Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë do të të ndihmojë të kuptosh Biblën?

Çfarë do të të ndihmojë të kuptosh Biblën?

Çfarë do të të ndihmojë të kuptosh Biblën?

«TI UA ke fshehur me kujdes këto gjëra të mençurve e të zgjuarve dhe ua ke zbuluar fëmijëve.» (Luka 10:21) Këto fjalë të Jezuit drejtuar Atit të tij qiellor tregojnë se duhet të kemi qëndrimin e duhur, nëse duam të kuptojmë Biblën. Me anë të mençurisë së tij, Jehovai na ka dhënë një libër të cilin vetëm të përulurit dhe ata që pranojnë të mësohen mund ta kuptojnë vërtet.

Shumica prej nesh e kanë të vështirë të shfaqin përulësi. Të gjithë kemi një prirje të trashëguar për të qenë krenarë. Përveç kësaj, jetojmë në «ditët e fundit», në mes të njerëzve që janë «të dashuruar me veten, . . . kokëkrisur, të krekosur». (2 Timoteut 3:1-4) Këto janë qëndrime që na pengojnë të kuptojmë Fjalën e Perëndisë. Mjerisht, deri në një farë mase, të gjithë ndikohemi nga bota që na rrethon. Po atëherë, si mund të fitojmë qëndrimin e duhur për të kuptuar Biblën?

Duke përgatitur zemrën dhe mendjen

Ezdra, një udhëheqës i popullit të Perëndisë në lashtësi, ‘përgatiste zemrën e tij për t’u këshilluar me ligjin e Jehovait’. (Ezdra 7:10) Po për ne sot, a ka ndonjë mënyrë për të përgatitur zemrën? Po. Mund të fillojmë duke pasur pikëpamjen e duhur për Shkrimet. Apostulli Pavël u shkroi bashkëbesimtarëve të tij: «Kur e dëgjuat fjalën e Perëndisë nga ne, e pranuat jo si fjalë njerëzish, por siç është me të vërtetë, si fjalën e Perëndisë.» (1 Selanikasve 2:13) Megjithëse u përdorën njerëz për të shkruar Shkrimet, ajo që ata shkruan, vinte nga Jehovai. Nëse e pranojmë këtë faktor kaq të rëndësishëm, bëhemi më të vetëdijshëm për atë që lexojmë.—2 Timoteut 3:16.

Një mënyrë tjetër për të përgatitur zemrën është lutja. Meqenëse Bibla është frymëzuar nga fryma e shenjtë, mesazhi që përçon bëhet i kuptueshëm me ndihmën e kësaj fryme. Ja pse duhet ta kërkojmë këtë ndihmë në lutje. Psalmisti i jep mjaft rëndësi lutjes kur thotë: «Më ndihmo të kuptoj, që të respektoj ligjin tënd dhe ta zbatoj me gjithë zemër.» (Psalmi 119:34) Duhet të lutemi jo vetëm për aftësinë mendore për të kuptuar çfarë është shkruar, por edhe që të kemi qëndrimin e duhur në zemër, që të pranojmë atë që thotë Bibla. Për të kuptuar duhet të kemi një mendje të hapur ndaj asaj që është e vërtetë.

Ndërsa mediton për të pasur qëndrimin e duhur mendor, mendo se si mund të të ndihmojë studimi i Biblës. Ka shumë arsye për të lexuar Fjalën e Perëndisë, por arsyeja më e rëndësishme është sepse na ndihmon të afrohemi më shumë me Perëndinë. (Jakovi 4:8) Kur lexojmë se si vepron Jehovai në rrethana të ndryshme, sa i vlerëson ata që e duan dhe si vepron ndaj atyre që largohen prej tij, kuptojmë se çfarë personi është ai. Kur lexojmë Biblën, qëllimi ynë kryesor duhet të jetë gjithmonë si ta njohim sa më mirë Perëndinë në mënyrë që të forcojmë marrëdhënien tonë me të.

Çfarë na pengon të kemi qëndrimin e duhur?

Çfarë mund të na pengojë për të kuptuar Fjalën e Perëndisë? Një pengesë mund të jetë një ndjenjë e gabuar besnikërie ndaj bindjeve të të tjerëve. Për shembull, ndoshta bindjet dhe mendimet e disa njerëzve që i vlerëson, i konsideron shumë të larta. Megjithatë, po sikur këta njerëz të mos e pranojnë ose të mos e vlerësojnë si duhet të vërtetën e Fjalës së Perëndisë? Në një rast të tillë, të kuptosh se çfarë mëson vërtet Bibla mund të jetë një sfidë. Prandaj, Bibla na nxit t’i peshojmë mirë ato që na kanë mësuar.—1 Selanikasve 5:21.

Maria, nëna e Jezuit, u gjend në një rrethanë të tillë. Që në fëmijëri e kishin mësuar t’i respektonte traditat judaike. Ajo i bindej me përpikëri Ligjit të Moisiut dhe pa dyshim që shkonte edhe në sinagogë. Më vonë, kur u rrit, kuptoi se mënyra e adhurimit që i kishin mësuar prindërit nuk ishte më i pranueshëm për Perëndinë. Ja pse Maria i pranoi mësimet e Jezuit dhe ishte ndër të parët që u bënë pjesë e kongregacionit të krishterë. (Veprat 1:13, 14) Kjo nuk do të thoshte që ajo nuk i respektonte më prindërit ose traditat e tyre, por ishte një mënyrë për të shprehur dashurinë e saj për Perëndinë. Nëse duam të nxjerrim dobi nga Bibla, edhe ne, ashtu si Maria, duhet të jemi besnikë së pari ndaj Perëndisë, e pastaj ndaj njerëzve.

