Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zbavitje e shëndetshme që na ripërtërin

Zbavitje e shëndetshme që na ripërtërin

Zbavitje e shëndetshme që na ripërtërin

«Nëse hani, nëse pini apo nëse bëni diçka tjetër, gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.»—1 KORINTASVE 10:31.

1, 2. Pse veprimtaritë zbavitëse mund të quhen «dhuratë nga Perëndia», por cilin paralajmërim të drejtpërdrejtë jep Bibla?

ËSHTË më se e natyrshme të duam të bëjmë gjëra që na sjellin kënaqësi. Jehovai, Perëndia ynë i lumtur, dëshiron që ta gëzojmë jetën dhe na jep me bollëk gjëra që ta arrijmë këtë. (1 Timoteut 1:11; 6:17) Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Kam arritur të kuptoj se s’ka gjë më të mirë për [njerëzit], se të gëzojnë . . . dhe që çdo njeri të hajë e të pijë e të shohë të mira për gjithë mundin e tij. Është dhuratë nga Perëndia.»—Eklisiastiu 3:12, 13.

2 Gëzimi që provon një njeri ndërsa pushon pak për të medituar për punën e mirë që ka bërë, është vërtet ripërtëritës, sidomos në shoqërinë e këndshme të familjes ose të miqve. Mund të quhet me të drejtë «dhuratë nga Perëndia». Natyrisht, fakti që Krijuesi na ka dhënë kaq shumë gjëra me bollëk, nuk na jep lirinë për t’u dhënë pas argëtimeve të shfrenuara. Bibla e dënon dehjen, grykësinë dhe imoralitetin, duke paralajmëruar se ata që praktikojnë gjëra të tilla, «nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë».—1 Korintasve 6:9, 10; Proverbat 23:20, 21; 1 Pjetrit 4:1-4.

3. Çfarë do të na ndihmojë që të qëndrojmë zgjuar frymësisht dhe të mbajmë në mend ditën e madhe të Jehovait?

3 Në këto ditë të fundit që janë kritike, si kurrë më parë, të krishterët hasin sfidën për të jetuar me maturi në një botë të korruptuar, pa përvetësuar praktikat e saj. (Gjoni 17:15, 16) Siç ishte parathënë, njerëzit e brezit të sotëm janë bërë «kënaqësidashës në vend se perëndidashës», deri në atë masë sa nuk i kushtojnë «vëmendje» provave se ‘shtrëngimi i madh’ po afron me të shpejtë. (2 Timoteut 3:4, 5; Mateu 24:21, 37-39) Jezui i paralajmëroi ithtarët e tij: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga të ngrënët e tepërt, nga pirja e tepërt dhe nga ankthet e jetës, që ajo ditë të mos bjerë befas mbi ju si një lak.» (Luka 21:34, 35) Si shërbëtorë të Perëndisë, ne jemi të vendosur t’i vëmë veshin paralajmërimit të Jezuit. Ndryshe nga njerëzit në këtë botë të paperëndishme, ne përpiqemi të qëndrojmë zgjuar frymësisht dhe të mbajmë në mend ditën e madhe të Jehovait.Sofonia 3:8; Luka 21:36.

4. (a) Pse është e vështirë të gjejmë zbavitje të përshtatshme? (b) Cilën këshillë, që gjejmë tek Efesianëve 5:15, 16, duam të zbatojmë?

4 Nuk është e lehtë të mbahemi të pastër nga praktikat e korruptuara të botës, pasi Djalli i ka bërë ato shumë të dëshirueshme dhe të lehta për t’u arritur. Shumë e vështirë është sidomos kur duam të zgjedhim zbavitjet. Pjesa më e madhe e gjërave që ofron bota, ka si synim të tërheqë «dëshirat e mishit». (1 Pjetrit 2:11) Zbavitjet e dëmshme i gjen jo vetëm përjashta, por mund të depërtojnë edhe nëpër shtëpi, me anë të botimeve, të televizorit, të Internetit dhe të videokasetave. Prandaj, Fjala e Perëndisë i këshillon me mençuri të krishterët: «Vazhdoni të shikoni me kujdes që mënyra se si ecni, të mos jetë si të pamendët, por si të mençurit, duke blerë kohën e duhur për veten tuaj, sepse ditët janë të liga.» (Efesianëve 5:15, 16) Vetëm po të ndjekim me kujdes këtë këshillë, mund të sigurohemi se zbavitjet e dëmshme nuk do të na joshin, të na gllabërojnë ose edhe të na e shkatërrojnë marrëdhënien me Jehovain, që do të sillte si përfundim shkatërrimin tonë!—Jakovi 1:14, 15.

