Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Prindër: Jini një shembull i shkëlqyer për fëmijët!

Prindër: Jini një shembull i shkëlqyer për fëmijët!

Prindër: Jini një shembull i shkëlqyer për fëmijët!

«PSIKOLOGËT mund t’u japin fund kërkimeve që kanë zgjatur me shekuj, për të gjetur çelësin se si prindërit të rritin fëmijë të mirë—jo sepse e kanë gjetur atë, por sepse ai nuk ekziston.» Kështu thuhej në një artikull në revistën Time, ku rishikohej një libër për rritjen e fëmijëve. Në atë libër diskutohej se fëmijët përvetësojnë në radhë të parë vlerat e bashkëmoshatarëve të tyre, dhe jo ato të prindërve.

S’mund të mohohet se presioni i bashkëmoshatarëve është vërtet një forcë e fuqishme. (Proverbat 13:20; 1 Korintasve 15:33) Gazetari Uilliam Braun vërejti: «Nëse për adoleshentin ekziston një Perëndi i vetëm që s’ka lidhje me fenë, ky është Perëndia i konformizmit. . . .Për adoleshentët të jesh i ndryshëm është një fat më i keq se vdekja.» Nëse prindërit nuk e bëjnë jetën të ngrohtë e tërheqëse në shtëpi ose nuk kalojnë aq kohë sa duhet me fëmijët—që të dyja situata mjaft të zakonshme në botën e sotme me ritme shumë të ethshme—ata po i hapin derën ndikimit të bashkëmoshatarëve që do t’ua shkatërrojë fëmijët.

Për më tepër, gjatë këtyre ‘ditëve të fundit’ vatra familjare po sulmohet, sepse, siç e paratha Bibla, njerëzit shqetësohen për paratë, kënaqësitë dhe interesat e veta. Atëherë, a duhet të habitemi, nëse shohim që fëmijët po bëhen «të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme»?—2 Timoteut 3:1-3.

Termi ‘përzemërsi e natyrshme’, që përdoret në Bibël, përshkruan dashurinë që tregohet në familje. Kjo dashuri është një lidhje e natyrshme që i nxit prindërit të kujdesen për fëmijët dhe fëmijët të kenë një lidhje të fortë emocionale me prindërit. Por, kur prindërit nuk tregojnë përzemërsi të natyrshme, fëmijët e kërkojnë gjetkë mbështetjen emocionale, zakonisht te moshatarët, dhe ka të ngjarë të përvetësojnë vlerat dhe qëndrimet e tyre. Megjithatë, kjo gjë shpesh mund të shmanget, nëse prindërit bëjnë një jetë familjare të drejtuar nga parimet biblike.—Proverbat 3:5, 6.

Familja, një njësi e themeluar nga Perëndia

Pasi bashkoi Adamin dhe Evën si burrë dhe grua, Perëndia u dha këtë urdhër: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën.» Pas kësaj, erdhi në jetë familja—babai, nëna dhe fëmijët. (Zanafilla 1:28; 5:3, 4; Efesianëve 3:14, 15) Për të ndihmuar njerëzit që të rritnin fëmijët, Jehovai i bëri instinktive disa aspekte bazë të kujdesit prindëror. Megjithatë, ndryshe nga kafshët, përveç instinkteve, njerëzit kanë nevojë për më shumë ndihmë, ndaj Jehovai u dha udhëzime të shkruara. Në to përfshihen udhëzime për çështjet morale e frymore dhe si duhen disiplinuar fëmijët.—Proverbat 4:1-4.

