Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Qëndrojini larg adhurimit të rremë!

Qëndrojini larg adhurimit të rremë!

Qëndrojini larg adhurimit të rremë!

«Dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni,—thotë Jehovai,—dhe mjaft e prekët gjënë e papastër.»​—2 KORINTASVE 6:17.

1. Në cilën gjendje frymore janë shumë njerëz të sinqertë?

SHUMË njerëz të sinqertë nuk e dinë të vërtetën për Perëndinë dhe për të ardhmen e njerëzimit. Ngaqë nuk i kanë gjetur përgjigjet për shqetësimet e tyre të thella rreth këtyre gjërave, ata jetojnë në pështjellim e pasiguri. Miliona njerëz janë robër të besëtytnive, riteve dhe festave që e fyejnë Krijuesin tonë. Me siguri ti ke fqinj dhe të afërm që besojnë në ferrin e zjarrtë, në Trinitetin, në pavdekësinë e shpirtit ose në ndonjë mësim tjetër të rremë.

2 Kush e ka përgjegjësinë për këtë errësirë frymore kaq të përhapur? Duket paradoksale, por përgjegjësinë e ka feja—në mënyrë specifike organizatat dhe udhëheqësit fetarë që kanë përhapur ide të kundërta me mendimet e Perëndisë. (Marku 7:7, 8) Rrjedhimisht, shumë njerëz janë mashtruar dhe besojnë se po adhurojnë Perëndinë e vërtetë, kur faktikisht po e fyejnë atë. Feja e rreme është drejtpërdrejt përgjegjëse për këtë situatë të trishtueshme.

3 Prapa fesë së rreme qëndron një person i padukshëm. Apostulli Pavël e kishte fjalën për të, kur tha: «Perëndia i kësaj bote ua ka verbuar mendjen [jobesimtarëve], që ndriçimi i lajmit të mirë të lavdishëm për Krishtin, i cili është shëmbëlltyra e Perëndisë, të mos depërtojë.» (2 Korintasve 4:4) Faktikisht, «perëndia i kësaj bote» s’është askush tjetër përveçse Satana Djalli. Ai është nxitësi kryesor i adhurimit të rremë. Pavli shkroi: «Vetë Satanai vazhdon të shndërrohet në engjëll drite. Nuk është, pra, ndonjë gjë e madhe nëse edhe shërbëtorët e tij vazhdojnë të shndërrohen në shërbëtorë drejtësie.» (2 Korintasve 11:14, 15) Satanai i bën gjërat e këqija të duken të mira dhe i mashtron njerëzit që të besojnë gënjeshtra.

4 Nuk habitemi që Bibla e dënon me kaq forcë fenë e rreme! Për shembull, në Ligjin e Moisiut, populli i zgjedhur i Perëndisë paralajmërohej në mënyrë specifike për profetët e rremë. Kushdo që përhapte mësime jo të vërteta dhe adhurimin e perëndive të rreme, ‘duhej të vritej, sepse kishte thënë që të ngrinin krye kundër Jehovait’. Izraelitët ishin urdhëruar ‘të hiqnin të ligën nga gjiri i tyre’. (Ligji i përtërirë 13:1-5) Po, Jehovai e sheh fenë e rreme si diçka të ligë.—Ezekieli 13:3.

5 Jezu Krishti dhe apostujt e tij pasqyruan të njëjtat ndjenja të forta që ka Jehovai për fenë e rreme. Jezui i paralajmëroi dishepujt: «Kini kujdes nga profetët e rremë, që vijnë te ju të veshur si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë.» (Mateu 7:15; Marku 13:22, 23) Pavli shkroi se «zemërimi i Perëndisë po zbulohet nga qielli kundër gjithë paperëndishmërisë dhe padrejtësisë së njerëzve, të cilët po e mbytin të vërtetën». (Romakëve 1:18) Sa e rëndësishme është që të krishterët e vërtetë t’ua vënë veshin këtyre paralajmërimeve dhe të qëndrojnë larg kujtdo që mbyt të vërtetën e Fjalës së Perëndisë ose që përhap mësime të rreme!—1 Gjonit 4:1.

Ikni nga «Babilonia e Madhe»

6 Shqyrtoni se si e përshkruan fenë e rreme libri biblik i Zbulesës. E paraqet si një prostitutë të dehur, që ka pushtet mbi shumë mbretëri e mbi popujt e tyre. Kjo grua simbolike kryen kurvëri me shumë mbretër dhe është dehur me gjakun e adhuruesve të vërtetë të Perëndisë. (Zbulesa 17:1, 2, 6, 18) Ajo ka të shkruar në ballë një emër, që i shkon për shtat sjelljes së saj të ndyrë e të pështirë. Emri është «Babilonia e Madhe, nëna e prostitutave dhe e gjërave të neveritshme të tokës».—Zbulesa 17:5.

