Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shembulli i prindërve më dha forcë

Shembulli i prindërve më dha forcë

Jetëshkrim

Shembulli i prindërve më dha forcë

TREGUAR NGA JANEZ REKELI

Ishte viti 1958. Unë dhe gruaja, Stanka, ishim lart në Alpet Karavanke, se donim të kapërcenim kufirin jugosllavo-austriak. Ishte e vështirë, pasi patrullat e armatosura jugosllave nuk linin asnjë të kalonte kufirin. Ecëm derisa mbërritëm buzë një shkëmbi të rrëpirët, që zbriste thikë. S’e kishim parë kurrë pjesën austriake të maleve. U drejtuam nga lindja, deri te një rrëpirë me gurë e zhavorr. U lidhëm me një mushama dhe rrëshqitëm nëpër rrëpirë, drejt një të ardhmeje të pasigurt.

DOJA t’ju tregoja si arritëm këtu dhe si më shtyu shembulli i prindërve që t’i qëndroja besnik Jehovait në vështirësi.

U rrita në Slloveni, që është një vend i vogël në Alpet e Evropës Qendrore, me Austrinë në veri, Italinë në perëndim, Kroacinë në jug dhe Hungarinë në lindje. Por, kur lindën prindërit e mi, Franc dhe Rozalija Rekeli, Sllovenia ishte pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze. Në fund të Luftës I Botërore, Sllovenia u bë pjesë e një shteti të ri, Mbretërisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve. Më 1929, emri i shtetit u ndryshua në Jugosllavi, që do të thotë «Sllavia e Jugut». Unë linda më 9 janar të atij viti, në fshatin Pod’hom, pranë liqenit piktoresk të Bledit.

Mamaja ishte rritur në familje të rreptë katolike. Një xhaxha e kishte prift dhe tri halla ishin murgesha. Ajo donte të kishte një Bibël të sajën, ta lexonte e ta kuptonte. Kurse babai s’kishte mendim të mirë për fenë. Ishte i neveritur nga roli i saj në Luftën e Madhe të 1914-1918-ës.

Mësojmë të vërtetën

Ca kohë pas luftës, një kushëri i mamasë, Janez Brajeci dhe gruaja e tij, Ançka, u bënë Studentë të Biblës, siç njiheshin Dëshmitarët e Jehovait. Atëherë jetonin në Austri. Që nga viti 1936, Ançka vinte shpesh të takonte mamanë. I dha një Bibël, të cilën mamaja e lexoi menjëherë, si edhe Kullën e Rojës e botime të tjera biblike në sllovenisht. Së fundi, kur Hitleri aneksoi Austrinë më 1938-ën, Janezi dhe Ançka u kthyen në Slloveni. Ishin një çift i arsimuar e mendjemprehtë, me shumë dashuri për Jehovain. Flitnin shpesh me mamanë për të vërtetat biblike, dhe kjo e shtyu t’ia kushtonte jetën Jehovait. U pagëzua në vitin 1938.

Në gjithë zonën bëri shumë bujë, kur mamaja la zakonet jobiblike, si Krishtlindjet, nuk hante më salsiçet me gjak e sidomos kur dogji gjithë shëmbëlltyrat që kishim. Kundërshtimi nuk vonoi. Hallat e saj, murgeshat, i shkruan për ta bindur të kthehej te Maria dhe te kisha. Mirëpo, kur mamaja u shkroi dhe u kërkoi shpjegime për pyetje specifike nga Bibla, s’mori përgjigje. Edhe babai i vet iu kundërvu shumë. S’ishte njeri i keq, por i bënë presion të afërmit dhe fqinjët. Si pasojë, disa herë ia grisi literaturën biblike mamasë, po Biblën nuk ia preku. I ra në gjunjë e iu lut që të kthehej te kisha. Arriti edhe ta kërcënonte me thikë. Por im atë ia tha copë se nuk e toleronte këtë sjellje.

Babai e mbështeste mamanë, duke thënë se ajo kishte të drejtë të lexonte Biblën dhe t’i zgjidhte vetë bindjet fetare. Në vitin 1946 u pagëzua edhe ai. Duke parë se si Jehovai i dha forcë mamasë që të mbronte të vërtetën pa frikë, me gjithë kundërshtimin, dhe si e shpërbleu për besimin, krijova edhe vetë një lidhje të ngushtë me Perëndinë. Më ndihmoi shumë edhe zakoni i mamasë për ta lexuar me zë Biblën dhe botimet biblike.

Mamaja bisedonte shumë edhe me të motrën, Marija Repen. Unë dhe teze Marija u pagëzuam të njëjtën ditë, nga mesi i korrikut 1942. Një vëlla mbajti një fjalim të shkurtër dhe u pagëzuam në shtëpi, në një govatë të madhe druri.

