Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Plotësimi i kërkesave për pagëzimin e krishterë

Plotësimi i kërkesave për pagëzimin e krishterë

Plotësimi i kërkesave për pagëzimin e krishterë

«Çfarë më pengon të pagëzohem?»​—Veprat 8:36.

1, 2. Si e nisi Filipi bisedën me zyrtarin etiopas dhe nga e kuptojmë se etiopasi interesohej për adhurimin e vërtetë?

NJË a dy vjet pas vdekjes së Jezuit, një zyrtar po udhëtonte drejt jugut, nga Jerusalemi për në Gazë. Ishte një udhëtim i lodhshëm me karrocë, ndoshta 1.500 kilometra rrugë. Ky njeri i devotshëm kishte ardhur që nga Etiopia në Jerusalem, për të adhuruar Jehovain. Në udhëtimin e gjatë të kthimit, po e përdorte kohën me mençuri duke lexuar Fjalën e Perëndisë. Po, kishte një besim vërtet të madh. Jehovai e vuri re këtë njeri të sinqertë dhe, me anë të një engjëlli, drejtoi dishepullin Filip që t’i predikonte.—Veprat 8:26-28.

2 Filipi e pati shumë të lehtë ta niste bisedën, sepse zyrtari etiopas po lexonte me zë, siç ishte zakon atëherë. Prandaj, Filipi e dëgjoi që po lexonte nga rrotulla e Isaisë. Një pyetje e thjeshtë që bëri Filipi, i zgjoi interesin: «A e kupton vërtet atë që po lexon?» Kjo çoi në shqyrtimin e Isaisë 53:7, 8. Së fundi, Filipi «i shpalli lajmin e mirë për Jezuin».—Veprat 8:29-35.

3, 4. (a) Pse Filipi e pagëzoi menjëherë etiopasin? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë më tej?

3 Shumë shpejt etiopasi e kuptoi rolin e Jezuit në qëllimin e Perëndisë, dhe se duhej të bëhej dishepull i pagëzuar i Krishtit. Kur pa një vend me ujë, e pyeti Filipin: «Çfarë më pengon të pagëzohem?» Natyrisht, këto rrethana ishin të veçanta. Ai ishte një njeri me besim, prozelit jude, që tashmë e adhuronte Perëndinë. Me siguri do të kalonte shumë kohë para se të paraqitej një mundësi tjetër për t’u pagëzuar. Ç’është më e rëndësishmja, ai e kuptonte çfarë kërkonte Perëndia nga ai dhe dëshironte të përgjigjej me gjithë zemër. Me kënaqësi, Filipi ia plotësoi kërkesën dhe, pasi u pagëzua, etiopasi «vazhdoi udhën i gëzuar». Pa dyshim u bë predikues i zellshëm i lajmit të mirë, kur u kthye në vendlindje.—Veprat 8:36-39.

4 Ndonëse hapat e kushtimit dhe të pagëzimit nuk duhen bërë me nxitim ose pa u menduar mirë, shembulli i zyrtarit etiopas tregon se ka pasur raste kur disa individë janë pagëzuar pak kohë pasi kanë dëgjuar të vërtetën e Fjalës së Perëndisë. * Prandaj, vlen të shqyrtojmë pyetjet vijuese: ç‘përgatitje duhet t’i paraprijë pagëzimit? Deri në ç’masë duhet marrë parasysh mosha? Çfarë përparimi frymor duhet të ketë bërë një njeri para se të pagëzohet? Mbi të gjitha, pse Jehovai u kërkon shërbëtorëve të tij të ndërmarrin këtë hap?

Një marrëveshje solemne

5, 6. (a) Si iu përgjigj dashurisë së Jehovait populli i tij në të kaluarën? (b) Pasi pagëzohemi, ç’marrëdhënie të ngushtë mund të kemi me Perëndinë?

