Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të dish se çfarë është e drejtë dhe të veprosh

Të dish se çfarë është e drejtë dhe të veprosh

Jetëshkrim

Të dish se çfarë është e drejtë dhe të veprosh

TREGUAR NGA HEJDIN SANDERSONI

Jezui u tha njëherë apostujve: «Nëse i dini këto gjëra, të lumtur do të jeni po t’i zbatoni.» (Gjoni 13:17) Po, ndoshta e dimë se çfarë është e drejtë, por ndonjëherë sfida është të veprojmë sipas asaj. Megjithatë, pasi kam jetuar më tepër se 80 vjet, nga të cilat 40 vjet i kam kaluar në shërbimin misionar, jam i bindur se fjalët e Jezuit janë të vërteta. Të bëjmë atë që thotë Perëndia na sjell vërtet lumturi. Lërmëni t’jua shpjegoj.

NË VITIN 1925, kur isha tre vjeç, prindërit dëgjuan një fjalim biblik në qytetin tonë Njukasll në Australi. Fjalimi «Miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë», e bindi mamanë se kishte gjetur të vërtetën, prandaj ajo filloi të ndiqte rregullisht mbledhjet e krishtere. Por interesi i babait shumë shpejt u venit. Ai e kundërshtoi besimin e ri të mamasë dhe kërcënoi se do ta braktiste, po të mos hiqte dorë. Mamaja e donte babanë dhe dëshironte ta mbante familjen të bashkuar. Por ajo e dinte se bindja ndaj Perëndisë ishte kryesorja dhe ishte e vendosur të bënte atë që ishte e drejtë në sytë e Tij. (Mateu 10:34-39) Babai u largua dhe më pas unë e shihja atë vetëm nganjëherë.

Kur mendoj për të kaluarën, e admiroj mamanë për besnikërinë që tregoi ndaj Perëndisë. Vendimi i saj solli një jetë me bekime frymore për motrën time më të madhe, Bjulën, dhe për mua. Por na dha edhe një mësim të rëndësishëm: kur e dimë se çfarë është e drejtë, duhet të përpiqemi të veprojmë sipas asaj.

Prova besimi

Studentët e Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, i erdhën në ndihmë familjes sonë. Gjyshja erdhi të jetonte me ne dhe më pas pranoi të vërtetën biblike. Gjyshja e mamaja u bënë shoqe të pandashme në veprën e predikimit dhe, falë pamjes dinjitoze e sjelljes miqësore, fituan respektin e njerëzve.

Ndërkaq vëllezër të krishterë më të mëdhenj u kujdesën për mua dhe më dhanë stërvitje të vlefshme. Shpejt mësova të përdorja kartat e dëshmisë për t’u bërë prezantime të thjeshta njerëzve në shtëpitë e tyre. Gjithashtu vija fjalime të regjistruara biblike në një gramafon portativ që njerëzit t’i dëgjonin dhe merrja pjesë në marshimet që bënim nëpër rrugën kryesore të qytetit, duke mbajtur dy afishe të lidhura me rripa në supe. Kjo ishte e vështirë, meqë po luftoja me frikën e njeriut. Gjithsesi e dija se çfarë ishte e drejtë dhe isha i vendosur të veproja sipas asaj.

Pasi mbarova shkollën, fillova të punoja në një bankë, dhe kjo përfshinte të udhëtoja në shumë degë bankare anembanë shtetit të Uellsit të Ri Jugor. Ndonëse kishte pak Dëshmitarë në atë pjesë të vendit, stërvitja që kisha marrë më ndihmoi ta mbaja gjallë besimin. Mamaja më shkruante letra inkurajuese që më forcuan frymësisht.

