E drejta për të pasur një emër
E drejta për të pasur një emër
ÇDO njeri ka të drejtën për të pasur një emër. Në Tahiti, i vihet emër edhe një të sapolinduri të braktisur që nuk i dihet nëna dhe babai. Zyra e gjendjes civile i gjen një emër dhe një mbiemër fëmijës së braktisur.
Por dikujt, në njëfarë kuptimi, i është mohuar e drejta themelore për të pasur një emër, një e drejtë që e ka pothuajse çdo njeri. Çuditërisht, ai është ‘Ati, nga i cili merr emër çdo familje në qiell dhe në tokë’! (Efesianëve 3:14, 15) Në të vërtetë, shumë njerëz nuk pranojnë ta përdorin emrin e Krijuesit siç del në Bibël. Parapëlqejnë më mirë që ta zëvendësojnë me tituj të tillë, si: «Perëndi», «Zotëri» ose «i Përjetshëm». Po atëherë, cili është emri i tij? Psalmisti përgjigjet: «Vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.»—Psalmi 83:18.
Kur misionarët nga Shoqëria Misionare e Londrës arritën në Tahiti gjatë gjysmës së parë të shekullit të 19-të, polinezianët adhuronin disa perëndi. Çdo perëndi i tyre kishte një emër dhe perënditë kryesore ishin Oro dhe Taroa. Për të bërë dallimin midis Perëndisë së Biblës dhe perëndive të tjera, misionarët nuk ngurruan ta përdornin gjerësisht emrin hyjnor, që në gjuhën tahitiane transkriptohet Iehova.
Ky emër u bë mjaft i njohur dhe filloi të përdorej në bisedat e përditshme dhe në korrespondencë. Mbreti tahitian Pomarei II, që ishte në fron në fillim të shekullit të 19-të, e përdorte vazhdimisht në korrespondencën e tij. Këtë e vërteton edhe letra që paraqitet në këtë faqe. Letra e shkruar në anglisht është ekspozuar në Muzeun e Tahitit dhe Ishujve të tij. Ajo tregon se njerëzit në atë kohë nuk kishin paragjykime për emrin hyjnor dhe e përdornin. Për më tepër, emri i Perëndisë shfaqet me mijëra herë në versionin e parë tahitian të Biblës, i cili mbaroi në vitin 1835.
[Figura në faqen 32]
Mbreti Pomarei II
[Burimi i figurës në faqen 32]
Mbreti dhe letra: Koleksion i Muzeut të Tahitit dhe Ishujve të tij, Punaauia, Tahiti