëzve. Siç shkruan autori anglez Melvin Breg, ato kanë ndikuar si në «jetën e thjeshtë e që nuk bie në sy të njerëzve të mirë e mirëdashës, ashtu edhe në veprat e bujshme bamirëse».
Ç’mendojnë njerëzit për krishterimin?
Ç’mendojnë njerëzit për krishterimin? Ai është përshkruar si «një nga zhvillimet më të mëdha të njerëzimit në aspektin shpirtëror». Një pikëpamje rreth kësaj shprehu Dejvid Kelsou, i Universitetit Kaledonian në Glasgou të Skocisë. Ai shkroi: «Dy mijë vjetët e historisë së tij janë të mbushur me arritje të pashoqe në sferën e artit, arkitekturës, filozofisë, muzikës dhe të veprimtarive shoqërore.»
Megjithatë shumë të tjerë i shohin gjërat ndryshe. Ata nuk janë kundër krishterimit që, sipas një fjalori «bazohet te mësimet e Jezu Krishtit dhe te besimi se ai ishte biri i Perëndisë». (Collins Cobuild) Përkundrazi, ajo që u ngjall neveri është sjellja e atyre institucioneve dhe organizatave fetare që pohojnë se përfaqësojnë krishterimin.
Për shembull, filozofi gjerman i shekullit të nëntëmbëdhjetë Fridrih Niçe e përshkroi krishterimin sipas kuptimit të dytë, si «e meta e pavdekshme e njerëzimit». Ai shkroi se është «mallkimi i madh, korruptimi i stërmadh dhe më i thellë, . . . që, për të arritur qëllimet e veta, do të përdorte çdo lloj mjeti plot vrer, të pandershëm, tinëzar dhe të lig». Vërtet, Niçe
kishte pikëpamje ekstreme, por disa vëzhgues më të arsyeshëm kanë nxjerrë përfundime të ngjashme. Pse? Sepse gjatë shekujve sjellja e atyre që pohonin se ishin të krishterë nuk është karakterizuar nga cilësitë e Jezu Krishtit, por nga «kalbja [e përhapur] morale, krimet e llahtarshme dhe blasfemitë».A i zbaton krishterimi mësimet e Krishtit?
Nuk është e paarsyeshme, pra, të pyesim: ‘A i zbaton krishterimi mësimet e Krishtit?’ «Patjetër që i zbaton!—do të thoshin menjëherë disa.—A nuk u premtoi ai ithtarëve të tij se do të ishte me ta ‘deri në mbarim të botës’?» (Mateu 28:20, Diodati i Ri) Po, Krishti e tha këtë. Por, a donte të thoshte ai se do të ishte me cilindo që pohonte se ishte ithtar i tij, pavarësisht se ç’sjellje kishte?
Kujtoni që disa udhëheqës fetarë të kohës së Krishtit mendonin se Perëndia ishte me ta pa pikë dyshimi. Meqë Perëndia e kishte zgjedhur Izraelin për një rol të veçantë, disa udhëheqës fetarë mendonin se Perëndia nuk do t’i braktiste kurrë, pavarësisht se çfarë bënin. (Mikea 3:11) Por, së fundi, ata shkuan tepër larg kur hodhën poshtë ligjet dhe normat e Perëndisë. Si pasojë, Jezu Krishti u tha troç atyre: «Ja, shtëpia juaj është braktisur dhe ju është lënë juve.» (Mateu 23:38) Një sistem i tërë fetar humbi miratimin e Perëndisë. Ai e hodhi poshtë atë dhe i lejoi ushtritë romake që të shkatërronin kryeqytetin, Jerusalemin, bashkë me tempullin e tij, në vitin 70 të e.s.
A mund t’i ndodhë diçka e ngjashme krishterimit? Le të shqyrtojmë se me çfarë kushtesh e bëri Krishti premtimin për të qenë me ithtarët e tij «deri në mbarim të botës».
[Figurat në faqet 2, 3]
Mësimet e Jezu Krishtit ndikojnë thellë te miliona njerëz në mbarë botën