Ato letra më ndihmuan në kohën e duhur. Kishte filluar Lufta e Dytë Botërore dhe më thirrën në ushtri. Drejtori i bankës shkonte rregullisht në kishë e ishte edhe komandanti ushtarak i asaj zone. Kur i shpjegova qëndrimin tim asnjanës si i krishterë, ai më vuri një ultimatum: të lija fenë time ose të lija bankën. Gjërat arritën kulmin kur u paraqita në qendrën vendëse të rekrutimit. Drejtori ishte i pranishëm dhe po shihte tërë interes kur iu afrova tryezës ku bëheshin regjistrimet. Kur nuk pranova të nënshkruaja dokumentet e rekrutimit, zyrtarët u acaruan. Ishte një çast i nderë, por isha i vendosur të bëja atë që ishte e drejtë. Me ndihmën e Jehovait qëndrova i qetë dhe i vendosur. Kur më vonë mora vesh që disa rrugaçë po më kërkonin, menjëherë i mblodha gjërat e mia dhe i hipa trenit për të ikur nga qyteti.

Pasi u ktheva në Njukasll, më çuan në gjyq bashkë me shtatë vëllezër të tjerë që nuk kishin pranuar shërbimin ushtarak. Gjykatësi na dënoi me tre muaj punë të rëndë në burg. Edhe pse burgu nuk ishte një përvojë e këndshme, të bëja atë që ishte e drejtë më solli bekime. Pasi u liruam, një nga shokët e qelisë, një Dëshmitar me emrin Hilton Uillkinsoni, më ftoi të punoja me të në studion e tij fotografike. Atje takova gruan time të ardhshme, Melodinë, e cila punonte në studio si recepsioniste. Shumë shpejt pasi isha liruar nga burgu, u pagëzova në simbol të kushtimit tim ndaj Jehovait.

Synoj shërbimin në kohë të plotë

Pasi u martuam, unë dhe Melodia hapëm studion tonë fotografike në Njukasll. Vetëm pak kohë më vonë kishim kaq shumë punë, saqë kjo ndikoi për keq te shëndeti dhe te gjendja jonë frymore. Rreth kësaj kohe, Ted Xharaz, që në atë kohë shërbente në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Australi e që tani është anëtar i Trupit Udhëheqës, foli me ne për synimet tona frymore. Pas asaj bisede, vendosëm të shitnim studion tonë fotografike dhe ta thjeshtonim jetën. Më 1954 blemë një dhomë-rimorkio të vogël, u transferuam në qytetin e Balaratit, në shtetin e Viktorias, dhe nisëm të shërbenim si pionierë ose shërbëtorë në kohë të plotë.

Ndërsa shërbenim me kongregacionin e vogël në Balarat, Jehovai i bekoi përpjekjet tona. Brenda 18 muajve, numri i pjesëmarrësve në mbledhje u rrit me shpejtësi nga 17 në 70 veta. Pastaj morëm një ftesë për të nisur shërbimin udhëtues ose veprën qarkore në shtetin e Australisë Jugore. Për tre vjet patëm kënaqësinë të vizitonim kongregacionet në qytetin e Adelajdes dhe në rajonet përgjatë lumit Murej ku prodhohej verë dhe kultivoheshin agrume. Sa kishin ndryshuar jetët tona! Ishim të lumtur që shërbenim në shoqërinë e vëllezërve dhe motrave të dashura. Çfarë shpërblimi ngaqë po bënim atë që e dinim se ishte e drejtë!

Një caktim misionar

Më 1958 njoftuam zyrën e degës së Australisë se kishim ndër mend të merrnim pjesë në kongresin ndërkombëtar «Vullneti hyjnor» që do të mbahej më vonë atë vit në qytetin e Nju-Jorkut. Ata u përgjigjën duke na dërguar formularë për të bërë kërkesë për shkollën misionare të Galaadit në Shtetet e Bashkuara. Meqë ishim rreth 35 vjeç, menduam që e kishim kaluar kufirin e moshës për të ndjekur Galaadin. Prapëseprapë i dërguam kërkesat tona dhe na ftuan të ndiqnim klasën e 32-të. Nga mesi i kursit morëm caktimin misionar: India. Pavarësisht nga ankthi ynë i fillimit, donim të bënim atë që ishte e drejtë dhe me gëzim e pranuam caktimin.

