Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Ç’mund të mësojmë nga ndalimi që lexojmë te Dalja 23:19: «Mos e ziej kecin në qumështin e nënës së tij.»

Ky urdhër i Ligjit të Moisiut del tri herë në Bibël dhe na ndihmon të kuptojmë pikëpamjen e Jehovait për atë që është e përshtatshme, si edhe dhembshurinë e butësinë e tij. Gjithashtu, nxjerr në pah sa neveri ka ai për adhurimin e rremë.—Dalja 34:26; Ligji i përtërirë 14:21.

Ta zieje kecin ose një kafshë tjetër në qumështin e nënës së vet do të ishte kundër ligjeve natyrore që ka vendosur Jehovai. Qumështin e nënës, Perëndia e siguroi për ta ushqyer kecin e për ta ndihmuar të rritej. Siç tha një dijetar, ta zieje kecin në qumështin e nënës së vet do të tregonte «përbuzje për lidhjen që Perëndia ka vendosur e ka shenjtëruar midis prindit dhe të voglit».

Veç kësaj, disa thonë se zierja e kecit në qumështin e nënës së vet mund të ketë qenë një rit pagan që bëhej për të sjellë shiun. Nëse kjo është e vërtetë, ndalimi do t’i kishte mbrojtur izraelitët nga praktikat fetare të pakuptimta e mizore të kombeve përreth tyre. Në Ligjin e Moisiut, izraelitët ndaloheshin rreptësisht të ecnin sipas ligjeve të atyre kombeve.—Levitiku 20:23.

Së fundi, në këtë ligj specifik shohim dhembshurinë e butë të Jehovait. Në fakt, Ligji i Moisiut kishte edhe shumë ligje të tjera të ngjashme që ndalonin mizorinë ndaj kafshëve dhe paralajmërime që i mbronin nga praktikat kundër natyrës. Për shembull, në Ligj kishte urdhra që ndalonin flijimin e një kafshe nëse nuk kishte ndenjur me nënën e vet të paktën shtatë ditë, therjen e një kafshe dhe të vegjëlve të saj në të njëjtën ditë, si edhe marrjen njëkohësisht nga foleja të zogut nënë dhe të vezëve të tij.—Levitiku 22:27, 28; Ligji i përtërirë 22:6, 7.

Është e qartë se Ligji nuk ishte thjesht një grumbull i koklavitur ligjesh e urdhrash. Ndër të tjera, parimet e tij na ndihmojnë të kemi një ndjesi të lartë morale, që pasqyron vërtet cilësitë e mrekullueshme të Jehovait.—Psalmi 19:7-11.

[Burimi i figurës në faqen 31]

© Timothy O’Keefe/Index Stock Imagery