5. Cila gjë na jep freskimin më të madh?

5 Meqë të krishterët kanë një jetë të ngjeshur, është normale që hera-herës të ndiejnë nevojën për t’u marrë me ndonjë veprimtari zbavitëse. Në fakt, tek Eklisiastiu 3:4 thuhet se ka «një kohë për të qeshur» dhe «një kohë për të kërcyer». Pra, Bibla nuk e konsideron zbavitjen si humbje kohe. Gjithsesi, zbavitja duhet të na përtërijë, e jo të na vërë në rrezik gjendjen frymore ose të cenojë veprimtaritë frymore. Të krishterët e pjekur e dinë nga përvoja se ka më shumë lumturi të japësh. Ata vënë në vend të parë në jetë kryerjen e vullnetit të Jehovait dhe provojnë vërtet «freskim për shpirtin» duke pranuar zgjedhën e këndshme të Jezuit.—Mateu 11:29, 30; Veprat 20:35.

Të zgjedhim zbavitje të përshtatshme

6, 7. Çfarë mund t’ju ndihmojë të përcaktoni nëse një zbavitje është e përshtatshme ose jo?

6 Si të sigurohemi që një lloj zbavitjeje është e përshtatshme për të krishterët? Prindërit u japin drejtim fëmijëve të tyre dhe pleqtë ndihmojnë, sipas nevojës. Por, në të vërtetë, s’duhet të jetë e nevojshme të na thonë të tjerët se një libër, një film, një lojë, një kërcim a një këngë është e papërshtatshme. Pavli tha se ‘njerëzit e pjekur, nëpërmjet përdorimit, i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën’. (Hebrenjve 5:14; 1 Korintasve 14:20) Parimet që na udhëheqin, i gjejmë në Bibël. Ndërgjegjja jonë, e stërvitur sipas Fjalës së Perëndisë, do të na ndihmojë, nëse ia vëmë veshin.—1 Timoteut 1:19.

7 Jezui tha se «pema njihet nga fryti që jep». (Mateu 12:33) Nëse një veprimtari zbavitëse sjell si rezultat frytet e kalbura të tërheqjes ndaj dhunës, imoralitetit ose spiritizmit, nuk duhet pranuar. Është e papërshtatshme edhe nëse vë në rrezik jetën ose shëndetin e njeriut, nëse shkakton vështirësi financiare ose shkurajim, a nëse i bën të tjerët të pengohen. Apostulli Pavël na paralajmëroi se, kur lëndojmë ndërgjegjen e vëllait tonë, po mëkatojmë. Ai shkroi: «Kur mëkatoni kështu kundër vëllezërve tuaj dhe plagosni ndërgjegjen e tyre të dobët, ju po mëkatoni kundër Krishtit. Prandaj, nëse ushqimi bëhet pengesë për vëllanë tim, unë nuk do të ha më kurrë mish, që të mos bëhem pengesë për vëllanë tim.»—1 Korintasve 8:12, 13.

8. Çfarë rreziqesh ka përdorimi i lojërave elektronike dhe i videokasetave?

8 Dyqanet janë plot e përplot me lojëra elektronike dhe videokaseta. Me disa prej tyre mund të çlodhesh e të kënaqesh pa ndonjë dëm, por, gjithnjë e më shumë, në këto zbavitje po shfaqen gjëra që Bibla i dënon. Sigurisht që nuk është thjesht kënaqësi e padëmshme kur, në një lojë, lojtarit i kërkohet të gjymtojë e të vrasë ose të sillet në mënyrë tepër të shthurur! Jehovai e urren «atë që do dhunën». (Psalmi 11:5; Proverbat 3:31; Kolosianëve 3:5, 6) E nëse loja të nxit ndjenja lakmie ose agresiviteti, të sfilit emocionalisht ose të harxhon kohën e çmuar, atëherë dalloje dëmin frymor që po të shkakton dhe bëj menjëherë ndryshime.—Mateu 18:8, 9.

