Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i Jobit

Pika kryesore nga libri i Jobit

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i Jobit

PATRIARKU Job banon në vendin e Uzit, që tani ndodhet në Gadishullin Arabik. Bëhet fjalë për kohën kur një numër i madh izraelitësh jetojnë në Egjipt. Jobi është një adhurues i Perëndisë Jehova, edhe pse nuk është izraelit. Bibla thotë për të: «Nuk ka në tërë tokën njeri si ai, të paqortueshëm dhe të drejtë, që ka frikë nga Perëndia dhe që i largohet së keqes.» (Jobi 1:8) Ndoshta kjo i referohet periudhës midis kohës kur kanë jetuar dy shërbëtorë të Jehovait, Jozefi, djali i Jakobit, dhe profeti Moisi.

Moisiu, që mendohet të ketë shkruar librin e Jobit, mund të ketë dëgjuar për Jobin kur jetoi 40 vjet afër vendit të Uzit, në Midian. Mund të ketë dëgjuar për vitet e fundit të Jobit kur izraelitët ishin afër Uzit, aty nga fundi i qëndrimit të tyre 40-vjeçar në shkretëtirë. * Jeta e Jobit është përshkruar kaq bukur, sa historia e tij konsiderohet një kryevepër letrare. Por, për më tepër, ky libër u përgjigjet pyetjeve të tilla, si: Pse vuajnë njerëzit? Përse e lejon Jehovai ligësinë? A mund t’i qëndrojnë besnikë Jehovait njerëzit e papërsosur? Si pjesë e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë, mesazhi që përçon libri i Jobit është i gjallë dhe ushtron fuqi, edhe sot e kësaj dite.—Hebrenjve 4:12.

«U SHOFTË DITA QË LINDA»

(Jobi 1:1–3:26)

Një ditë Satanai vë në dyshim integritetin ose besnikërinë e Jobit ndaj Perëndisë. Jehovai lejon që integriteti i tij të sprovohet dhe që Satanai t’i shkaktojë Jobit një sërë fatkeqësish. Por Jobi nuk pranon ‘ta mallkojë Perëndinë’.—Jobi 2:9.

Tre shokë të Jobit vijnë ‘t’i qajnë hallin’. (Jobi 2:11) Ata ulen e nuk thonë asnjë fjalë derisa Jobi thyen heshtjen e thotë: «U shoftë dita që linda.» (Jobi 3:3) Ai dëshiron të jetë ‘njësoj si fëmijët që s’e kanë parë dritën’ ose që kanë vdekur që në bark të nënës.—Jobi 3:11, 16.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

1:4, Dio—A festonin ditëlindjen fëmijët e Jobit? Jo, nuk e festonin. Në gjuhën origjinale, fjalët «ditë» dhe «ditëlindje» ndryshojnë, secila ka kuptimin e saj. (Zanafilla 40:20) Te Jobi 1:4 (Dio), përdoret fjala ‘ditë’, që nënkupton një interval kohor nga lindja e diellit deri në perëndim. Me sa duket shtatë bijtë e Jobit mblidheshin familjarisht një javë në vit. Dhe gjatë kësaj jave, çdo ditë me radhë, i binte që secili nga djemtë duhej të organizonte gostinë në shtëpinë e tij «ditën e caktuar».

1:6; 2:1—Kush mund të hynte e të paraqitej para Jehovait? Ndër ata që hynë e u paraqitën para Jehovait ishte Biri i tij i vetëmlindur, pra Fjala; engjëjt besnikë dhe «bijtë» e pabindur engjëllorë të Perëndisë, përfshirë edhe Satana Djallin. (Gjoni 1:1, 18) Satanai dhe demonët në atë kohë nuk ishin dëbuar nga qielli, derisa u dëbuan menjëherë pas vendosjes së Mbretërisë së Perëndisë në vitin 1914. (Zbulesa 12:1-12) Duke i lejuar të shkonin para tij, Jehovai paraqiti para gjithë krijesave frymore sfidën e Satanait dhe çështjet e ngritura.