Pasi udhëtuam me vapor, mbërritëm në Bombei (tani Mumbai) një mëngjes herët të vitit 1959. Qindra punëtorë flinin të hallakatur andej-këndej nëpër skelë. Erëra të pazakonshme mbushnin ajrin. Kur lindi dielli, krijuam një ide se çfarë na priste. Kurrë më parë nuk kishim provuar një të nxehtë të tillë! Na mirëpritën një çift misionar, Linton dhe Xheni Dauer, që kishin shërbyer si pionierë me ne në Balarat. Ata na çuan në shtëpinë Bethel të Indisë, e cila ishte një apartament i mbushur me njerëz, pranë qendrës së qytetit. Në të banonin gjashtë vullnetarë të Bethelit. Vëlla Eduin Skineri, që shërbente si misionar në Indi që prej vitit 1926, na këshilloi të blinim dy valixhe beze para se të shkonim në caktimin tonë. Këto shihnim gjithmonë në trenat indianë dhe na shërbyen shumë gjatë udhëtimeve tona më vonë.

Pas një udhëtimi dyditor me tren, mbërritëm në caktimin tonë në Tiruçirapali, një qytet në shtetin jugor të Madrasit (tani Tamil Nadu). Atje shërbyem bashkë me tre pionierë specialë indianë që po dëshmonin në një popullsi me 250.000 njerëz. Kushtet e jetesës ishin primitive. Njëherë na kishin mbetur më pak se 4 dollarë. Por kur paratë mbaruan, Jehovai nuk na braktisi. Dikush që po studionte Biblën na dha para hua për të marrë me qira një shtëpi të përshtatshme për të mbajtur mbledhjet. Njëherë tjetër kur nuk kishim shumë ushqime, një fqinj me dashamirësi na solli një ushqim që e kishte bërë me një lloj erëze, këri. Më pëlqeu, por digjte kaq shumë nga erëza, saqë më zuri lemza.

Në shërbim

Megjithëse disa në Tiruçirapali flisnin anglisht, shumica fliste gjuhën tamile. Prandaj punuam fort për të mësuar një prezantim të thjeshtë në atë gjuhë që ta përdornim në shërbim. Këto përpjekje bënë që shumë banorë vendës të na respektonin.

Kënaqeshim shumë me shërbimin shtëpi më shtëpi. Indianët janë mikpritës dhe shumica na ftonin për të na qerasur. Meqë shpesh temperatura ishte rreth 40°C, e vlerësonim shumë mikpritjen e tyre. Para se të prezantonim mesazhin tonë, ishte e mirësjellshme të flisje për gjërat personale. Të zotët e shtëpive më pyetnim shpesh mua dhe gruan: «Nga jeni? A keni fëmijë? Pse jo?» Në këtë pikë zakonisht na përmendnin ndonjë mjek të mirë ku të shkonim. Megjithatë këto biseda na lejonin të prezantoheshim dhe të shpjegonim rëndësinë e veprës sonë të bazuar në Bibël.

Pjesa më e madhe e njerëzve që u dëshmonim, i përkitnin fesë hinduiste: një tërësi bindjesh krejt të ndryshme nga krishterimi. Në vend që të debatonim për filozofinë e ndërlikuar hinduiste, ne thjesht u predikonim lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë, dhe kjo sillte rezultate të mira. Brenda gjashtë muajve rreth 20 veta filluan të ndiqnin mbledhjet në shtëpinë tonë misionare. Njëri prej tyre ishte një inxhinier i quajtur Nalathambi. Ai dhe i biri, Vixhajalajani, më vonë ndihmuan rreth 50 veta që të bëheshin shërbëtorë të Jehovait. Vixhajalajani shërbeu për ca kohë edhe në degën e Indisë.