Plotësimi i nevojës për zbavitje në mënyra të shëndetshme

9, 10. Ç’mund të bëjnë njerëzit me aftësi dalluese për të përmbushur nevojat e tyre për zbavitje?

9 Nganjëherë, të krishterët pyesin: «Cila zbavitje është e përshtatshme? Pjesa më e madhe e gjërave në botë është në kundërshtim me normat e Biblës.» Të jeni të sigurt se mund të gjeni zbavitje të kënaqshme, por kërkohen përpjekje. Kërkohet planifikim i kujdesshëm, sidomos nga ana e prindërve. Shumë veta çlodhen fare mirë brenda rrethit familjar dhe në kongregacion. Të hash me nge një vakt, ndërkohë që bisedon për ngjarjet e ditës ose për një argument biblik, është e këndshme dhe ndërtuese. Mund të organizohen piknikë, lojëra të përshtatshme, udhëtime për të kaluar ndonjë natë në natyrë ose shëtitje në mal. Zbavitje të tilla të shëndetshme të sjellin kënaqësi dhe janë shpërblyese.

10 Një plak kongregacioni dhe gruaja e tij, që kanë rritur tre fëmijë, thonë: «Që kur ishin të vegjël, i kemi përfshirë fëmijët kur donim të zgjidhnim se ku t’i bënim pushimet. Nganjëherë, linim që çdo fëmijë të ftonte një shokun e vet të ngushtë, dhe kjo i bënte pushimet më të gëzueshme. I shpërblenim fëmijët për disa arritje të veçanta të tyre. Hera-herës, ftonim në shtëpi familje dhe miq nga kongregacioni. Gatuanim përjashta dhe luanim lojëra të ndryshme. Bënim udhëtime me makinë dhe në këmbë nëpër male, duke i përdorur këto raste për të mësuar rreth krijimit të Jehovait.»

11, 12. (a) Ç’mund të bëni për të përfshirë të tjerët në planet që bëni për t’u zbavitur ndonjëherë? (b) Cilat grumbullime kanë qenë të paharrueshme për shumë veta?

11 A mund të zgjeroheni ju vetë ose si familje e të përfshini edhe të tjerë, kur bëni plane për t’u zbavitur ndonjëherë? Disa mund të kenë nevojë për inkurajim, si për shembull një vejushë, një beqar a ndonjë familje me një prind. (Luka 14:12-14) Mund të përfshini edhe nja dy të rinj në të vërtetën, por, natyrisht, duke bërë kujdes që të tjerët të mos gjenden përballë ndonjë ndikimi të dëmshëm. (2 Timoteut 2:20, 21) Në qoftë se disa të sëmurë nuk dalin dot nga shtëpia, ndoshta mund ta rregulloni që t’u çoni diçka për të ngrënë dhe të rrini me ta në shtëpinë e tyre.—Hebrenjve 13:1, 2.

12 Shumë veta kanë kujtime të paharrueshme nga grumbullimet shoqërore ku kënaqen me ndonjë gjë e thjeshtë për të ngrënë, dëgjojnë përvojat e njëri-tjetrit se si janë bërë të krishterë dhe mësojnë çfarë i ka ndihmuar t’i qëndrojnë besnikë Perëndisë. Mund të bëhen biseda rreth argumenteve biblike, duke përfshirë në bisedë gjithë të pranishmit, edhe fëmijët. Me këto biseda mund të inkurajojmë njëri-tjetrin, pa e bërë asnjë të ndihet në siklet ose që nuk është në lartësinë e duhur.

13. Çfarë shembulli dhanë Jezui dhe Pavli se si duhet treguar dhe duhet pranuar mikpritja?