7 Përshkrimi biblik i Babilonisë së Madhe përkon me tërësinë e feve të rreme të botës. Ndonëse mijëra fetë e ndryshme nuk janë të bashkuara në mënyrë formale si një organizatë botërore, janë bashkuar në mënyrë të pandashme për sa i përket qëllimit dhe veprave. Siç paraqitet nga gruaja imorale në librin e Zbulesës, feja e rreme ka ndikim jashtëzakonisht të madh te qeveritë. Ashtu si një grua jobesnike ndaj betimit të saj martesor, feja e rreme ka vepruar si prostitutë duke formuar aleanca me fuqitë politike njërën pas tjetrës. Dishepulli Jakov shkroi: «Kurorëshkelëse, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Prandaj, kush dëshiron të jetë mik i botës, bëhet armik i Perëndisë.»—Jakovi 4:4.

8 Kjo përzierje e fesë së rreme me qeveritë ka sjellë si pasojë shumë vuajtje për njerëzit. Një analist afrikan në fushën e politikës, dr. Unena Mangu, komentoi se «historia botërore është plot e përplot me shembuj të vrasjeve në masë, të shkaktuara nga përzierja e fesë me politikën». Kohët e fundit, në një gazetë thuhej: «Në konfliktet më gjakatare e më të rrezikshme sot . . . strumbullari është feja.» Konfliktet e përkrahura nga fetë u kanë marrë jetën miliona njerëzve. Madje, Babilonia e Madhe ka përndjekur e ka vrarë edhe shërbëtorët e vërtetë të Perëndisë, duke u dehur me gjakun e tyre.—Zbulesa 18:24.

9 Nga ajo që i ndodh Babilonisë së Madhe kuptojmë qartë se Jehovai e urren adhurimin e rremë. Te Zbulesa 17:16 thuhet: «Dhjetë brirët që pe dhe bisha, do ta urrejnë prostitutën. Ata do ta shkretojnë e do ta lënë lakuriq. Do të hanë mishrat e saj e do ta djegin krejtësisht me zjarr.» Fillimisht një bishë e madhe do ta gjymtojë për vdekje atë dhe do t’i hajë mishrat. Pastaj, ç’ka mbetur prej saj, do të digjet krejtësisht me zjarr. Po kështu, së shpejti qeveritë e botës do të ndërmarrin veprime të tilla kundër fesë së rreme. Perëndia do ta bëjë që të ndodhë kjo. (Zbulesa 17:17) Babilonia e Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme, është e dënuar të shkatërrohet. Ajo «s’do të gjendet më kurrë».—Zbulesa 18:21.

10 Çfarë qëndrimi duhet të kenë adhuruesit e vërtetë ndaj Babilonisë së Madhe? Me fjalë shumë të qarta, Bibla urdhëron: «Dilni prej saj, o populli im, nëse nuk doni të merrni pjesë me të në mëkatet e saj dhe nëse nuk doni të merrni nga plagët e saj.» (Zbulesa 18:4) Ata që duan të shpëtojnë, duhet të dalin sa s’është vonë nga feja e rreme. Kur ishte në tokë, Jezu Krishti paratha se, në ditët e fundit, shumë veta do të pohonin vetëm me gojë se e ndiqnin atë. (Mateu 24:3-5) Këtyre, ai do t’u thotë: «Kurrë nuk ju kam njohur. Largohuni nga unë, ju që bëni paligjshmëri!» (Mateu 7:23) Mbreti Jezu Krisht, që tashmë ka filluar sundimin, e ka hedhur poshtë fenë e rreme.

Qëndroni larg: Si?

11 Të krishterët e vërtetë i qëndrojnë larg adhurimit të rremë, duke i hedhur poshtë mësimet e rreme fetare. Kjo do të thotë se ne nuk dëgjojmë e nuk shohim programe fetare në radio e në televizor, si edhe nuk lexojmë literaturë fetare që përhap gënjeshtra për Perëndinë e për Fjalën e tij. (Psalmi 119:37) Gjithashtu, me mençuri u shmangemi grumbullimeve shoqërore dhe aktiviteteve zbavitëse që janë sponsorizuar nga ndonjë organizatë e lidhur me fenë e rreme. Veç kësaj, nuk e mbështetim adhurimin e rremë në asnjë mënyrë. (1 Korintasve 10:21) Këto masa na mbrojnë që të mos na bëjë ndokush «prenë e vet nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimeve boshe, sipas traditës së njerëzve, sipas gjërave elementare të botës, e jo në përputhje me mësimet e Krishtit».—Kolosianëve 2:8.