Gjithnjë në udhëtim

Ishim në Indi prej më pak se gjashtë muajsh kur më ftuan të shërbeja si i pari mbikëqyrës krahinor i përhershëm në vend. Kjo përfshinte të udhëtoja anembanë Indisë duke organizuar asamble dhe duke punuar me nëntë grupe gjuhësore. Ishte një vepër e mundimshme. Paketuam rroba dhe pajisje që do të na duheshin për gjashtë muaj, në tri valixhe alumini e te valixhet tona të besueshme prej beze. Pastaj u nisëm nga qyteti i Madrasit (tani Çenai) me tren. Meqë territori i krahinës sonë ishte me një perimetër rreth 6.500 kilometra, ne ishim vazhdimisht në lëvizje. Në një rast, mbaruam një asamble në qytetin jugor të Bangalurit të dielën. Më pas udhëtuam për në veri drejt Darxhilingut, në kodrat rrëzë Himalajës, për të shërbyer në një asamble tjetër në javën vijuese. Udhëtimi për në Darxhiling përfshinte të udhëtonim rreth 2.700 kilometra dhe të ndërronim pesë trena.

Gjatë udhëtimeve tona të para kënaqeshim duke shfaqur filmin Shoqëria Bota e Re në veprim. Ky film i njihte njerëzit me shtrirjen dhe veprimtarinë e organizatës tokësore të Jehovait. Shpesh në këto raste merrnin pjesë qindra njerëz. Në një rast ia shfaqëm filmin një grupi të mbledhur përgjatë rrugës. Kur po shfaqej filmi, u mblodhën re stuhije dhe shpejt po lëviznin me kërcënim drejt nesh. Meqë njëherë një turmë kishte shkaktuar trazira kur filmi ishte ndërprerë, vendosa të vazhdoja shfaqjen e filmit, por e çova me xhirim të shpejtë. Shyqyr filmi mbaroi pa ndonjë problem, kur sapo filluan të binin pikat e para të shiut.

Në vitet vijuese, unë dhe Melodia udhëtuam në shumë pjesë të Indisë. Meqë çdo krahinë kishte ushqimin, veshjen, gjuhën dhe peizazhin e vet karakteristik, ishte sikur të udhëtoje nga një shtet në një tjetër. Çfarë larmie e mrekullueshme që gjendet në krijimin e Jehovait! Kjo është e vërtetë edhe për kafshët e egra të Indisë. Njëherë, kur kishim fushuar në xhunglën e Nepalit, pamë mirë një tigër të stërmadh. Ishte një kafshë e mrekullueshme. Fakti që e pamë na e forcoi dëshirën për të qenë në Parajsë ku do të ketë më në fund paqe midis njerëzve dhe kafshëve.

Përmirësime organizative

Në ato ditë, vëllezërit në Indi kishin nevojë t’u përmbaheshin më shumë rregullimeve organizative të Jehovait. Në disa kongregacione, burrat uleshin në njërën anë të dhomës ku bëheshin mbledhjet, kurse gratë uleshin në anën tjetër. Rrallëherë mbledhjet fillonin në kohë. Në një vend, lajmëtarët e Mbretërisë thirreshin për në mbledhje duke i rënë një kambane që lëshonte një tingull të lartë. Në zona të tjera, lajmëtarët vinin me nge në mbledhje kur dielli mbërrinte në njëfarë pozicioni në qiell. Asambletë dhe vizitat e mbikëqyrësve udhëtues ishin të parregullta. Vëllezërit ishin të gatshëm të bënin atë që ishte e drejtë, por kishin nevojë për stërvitje.

