Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Imitoni Krishtin kur ushtroni autoritet

Imitoni Krishtin kur ushtroni autoritet

Imitoni Krishtin kur ushtroni autoritet

VITE më parë, u bë një eksperiment në fushën e sjelljes njerëzore, nga i cili dolën disa rezultate që ngjallën mjaft interes. Ata që morën pjesë në të, u ndanë në dy grupe. Njëri grup u caktua të ishin gardianët, kurse grupi tjetër ishin të burgosurit, të cilët mbikëqyreshin nga grupi i parë. Çfarë ndodhi?

«Brenda pak ditëve,—thuhej në raport,—shumica e [gardianëve] ishin bërë abuzivë, prepotentë dhe jepnin ndëshkime të shpeshta. Kurse të burgosurit ishin të trembur dhe silleshin si skllevërit e tyre.» Në fund, ja përfundimi ku arritën kërkuesit: pothuajse çdokush mund të bjerë në grackën e shpërdorimit të autoritetit.

Përdorimi dhe keqpërdorimi i autoritetit

Pa dyshim, nëse autoriteti përdoret siç duhet, mund të jetë një forcë që nxit për mirë. Ai mund të japë drejtimin e duhur dhe të sjellë dobi fizike, emocionale dhe frymore. (Proverbat 1:5; Isaia 48:17, 18) Megjithatë, siç u tregua edhe nga eksperimenti i lartpërmendur, ekziston gjithnjë rreziku që autoriteti të shpërdorohet. Bibla e thekson këtë rrezik, kur thotë: «Kur sundon njeriu i lig, populli psherëtin.»—Proverbat 29:2; Eklisiastiu 8:9.

Shpërdorimi i autoritetit është i dëmshëm, edhe nëse shtyhemi nga një motiv i mirë. Për shembull, kohët e fundit një urdhër fetar në Irlandë që merrej me mësimdhënie, kërkoi falje publike, pasi disa mësues e kishin shpërdoruar autoritetin te fëmijët që u ishin lënë nën kujdes. S’ka asnjë dyshim se shumë prej këtyre mësuesve ishin shtyrë nga qëllime të mira, por prapëseprapë metodat e përdorura nga disa ishin jashtëzakonisht të dëmshme. Në një gazetë thuhej se «shumë fëmijëve, në njëfarë mënyre, u kishte lënë vraga të thella dhuna dhe ashpërsia e tepruar e shumë prej vëllezërve murgjër që jepnin mësim». (The Irish Times) Atëherë, si mund ta ushtrosh autoritetin në atë mënyrë që t’i ndihmosh të tjerët të bëjnë më të mirën që munden, në vend që t’i largosh ose t’i lëndosh me fjalë a veprime?—Proverbat 12:18.

Jezu Krishtit i është dhënë «çdo autoritet»

Le të shohim shembullin e Jezu Krishtit. Pak para se të ngjitej në qiell, ai u tha dishepujve të tij: «Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.» (Mateu 28:18) A u ngjallën frikë këto fjalë dishepujve? A mendonin se tani Jezui do të shfaqte të njëjtën frymë si cezarët e Romës, që shquheshin për shtypjen e çdo proteste ose revolte kundër qeverisë?

Bibla përgjigjet prerazi «jo»! Jezu Krishti e ushtron autoritetin njësoj si Ati i tij. Ndonëse Jehovai është me të drejtë Sovrani Universal i gjithëpushtetshëm, ai dëshiron që populli i tij t’i shërbejë nga zemra dhe jo t’i bindet verbërisht, nga frika ose servilizmi. (Mateu 22:37) Jehovai nuk e shpërdoron kurrë autoritetin e tij. Këtë e tregon një vegim mjaft i veçantë që iu dha profetit Ezekiel.