5 Pasi i çliroi izraelitët nga Egjipti, Jehovai ishte i gatshëm t’i pranonte si ‘pronën e tij të veçantë’, t’i donte, t’i mbronte dhe t’i bënte ‘një komb të shenjtë’. Por, për të marrë këto bekime, ata duhej t’i përgjigjeshin në mënyrë konkrete dashurisë së Perëndisë. E kështu bënë, duke pranuar të bënin ‘gjithçka që kishte thënë Jehovai’ dhe duke hyrë në një besëlidhje me të. (Dalja 19:4-9) Në shekullin e parë, Jezui i urdhëroi ithtarët e tij të bënin dishepuj njerëz nga të gjitha kombet. Ata që përqafonin mësimin e tij, pagëzoheshin. Që të kishin një marrëdhënie të mirë me Perëndinë, duhej të tregonin besim te Jezu Krishti dhe të pagëzoheshin.—Mateu 28:19, 20; Veprat 2:38, 41.

6 Nga këto tregime biblike, duket qartë se Jehovai i bekon ata që bëjnë një marrëveshje solemne për t’i shërbyer atij dhe e mbajnë zotimin. Për të krishterët, kushtimi dhe pagëzimi janë hapa të nevojshëm që sjellin bekimin e Jehovait. Ne jemi të vendosur të ndjekim udhët e tij dhe të kërkojmë udhëheqjen e tij. (Psalmi 48:14) Si rrjedhim, Jehovai, në mënyrë të figurshme, na kap për dore dhe na drejton në udhën ku duhet të ecim.—Psalmi 73:23; Isaia 30:21; 41:10, 13.

7. Pse kushtimi dhe pagëzimi duhet të jenë vendime personale?

7 Arsyeja që na shtyn të bëjmë këta hapa duhet të jetë dashuria për Jehovain dhe dëshira për t’i shërbyer atij. Asnjëri s’duhet të pagëzohet vetëm sepse dikush i thotë se ka studiuar mjaftueshëm ose ngaqë po pagëzohen shokët e tij. Natyrisht, prindërit dhe të krishterët e tjerë të pjekur mund ta nxitin dikë të mendojë për kushtimin dhe pagëzimin. Ata që po e dëgjonin në festën e Ditës së Pesëdhjetë, apostulli Pavël i nxiti ‘të pagëzoheshin’. (Veprat 2:38) Megjithatë, kushtimi është çështje personale dhe askush tjetër s’mund ta bëjë në vendin tonë. Vendimi për të bërë vullnetin e Perëndisë duhet të jetë yni.—Psalmi 40:8.

Përgatitja e duhur për pagëzimin

8, 9. (a) Pse pagëzimi i foshnjave nuk është në përputhje me Shkrimet? (b) Ç’përparim frymor duhet të kenë bërë fëmijët para se të pagëzohen?

8 A janë në gjendje fëmijët të bëjnë një kushtim të bazuar në njohurinë? Në Shkrime nuk ka ndonjë kërkesë lidhur me moshën për pagëzimin. Po gjithsesi, foshnjat s’mund të bëhen besimtarë, të tregojnë besim e t’i kushtohen Perëndisë. (Veprat 8:12) Për të krishterët e shekullit të parë, historiani August Neander thotë në librin e tij Historia e përgjithshme e fesë së krishterë dhe e Kishës (anglisht): «Në fillim pagëzimi ishte vetëm për të rriturit, pasi njerëzit ishin mësuar t’i kuptonin pagëzimin dhe besimin si të lidhur ngushtësisht me njëri-tjetrin.»

9 Në rastin e fëmijëve, disa arrijnë t’i kuptojnë që në moshë të njomë gjërat themelore për Perëndinë e për qëllimin e tij, kurse të tjerë kanë nevojë për më shumë kohë. Megjithatë, para se të pagëzohet, një fëmijë duhet të ketë një marrëdhënie personale me Jehovain, kuptueshmëri të qartë për mësimet themelore të Shkrimeve dhe për atë që përfshin kushtimi, ashtu si duhet të jetë edhe për të rriturit.

