Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kapërcehen hendekët e komunikimit në Panama

Kapërcehen hendekët e komunikimit në Panama

Kapërcehen hendekët e komunikimit në Panama

«PANAMAJA, urë e botës.» Kjo moto u përmend gjysmë shekulli më parë gjatë një programi radiofonik mjaft të dëgjuar në këtë shtet të Amerikës Qendrore. Sot, ajo shpreh mendimin që kanë shumë veta për këtë vend.

Panamaja shërben si një urë midis Amerikës Veriore dhe asaj Jugore. Për më tepër, ura e mirëfilltë që lidh dy Amerikat është ndërtuar mbi Kanalin e famshëm të Panamasë. Kanali është një vepër inxhinierike madhështore dhe përshkon mes për mes vendin, duke lidhur Oqeanin Atlantik me atë Paqësor. Përmes këtij kanali, mjetet lundruese nga e gjithë bota mund të arrijnë në vendin e duhur brenda disa orëve, ndërsa pa të, do t’u duheshin ditë ose javë. Po, Panamaja shërben si një urë e rëndësishme për shumë vende të botës.

Një urë midis kulturave të ndryshme

Panamaja ka një popullsi me prejardhje të ndryshme kombëtare dhe etnike. Këto pakica së bashku me shumë grupe indigjene përbëjnë një popullsi të larmishme që është përhapur anembanë këtij vendi të bukur. Por, a është e mundur t’i kapërcejnë këto ndryshime shoqërore, kulturore, fetare dhe gjuhësore e të kenë mendime dhe qëllime të përbashkëta që bazohen në të vërtetat e çmuara të Fjalës së Perëndisë?

Po, është e mundur. Fjalët e apostullit Pavël që gjenden tek Efesianëve 2:17, 18 tregojnë se të krishterët e shekullit të parë, si judenjtë ashtu edhe ata me prejardhje pagane, e kapërcyen këtë sfidë falë flijimit të Jezuit që i bashkonte. Pavli shkroi: «Erdhi [Jezui] e ju shpalli lajmin e mirë të paqes, juve që ishit larg dhe paqen atyre që ishin afër, sepse nëpërmjet tij ne, të dy popujt, kemi mundësinë t’i afrohemi Atit, me anë të një fryme të vetme.»

Po kështu edhe sot, Dëshmitarët e Jehovait në Panama po ua shpallin «lajmin e mirë të paqes» individëve dhe grupeve që kanë ardhur nga larg, nga vende e besime të ndryshme. Është krijuar një unitet i fortë ndërmjet atyre që i ‘afrohen’ Jehovait. Si rezultat, në Panama janë formuar kongregacione në gjashtë gjuhë: në gjuhën spanjolle, kantoneze, panameze të shenjave, angleze dhe në kuna e ngobere (guajmi), dy gjuhë indigjene. Është inkurajuese kur shikon si janë bashkuar në adhurimin e Jehovait ata që i përkasin këtyre grupeve gjuhësore.

Kapërcehen pengesat për në komarka

Grupi ngobe është më i madhi ndër popullsitë indigjene në Panama. Numri i tyre arrin deri në 170.000, dhe jetojnë kryesisht në një zonë të madhe që kohët e fundit është quajtur komarka ose rezervat. Kjo zonë përbëhet kryesisht nga male të thepisura me pyje që mund të kalohen vetëm më këmbë, si edhe zona bregdetare të bukura ku mund të shkohet nga deti. Komunitetet zakonisht vendosen ose afër lumenjve që shërbejnë si arterie për transportin, ose përgjatë bregut të detit. Shumë nga banorët e komarkës e nxjerrin bukën e gojës nga plantacionet e kafesë në mal, nga peshkimi dhe nga bujqësia. Mjaft veta shkojnë nëpër kisha. Disa janë ithtarë të një feje lokale që njihet me emrin Mama Tata. Ndërsa të tjerë drejtohen te sukiat (shtriganët) për t’u shëruar kur janë sëmurë ose kur ndiejnë ngacmime nga frymërat e liga. Megjithëse mjaft prej tyre flasin spanjisht, gjuha që kuptojnë më mirë është ngobere.

Vozitin drejt zemrës së njerëzve

Dëshmitarët e Jehovait e kuptojnë se është e rëndësishme t’i ndihmojnë njerëzit të mësojnë të vërtetën në një mënyrë që, jo vetëm ta kuptojnë, por edhe t’u prekë zemrën. Kjo do t’i nxitë të bëjnë ndryshimet e duhura që të jetojnë në përputhje me parimet e Biblës. Ja pse pionierët specialë, që janë caktuar të shërbejnë në tetë sektorë të rezervatit, kanë mësuar gjuhën ngobere me ndihmën e Dëshmitarëve vendës të kualifikuar.