Punë e detyruar gjatë Luftës II Botërore

Më 1942-shin, në mes të Luftës II Botërore, Gjermania dhe Italia pushtuan Slloveninë dhe e ndanë mes tyre dhe Hungarisë. Prindërit nuk pranuan të futeshin në Folksbund, në organizatën popullore naziste. As unë nuk thashë «Heil Hitler» në shkollë. Si duket, mësuesi u tregoi autoriteteve.

Na vunë në një tren për në një kështjellë pranë fshatit Hytenbah, në Bavari, që përdorej si kamp pune të detyruar. Babai e rregulloi që të punoja e të jetoja me furrxhiun e fshatit, në familjen e tij. Aty mësova zanatin e furrxhiut që më vonë më ndihmoi shumë. Pas ca kohësh, gjithë familjen (edhe teze Marijan me familjen e saj) e çuan në kampin e Gunzenhausenit.

Në fund të luftës, doja të nisesha me një grup, për të shkuar te prindërit. Një natë para nisjes, erdhi babai. Kush e di ku do të kisha përfunduar me atë grup, pasi ishte i dyshimtë. Edhe një herë ndjeva kujdesin e dashur të Jehovait, që i përdori prindërit për të më mbrojtur dhe stërvitur. Bashkë me babanë ecëm tri ditë, për të shkuar te familja. Në qershor të 1945-s, mbërritëm të gjithë në shtëpi.

Pas luftës, në Jugosllavi erdhën në pushtet komunistët, me president Josip Broz Titon. Si pasojë, kushtet vazhduan të vështira për Dëshmitarët e Jehovait.

Në vitin 1948 erdhi një vëlla nga Austria dhe ndenji për të ngrënë me ne. Kudo që shkonte ai, policia e ndiqte dhe arrestonte vëllezërit që vizitonte. Edhe babanë e arrestuan dhe e dënuan me dy vjet burg, sepse e mikpriti dhe nuk e raportoi në polici. Ishin kohë të vështira për mamanë, jo vetëm sepse babai nuk ishte në shtëpi, por edhe sepse e dinte që unë dhe vëllai i vogël, pas pak do të hasnim sprovën e asnjanësisë.

Burgim në Maqedoni

Në nëntor 1949, më erdhi fletëthirrja për shërbimin ushtarak. U paraqita për t’u shpjeguar se nuk e pranoja këtë shërbim, për shkak të ndërgjegjes. Autoritetet as që më dëgjuan, por më vunë në tren bashkë me të rekrutuarit për në Maqedoni, në cepin tjetër të Jugosllavisë.

Për tre vjet, isha i shkëputur nga familja e vëllazëria. S’kisha as literaturë, madje as Biblën. Ishte shumë e vështirë. Më mbajti të fortë meditimi rreth Jehovait dhe shembullit të Birit të tij, Jezu Krishtit. Edhe shembulli i prindërve më dha forcë. Veç kësaj, lutjet e vazhdueshme për forcë, nuk më lanë të bija në dëshpërim.

Pas ca kohësh, më dërguan në një burg në Idrizovë, afër Shkupit. Aty të burgosurit merreshin me punë e zanate të ndryshme. Në fillim pastroja dhe isha korrier midis zyrave. Shkoja mirë me rojat, me të burgosurit, e madje me përgjegjësin e fabrikës së burgut, përveç një të burgosuri, ish-agjent i policisë sekrete, që më ngacmonte shpesh.

Më vonë, mora vesh se në burg duhej një furrxhi. Disa ditë më vonë, në apel erdhi përgjegjësi. Kaloi para rreshtit, ndaloi tek unë e më pyeti: «Je gjë furrxhi?» «Po, zotëri»,—iu përgjigja. «Nesër në mëngjes paraqitu te furra»,—ma ktheu. I burgosuri që më kishte ngacmuar kalonte shpesh andej, por s’bënte dot gjë. Punova atje nga shkurti deri në korrik 1950.

Pastaj më çuan në kampin e Volkoderit, në jug të Maqedonisë, afër liqenit të Prespës. Që nga Otesheva aty afër, i shkruaja letra shtëpisë. Punova me skuadrën e hapjes së rrugëve, po më shumë si furrxhi, e kjo ma lehtësoi jetën. Më liruan në nëntor 1952.

Gjatë kohës që s’kisha qenë në Pod’hom, ishte formuar një kongregacion. Në fillim, ai mblidhej në një bujtinë, në Spodnje Gorje. Më vonë, babai liroi një dhomë të shtëpisë, që kongregacioni të mblidhej aty. Me kënaqësi u bashkova me ta, kur u ktheva nga Maqedonia. Gjithashtu, rifillova shoqërinë me Stankën, që e kisha takuar para burgimit. U martuam më 24 prill 1954. Megjithatë, kësaj qetësie po i vinte fundi.