10. Cilët hapa duhet t’i paraprijnë kushtimit dhe pagëzimit?

10 Jezui i udhëzoi dishepujt e tij që t’u mësonin të tjerëve të gjitha gjërat që kishte urdhëruar ai. (Mateu 28:20) Prandaj, para së gjithash, njerëzit duhet të marrin njohuri të saktë për të vërtetën, dhe kjo do t’u japë mundësi të krijojnë besim te Jehovai dhe te Fjala e tij. (Romakëve 10:17; 1 Timoteut 2:4; Hebrenjve 11:6) Pastaj, kur e vërteta biblike i prek zemrën një individi, e nxit të pendohet dhe të kthehet nga mënyra e mëparshme e të jetuarit. (Veprat 3:19) Së fundi, ai individ arrin një pikë kur dëshiron t’i kushtohet Jehovait dhe të pagëzohet, siç urdhëroi Jezui.

11. Pse është e rëndësishme të marrim pjesë rregullisht në veprën e predikimit para pagëzimit?

11 Një hap tjetër i rëndësishëm në përparimin drejt pagëzimit është pjesëmarrja në predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë. Kjo është vepra kryesore që i ka caktuar Jehovai popullit të tij në këto ditë të fundit. (Mateu 24:14) Kështu, lajmëtarët e papagëzuar mund të kenë kënaqësinë t’u flasin të tjerëve për besimin e tyre. Gjithashtu, pjesëmarrja në këtë vepër i përgatit që të kenë një pjesëmarrje të rregullt e të zellshme në shërbim pas pagëzimit.—Romakëve 10:9, 10, 14, 15.

A të pengon diçka për t’u pagëzuar?

12. Pse disa ngurrojnë të pagëzohen?

12 Disa ndoshta ngurrojnë e nuk pagëzohen, sepse s’janë të gatshëm të pranojnë përgjegjësinë që vjen me këtë. E kuptojnë se do t’u duhet të bëjnë ndryshime rrënjësore në jetë, që të plotësojnë normat e Jehovait. Ose mund të kenë frikë se nuk do t’ia dalin dot të jetojnë gjithnjë sipas kërkesave të Perëndisë, pasi të pagëzohen. Madje disa arsyetojnë: «Ndoshta një ditë bëj diçka të keqe dhe më përjashtojnë nga kongregacioni.»

13. Çfarë i pengoi disa njerëz në kohën e Jezuit që të bëheshin ithtarë të tij?

13 Në kohën e Jezuit, disa lejuan që interesat vetjake dhe lidhjet familjare t’i pengonin që të bëheshin dishepuj të tij. Një skrib tha se do ta ndiqte Jezuin kudo që të shkonte. Mirëpo, Jezui shpjegoi se në shumë raste, nuk kishte as një vend ku të kalonte natën. Kur Jezui ftoi një tjetër dëgjues të bëhej ithtar i tij, ky iu përgjigj se në fillim duhej ‘të varroste’ babanë e vet. Me sa duket, i pëlqente më tepër të rrinte në shtëpi e të priste derisa t’i vdiste i ati, sesa të ndiqte Jezuin dhe, për këtë përgjegjësi familjare të kujdesej kur të ishte e nevojshme. Së fundi, një i tretë tha se, para se të ndiqte Jezuin, duhej ‘të përshëndetej’ me njerëzit e shtëpisë. Këtë zvarritje Jezui e përshkroi si ‘të shikosh gjërat që ke lënë prapa’. Kështu, nga sa duket, ata që duan t’i zvarritin gjërat do të gjejnë gjithnjë justifikime për t’u shmangur nga përgjegjësia e tyre e krishterë.—Luka 9:57-62.

14. (a) Si u përgjigjën Pjetri, Andrea, Jakovi dhe Gjoni, kur Jezui i ftoi të bëheshin peshkatarë njerëzish? (b) Pse nuk duhet të ngurrojmë për të marrë mbi vete zgjedhën e Jezuit?