Mjerisht, shumë njerëz nuk e vlerësojnë të vërtetën biblike. Disa e kanë më mirë të ndjekin traditat fetare që nuk bazohen në këtë të vërtetë. Të tjerët nuk tregojnë respekt për të vërtetën me mënyrën se si flasin dhe si jetojnë. Prandaj, të pranosh të vërtetën biblike e ka një çmim: mund të sjellë kundërshtimin e miqve, të fqinjëve, e madje edhe të familjes suaj. (Gjoni 17:14) Pavarësisht nga kjo, njeriu i mençur Solomon shkroi: «Bli të vërtetën dhe mos e shit.» (Proverbat 23:23) Nëse e vlerëson si duhet të vërtetën, Jehovai do të të ndihmojë të kuptosh Biblën.

Një pengesë tjetër për të kuptuar Biblën është edhe mungesa e vullnetit për të zbatuar atë që ajo thotë. Jezui u tha dishepujve të tij: «Juve ju është lejuar të kuptoni sekretet e shenjta të mbretërisë së qiejve, por atyre nuk u është lejuar. Sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme. Kanë dëgjuar me veshë, por janë treguar indiferentë.» (Mateu 13:11, 15) Shumica e atyre që dëgjuan predikimin e Jezuit u treguan indiferentë, jo të gatshëm për të ndryshuar. Sa shumë ndryshojnë këta nga tregtari shëtitës për të cilin foli Jezui në një ilustrim! Sapo gjeti një perlë me vlerë, tregtari shiti menjëherë gjithçka kishte që ta blinte. Po kaq e çmuar duhet të jetë edhe për ne kuptueshmëria e së vërtetës biblike.—Mateu 13:45, 46.

Mungesa e përulësisë kur na mëson dikush tjetër

Një pengesë e madhe për të kuptuar Biblën është edhe kur duhet të na mësojë dikush tjetër. Ndonjëri mund ta ketë të vështirë të pranojë ide të reja nga dikush që i përket një rangu më të ulët. Por të mos harrojmë se apostujt e Jezuit ishin «njerëz të pashkolluar e të thjeshtë». (Veprat 4:13) Duke shpjeguar përse, apostulli Pavël shkroi: «Ju e shihni, vëllezër, që në rastin tuaj Perëndia nuk thirri shumë të mençur nga pikëpamja njerëzore, as shumë të fuqishëm, dhe as shumë nga derë fisnike. Por Perëndia zgjodhi gjërat e marra të botës, që të turpëronte të mençurit.» (1 Korintasve 1:26, 27) Nëse e kupton se e ke të vështirë të shfaqësh përulësi kur të mëson dikush që i përket një rangu më të ulët, mendo që ai ose ajo është vetëm mjeti që Perëndia po përdor për të të mësuar. E ku ka privilegj më të madh sesa të na mësojë Jehovai, ‘Mësuesi ynë i madh’?!—Isaia 30:20; 54:13.

Naamani, komandanti ushtarak sirian, ishte një nga ata që e kishin të vështirë të mësohej nga dikush që i përkiste një rangu më të ulët. Në përpjekje për t’u shëruar nga lebra, ai shkoi te Eliseu, profeti i Jehovait. Por udhëzimet e Jehovait për mënyrën e shërimit erdhën nëpërmjet një shërbëtori. Naamani e pati aq të vështirë t’i pranonte me përulësi këto udhëzime dhe mënyrën se si iu dhanë, saqë në fillim nuk iu bind fjalës së profetit të Perëndisë. Por më pas, Naamani ndryshoi qëndrim dhe u shërua. (2 Mbretërve 5:9-14) Edhe ne mund të hasim të njëjtën vështirësi kur bëhet fjalë për Biblën. Mund të mësojmë se, që ‘të shërohemi’ nga ana fetare dhe morale, duhet të ndjekim një mënyrë të re jetese. A do të jemi aq të përulur, sa të lejojmë dikë që të na mësojë se çfarë duhet të bëjmë? Vetëm ata që pranojnë të mësohen mund të gjejnë kënaqësi duke fituar kuptueshmëri për Biblën.

Një njeri me pushtet nën sundimin e Kandakes, mbretëreshës së etiopasve, shfaqi një qëndrim të shkëlqyer. Ai po kthehej në Afrikë me karrocën e tij kur Filipi, dishepulli, vrapoi dhe iu afrua. Filipi e pyeti nëse e kuptonte vërtet atë që po lexonte. Ky pushtetar u tregua mjaft i përulur dhe u përgjigj: «E si do të mundja, nëse dikush nuk më drejton?» Kur fitoi kuptueshmëri për fjalën e Perëndisë, u pagëzua. Pas kësaj, «vazhdoi udhën i gëzuar».—Veprat 8:27-39.

Dëshmitarët e Jehovait në përgjithësi janë njerëz të thjeshtë. Çdo javë, ata u drejtojnë studime biblike më shumë se gjashtë milionë njerëzve. Meqenëse Bibla na mëson mënyrën më të mirë të jetesës, na shpjegon shpresën e vetme të njerëzimit dhe na tregon si të njohim Perëndinë, miliona njerëz mendojnë se të studiosh dhe të kuptosh Biblën është një kënaqësi e pamasë—një kënaqësi që mund ta kesh edhe ti.

[Figura në faqen 7]

Naamani e pati të vështirë të pranonte udhëzime nga një shërbëtor i thjeshtë

[Figura në faqen 7]

Kënaqemi dhe na ngrohet zemra kur e kuptojmë Biblën