A keni një komunikim të mirë?
A keni një komunikim të mirë?
«LETËR dashurie nga një 60-vjeçar.» Kjo ishte tema e një lotarie të organizuar disa vjet më parë nga një bankë në Japoni. Kjo lotari i nxiti 50 dhe 60-vjeçarët të shprehnin ‘ndjenjat e tyre të sinqerta’ për bashkëshortët e tyre. Një nga pjesëmarrësit i shkruante gruas së tij: «Ndoshta do të qeshësh, por do të bëhesha pishman po të mos ta thosha, prandaj ja ku po ta them me plot gojën: Faleminderit që u martove me mua!»
Në disa kultura, përfshirë edhe disa në Lindje, shprehja e ndjenjave është ndrydhur. Pavarësisht nga kjo, më shumë se 15.000 veta pranuan të merrnin pjesë në këtë lotari. Madje kjo lotari u bë kaq e famshme sa pas saj u organizua edhe një tjetër dhe u shkruan libra që bazoheshin në letrat e dërguara. Kjo tregon që thellë brenda vetes shumë njerëz kanë një dëshirë të zjarrtë për t’i shprehur ndjenjat bashkëshortit të dashur. Ndërsa disa të tjerë nuk duan të shprehen. Pse? Ndoshta sepse kërkohet njëfarë përpjekjeje dhe aftësi për t’u treguar të tjerëve, e sidomos bashkëshortit, se si ndihen.
Hitoshi Kato, i cili shkroi një libër për pensionistët, thotë se procesin e divorcit në shumë çifte e nis gruaja, për shkak të mërive të rrënjosura thellë dhe të grumbulluara gjatë viteve. «Por,—thotë ai,—kjo vjen edhe ngaqë çifti nuk komunikon kur është duke kaluar ndonjë krizë.»
Pasi del në pension, burri mund të shtanget nga habia kur gruaja i jep kërkesën për divorc. Mund të kenë kaluar vite pa folur për atë çka ndiejnë për njëri-tjetrin. Si burrë
e grua ndoshta janë përpjekur të shprehin ndjenjat, por nuk kanë qenë në gjendje të zhvillojnë një bisedë nga e cila të përfitojnë të dy. Por, në vend që ta forconin marrëdhënien e tyre, janë grindur herë pas here.Si mund t’i zgjidhin mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore bashkëshortët dhe si mund të komunikojnë në mënyrë sa më të këndshme për ndjenjat e tyre? Ndoshta edhe juve do t’ju interesonte të dinit se sugjerimet më praktike për këtë çështje nuk gjenden në një libër të shkruar nga një këshillues martesash, por në një libër të lashtë që vlerësohet prej shekujsh, në Bibël.