«Një dramë simbolike» me vlerë për ne
«Një dramë simbolike» me vlerë për ne
SA E vështirë do të ishte t’i kuptoje plotësisht disa shkrime biblike, nëse nuk do të hidhnin dritë mbi to disa pjesë të tjera të Biblës! Tregimet historike në fjalën e Perëndisë kanë një kuptim të drejtpërdrejtë. Por, pas disa prej këtyre tregimeve fshihen të vërteta më të thella. I tillë është edhe rasti i dy grave në familjen e patriarkut Abraham. Apostulli Pavël e quajti «një dramë simbolike».—Galatasve 4:24.
Kjo dramë meriton vëmendjen tonë sepse realiteti i paraqitur aty është me rëndësi të madhe për të gjithë ata që dëshirojnë të gëzojnë bekimet e Perëndisë Jehova. Para se të shqyrtojmë se përse themi kështu, le të shikojmë pak rrethanat të cilat e shtynë Pavlin të zbulonte kuptimin e kësaj drame.
Të krishterët e shekullit të parë në Galati kishin një problem. Disa prej tyre ‘kremtonin me përpikëri ditë, muaj, stinë dhe vite’, gjëra që i urdhëronte Ligji i Moisiut. Ata mendonin se besimtarët duhej t’i bindeshin këtij Ligji, nëse donin të kishin miratimin e Perëndisë. (Galatasve 4:10; 5:2, 3) Por Pavli e dinte se kjo nuk kërkohej prej të krishterëve. Për ta vërtetuar këtë, ai iu referua një tregimi të njohur ndër ata me prejardhje judaike.
Pavli u kujtoi galatasve se Abrahamit, atit të kombit jude, i lindi Ismaeli dhe Isaku. I pari kishte lindur nga shërbyesja Agara, ndërsa i dyti nga gruaja e lirë Sara. Ata në Galati që i bindeshin Ligjit të Moisiut, pa dyshim e njihnin tregimin e Sarës, e cila në fillim nuk mund të lindte fëmijë dhe i dha Abrahamit shërbyesen e saj, Agarën, që t’i jepte një fëmijë në vend të saj. Ata duhet ta kenë ditur që, pasi lindi Ismaelin, Agara filloi ta përçmonte zonjën e saj, Sarën. Por, sipas premtimit të Perëndisë, më në fund Sara, megjithëse në moshë të thyer, lindi Isakun. Më vonë, Abrahami e dëboi Agarën dhe Ismaelin, sepse Ismaeli e keqtrajtonte Isakun.Zanafilla 16:1-4; 17:15-17; 21:1-14; Galatasve 4:22, 23.
—Dy gra, dy besëlidhje
Pavli shpjegoi se çfarë përfaqësonin këto personazhe në këtë «dramë simbolike». Ai shkroi: «Këto gra përfaqësojnë dy besëlidhje. Njëra, që u bë në malin Sinai, dhe që solli në jetë fëmijë për skllavëri, është Agara. . . . Dhe përkon me Jerusalemin e sotëm, sepse është në skllavëri bashkë me fëmijët e vet.» (Galatasve 4:24, 25) Agara përfaqësonte Izraelin e mirëfilltë, me kryeqytet Jerusalemin. Kombi jude ishte i lidhur me Jehovain sipas besëlidhjes së Ligjit që u bë në malin Sinai. Nën besëlidhjen e Ligjit, izraelitët kujtoheshin vazhdimisht që ishin skllevër të mëkatit dhe që kishin nevojë për t’u shpenguar.—Jeremia 31:31, 32; Romakëve 7:14-24.
Por, kë përfaqësonte «gruaja e lirë», Sara, dhe djali i saj, Isaku? Pavli tregoi se Sara, gruaja «shterpë», simbolizonte gruan e Perëndisë, pjesën qiellore të organizatës së tij. Kjo grua qiellore ishte shterpë në kuptimin që, para se të vinte Jezui, ajo nuk kishte asnjë ‘fëmijë’ të mirosur këtu në tokë. (Galatasve 4:27; Isaia 54:1-6) Megjithatë, në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të erës sonë, fryma e shenjtë u derdh mbi një grup burrash dhe grash të cilët në këtë mënyrë rilindën si fëmijë të kësaj gruaje qiellore. Fëmijët e kësaj gruaje qiellore u birësuan si bij të Perëndisë dhe u bënë bashkëtrashëgimtarë me Jezu Krishtin me anë të një besëlidhjeje të re. (Romakëve 8:15-17) Një prej këtyre fëmijëve, apostulli Pavël, shkroi: «Jerusalemi lart është i lirë dhe është nëna jonë.»—Galatasve 4:26.