Perëndia iu drejtua në mënyrë të veçantë baballarëve me këto fjalë: «Rrënjosi në zemër këto fjalë që po të urdhëroj sot. Ngulitua ato bijve të tu dhe fol për to kur rri ulur në shtëpi, kur ecën rrugës, kur shtrihesh dhe kur ngrihesh.» (Ligji i përtërirë 6:6, 7; Proverbat 1:8, 9) Pra, së pari prindërit duhej ta rrënjosnin ligjin e Perëndisë në zemrën e tyre. Pse është e rëndësishme kjo? Sepse mësimi që jep nxitje të vërtetë, vjen nga zemra, dhe jo nga goja. Prindërit e arrijnë zemrën e fëmijëve të tyre, vetëm nëse mësojnë nga zemra. Prindër të tillë janë edhe shembull i shkëlqyer për fëmijët, të cilët e pikasin lehtë mungesën e sinqeritetit.—Romakëve 2:21.

Prindërve të krishterë u thuhet që t’i edukojnë fëmijët «në disiplinë dhe në këshillë të Zotit» që në foshnjëri. (Efesianëve 6:4, Dio; 2 Timoteut 3:15) Që në foshnjëri? Po! «Ndonjëherë ne prindërit nuk i vlerësojmë fëmijët aq sa duhet,—shkroi një nënë.—I nënvlerësojmë aftësitë e tyre. Megjithatë, fëmijët kanë aftësi dhe ne duhet t’i shfrytëzojmë.» Është e vërtetë. Fëmijët kanë qejf të mësojnë dhe kur mësohen nga prindër të perëndishëm, edhe ata mësojnë të tregojnë dashuri. Fëmijë të tillë ndihen të sigurt brenda kufijve që vënë prindërit për ta. Kështu, prindërit e suksesshëm përpiqen të jenë shokë të dashur, komunikues të mirë dhe mësues të durueshëm, por të vendosur, që sigurojnë një ambient të shëndetshëm, në të cilin fëmijët rriten të lumtur. *

Mbroni fëmijët

Në një letër drejtuar prindërve, një drejtor shkolle i shqetësuar, në Gjermani, shkroi: «Prindër të dashur, do të donim t’ju nxitnim të përfshiheni më shumë në rritjen e fëmijëve tuaj, çka është, në fakt, përgjegjësia juaj për zhvillimin e personalitetit të tyre, dhe të mos ia lini këtë televizorit ose rrugës.»

T’ia lësh fëmijën televizorit ose rrugës, është sikur të lësh frymën e botës të ndikojë në rritjen e fëmijës. (Efesianëve 2:1, 2) Fryma e botës kundërshton frymën e Perëndisë. Si një erë e furishme, ajo mbart farat e mendësisë «tokësore, shtazarake e demonike», të cilat mbillen me bollëk në mendjen dhe zemrën e dikujt që është i parrahur nga jeta ose i pamend. (Jakovi 3:15) Ky lloj të menduari, që shkatërron si bari i keq, në fund korrupton zemrën. Ja si i ilustroi Jezui pasojat e asaj që mbillet në zemër: «Njeriu i mirë nxjerr atë që është e mirë nga thesari i mirë i zemrës së vet, por i ligu nxjerr atë që është e ligë nga thesari i vet i lig. Sepse goja e tij flet nga mbushullia e zemrës.» (Luka 6:45) Bibla na këshillon: «Më shumë se gjithçka tjetër që duhet ruajtur, ruaj zemrën, sepse prej saj dalin burimet e jetës.»—Proverbat 4:23.

Pa dyshim, fëmijët janë fëmijë, dhe disa janë të prirur të jenë kokëfortë, e madje edhe të pashtruar. (Zanafilla 8:21) Çfarë mund të bëjnë prindërit? «Marrëzia është e lidhur me zemrën e një djali dhe shkopi i disiplinës do ta largojë atë tutje nga ai»,—thuhet në Bibël. (Proverbat 22:15) Disa e shohin këtë si ashpërsi, së cilës i ka kaluar koha. Në të vërtetë, Bibla është kundër dhunës dhe abuzimit të çdo lloji. «Shkopi», ndonëse nganjëherë përfshin ndëshkimin e mirëfilltë, paraqet autoritetin prindëror që tregohet me vendosmëri, por me dashuri dhe në mënyrë të përshtatshme, nga meraku për mirëqenien e përhershme të fëmijëve.—Hebrenjve 12:7-11.