Të 14 kongregacionet në këtë zonë kanë shumë mundësi të rriten. Për shembull, para disa vjetësh, Dimasi dhe Hizela, një çift pionierësh specialë, u caktuan në një kongregacion të vogël me 40 lajmëtarë në pjesën bregdetare të Tobobes. Për ta nuk ishte e lehtë të mësoheshin me udhëtimet që bënin shpesh me kanoe për t’u predikuar njerëzve të thjeshtë përgjatë bregut të Atlantikut. Ata kuptuan se ujërat e qeta të oqeanit mund të kthehen në dallgë të rrezikshme sa hap e mbyll sytë. Krahët dhe kurrizi shpesh u dhimbnin ngaqë vozitnin nga njëri fshat në tjetrin. Madje edhe mësimi i gjuhës vendëse ishte mjaft i vështirë. Megjithatë, sakrificat dhe këmbëngulja e tyre u shpërblyen në vitin 2001, kur të pranishmit në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit arritën në 552.

Kur nisesh nga Tobobeja, përtej gjirit, ndodhet fshati i Punta Eskondidës. Për ca kohë, një grup i vogël lajmëtarësh lundronin rregullisht përmes gjirit, në varësi të motit, për të ndjekur mbledhjet në Tobobe. Raportet tregonin se kishte mundësi të mëdha të formohej një kongregacion i ri në atë zonë. Për këtë qëllim, Dimasit dhe Hizelës iu kërkua të shkonin të banonin në Punta Eskondidë. Në më pak se dy vjet, grupi në Punta Eskondidë u bë një kongregacion me 28 lajmëtarë, ku të pranishmit në fjalimin publik javor arrinin mesatarisht deri në 114. Në vitin 2004 kongregacioni i ri ishte i kënaqur kur numri i përgjithshëm i atyre që ndoqën Përkujtimin e vdekjes së Krishtit arriti në 458 veta.

Kapërcehet hendeku i analfabetizmit

Kapërcimi i analfabetizmit ndihmoi shumë nga ata me zemër të sinqertë që të krijonin një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain. I tillë ishte edhe rasti i Ferminës, një grua nga zona malore e komarkës. Misionaret Dëshmitare që predikonin në atë zonë të izoluar, panë se ajo kishte vërtet interes për mesazhin e Mbretërisë. Kur i ofruan një studim biblik, u tha se donte të mësonte më tepër. Por kishte një problem. Ajo fliste edhe gjuhën spanjolle, edhe ngobere, por nuk mund të lexonte a të shkruante asnjërën. Një nga misionaret u tregua e gatshme ta mësonte me anë të broshurës Të mësojmë lexim dhe shkrim.

Fermina ishte nxënëse e shkëlqyer, e përgatiste me gëzim mësimin, i bënte të gjitha detyrat dhe i praktikonte me zell shkrimin e leximin. Brenda një viti, kishte mësuar aq sa të mund të studionte broshurën Ti mund të jesh miku i Perëndisë! Kur mbledhjet nisën të mbaheshin aty, Fermina filloi të merrte pjesë. Por, për shkak të varfërisë, e kishte shumë të vështirë të paguante rrugën për në mbledhje bashkë me fëmijët. Një nga pionieret, që e dinte gjendjen e Ferminës, i sugjeroi të bënte fustane tradicionale dhe t’i shiste. Kështu bëri, dhe pavarësisht se kishte nevoja të tjera nga ana materiale, paratë që fitonte, i përdorte vetëm për të ndjekur mbledhjet e krishtere. Tani bashkë me familjen është transferuar në një zonë tjetër dhe vazhdon të përparojë nga ana frymore. Ata janë të kënaqur që kapërcyen analfabetizmin, por ç’është më e rëndësishmja, që njohën Jehovain.

Kapërcehen vështirësitë për t’u predikuar të shurdhërve

Në Panama, mjaft njerëzve u vjen turp nëse kanë në familje dikë që nuk dëgjon. Ndonjëherë ndodh që të shurdhërve u mohohet çdo lloj arsimimi. Shumë prej tyre ndihen të izoluar dhe të mënjanuar, pasi është tepër e vështirë të komunikosh me ta.

Pra ishte e qartë që duhej bërë diçka që edhe ata ta merrnin lajmin e mirë. Të inkurajuar nga mbikëqyrësi udhëtues, një grup pionierësh të zellshëm dhe disa të tjerë filluan të mësonin gjuhën panameze të shenjave. Dhe shkathtësia e tyre nuk ngeli pa u shpërblyer.