Burgim në Maribor

Në shtator 1954, më erdhi për herë të dytë fletëthirrja. Kësaj radhe, më dënuan me gati katër vjet burg në Maribor, në skajin lindor të Sllovenisë. Sapo munda, bleva letër e lapsa. Shkruaja çdo gjë që më kujtohej: shkrime, pjesë nga Kulla e Rojës dhe mendime nga botime të tjera të krishtere. I lexoja shënimet dhe shtoja të tjera në ‘libër’, sapo më vinin në mendje. Në fund të dënimit, libri ishte plot. Kjo më ndihmoi të isha i përqendruar në të vërtetën dhe i fortë frymësisht. Edhe lutjet e meditimi më ndihmuan shumë, se më jepnin guxim për t’u folur të tjerëve për të vërtetën.

Në atë kohë, çdo muaj më lejonin një letër dhe një vizitë prej 15 minutash. Stanka udhëtonte gjithë natën me tren për të qenë shpejt te burgu, pastaj kthehej me tren po atë ditë. Sa më jepnin zemër këto vizita! Pastaj bëra një plan për të marrë një Bibël. Unë dhe Stanka ishim ulur përballë në një tavolinë, dhe një rojë na vëzhgonte. Kur ai s’po shikonte, i futa një letër asaj në çantë, ku i kërkoja të sillte një Bibël herën tjetër.

Stanka dhe prindërit menduan se kjo ishte tepër e rrezikshme, prandaj morën një kopje të Shkrimeve të Krishtere Greke dhe i vunë fletët brenda kuleçëve. Në këtë mënyrë, mora Biblën që më nevojitej. Po njësoj mora edhe kopje të Kullës së Rojës, që Stanka i shkruante me dorë. Menjëherë bëja një kopje tjetër me shkrimin tim dhe e grisja origjinalin, që, po t’i gjenin, të mos e zbulonin nga i kisha marrë.

Ngaqë predikoja me ngulm, disa të burgosur më thoshin se do të hyja në telashe. Një herë, po bëja një bisedë të gjallë biblike me një të burgosur. Dëgjuam çelësin në derë dhe rojën që hyri në qeli. Mendova se do të më vinin në izolim, por roja as që e kishte ndër mend. Kishte dëgjuar bisedën dhe donte të merrte pjesë. I kënaqur nga përgjigjet që mori, u largua dhe e mbylli prapë qelinë.

Muajin e fundit të dënimit, përgjegjësi për reformimin e të burgosurve më lavdëroi që isha kaq i vendosur për të vërtetën. E ndjeva se ky ishte një shpërblim shumë i mirë për përpjekjet e mia që të bëja të njohur emrin e Jehovait. Në maj 1958, më liruan.

Arratisja në Austri, pastaj në Australi

Në gusht 1958, më vdiq mamaja. Kishte ca kohë që ishte sëmurë. Pastaj, në shtator 1958, më thirrën për herë të tretë për shërbimin ushtarak. Atë mbrëmje, bashkë me Stankën, morëm vendimin kritik që na çoi në atë kalim të frikshëm të kufirit, që përshkrova në fillim. Pa i thënë askujt, mbushëm nja dy çanta shpine, morëm një mushama dhe ikëm nga dritarja për në kufirin austriak, në perëndim të malit Stol. U duk se Jehovai hapi rrugën për ne, kur e pa se kishim nevojë për lehtësim.

Autoritetet austriake na dërguan në një kamp refugjatësh pranë Salcburgut. Gjashtë muajt e qëndrimit atje, ishim gjithnjë me Dëshmitarët vendës, dhe kalonim shumë pak kohë në kamp. Të tjerët në kamp u mahnitën se sa shpejt kishim gjetur miq. Aty ndoqëm asamblenë tonë të parë. Po ashtu, për herë të parë predikuam lirisht shtëpi më shtëpi. Na erdhi keq t’i linim këta miq të dashur, kur erdhi koha të largoheshim.

Autoritetet austriake na ofruan të emigronim në Australi. As e kishim menduar të shkonim kaq larg. Udhëtuam me tren deri në Gjenovë, Itali, pastaj morëm anijen për në Australi. U vendosëm në qytetin Uollongong, në Uellsin e Ri Jugor. Këtu na lindi djali, Filipi, më 30 mars 1965.

Jeta në Australi na hapi shumë mundësi shërbimi, si për shembull predikimin tek ata që kanë ardhur nga zonat e ish-Jugosllavisë. Jemi mirënjohës për bekimet e Jehovait. Një bekim është që i shërbejmë si familje e bashkuar. Filipi me të shoqen, Suzin, kanë privilegjin të shërbejnë në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Australi. Madje kanë shërbyer dy vjet edhe në zyrën e degës së Sllovenisë.

Pavarësisht nga sfidat e moshës së shkuar dhe problemet e shëndetit, unë dhe ime shoqe kënaqemi në shërbim të Jehovait. Jam mirënjohës për shembullin e mirë të prindërve! Ai vazhdon të më japë forcë dhe më ndihmon të bëj siç tha apostulli Pavël: «Gëzoni në shpresë. Qëndroni në shtrëngime. Ngulmoni në lutje.»—Romakëve 12:12.