Në këtë vegim, Ezekieli pa katër krijesa engjëllore që përkrahnin sovranitetin e Perëndisë. Secila kishte nga katër fytyra. «Sa për pamjen e fytyrave të tyre, të katra kishin nga një fytyrë njeriu. Në të djathtë kishin fytyrë luani, kurse në të majtë fytyrë demi. Gjithashtu, të katra kishin edhe nga një fytyrë shqiponje.» (Ezekieli 1:10) Këto katër fytyra paraqitnin katër cilësitë kryesore të Perëndisë të ekuilibruara në mënyrë të përsosur. Në Fjalën e Perëndisë ato specifikohen si: dashuria, që paraqitet nga fytyra e njeriut; drejtësia, që paraqitet nga fytyra e luanit dhe mençuria, që paraqitet nga fytyra e shqiponjës. Të tria këto cilësi bashkëveprojnë me të katërtën, fuqinë, që paraqitet nga fytyra e demit. Ç’do të thotë e gjithë kjo? Vegimi tregon se Jehovai nuk e përdor kurrë fuqinë dhe autoritetin e tij të pakufizuar në një mënyrë që nuk pajtohet me cilësitë e tjera kryesore.

Duke imituar Atin e tij, Jezu Krishti gjithnjë e ushtroi autoritetin përsosmërisht në përputhje me dashurinë, mençurinë dhe drejtësinë. Dishepujt e Jezuit gjetën shumë freskim, duke shërbyer nën autoritetin e Jezuit. (Mateu 11:28-30) Nëse ka ndonjë cilësi që karakterizon si Perëndinë Jehova, ashtu edhe Jezu Krishtin, kjo është dashuria, jo fuqia ose autoriteti.—1 Korintasve 13:13; 1 Gjonit 4:8.

Si e ushtron autoritetin?

Po ti, si e ushtron autoritetin? Për shembull, a i kontrollon gjërat në familje me syrin e atij që ka autoritet dhe këmbëngul për parapëlqime ose teka? Pjesëtarët e tjerë të familjes pajtohen me vendimet e tua, sepse të kanë frikë apo se të duan? A të binden pjesëtarët e familjes vetëm ngaqë ke më shumë forcë? Këto janë pyetje që kreu i familjes mund të shqyrtojë, që të ndihmohet të mbajë rregullin teokratik në vatrën familjare.—1 Korintasve 11:3.

Po nëse ushtron njëfarë autoriteti në kongregacion? Për të parë nëse po e ushtron siç duhet, pyet veten nëse po i zbaton parimet e mëposhtme të frymëzuara nga Perëndia Jehova e që i tregoi me shembullin e vet Jezu Krishti.

«Skllavi i Zotërisë . . . duhet të jetë i ëmbël me të gjithë, . . . ta frenojë veten kur të jetë nën të ligën dhe t’i mësojë me butësi ata që nuk janë të prirur në mënyrë të favorshme.»—2 Timoteut 2:24, 25.

Disa individë në kongregacionin e hershëm të krishterë ushtronin autoritet të madh. Për shembull, Timoteu kishte autoritet, madje mund ‘t’i urdhëronte disa të mos mësonin një doktrinë të ndryshme’. (1 Timoteut 1:3) Megjithatë, mund të jemi të sigurt se Timoteu imitoi cilësitë e Perëndisë në gjithçka që bëri, sepse pa dyshim zbatoi këshillën e Pavlit për të mësuar «me butësi» dhe ‘për të qenë i ëmbël me të gjithë’, kur mbikëqyrte kongregacionin. Meqenëse në atë kohë Timoteu ishte në shumë raste më i ri se të tjerët, ai duhej të sillej si një bir i respektueshëm ndaj më të moshuarve dhe si një vëlla i dashur me më të rinjtë. (1 Timoteut 5:1, 2) Nën një kujdes të tillë të dashur, kongregacioni shfaq frymën e një familjeje të ngrohtë e të dashur, dhe jo atë të një ndërmarrjeje të ftohtë e të pashpirt.—1 Korintasve 4:14; 1 Selanikasve 2:7, 8.

«Sundimtarët e kombeve sillen si zotër me to dhe të mëdhenjtë ushtrojnë autoritet mbi to. Mes jush nuk është kështu. Kushdo që dëshiron të bëhet i madh ndër ju, të jetë shërbëtori juaj.»—Mateu 20:25, 26.