Në gjysmën e dytë të vitit 2001, në Panama-Siti u hap një grup në gjuhën e shenjave. Numri i të pranishmëve ishte rreth 20 veta. Ndërsa shkathtësoheshin në këtë gjuhë, motrat e vëllezërit arritën t’u dëshmonin atyre që për herë të parë «dëgjuan» të vërtetën biblike në gjuhën e tyre. Edhe shumë Dëshmitarë që kishin fëmijë të shurdhër, filluan t’i ndiqnin këto mbledhje dhe zbuluan se kështu fëmijët e tyre i kuptonin më lehtë mësimet biblike dhe se ishin më entuziastë për të vërtetën. Mjaft prindër arritën të mësonin gjuhën e shenjave dhe të komunikonin më mirë me fëmijët. Kështu mund t’i ndihmonin frymësisht fëmijët dhe familja forcohej më tepër. Këtë e tregon mjaft mirë edhe rasti i Elsës dhe vajzës së saj, Iraidës.

Një Dëshmitare në grupin e gjuhës së shenjave që dëgjoi për Iraidën, i shkoi për vizitë dhe i dha broshurën Gëzo jetën në tokë përgjithmonë! Iraida i vlerësonte shumë ato që mund të mësonte nga ilustrimet për botën e re. Me këtë broshurë filluan një studim biblik. Pasi e mbaruan, vazhduan me broshurën tjetër Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Në këtë pikë, Iraida i kërkoi së ëmës ta ndihmonte të përgatitej dhe t’ia shpjegonte materialin.

Por Elsa kishte dy probleme: duke mos qenë Dëshmitare, nuk dinte dhe aq rreth të vërtetës biblike, dhe nuk njihte gjuhën e shenjave. Asaj i kishin thënë se nuk duhej të komunikonte me shenja me të bijën, që ajo të mësonte të fliste. Prandaj komunikimi midis tyre ishte i kufizuar. E prekur nga kërkesa e Iraidës për ndihmë, Elsa dëshironte që një Dëshmitare nga kongregacioni të studionte me Iraidën. Ajo tha: «E kërkova këtë vetëm për Iraidën, sepse nuk e kisha parë kurrë aq entuziaste.» Bashkë me Iraidën filloi të studionte edhe Elsa, e cila mësoi edhe gjuhën e shenjave. Nisi t’i kushtonte më tepër kohë së bijës dhe komunikimi në shtëpi u përmirësua mjaft. Iraida filloi t’i përzgjidhte miqtë e saj dhe shoqërohej me kongregacionin. Tani të dyja, ëmë e bijë, shkojnë rregullisht në mbledhjet e krishtere. Elsa u pagëzua para pak kohësh, dhe Iraida po përparon shpejt me të njëjtin synim. Elsa shprehet se, për herë të parë, po njeh tamam të bijën dhe se, më në fund, mund të flasin për shumë gjëra të rëndësishme, që janë të çmuara për të dyja.

Grupi i gjuhës së shenjave, që u bë kongregacion në prill të 2003-it, tani është rritur dhe ka 50 lajmëtarë, por të pranishmit në mbledhje e kalojnë këtë shifër. Më shumë se një e treta janë të shurdhër. Grupe të tjera në gjuhën e shenjave po formohen në tri qytete në rrethinat e Panama-Sitit. Megjithëse ka ende për të bërë në këtë fushë, pa dyshim është hedhur një hap vigan në kapërcimin e hendekut të «heshtjes» midis të shurdhërve me zemër të sinqertë dhe Krijuesit të tyre të dashur, Perëndisë Jehova.

Këto rezultate tregojnë atë që po ndodh anembanë Panamasë. Megjithëse vijnë nga kultura, gjuhë dhe formime të ndryshme, shumë prej tyre janë bashkuar në adhurimin e të vetmit Perëndi të vërtetë. E vërteta e Fjalës së Perëndisë ia ka dalë me sukses të kapërcejë hendekët e komunikimit në këtë vend, që mjaft veta e konsiderojnë si «urën e botës».—Efesianëve 4:4.

[Shënimet]

Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Hartat në faqen 8]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

DETI I KARAIBEVE

PANAMA

Tobobe

OQEANI PAQËSOR

Kanali i Panamasë

[Figura në faqen 8]

Gratë kuna me sixhade të vogla në dorë

[Figura në faqen 9]

Një misionare duke i predikuar një gruaje ngobere

[Figura në faqen 10]

Dëshmitarë nga Ngobe duke hipur në një kanoe për të shkuar në një asamble speciale njëditore

[Figurat në faqen 11]

E vërteta biblike kapërcen pengesat dhe arrin deri tek ata me kultura e gjuhë të ndryshme në Panama

[Figura në faqen 12]

Studimi i «Kullës së Rojës» në gjuhën e shenjave

[Figura në faqen 12]

Elsa dhe e bija, Iraida, tani kanë një komunikim të mirë

[Burimet e figurave në faqen 8]

Anija dhe gratë kuna: © William Floyd Holdman/Index Stock Imagery; fshati: © Timothy O’Keefe/Index Stock Imagery