«Na fol akoma!»
«Na fol akoma!»
NË Nezlobnaja, Rusi, gjatë orës së letërsisë në një shkollë të mesme po studioheshin veprat e shkrimtarit rus Mihail Bulgakov. Ndër veprat e tij ishte një novelë ku Jezu Krishti përshkruhet me fjalë përçmuese, kurse Satanai si hero. Pas shqyrtimit në klasë, mësuesja u bëri nxënësve provim me shkrim, në bazë të kësaj novele. Mirëpo, një nga nxënësit, një Dëshmitar i Jehovait 16-vjeçar me emrin Andrei, me mirësjellje i kërkoi leje mësueses që të mos e bënte provimin, pasi ndërgjegjja nuk ia lejonte të studionte këtë lloj literature. I propozoi që, në vend të kësaj, të shkruante një temë për të shpjeguar si e konsideronte ai Jezu Krishtin. Mësuesja pranoi.
Në pjesën që shkroi, Andrei shpjegoi se, ndonëse e respektonte mendimin e të tjerëve, për të, mënyra më e mirë për të mësuar rreth Jezuit ishte të lexonte një nga katër Ungjijtë. Në këtë mënyrë, «mëson për jetën dhe për mësimet e Jezuit duke u bazuar në tregimet e dëshmitarëve okularë». Andrei shtoi: «Një pikë tjetër është si përshkruhet Satanai. Disave mund t’u duket tërheqëse të lexojnë një libër ku ai është hero, po mua s’më duket ashtu.» Ai shpjegoi se faktikisht Satanai është një krijesë e ligë frymore, e fuqishme, që u largua nga Perëndia dhe solli mbi familjen njerëzore ligësinë, vuajtjet dhe vështirësitë. Andrei e përfundoi pjesën me këto fjalë: «Nuk mendoj se do të nxjerr dobi duke lexuar këtë novelë. Natyrisht, s’kam asgjë kundër Bulgakovit. Por, personalisht, parapëlqej më shumë të lexoj Biblën për të mësuar të vërtetën historike rreth Jezu Krishtit.»
Mësueses së Andreit i pëlqeu kaq shumë pjesa me shkrim, saqë i tha të përgatiste një temë me gojë, për Jezu Krishtin. Ai pranoi menjëherë. Orën tjetër të letërsisë, Andrei e lexoi punën e tij para gjithë klasës. Shpjegoi pse mendonte që Jezui është njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Pastaj lexoi nga libri biblik i Mateut një kapitull që fliste për vdekjen e Jezuit. Meqë po mbaronte koha e lënë për këtë temë, Andrei donte ta mbaronte fjalimin, por shokët e klasës e nxitën: «Na fol akoma! Çfarë ndodhi pastaj?» Atëherë, ai vazhdoi të lexonte tregimin e Mateut që fliste për ringjalljen e Jezuit.
Kur Andrei mbaroi së lexuari, shokët e klasës i bënë shumë pyetje për Jezuin dhe për Jehovain. «I isha lutur Jehovait për mençuri, dhe ai iu përgjigj lutjes sime,—thotë Andrei.—Arrita t’u përgjigjesha të gjitha pyetjeve!» Pas mësimit, Andrei i dha mësueses librin Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, * të cilin ajo e pranoi menjëherë. Andrei tha: «Mësuesja më vuri notë të lartë për punën që kisha bërë dhe më lavdëroi që kisha bindjet e mia e që nuk më vinte turp për to. Më tha edhe se i pranon disa nga bindjet e mia.»
Andrei është i lumtur që vendosi të ndiqte ndërgjegjen e tij të stërvitur sipas Biblës, duke mos lexuar materiale që çnderojnë Jehovain dhe Birin e tij, Jezu Krishtin. Ky qëndrim jo vetëm që e mbrojti nga pikëpamjet jobiblike, por i krijoi një mundësi të mrekullueshme për t’u folur të tjerëve rreth të vërtetave jetësore biblike.
[Shënimi]
^ par. 5 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.