Fëmijët e të dyja grave
Sipas tregimit biblik, Ismaeli e përndiqte Isakun. Po kështu gjatë shekullit të parë të erës sonë, fëmijët e Jerusalemit të skllavëruar tallnin dhe përndiqnin fëmijët e Jerusalemit qiellor. «Ashtu si në atë kohë ai që kishte lindur sipas mishit [Ismaeli], filloi të përndiqte atë që kishte lindur sipas frymës [Isakun], po kështu është edhe tani»,—shpjegoi Pavli. (Galatasve 4:29) Kur Jezu Krishti erdhi në tokë dhe filloi të shpallte Mbretërinë, udhëheqësit fetarë judaikë u sollën me të pikërisht ashtu si ishte sjellë Ismaeli, djali i Agarës, me Isakun, trashëgimtarin e vërtetë të Abrahamit. Ata e tallën dhe e përndoqën Jezu Krishtin, me sa duket duke e konsideruar veten si trashëgimtarë të ligjshëm të Abrahamit dhe Jezuin si të huaj e të padëshiruar.
Pak kohë para se sundimtarët e Izraelit ta vritnin, Jezui tha: «Jerusalem, Jerusalem, vrasës i profetëve, që i vret me gurë ata që janë dërguar te ti! Sa herë desha t’i mblidhja bashkë fëmijët e tu, ashtu si i mbledh klloçka zogjtë nën krahë! Por ju nuk deshët. Ja, shtëpia juaj është braktisur dhe ju është lënë juve.»—Mateu 23:37, 38.
Dokumentimi i frymëzuar i ngjarjeve të shekullit të parë tregon se kombi i Izraelit të mirëfilltë, që përfaqësohet nga Agara, nuk mund të lindte në vetvete bij që do të ishin bashkëtrashëgimtarë me Jezuin. Judenjtë që pretendonin me krenari se u takonte me të drejtë një trashëgimi e tillë për shkak të prejardhjes, u përjashtuan nga kjo trashëgimi, u hodhën poshtë nga Jehovai. Sigurisht, disa individë me prejardhje izraelite u bënë vërtet bashkëtrashëgimtarë me Jezuin. Por këtë privilegj e morën në sajë të besimit të tyre te Jezui, dhe jo në sajë të prejardhjes së tyre.
Se cilët do të ishin disa prej këtyre bashkëtrashëgimtarëve me Krishtin u bë e qartë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të erës sonë. Pastaj me kalimin e kohës, Jehovai mirosi edhe të tjerë si bij të Jerusalemit qiellor.
Me anë të shpjegimit të kësaj ‘drame simbolike’, Pavli kishte si qëllim të tregonte se besëlidhja e re qëndronte mbi besëlidhjen e Ligjit që u bë nëpërmjet Moisiut. Askush nuk mund të fitonte miratimin e Perëndisë thjesht duke iu bindur Ligjit të Moisiut, sepse të gjithë njerëzit janë të papërsosur dhe Ligji vetëm sa u kujtonte se ishin skllevër të mëkatit. Por, ashtu si shpjegoi Pavli, Jezui erdhi që, «duke i blerë, t’i lironte ata që ishin nën ligj». (Galatasve 4:4, 5) Pra, besimi në vlerën e flijimit të Krishtit bëri të mundur çlirimin nga dënimi i Ligjit.—Galatasve 5:1-6.
Çfarë vlere ka për ne?
Pse është me interes për ne shpjegimi i frymëzuar që i bën Pavli kësaj drame? Një arsye është se na ndihmon të nxjerrim në dritë domethënien e disa shkrimeve që, pa këtë shpjegim, do të mbeteshin në errësirë. Na forcon besimin te uniteti dhe harmonia që përshkon Biblën.—1 Selanikasve 2:13.
Për më tepër, të vërtetat që zbulohen nga kjo dramë janë shumë të rëndësishme për lumturinë tonë në të ardhmen. Po të mos ishte për ardhjen e bijve të Jerusalemit lart, edhe në të ardhmen do të vazhdonim të ishim veçse skllevër të mëkatit dhe të vdekjes. Por nën drejtimin e dashur të Krishtit e të bashkëtrashëgimtarëve, sipas premtimit që Perëndia i bëri Abrahamit, «do të arrijnë të marrin bekime të gjitha kombet e tokës». (Zanafilla 22:18) Kjo do të ndodhë atëherë kur të çlirohen njëherë e përgjithmonë nga pasojat e mëkatit, të papërsosmërisë, të dhembjes dhe të vdekjes. (Isaia 25:8, 9) Sa kohë e mrekullueshme do të jetë!
[Figura në faqen 11]
Besëlidhja e Ligjit u bë në malin Sinai
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.
[Figura në faqen 12]
Cila është domethënia e ‘dramës simbolike’ që përmendet nga apostulli Pavël?