12 Po nëse një njeri që dëshiron të bëhet Dëshmitar i Jehovait, është i regjistruar si anëtar i një feje të rreme? Në shumicën e rasteve, një letër dorëheqjeje shërben si provë se ai nuk dëshiron të konsiderohet më si anëtar i një feje të rreme. Është tepër e rëndësishme që ai të ndërmarrë veprime të prera për të shmangur plotësisht çfarëdolloj ndotjeje frymore nga adhurimi i rremë. Veprimet e dikujt që dëshiron të bëhet Dëshmitar, duhet t’i tregojnë qartë organizatës fetare ku bënte pjesë, si edhe të tjerëve në përgjithësi, se ai i ka dhënë fund anëtarësisë në atë organizatë.

13 Apostulli Pavël shkroi: «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët. Sepse ç’lidhje ka drejtësia me paligjshmërinë? Apo ç’pjesë ka drita me errësirën? Ç’harmoni ka mes Krishtit dhe Belialit? Apo ç’pjesë ka një besimtar me një jobesimtar? Ç’marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? . . . ‘Prandaj, dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni,—thotë Jehovai,—dhe mjaft e prekët gjënë e papastër.’» (2 Korintasve 6:14-17) Ua vëmë veshin këtyre fjalëve duke i qëndruar larg adhurimit të rremë. A na kërkon kjo këshillë e Pavlit që t’u qëndrojmë larg edhe adhuruesve të rremë?

«Vazhdoni të veproni me mençuri»

14 A duhet që adhuruesit e vërtetë t’i shkëputin të gjitha lidhjet me njerëzit që marrin pjesë në adhurimin e rremë? A duhet të qëndrojmë tërësisht larg atyre që nuk kanë të njëjtin besim me ne? Përgjigjja është jo. Nga dy urdhërimet më të mëdha, i dyti thotë: «Duaje të afërmin tënd si veten.» (Mateu 22:39) Sigurisht që shfaqim dashuri për njerëzit e tjerë kur u flasim për lajmin e mirë për Mbretërinë. Dashurinë për ta e tregojmë edhe kur studiojmë Biblën së bashku dhe i vëmë në dijeni se duhet t’i qëndrojnë larg adhurimit të rremë.

15 Ndonëse u predikojmë njerëzve të tjerë lajmin e mirë, si ithtarë të Jezuit ne ‘nuk jemi pjesë e botës’. (Gjoni 15:19) Këtu, fjala «botë» i referohet shoqërisë njerëzore që është larguar nga Perëndia. (Efesianëve 4:17-19; 1 Gjonit 5:19) Jemi të ndarë nga bota në kuptimin që shmangim qëndrimet, të folurit dhe sjelljen që fyen Jehovain. (1 Gjonit 2:15-17) Për më tepër, në përputhje me parimin «shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme», nuk lidhim miqësi me njerëzit që nuk jetojnë sipas normave të krishtere. (1 Korintasve 15:33) Të mos jesh pjesë e botës do të thotë të mbetesh ‘i panjollë nga bota’. (Jakovi 1:27) Pra, të jemi të ndarë nga bota nuk do të thotë që fizikisht të shkëputim çdo lidhje me njerëzit e tjerë.—Gjoni 17:15, 16; 1 Korintasve 5:9, 10.

16 Atëherë, si duhet të sillemi me ata që nuk i njohin të vërtetat e Biblës? Pavli i shkroi kongregacionit në Kolose: «Vazhdoni të veproni me mençuri ndaj atyre që janë jashtë, duke blerë kohën e duhur për veten tuaj. Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir dhe e ndrequr me kripë, që të dini se si t’i përgjigjeni gjithsecilit.» (Kolosianëve 4:5, 6) Apostulli Pjetër shkroi: «Shenjtëroni Krishtin si Zotëri në zemrat tuaja, gjithnjë gati për t’u mbrojtur para kujtdo që ju kërkon arsye për shpresën tuaj, por bëjeni këtë me frymë butësie dhe me respekt të thellë.» (1 Pjetrit 3:15) Pavli i këshilloi të krishterët «të mos flasin keq për askënd, të mos kenë një qëndrim luftarak, të jenë të arsyeshëm e të tregojnë tërë butësinë me të gjithë njerëzit».—Titit 3:2.

17 Si Dëshmitarë të Jehovait, nuk jemi të ashpër e arrogantë me të tjerët. Sigurisht që nuk përdorim shprehje fyese për të përshkruar njerëzit e feve të tjera. Përkundrazi, tregojmë takt, edhe sikur i zoti i shtëpisë në shërbim, fqinji ynë ose shoku i punës të mos tregohet mirëdashës ndaj nesh ose të na flasë me fjalë fyese.—Kolosianëve 4:6; 2 Timoteut 2:24.