14 Krejt ndryshe nga ata vepruan Pjetri, Andrea, Jakovi dhe Gjoni. Bibla thotë se, kur Jezui i ftoi ta ndiqnin dhe të bëheshin peshkatarë njerëzish, «ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën». (Mateu 4:19-22) Duke e marrë këtë vendim pa ngurruar, provuan atë çfarë u tha më vonë Jezui: «Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin. Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.» (Mateu 11:29, 30) Edhe pse pagëzimi sjell një zgjedhë në kuptimin e përgjegjësisë, Jezui na siguron se është një zgjedhë e këndshme, e lehtë për t’u mbajtur, e që do të na freskojë jashtëzakonisht.

15. Si tregon shembulli i Moisiut dhe i Jeremisë se mund të mbështetemi te Perëndia për forcën e nevojshme?

15 Natyrisht, është normale që të mos ndihemi shumë të zotë të plotësojmë përgjegjësinë tonë. Si Moisiu, edhe Jeremia, fillimisht u ndien të paaftë për të kryer caktimet që u dha Jehovai. (Dalja 3:11; Jeremia 1:6) Si u dha zemër Perëndia? «Unë do të jem me ty»,—i tha ai Moisiut. «Unë jam me ty për të të çliruar»,—i premtoi Jeremisë. (Dalja 3:12; Jeremia 1:8) Edhe ne mund të jemi të sigurt për mbështetjen e Perëndisë. Dashuria për Perëndinë dhe besimi tek ai mund të na ndihmojnë të hedhim tej ndonjë dyshim që ka mbetur, nëse do të jemi në gjendje ose jo të jetojmë në lartësinë e kushtimit. Apostulli Gjon shkroi: «Nuk ka frikë në dashuri, përkundrazi dashuria e përsosur e hedh tej frikën.» (1 Gjonit 4:18) Një djalë i vogël mund të ketë frikë kur i duhet të ecë vetëm, por ndihet i sigurt kur ecën dorë për dorë me babanë e tij. Po kështu, nëse i besojmë Jehovait me gjithë zemër, ai premton se ‘do të na i drejtojë shtigjet’ ndërsa ecim përkrah tij.—Proverbat 3:5, 6.

Një rast dinjitoz

16. Pse pagëzimi përfshin zhytjen e plotë në ujë?

16 Pagëzimi i krishterë zakonisht paraprihet nga një fjalim biblik ku shpjegohet domethënia e tij. Në fund të fjalimit, kandidatëve u kërkohet të shpallin publikisht besimin e tyre, duke iu përgjigjur dy pyetjeve të pagëzimit. (Romakëve 10:10; shih kutinë në faqen 22.) Pastaj kandidatët zhyten në ujë, duke ndjekur modelin që la Jezui. Bibla tregon se, pasi u pagëzua, Jezui «doli nga uji». (Mateu 3:16; Marku 1:10) Qartë, Gjon Pagëzori e kishte zhytur plotësisht në ujë Jezuin. * Me të drejtë, zhytja e plotë në ujë simbolizon ndryshimin rrënjësor që kemi bërë në jetën tonë: në kuptimin e figurshëm kemi vdekur për sa i përket mënyrës së mëparshme të të jetuarit, dhe kemi filluar një jetë të re në shërbim të Perëndisë.

17. Si mund të veprojnë kandidatët për pagëzim, si edhe të tjerët që shohin, me qëllim që pagëzimi të jetë dinjitoz?

17 Pagëzimi është një rast serioz, por edhe i gëzueshëm. Bibla tregon se Jezui po lutej kur Gjoni e zhyti në lumin Jordan. (Luka 3:21, 22) Në përputhje me këtë shembull, edhe sot kandidatët për pagëzim duhet të kenë një sjellje dinjitoze. E meqë Bibla na nxit të vishemi me modesti në jetën e përditshme, aq më tepër duhet ta bëjmë këtë ditën e pagëzimit tonë! (1 Timoteut 2:9) Gjithashtu, të tjerët mund të tregojnë respektin e duhur, duke e dëgjuar me vëmendje fjalimin dhe duke mbajtur rregull gjatë pagëzimit.—1 Korintasve 14:40.