Zbavituni me fëmijët

Tashmë dihet se, që të zhvillohen siç duhet, fëmijët kanë nevojë të luajnë dhe të zbaviten. Prindërit e mençur i shfrytëzojnë këto raste për të forcuar lidhjen prindër-fëmijë duke u zbavitur me fëmijët sa herë që është e mundur. Në këtë mënyrë, prindërit jo vetëm që i drejtojnë fëmijët se si të zgjedhin zbavitjen e përshtatshme, por edhe mund t’u tregojnë se sa e vlerësojnë shoqërinë e tyre.

Një baba Dëshmitar thotë se, shpeshherë, kur kthehej nga puna, ai luante me top me të birin. Një nënë kujton se asaj dhe fëmijëve u pëlqente të mblidheshin rreth tavolinës dhe të bënin lojëra të ndryshme së bashku. Një e rritur kujton se familjes së saj i pëlqente të dilnin së bashku me biçikleta. Të gjithë këta fëmijë tani janë të rritur, por dashuria e tyre për prindërit dhe për Jehovain, është e madhe dhe vazhdon të rritet.

Vërtet, prindërit që ua tregojnë dashurinë fëmijëve me fjalë e me vepra dhe që kënaqen kur janë me ta, lënë tek fëmijët mbresa të thella, që zgjatin për gjithë jetën. Për shembull, shumë të diplomuar të një klase të Galaadit treguan se dëshira e tyre për të shërbyer në kohë të plotë, ishte falë shembullit dhe inkurajimit të prindërve të tyre. Ç’trashëgimi e mrekullueshme për fëmijët dhe ç’bekim për prindërit! Është e vërtetë se jo të gjithë fëmijët mund të nisin shërbimin e plotkohor kur rriten, megjithatë të gjithë ata i nderojnë dhe, patjetër, nxjerrin dobi nga prindër që i frikësohen Perëndisë, të cilët bëhen miqtë e tyre më të ngushtë dhe një shembull i mirë.—Proverbat 22:6; Efesianëve 6:2, 3.

Prindërit e vetëm mund t’ia dalin mbanë

Sot, shumë fëmijë rriten në familje me një prind. Ndonëse të rritësh fëmijë pa bashkëshortin, përbën një sfidë edhe më të madhe, prapëseprapë këta prindër mund t’ia dalin mbanë. Prindërit e vetëm mund të marrin zemër nga shembulli i Eunikës, një e krishtere judeje në shekullin e parë që përmendet në Bibël. Ajo ishte martuar me një jobesimtar dhe ka të ngjarë që të mos kishte asnjë mbështetje frymore nga i shoqi. Megjithatë, ishte shembullore në mënyrën se si e mësoi Timoteun. Eunika dhe gjyshja e tij, Loida, ndikuan për mirë tek ai që në foshnjëri. Ky ndikim ishte më i fuqishëm se çdo ndikim i keq që mund të kishte ardhur nga disa prej bashkëmoshatarëve të Timoteut.—Veprat 16:1, 2; 2 Timoteut 1:5; 3:15.

Sot, shumë të rinj që janë rritur me prindër jobesimtarë ose në familje me një prind të vetëm, tregojnë po ato cilësi të shkëlqyera që kishte edhe Timoteu kur ishte i ri. Për shembull, Rajani, që tani është 22 vjeç dhe shërben në kohë të plotë, u rrit në një familje me një prind, bashkë me vëllanë dhe motrën e tij që janë më të mëdhenj në moshë. Babai i tyre ishte i alkoolizuar dhe e braktisi familjen kur Rajani ishte katër vjeç. «Mamaja ishte e vendosur që familja jonë të vazhdonte t’i shërbente Jehovait,—kujton Rajani,—dhe e ndoqi me gjithë zemër atë vendim.»