1:7; 2:2—A foli Jehovai drejtpërdrejt me Satanain? Bibla nuk jep shumë hollësi se si komunikon Jehovai me krijesat frymore. Megjithatë, profeti Mikajah pati një vegim ku pa një engjëll që komunikonte drejtpërdrejt me Jehovain. (1 Mbretërve 22:14, 19-23) Pra, me sa duket, Jehovai foli me Satanain pa një ndërmjetës.

1:21, Filipaj—Në ç’kuptim donte Jobi ‘të kthehej në barkun e nënës’? Meqenëse Perëndia Jehova e formoi njeriun «nga pluhuri i tokës», termi «nënë» këtu i referohet në kuptim të figurshëm tokës.—Zanafilla 2:7.

2:9—Në ç’gjendje emocionale duhet të ketë qenë gruaja e Jobit kur i tha të shoqit të mallkonte Perëndinë dhe të vdiste? Edhe gruaja e Jobit kishte pasur fatkeqësi si burri i saj. Për të duhet të ketë qenë shumë e dhimbshme të shihte burrin e saj, njëherë e një kohë të shëndetshëm, që vuante nga një sëmundje aq e keqe. Kishte humbur fëmijët e saj. Duhet të ketë qenë kaq e dërrmuar nga gjithë këto fatkeqësi, saqë harroi atë që ishte më e rëndësishme, pra, marrëdhënien me Perëndinë.

Mësime për ne:

1:8-11; 2:3-5. Siç tregohet në rastin e Jobit, që të mbajmë integritetin ndaj Jehovait, duhet jo vetëm të veprojmë dhe të flasim siç duhet, por edhe të kemi motivin e duhur për t’i shërbyer atij.

1:21, 22. Duke i qëndruar besnikë Jehovait në rrethana të favorshme e të pafavorshme, mund të vërtetojmë se Satanai është gënjeshtar.—Proverbat 27:11.

2:9, 10. Ashtu si Jobi, duhet të qëndrojmë të patundur në besim, edhe atëherë kur pjesëtarët e familjes nuk i vlerësojnë veprimtaritë tona të krishtere ose kur na bëjnë presion për të bërë kompromis a për të hequr dorë nga besimi ynë.

2:13. Shokët e Jobit nuk thanë asgjë ngushëlluese për Perëndinë dhe premtimet e tij, pasi nuk i shihnin gjërat nga pikëpamja e Perëndisë.

«NGA INTEGRITETI IM NUK DO TË HEQ DORË»

(Jobi 4:1–31:40)

Pika që nxorën të tre shokët e Jobit ishte se ai duhej të kishte bërë diçka shumë të gabuar përderisa u dënua aq ashpër nga Perëndia. Elifazi merr fjalën i pari. Bildadi e pason duke përdorur një gjuhë më thumbuese. Zofari tregohet edhe më i ashpër.

Jobi nuk i pranon arsyetimet e gabuara të këtyre shokëve ose vizitorëve. Duke mos qenë në gjendje për të kuptuar se përse Perëndia ka lejuar që ai të vuajë, përpiqet më tepër për të justifikuar veten. Prapëseprapë, Jobi e do Perëndinë dhe thotë me vendosmëri: «Nga integriteti im nuk do të heq dorë gjersa të vdes.»—Jobi 27:5.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

7:1; 14:14—Çfarë nënkuptojnë fjalët «angari» ose ‘skllavëri’ në këto shkrime? Vuajtjet e Jobit ishin kaq të mëdha sa ai e konsideronte jetën mjaft të vështirë, të mundimshme, një angari të vërtetë. (Jobi 10:17, shënimi BR, anglisht) Meqenëse koha që njeriu kalon në Sheol, domethënë periudha pas vdekjes e deri në ringjallje, është e detyrueshme, Jobi e krahason këtë periudhë me skllavërinë, me një shërbim të detyrueshëm.

7:9, 10; 10:21; 16:22—A tregojnë këto shkrime se Jobi nuk besonte te ringjallja? Në këto shkrime flitet për atë që do të ndodhte me Jobin kur të vdiste. Po atëherë, ku e kishte fjalën? Një nga shpjegimet mund të jetë që, nëse do të vdiste, asnjë nga bashkëkohësit e tij nuk do ta shihte më. Nga pikëpamja e tyre, ai nuk do të kthehej në shtëpinë e tij deri në kohën e caktuar nga Perëndia. Ose Jobi ndoshta donte të thoshte se askush nuk mund të kthehet vetë nga Sheoli. Që Jobi shpresonte në një ringjallje të ardhshme shihet qartë te Jobi 14:13-15.