Bekimet që kanë dishepujt e pagëzuar

18, 19. Çfarë privilegjesh dhe bekimesh sjell pagëzimi?

18 Pasi i jemi kushtuar Perëndisë dhe jemi pagëzuar, bëhemi pjesë e një familjeje të veçantë. Në radhë të parë, Jehovai bëhet Ati dhe Miku ynë. Para pagëzimit ishim larguar nga Perëndia, kurse tani pajtohemi me të. (2 Korintasve 5:19; Kolosianëve 1:20) Me anë të flijimit të Krishtit, i afrohemi Perëndisë dhe ai na afrohet. (Jakovi 4:8) Profeti Malakia përshkruan se si Jehovai u kushton vëmendje dhe i dëgjon ata që përdorin dhe mbajnë emrin e tij, e ua përfshin emrat në librin e tij të kujtimit. Perëndia thotë: «Ata kanë për t’u bërë të mitë. . . . Unë do të tregoj dhembshuri për ta, ashtu sikurse një njeri tregon dhembshuri për birin e tij që i shërben.»—Malakia 3:16-18.

19 Gjithashtu, pagëzimi na jep mundësi të bëhemi pjesë e një vëllazërie mbarëbotërore. Kur apostulli Pjetër pyeti ç’bekime do të merrnin dishepujt e Krishtit për sakrificat që kishin bërë, Jezui u premtoi: «Kushdo që ka lënë shtëpi ose vëllezër, motra, baba, nënë, fëmijë, a toka për hir të emrit tim, do të marrë shumë herë më tepër dhe do të trashëgojë jetën e përhershme.» (Mateu 19:29) Vite më vonë, Pjetri shkroi për «gjithë vëllazërinë» që ishte krijuar «nëpër botë». Pjetri kishte përjetuar vetë mbështetjen dhe bekimet e një vëllazërie të dashur, të cilat mund t’i kemi edhe ne.—1 Pjetrit 2:17; 5:9.

20. Cilën mundësi të mrekullueshme ofron pagëzimi?

20 Për më tepër, Jezui tregoi se ata që e ndjekin, ‘do të trashëgojnë jetën e përhershme’. Po, kushtimi dhe pagëzimi ofrojnë mundësinë për të ‘rrokur jetën e vërtetë’, domethënë jetën e përhershme në botën e re të Perëndisë. (1 Timoteut 6:19) Ç’themel më të mirë për të ardhmen do të mund të ndërtonim për veten e për familjen tonë?! Kjo shpresë e mrekullueshme do të na japë mundësi «të ecim në emër të Jehovait, Perëndisë tonë, në jetë të jetëve, po, përgjithmonë».—Mikea 4:5.

[Shënimet]

^ par. 4 Edhe tre mijë judenjtë e prozelitët që dëgjuan fjalimin e Pjetrit në festën e Ditës së Pesëdhjetë, u pagëzuan menjëherë. Natyrisht, ashtu si eunuku etiopas, edhe ata i njihnin tashmë mësimet elementare dhe parimet e Fjalës së Perëndisë.—Veprat 2:37-41.

^ par. 16 Fjala greke baptisma (pagëzim) do të thotë «procesi i futjes në ujë, zhytjes së plotë dhe daljes nga uji», sipas fjalorit të Vajnit, Expository Dictionary of New Testament Words.

A mund të shpjegoni?

• Si dhe pse duhet t’i përgjigjemi dashurisë së Jehovait?

• Ç’përparim frymor duhet të bëjmë para pagëzimit?

• Pse nuk duhet të na pengojë të pagëzohemi frika se mos nuk ia dalim dot ose ngurrimi për të pranuar përgjegjësinë?

• Cilat bekime të pashoqe mund të gëzojnë dishepujt e pagëzuar të Jezu Krishtit?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 26]

«Çfarë më pengon të pagëzohem?»

[Figurat në faqen 29]

Pagëzimi është një rast serioz, por edhe i gëzuar