13 Jezui dha shembullin e duhur se si duhet treguar dhe duhet pranuar mikpritja. Gjithnjë i përdori raste të tilla për të dhënë bekime frymore. (Luka 5:27-39; 10:42; 19:1-10; 24:28-32) Dishepujt e hershëm imituan shembullin e tij. (Veprat 2:46, 47) Apostulli Pavël shkroi: «Po digjem nga dëshira që t’ju shoh, për t’ju dhënë ndonjë dhuratë frymore, që të bëheni të patundur, ose më mirë, që të inkurajojmë njëri-tjetrin, secili me anë të besimit të tjetrit, unë me anë të besimit tuaj dhe ju me anë të besimit tim.» (Romakëve 1:11, 12) Po kështu, grumbullimet tona duhet të sigurojnë atmosferën e duhur për të inkurajuar njëri-tjetrin.—Romakëve 12:13; 15:1, 2.

Disa përkujtues dhe këshilla

14. Pse nuk janë të këshillueshme grumbullimet e mëdha shoqërore?

14 Nuk është e këshillueshme të bëhen grumbullime të mëdha shoqërore, pasi, shpesh, është e vështirë të mbikëqyren raste të tilla. Në një kohë që nuk cenon veprimtaritë frymore, disa familje mund të vendosin të bëjnë një piknik së bashku ose të luajnë një lojë që nuk nxit së tepërmi konkurrencën. Kur në një grumbullim shoqëror janë të pranishëm disa pleq, shërbëtorë ndihmës ose njerëz të tjerë të pjekur, ata ndikojnë për mirë, dhe rasti është edhe më përtëritës.

15. Pse ata që organizojnë një grumbullim shoqëror duhet të përfshijnë mbikëqyrjen e duhur?

15 Në grumbullimet shoqërore, ata që merren me organizimin nuk duhet të harrojnë nevojën për mbikëqyrjen e duhur. Ndonëse mund t’ju pëlqejë të tregoheni mikpritës, a nuk do të ndiheshit keq nëse, për shkak të ndonjë pakujdesie nga ana juaj, ndonjë i ftuar do të pengohej nga ajo që mund të ketë ndodhur në shtëpinë tuaj? Shqyrtoni parimin që gjendet te Ligji i përtërirë 22:8. Kur një izraelit ndërtonte një shtëpi të re, i kërkohej të ndërtonte një parmak për tarracën, e cila shpesh përdorej për të pritur mysafirë. Po përse? «Që të mos e bësh shtëpinë tënde me faj gjaku, nëse dikush bie prej saj.» Po kështu, ajo që bëni (pa vendosur kufizime të paarsyeshme) për të mbrojtur ata që keni ftuar në një rast shoqëror, duhet të bëhet duke pasur parasysh mirëqenien e tyre fizike e frymore.

16. Çfarë maturie duhet përdorur, nëse shërbehet alkool në një grumbullim shoqëror?

16 Nëse në një grumbullim shoqëror shërbehet alkool, kjo duhet bërë me shumë maturi. Shumë të krishterë, kur organizojnë raste të tilla, vendosin të shërbejnë pije alkoolike vetëm atëherë kur mund ta mbikëqyrin vetë se çfarë u shërbehet të ftuarve ose sa konsumojnë. Nuk duhet të lejohet asgjë që mund t’i pengojë të tjerët ose të tundojë ndonjë që ta teprojë. (Efesianëve 5:18, 19) Për arsye të ndryshme, disa të ftuar mund të vendosin të mos pinë fare alkool. Shumë vende kanë kufizime ligjore për moshën kur lejohet pirja e alkoolit dhe të krishterët u binden ligjeve të Cezarit, edhe sikur këto t’u duken tepër kufizuese.—Romakëve 13:5.

17. (a) Nëse në një rast shoqëror ka muzikë, pse është e rëndësishme që organizatori i rastit të jetë shumë përzgjedhës? (b) Nëse në një grumbullim do të ketë kërcim, si duhet pasqyruar modesti?