Shtypësit në botë «sillen si zotër» me të tjerët. U diktojnë vullnetin e tyre dhe këmbëngulin që të veprojnë në një mënyrë të caktuar, e nëse nuk binden i kërcënojnë me ndëshkim. Por Jezu Krishti theksoi se ne duhet t’u shërbejmë të tjerëve, dhe jo t’u bëjmë presion. (Mateu 20:27, 28) Ai i trajtoi gjithmonë dishepujt me dashuri dhe dashamirësi. Nëse ndjek shembullin e Jezuit, nuk do të jetë e vështirë për të tjerët të bashkëpunojnë me ty. (Hebrenjve 13:7, 17) Veç kësaj, do të jetë edhe më e lehtë për ta të bëjnë më shumë nga ç’u kërkohet, me vullnet dhe jo me detyrim.—Mateu 5:41.

«Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj, jo . . . duke u sjellë si zotër me ata që janë trashëgimia e Perëndisë, por duke u bërë shembuj për kopenë.»—1 Pjetrit 5:2, 3.

Mbikëqyrësit sot e kuptojnë se do t’i japin llogari Perëndisë për mirëqenien frymore të të gjithëve në kongregacion. Ata e marrin seriozisht këtë përgjegjësi dhe kujdesen për kopenë e Perëndisë me gatishmëri, me zell dhe me dashuri. Njësoj si apostulli Pavël, ata punojnë pa u lodhur për të ndërtuar dhe për të forcuar besimin e atyre që u janë lënë nën kujdes, dhe nuk sillen si zotër të besimit të tyre.—2 Korintasve 1:24.

Kur nevojitet të jepen këshilla të përshtatshme, pleqtë e bëjnë me një frymë butësie, për të ndrequr atë që ka gabuar ose për t’i ndihmuar të bashkëkrishterët që të përparojnë frymësisht. Ata mbajnë në mendje këshillën e apostullit Pavël: «Vëllezër, edhe sikur një njeri të hedhë ndonjë hap të gabuar përpara se të jetë i vetëdijshëm për të, ju që keni kualifikime frymore, përpiquni ta ndreqni atë me një frymë butësie. Ndërkohë, secili të jetë vigjilent për veten, se mos tundohet edhe vetë.»—Galatasve 6:1; Hebrenjve 6:1, 9-12.

«Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, . . . vishuni me dashuri, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.»—Kolosianëve 3:13, 14.

Si e trajton dikë që mund të mos i ketë përmbushur në mënyrë të përsosur normat e krishtere? A i merr parasysh papërsosmëritë e tij, si bën Jehovai dhe Jezu Krishti? (Isaia 42:2-4) Apo këmbëngul gjithmonë që të zbatohet ligji germë për germë? (Psalmi 130:3) Mos harro, është e udhës të tregojmë butësi kur është e mundur, dhe vendosmëri vetëm kur nevojitet. Kur vepron me dashuri, e ke më të lehtë të krijosh lidhje të forta besimi reciprok mes teje dhe atyre ndaj të cilëve ushtron autoritet.

Nëse të është besuar ndonjë lloj autoriteti, puno me të gjitha forcat që të imitosh Perëndinë Jehova dhe Jezu Krishtin. Sill ndër mend përshkrimin e mrekullueshëm që bëri psalmisti për mënyrën se si e ushtron Jehovai autoritetin mbi popullin e tij. Davidi këndoi: «Jehovai është Bariu im. Nuk do të më mungojë asgjë. Ai më çon të shtrihem në livadhe plot bar, më çon të prehem në vende të ujitura mirë, dhe ma freskon shpirtin. Për hir të emrit të tij, më prin nëpër shtigjet e drejtësisë.» Po ashtu, për Jezuin lexojmë: «Unë jam bariu i shkëlqyer e i njoh delet e mia, dhe delet e mia më njohin, ashtu si Ati më njeh e unë e njoh Atin, dhe jap shpirtin për delet.» Ku ka shembuj më të mirë në lidhje me ushtrimin e autoritetit me dashuri?!—Psalmi 23:1-3; Gjoni 10:14, 15.

[Diçitura në faqen 18]

Jehovai e përdor gjithnjë fuqinë përsosmërisht në përputhje me drejtësinë, mençurinë dhe dashurinë

[Figura në faqen 18]

Herë pas here, pleqtë duhet t’u japin këshilla të dashura atyre që gabojnë

[Figura në faqen 19]

Pavli e këshilloi Timoteun që të sillej si një bir i respektueshëm dhe si një vëlla i dashur

[Figura në faqen 20]

Jezu Krishti e ushtron autoritetin me mençuri, drejtësi dhe dashuri