Rajani thotë: «Për shembull, mamaja na linte të shoqëroheshim vetëm me fëmijë që kishin një ndikim të mirë. Ajo nuk na linte kurrë të përziheshim me ata që Bibla i përshkruan si shoqëri të këqija, jashtë ose brenda kongregacionit. Përveç kësaj, rrënjosi tek ne pikëpamjen e drejtë në lidhje me shkollimin.» Ndonëse mamaja e Rajanit shpesh ishte e zënë ose vinte e lodhur nga puna, kjo nuk e pengonte të interesohej me dashuri për fëmijët. «Gjithnjë kishte dëshirë të kalonte kohë e të fliste me ne,—thotë Rajani.—Ishte mësuese e duruar, por e vendosur, që bënte çmos për të studiuar Biblën rregullisht si familje. Kur vinte puna për parimet biblike, ajo nuk e njihte fjalën ‘kompromis’.»

Kur sjell ndër mend fëmijërinë, Rajani e kupton se njeriu që ka ndikuar më fuqishëm në jetën e tij dhe në atë të vëllait dhe të motrës së vet, ishte nëna, një prind i vetëm që e deshi vërtet Perëndinë dhe fëmijët. Ndaj ju prindër të krishterë, të martuar ose të ve, me ose pa bashkëshort besimtar, mos u dorëzoni para shkurajimit a pengesave të përkohshme, ndërsa përpiqeni të mësoni fëmijët tuaj. Ndonjëherë, disa të rinj, njësoj si biri plëngprishës, mund të largohen nga e vërteta. Por kur shohin se sa e cekët dhe e ftohtë është në të vërtetë bota, ka të ngjarë të kthehen. «I drejti ecën me integritet. Të lumtur janë bijtë që vijnë pas tij.»—Proverbat 20:7; 23:24, 25; Luka 15:11-24.

[Shënimi]

^ par. 9 Për një shqyrtim më të hollësishëm të këtyre çështjeve specifike, shih faqet 55-59 të librit Sekreti i lumturisë familjare, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia dhe figurat në faqen 11]

Perëndia zgjodhi prindërit e Jezuit

Kur dërgoi Birin e tij, Jezuin, që të lindte si njeri, Jehovai zgjodhi me kujdes cilët do të ishin prindërit. Po, ai zgjodhi një çift të përulur e me mendje frymore, që nuk e llastoi Jezuin, por i mësoi Fjalën e Perëndisë, vlerën e punës së palodhur dhe se si të bëhej i përgjegjshëm. (Proverbat 29:21; Vajtimet 3:27) Jozefi i mësoi Jezuit zanatin e zdrukthëtarit, dhe pa dyshim që të dy, Jozefi dhe Maria, i kërkonin Jezuit, të parëlindurit, t’i ndihmonte të kujdeseshin për fëmijët e tjerë, që numëronin të paktën gjashtë.—Marku 6:3.

Mund ta përfytyroni familjen e Jozefit duke punuar së bashku në kohën e Pashkës për t’u përgatitur për udhëtimin vjetor në Jerusalem—200 km vajtje-ardhje pa mjetet e sotme të transportit. Pa dyshim, një familje prej nëntë a më shumë vetash duhej të organizohej mirë për një udhëtim kaq të gjatë. (Luka 2:39, 41) Paçka se ishte e vështirë, pa dyshim Jozefi dhe Maria i vlerësonin këto raste. Ndoshta, gjatë këtyre udhëtimeve, ata përfitonin që t’u mësonin fëmijëve ngjarjet e kaluara biblike.

Ndërsa rritej, Jezui «vazhdoi t’u nënshtrohej» prindërve. Gjatë gjithë kohës, ai «rritej në mençuri, në shtat dhe fitonte gjithnjë e më shumë pëlqimin e Perëndisë dhe të njerëzve». (Luka 2:51, 52) Po, Jozefi dhe Maria u treguan të denjë për besimin e Jehovait. Ç’shembull i shkëlqyer janë për prindërit sot!—Psalmi 127:3.