Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Çfarë donte të tregonte apostulli Pavël, kur tha se gratë duhet «të heshtin në kongregacione»?

Pavli i shkroi kongregacionit të krishterë në Korint: «Ashtu si në të gjitha kongregacionet e të shenjtëve, gratë le të heshtin në kongregacione, sepse atyre nuk u lejohet të flasin.» (1 Korintasve 14:33, 34) Që ta kuptojmë drejt këtë, duhet të shqyrtojmë kontekstin e këshillës që dha Pavli.

kapitullin e 14-të të 1 Korintasve, Pavli trajtoi çështje që kishin të bënin me mbledhjet e kongregacionit të krishterë. Ai përshkroi se çfarë duhej trajtuar në këto mbledhje, e dha disa këshilla se si duheshin drejtuar. (1 Korintasve 14:1-6, 26-34) Më tej, theksoi qëllimin pse mbahen mbledhjet e krishtere, pra ‘që të ndërtohet kongregacioni’.—1 Korintasve 14:4, 5, 12, 26.

Këshilla e Pavlit lidhur me ‘heshtjen’ del tri herë në kapitullin e 14-të të 1 Korintasve. Çdo herë i drejtohet një grupi të ndryshëm në kongregacion, por në të gjitha rastet, jepet për të njëjtën arsye, pra që «çdo gjë . . . të ndodhë si ka hije dhe me rregull».—1 Korintasve 14:40.

Së pari, Pavli tha: «Nëse disa flasin gjuhë të huaja, kjo gjë të kufizohet në dy ose e shumta tre veta, dhe njëri pas tjetrit, kurse dikush të përkthejë. Por, nëse nuk ka përkthyes, ai le të heshtë në kongregacion dhe t’i flasë vetes dhe Perëndisë.» (1 Korintasve 14:27, 28) Kjo nuk nënkuptonte se ai njeri nuk do të fliste kurrë në mbledhje, por që kishte raste kur duhej të rrinte në heshtje. Kjo sepse, nëse dikush fliste një gjuhë që asnjeri s’e kuptonte, nuk do të arrihej qëllimi i mbledhjeve, domethënë ndërtimi i njëri-tjetrit.

Së dyti, Pavli tha: «Le të flasin dy ose tre profetë, ndërsa të tjerët le të dallojnë kuptimin. Por, nëse dikush tjetër ka një zbulesë kur rri ulur atje, i pari le të heshtë.» Kjo nuk do të thoshte se profeti i parë nuk do të fliste fare në mbledhje, por që disa herë duhej të rrinte në heshtje. Atëherë, ai që kishte një zbulesë me anë të një mrekullie, mund t’i drejtohej kongregacionit dhe kështu do të arrihej qëllimi i mbledhjes, domethënë që të gjithë ‘të merrnin zemër’.—1 Korintasve 14:26, 29-31.

Së treti, Pavli iu drejtua vetëm grave të krishtere dhe tha: «Gratë le të heshtin në kongregacione, sepse atyre nuk u lejohet të flasin, por le të jenë të nënshtruara.» (1 Korintasve 14:34) Pse Pavli u dha këtë urdhër motrave? Për të ruajtur rregullin në kongregacion. Ai tha: «Nëse duan të mësojnë diçka, të pyesin burrat në shtëpi, sepse për një grua është e turpshme të flasë në kongregacion.»—1 Korintasve 14:35.

Ndoshta disa motra vinin në diskutim atë që thuhej në kongregacion. Këshilla e Pavlit i ndihmoi motrat që të shmangnin këtë frymë të çrregullt dhe, me përulësi, të pranonin vendin e tyre në rregullin e kryesisë që ka vendosur Jehovai, sidomos për sa i përket burrave të tyre. (1 Korintasve 11:3) Veç kësaj, duke qëndruar në heshtje, motrat do të tregonin se nuk synonin të ishin mësuese në kongregacion. Kur i shkroi Timoteut, Pavli bëri të qartë se nuk do të ishte e përshtatshme që një grua të merrte rolin e mësueses në kongregacion: «Nuk e lejoj gruan të mësojë të tjerët ose të ushtrojë autoritet mbi burrin, por të rrijë në heshtje.»—1 Timoteut 2:12.

A do të thotë kjo se një grua e krishterë nuk duhet të flasë kurrë gjatë mbledhjeve të kongregacionit? Jo. Në ditët e Pavlit, kishte raste kur gratë e krishtere, ndoshta të shtyra nga fryma e shenjtë, luteshin ose profetizonin në kongregacion. Në raste të tilla, ato e tregonin se e pranonin pozitën e tyre, duke mbuluar kokën. * (1 Korintasve 11:5) Veç kësaj, si në ditët e Pavlit, ashtu edhe sot, si motrat edhe vëllezërit nxiten të shpallin publikisht shpresën e tyre. (Hebrenjve 10:23-25) Përveç predikimit, motrat e shpallin shpresën e tyre dhe u japin zemër të tjerëve gjatë mbledhjeve të kongregacionit, duke bërë komente të menduara mirë, kur i fton drejtuesi, dhe duke pranuar caktimet për të bërë demonstrime ose fjalime stërvitjeje.

Prandaj, gratë e krishtere «heshtin» duke mos u përpjekur të marrin rolin e burrit dhe të mësojnë kongregacionin. Ato nuk bëjnë pyetje që shkaktojnë debate, të cilat mund të sfidojnë autoritetin e burrave që mësojnë kongregacionin. Duke përmbushur rolin që u takon në kongregacion, motrat e krishtere ndihmojnë shumë për të krijuar një atmosferë paqësore, ku «çdo gjë [në mbledhjet e kongregacionit] . . . bëhet për ndërtim».—1 Korintasve 14:26, 33.

[Shënimi]

^ par. 10 Në kohët tona, motrat e pjekura ndjekin këtë shembull në rastet kur, për shkak të rrethanave, duhet të kryejnë detyrat e një burri të pagëzuar në kongregacion.—Shih Kullën e Rojës, 15 korrik, 2002, faqe 26.