«Vazhdo t’i përmbahesh modelit të fjalëve të shëndosha»

18 Sa tragjike do të ishte që, pasi të ketë mësuar të vërtetat e Biblës, një njeri të kthehej prapë në adhurimin e rremë! Bibla përshkruan pasojat e mjerueshme që sjell një veprim i tillë: «Sigurisht, nëse përzihen rishtas me ndotjet e botës dhe mposhten, pasi kanë shpëtuar nga këto gjëra me anë të njohurisë së saktë për Zotërinë dhe Shpëtimtarin Jezu Krisht, gjendja e tyre në fund është më e keqe se në fillim. . . . Atyre u ndodhi ajo që thotë proverbi i vërtetë: ‘Qeni u kthye tek e vjella e tij, dhe dosa që ishte larë u kthye të zhgërryhet në llucë.’»—2 Pjetrit 2:20-22.

19 Duhet të qëndrojmë syçelë ndaj çdo gjëje që mund të na e vërë në rrezik gjendjen frymore. Rreziqet janë reale! Apostulli Pavël paralajmëron: «Shprehja e frymëzuar e thotë shkoqur se në të ardhmen do të ketë periudha kur disa do të bien nga besimi dhe do t’u kushtojnë vëmendje shprehjeve të frymëzuara mashtruese e mësimeve të demonëve.» (1 Timoteut 4:1) Ne jetojmë në këto «periudha» për të cilat foli Pavli. Ata që nuk i qëndrojnë larg adhurimit të rremë, mund të ‘lëkunden nga dallgët e të çohen andej-këtej nga çdo erë mësimi, nga dredhia e njerëzve, nga dinakëria në sajimin e mashtrimeve’.—Efesianëve 4:13, 14.

20 Si të mbrohemi nga ndikimi i dëmshëm i fesë së rreme? Mendo për gjithë ato gjëra që ka siguruar Jehovai. Kemi Fjalën e Perëndisë, Biblën. (2 Timoteut 3:16, 17) Gjithashtu, Jehovai ka siguruar ushqim të bollshëm frymor nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mateu 24:45) Ndërsa përparojmë në të vërtetën, a nuk duhet të zhvillojmë oreksin për ‘ushqimin e fortë që u përket njerëzve të pjekur’ dhe dëshirën për mbledhjet e krishtere ku mësojmë të vërteta frymore? (Hebrenjve 5:13, 14; Psalmi 26:8) Le të jemi të vendosur të përfitojmë plotësisht nga masat që ka marrë Jehovai, me qëllim që ‘të vazhdojmë t’i përmbahemi modelit të fjalëve të shëndosha’ që kemi dëgjuar! (2 Timoteut 1:13) Kështu mund t’i qëndrojmë larg adhurimit të rremë.

Çfarë keni mësuar?

• Çfarë është «Babilonia e Madhe»?

• Çfarë duhet të bëjmë për të qëndruar larg nga feja e rreme?

• Cilat rreziqe ndaj gjendjes sonë frymore duhet të shmangim?

[Pyetjet]

2. Çfarë kanë bërë udhëheqësit fetarë e me çfarë pasojash?

3. Cili është nxitësi kryesor i fesë së rreme dhe si përshkruhet ai në Bibël?

4. Çfarë thoshte për profetët e rremë Ligji i Perëndisë drejtuar Izraelit të lashtë?

5. Cilave paralajmërime duhet t’ua vëmë veshin sot?

6. Si paraqitet në Bibël «Babilonia e Madhe»?

7, 8. Si ka vepruar feja e rreme si një prostitutë e cilat kanë qenë pasojat?

9. Si shprehet në librin e Zbulesës urrejtja e Jehovait për adhurimin e rremë?

10. Ç’qëndrim duhet të kemi ndaj fesë së rreme?

11. Ç’duhet të bëjmë për t’i qëndruar larg adhurimit të rremë?

12. Si mund të shkëputë dikush çdo lidhje me organizatat e rreme fetare?

13. Cilën këshillë jep Bibla për të treguar se duhet t’i qëndrojmë larg adhurimit të rremë?

14. A duhet t’i shmangim plotësisht ata që marrin pjesë në adhurimin e rremë? Shpjegoni.

15. Çfarë do të thotë që ‘nuk jemi pjesë e botës’?

16, 17. Si duhet të sillen të krishterët me ata që nuk e njohin të vërtetën biblike?

18. Në cilën gjendje të mjerueshme bien ata që kthehen prapë në adhurimin e rremë?

19. Pse është jetësore të qëndrojmë syçelë ndaj çdo gjëje që mund të na vërë në rrezik frymësisht?

20. Si të mbrohemi nga ndikimi i dëmshëm i fesë së rreme?

[Figura në faqen 28]

A e di pse «Babilonia e Madhe» paraqitet si një grua imorale?

[Figura në faqen 29]

«Babilonia e Madhe» është e dënuar me shkatërrim

[Figura në faqen 31]

Ne tregojmë ‘një frymë butësie dhe respekt të thellë’ ndaj atyre që nuk kanë të njëjtat bindje si tonat