10:10—Në ç’kuptim Jehovai ‘e derdhi si qumështi dhe e ngjizi si djathi’ Jobin? Ky varg përshkruan në gjuhën poetike mënyrën se si Jobi ishte formuar në barkun e nënës.

19:20, (shënimi)—Çfarë do të thotë Jobi me fjalët «shpëtova me lëkurën e dhëmbëve»? Duke thënë se shpëtoi me lëkurën e diçkaje që në dukje nuk ka tamam lëkurë, Jobi ndoshta donte të thoshte që shpëtoi për hiçgjë.

Mësime për ne:

4:7, 8; 8:5, 6; 11:13-15. Nuk duhet të arrijmë menjëherë në përfundimin se dikush që pëson fatkeqësi po korr atë që ka mbjellë dhe se nuk ka miratimin e Perëndisë.

4:18, 19; 22:2, 3. Duhet të japim këshilla jo sipas mendjes sonë, por duke u bazuar në Fjalën e Perëndisë.—2 Timoteut 3:16.

10:1. Jobi ishte verbuar nga hidhërimi, ja pse ai nuk kërkoi arsye të tjera se përse po vuante. Nuk duhet të mbushemi me mllef kur vuajmë për ndonjë arsye, sidomos për faktin se e dimë mirë se çfarë çështjesh përfshihen..

14:7, 13-15; 19:25; 33:24. Gjatë çfarëdo sprove që Satanai mund të na shkaktojë, shpresa e ringjalljes na ngushëllon mjaft.

16:5; 19:2. Fjalët që themi duhet t’i inkurajojnë dhe forcojnë të tjerët, e jo t’i acarojnë.—Proverbat 18:21.

22:5-7. Këshillat që jepen duke u bazuar në akuza të pathemelta, janë pa vlerë dhe shkurajuese.

27:2; 30:20, 21. Nuk është e thënë të jesh i përsosur për të ruajtur integritetin. Jobi e kritikoi pa të drejtë Perëndinë.

27:5. Vetëm Jobi mund të vendoste të hiqte dorë nga integriteti i tij, sepse integriteti varet nga dashuria për Perëndinë. Prandaj duhet të përpiqemi vazhdimisht që të kemi dashuri sa më të fortë për Jehovain.

28:1-28. Njeriu e di se ku janë thesaret e tokës. Ndërsa kërkon për to, zgjuarsia e tij e çon në rrugë të nëndheshme që asnjë zog grabitqar me sy të mprehtë nuk mund t’i shohë. Por, mençuria hyjnore vjen nga frika ndaj Jehovait.

29:12-15. Duhet të jemi të gatshëm për t’u treguar dashamirësinë tonë atyre që janë në nevojë.

31:1, 9-28. Jobi na la një shembull të mirë duke i thënë jo flirtimit, kurorëshkeljes, materializmit, idhujtarisë dhe duke i trajtuar të tjerët me drejtësi dhe me mëshirë.

«PENDOHEM E ULEM NË PLUHUR DHE NË HI»

(Jobi 32:1–42:17)

Një i ri me emrin Elihu, që ndodhet aty, e ka dëgjuar me durim të gjithë bisedën e tyre. Tani e merr fjalën ai dhe kritikon Jobin e tre shokët e tij persekutues.

Sapo mbaron Elihu, Jehovai përgjigjet nga stuhia. Ai nuk jep asnjë shpjegim për vuajtjet e Jobit. Megjithatë, duke bërë një sërë pyetjesh, i Plotfuqishmi i bën të ditur Jobit fuqinë mahnitëse dhe mençurinë e Tij të madhe. Jobi e pranon se ka folur pa i kuptuar gjërat dhe thotë: «I tërheq ato që thashë, pendohem e ulem në pluhur dhe në hi.» (Jobi 42:6) Kur sprova e Jobit përfundon, ai shpërblehet për integritetin e tij.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

32:1-3—Kur erdhi Elihu? Përderisa Elihu kishte dëgjuar të gjithë bisedën, ai duhet të ketë qenë ulur aq afër sa mund të dëgjonte, para se Jobi të fliste e t’i jepte fund heshtjes prej shtatë ditësh të tre shokëve të tij.—Jobi 3:1, 2.