Më 1959 organizata e Jehovait themeloi Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë. Ky program mbarëbotëror stërvitjeje ndihmoi mbikëqyrës qarkorë, pionierë specialë, misionarë dhe pleq kongregacioni që t’i përmbushnin më me efektshmëri përgjegjësitë e tyre biblike. Në dhjetor 1961, kur filloi shkolla në Indi, shërbeva si instruktor klase. Dalëngadalë, dobitë e kësaj stërvitjeje u ndien në kongregacionet në mbarë vendin dhe ato filluan të përparonin me shpejtësi. Kur vëllezërit mësonin se çfarë ishte e drejtë, fryma e Perëndisë i motivonte të vepronin.

Vëllezërit i inkurajuan e i bashkuan edhe kongreset e mëdha. Një kongres i jashtëzakonshëm ishte Kongresi Ndërkombëtar «Lajmi i mirë i përhershëm», që u mbajt në Nju-Delhi më 1963. Dëshmitarë nga e gjithë India udhëtuan për mijëra kilometra që të merrnin pjesë në kongres dhe shumë prej tyre shpenzuan tërë kursimet e tyre për këtë qëllim. Meqë ishin të pranishëm edhe 583 delegatë nga 27 vende, ishte hera e parë që Dëshmitarët vendës mund të takoheshin dhe të shoqëroheshin me shumë vëllezër të vendeve të tjera që po i vizitonin.

Më 1961 unë dhe Melodia morëm ftesën për t’u bërë pjesë e familjes Bethel në Bombei, dhe më vonë shërbeva si pjesëtar i Komitetit të Degës. Më pas pata privilegje të tjera. Për shumë vjet, shërbeva si mbikëqyrës zone në vendet e Azisë dhe të Lindjes së Mesme. Meqë në shumë nga këto vende vepra e predikimit ishte e kufizuar, lajmëtarët vendës duhej të ishin «të kujdesshëm si gjarpërinjtë, e megjithatë të pafaj si pëllumbat».—Mateu 10:16.

Zgjerim dhe ndryshime

Më 1959, kur mbërritëm për herë të parë në Indi, kishte 1.514 lajmëtarë aktivë në vend. Sot numri është rritur në më tepër se 24.000. Për t’u përshtatur me këtë rritje, u transferuam dy herë në godina të reja Betheli në Bombei ose pranë tij. Pastaj, në mars 2002, familja Bethel u transferua përsëri, këtë herë në një kompleks të ri të ndërtuar pranë Bangalurit, në jug të Indisë. Në këtë strukturë të re banojnë 240 anëtarë të familjes Bethel, disa prej të cilëve përkthejnë literaturë biblike në 20 gjuhë.

Megjithëse unë dhe Melodia mezi pritnim të transferoheshim në Bangalur, për shkak të shëndetit të dobët, u detyruam të ktheheshim në Australi më 1999. Tani shërbejmë si pjesëtarë të familjes Bethel në Sidnei. Ndonëse kemi ikur nga India, dashuria që kemi për miqtë tanë të dashur dhe për fëmijët tanë frymorë në atë vend, mbetet e fortë. Sa e këndshme është të marrim letra prej tyre!

Kur mendojmë për më tepër se 50 vitet në shërbimin e plotkohor, unë dhe Melodia ndihemi tejet të bekuar. Dikur punonim që pamjet e njerëzve të ngeleshin në letrën fotografike, por, të punonim për t’i ndihmuar njerëzit që të ngeleshin në kujtesën e Perëndisë, ishte një zgjedhje shumë herë më e mirë. Sa përvoja të çmuara kemi pasur ngaqë vendosëm të vinim vullnetin e Perëndisë në vend të parë në jetë! Po, të bësh atë që Perëndia thotë se është e drejtë, sjell vërtet lumturi.

[Hartat në faqen 15]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

INDIA

Nju-Delhi

Darxhiling

Bombei (Mumbai)

Bangalur

Madras (Çenai)

Tiruçirapali

[Figurat në faqen 13]

Hejdini dhe Melodia më 1942

[Figura në faqen 16]

Familja Bethel në Indi, 1975