17 Ai që organizon një rast shoqëror duhet të sigurohet që, nëse ka muzikë, kërcime ose ndonjë zbavitje tjetër, kjo të jetë në përputhje me parimet e krishtere. Shijet në muzikë ndryshojnë dhe sot ka një shumëllojshmëri muzike. Megjithatë, një pjesë e madhe nxit frymën e rebelimit, imoralitetin e dhunën. Duhet të jemi përzgjedhës. Nuk është e thënë që muzika e pranueshme të jetë vetëm e qetë, por as duhet të jetë sensuale ose e ndyrë, që të shurdhon e që ka një ritëm të fortë. Kini kujdes, mos ia lini detyrën për të zgjedhur muzikën dikujt që ende s’e ka kuptuar plotësisht nevojën për ta mbajtur volumin në nivel të arsyeshëm. S’ka dyshim se një kërcim që përfshin sjellje jomodeste, që tërheq vëmendjen te lëvizjet erotike të ijëve ose të gjoksit, nuk do të ishte i përshtatshëm për një të krishterë.—1 Timoteut 2:8-10.

18. Pse është një mbrojtje për fëmijët, kur prindërit u mbikëqyrin veprimtaritë shoqërore?

18 Prindërit e krishterë duhet të interesohen për të ditur çfarë është planifikuar në një grumbullim shoqëror ku janë ftuar fëmijët e tyre. Gjithashtu, do të ishte e mençur që, në shumicën e rasteve, t’i shoqëronin fëmijët. Mjerisht, disa prindër i kanë lejuar fëmijët të shkojnë nëpër festa që s’kishin mbikëqyrje, ku disa të pranishëm janë shtyrë në imoralitet ose në sjellje të tjera të papërshtatshme. (Efesianëve 6:1-4) Edhe nëse të rinjtë janë në adoleshencën e vonë dhe kanë treguar se mund të veprojnë me përgjegjësi, ende ka nevojë t’i ndihmoni që ‘të ikin nga dëshirat karakteristike rinore’.—2 Timoteut 2:22.

19. Cili realitet na ndihmon të përqendrohemi tek ajo që duhet ‘të kërkojmë në radhë të parë’?

19 Zbavitjet e herëpashershme që janë të shëndetshme dhe ripërtëritëse, e bëjnë jetën më të gëzuar. Jehovai nuk na e mohon këtë kënaqësi, por, që të jemi realistë, ne e dimë se veprimtari të tilla, në vetvete, nuk na ndihmojnë të grumbullojmë ndonjë thesar frymor në qiell. (Mateu 6:19-21) Jezui i ndihmoi dishepujt të kuptonin se gjëja më e rëndësishme në jetë është ‘të kërkojmë në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë’, jo ajo çfarë hamë, pimë a veshim, gjëra që «i kërkojnë me etje kombet».—Mateu 6:31-34.

20. Çfarë gjërash të mira mund të presin shërbëtorët besnikë nga Perëndia madhështor që siguron gjithçka të mirë për ta?

20 Po, ‘nëse hamë, nëse pimë apo nëse bëjmë diçka tjetër’, gjithçka mund ta bëjmë «për lavdi të Perëndisë», duke e falënderuar këtë Perëndi madhështor, që na siguron gjëra të mira për t’i gëzuar me masë. (1 Korintasve 10:31) Në tokën parajsore që na pret, do të kemi raste të pafundme për ta gëzuar plotësisht bujarinë e Jehovait, së bashku me shoqërinë e shëndetshme të të gjithë atyre që plotësojnë kërkesat e tij të drejta.—Psalmi 145:16; Isaia 25:6; 2 Korintasve 7:1.

A ju kujtohet?

• Përse sot është e vështirë që të krishterët të gjejnë zbavitje të shëndetshme?

• Cilat janë disa lloj zbavitjesh që kanë qenë të kënaqshme për familjet e krishtere?

• Cilët përkujtues dhe këshilla duhet të mbajmë në mendje ndërsa gëzojmë zbavitje të shëndetshme?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 18]

Zgjidhni zbavitje që prodhon fryte të mira

[Figurat në faqen 19]

Cilat zbavitje shmangin të krishterët?