34:7—Në ç’kuptim ishte Jobi si një njeri «që e pi përqeshjen si ujë»? Në atë gjendje të keqe emocionale, Jobi i merrte talljet e tre vizitorëve si personale, megjithëse në të vërtetë ata po flisnin kundër Perëndisë. (Jobi 42:7) Ja pse thuhet se ai po e kapërdinte përqeshjen ashtu si një që pi ujë me etje.

Mësime për ne:

32:8, 9. Mençuria nuk vjen vetëm me moshë. Ajo fitohet kur kupton Fjalën e Perëndisë dhe udhëhiqesh nga fryma e shenjtë.

34:36. Integriteti provohet kur në një mënyrë a në një tjetër ‘sprovohemi deri në fund’.

35:2. Elihu dëgjoi me kujdes dhe para se të fliste përcaktoi se ku qëndronte në të vërtetë problemi. (Jobi 10:7; 16:7; 34:5) Para se të japin këshilla, pleqtë e krishterë duhet të dëgjojnë me kujdes, të mbledhin fakte dhe të kuptojnë qartë ato çështje që lidhen me problemin.—Proverbat 18:13.

37:14; 38:1–39:30. Meditimi për veprat e mrekullueshme të Jehovait, që pasqyrojnë fuqinë dhe mençurinë e tij, na ndihmon të bëhemi më të përulur dhe të kuptojmë se shfajësimi i sovranitetit të tij është më i rëndësishëm sesa interesat tona personale.—Mateu 6:9, 10.

40:1-4. Kur na vjen për t’u ankuar ndaj të Plotfuqishmit, duhet ‘ta mbyllim gojën’ ose ta mbajmë gojën.

40:15–41:34. Sa të fuqishëm janë behemothi (hipopotami) dhe leviathani (krokodili)! Për të qëndruar në shërbim të Jehovait, edhe ne kemi nevojë për forcë nga Bërësi i këtyre kafshëve të fuqishme, i cili na jep fuqi.—Filipianëve 4:13.

42:1-6. Për shkak se Jobi dëgjoi fjalën e Jehovait dhe Ai e ndihmoi të kujtonte shfaqjet e fuqisë së tij, kjo e ndihmoi ‘të shihte Perëndinë’ ose të kuptonte të vërtetën rreth tij. (Jobi 19:26) Kjo ndreqi mënyrën e tij të të menduarit. Edhe ne kur marrim korrigjim nga Bibla, duhet ta pranojmë menjëherë gabimin dhe të bëjmë ndryshimin e duhur.

Të zhvillojmë «qëndrueshmërinë e Jobit»

Libri i Jobit tregon qartë se Perëndia nuk është përgjegjës për vuajtjet e njerëzimit. Përgjegjës është Satanai. Fakti që Perëndia e ka lejuar ligësinë mbi tokë na jep mundësinë të tregojmë se ç’anë do të marrim në çështjen e sovranitetit dhe të integritetit.

Ashtu si Jobi, të gjithë ata që e duan Jehovain do të sprovohen. Tregimi i Jobit na siguron që mund t’i kalojmë sprovat me sukses. Na kujton se problemet tona nuk do të zgjatin përgjithmonë. Te Jakovi 5:11 thuhet: «Ju keni dëgjuar për qëndrueshmërinë e Jobit dhe e keni parë shpërblimin që i dha Jehovai.» Po, Jehovai e shpërbleu Jobin për integritetin që ruajti. (Jobi 42:10-17) Çfarë shprese e mrekullueshme shtrihet përpara nesh—jetë e përhershme në një Parajsë tokësore! Ashtu si Jobi, qofshim edhe ne të vendosur për të ruajtur integritetin tonë!—Hebrenjve 11:6.

[Shënimi]

^ par. 4 Libri i Jobit përfshin një periudhë më shumë se 140-vjeçare, që nga viti 1657 p.e.s. e deri në vitin 1473 p.e.s.

[Figurat në faqen 16]

Çfarë mësojmë nga ‘qëndrueshmëria e Jobit’?