Merrni zemër dhe vërini krahët punës
Merrni zemër dhe vërini krahët punës
«Merrni zemër dhe vërini krahët punës, o ju që këto ditë po dëgjoni këto fjalë nga goja e profetëve.»—ZAKARIA 8:9.
1, 2. Pse librat e Hageut dhe të Zakarisë meritojnë vëmendjen tonë?
PROFECITË e Hageut dhe të Zakarisë u shkruan rreth 2.500 vjet më parë, e megjithatë janë të rëndësishme për jetën tonë. Në këta dy libra të Biblës nuk gjejmë thjesht histori të së kaluarës. Ato janë pjesë e ‘gjithçkaje që u shkrua kohë më parë për mësimin tonë’. (Romakëve 15:4) Një pjesë e mirë e asaj që lexojmë në to, na bën të mendojmë për situata që kanë ndodhur që nga vendosja e Mbretërisë në qiell, në vitin 1914.
2 Duke iu referuar ngjarjeve dhe rrethanave që përjetoi populli i Perëndisë kohë më parë, apostulli Pavël tha: «Këto gjëra u ndodhnin atyre si shembuj dhe u shkruan si një paralajmërim për ne, mbi të cilët ka mbërritur fundi i sistemeve.» (1 Korintasve 10:11) Pra, mund të pyesni: ‘Çfarë vlere kanë sot librat e Hageut dhe të Zakarisë?’
3. Ku u përqendruan Hageu dhe Zakaria?
3 Siç u tha në artikullin e mëparshëm, profecitë e Hageut dhe të Zakarisë kishin të bënin me kohën pas çlirimit nga robëria babilonase, kur judenjtë u kthyen në vendin që u kishte dhënë Perëndia. Dy profetët i kushtuan vëmendje rindërtimit të tempullit. Judenjtë i hodhën themelet e tempullit në vitin 536 p.e.s. Edhe pse disa judenj të moshuar ishin përqendruar tek e kaluara, në përgjithësi pati shumë ‘britma gëzimi’. Por, në të vërtetë, në kohën tonë ka ndodhur diçka edhe më e rëndësishme se kjo. Çfarë?—Ezdra 3:3-13.
4. Çfarë ndodhi jo shumë kohë pas Luftës I Botërore?
4 Jo shumë kohë pas Luftës I Botërore, shërbëtorët e mirosur të Jehovait u çliruan nga robëria e Babilonisë së Madhe. Ky ishte një tregues kryesor se Jehovai po i mbështeste. Më parë, ishte dukur sikur udhëheqësit fetarë dhe aleatët e tyre politikë e kishin ndalur veprën e predikimit publik dhe të mësimdhënies të Studentëve të Biblës. (Ezdra 4:8, 13, 21-24) Megjithatë, Perëndia Jehova i hoqi pengesat ndaj veprës së predikimit dhe të bërjes së dishepujve. Që nga viti 1919 e më tej, vepra e Mbretërisë ka lulëzuar dhe asgjë s’ka mundur t’ia ndalë përparimin.
5, 6. Cilën arritje të mrekullueshme përshkruan Zakaria 4:7?
5 Mund të jemi të sigurt se predikimi dhe mësimdhënia që po zhvillojnë në kohën tonë shërbëtorët e bindur të Jehovait, do të vazhdojnë falë mbështetjes së tij. Te Zakaria 4:7, lexojmë: «Ai do ta nxjerrë përpara gurin kryesor. Për të do të lëshohen britma: ‘Sa magjepsës! Sa magjepsës!’» Cilën arritje madhështore të kohëve tona përshkruan kjo?
6 Zakaria 4:7 po përshkruan kohën kur adhurimi i vërtetë i Zotërisë Sovran do të arrijë përsosmërinë në oborrin tokësor të tempullit të tij frymor. Ky tempull është masa që ka marrë Jehovai për t’iu afruar atij në adhurim, në bazë të flijimit pajtues të Krishtit Jezu. Kuptohet, tempulli i madh frymor ka ekzistuar që nga shekulli i parë i erës sonë. Megjithatë, adhurimi i vërtetë në oborrin e tij tokësor ende duhet të arrijë përsosmërinë. Miliona adhurues shërbejnë tani në oborrin tokësor të tempullit frymor. Këta, si edhe numri i madh i atyre që do të ringjallen, do të arrijnë përsosmërinë gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Jezu Krishtit. Në fund të një mijë vjetëve, vetëm adhuruesit e vërtetë të Perëndisë do të mbeten në tokën e pastruar.
7. Çfarë roli ka Jezui për të sjellë në gjendje të përsosur adhurimin e vërtetë në kohët tona, dhe pse duhet të na japë forcë kjo?
7 Guvernatori Zorobabel dhe kryeprifti Josia ishin aty kur përfundoi ndërtimi i tempullit, në vitin 515 p.e.s. Zakaria 6:12, 13 paratha rolin e ngjashëm që do të kishte Jezui për ta sjellë adhurimin e vërtetë në gjendjen e përsosur: «Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Ja ku është njeriu që e ka emrin Filiz. Ai do të mbijë nga vendi i vet dhe do të ndërtojë tempullin e Jehovait. Ai . . . do të mbulohet me lavdi. Ai do të ulet dhe do të sundojë në fronin e tij e do të bëhet prift në fronin e tij.’» A mendoni se dikush mund ta pengojë përparimin e veprës, duke ditur se Jezui, i cili është në qiell dhe bën që të mbijë linja davidike e mbretërve, po mbështet veprën e Mbretërisë në tempullin frymor? Kurrsesi! A nuk duhet të na nxitë kjo që të ngulmojmë në shërbimin tonë, pa u shpërqendruar nga gjërat e përditshme?
Çfarë ka përparësi?
8. Pse duhet ta vëmë në vend të parë në jetën tonë punën në tempullin frymor?
8 Për të pasur mbështetjen dhe bekimin e Jehovait, duhet ta mbajmë në vend të parë në jetën tonë punën në tempullin frymor. Ndryshe nga judenjtë që thoshin «nuk ka ardhur ende koha», ne s’duhet të harrojmë se po jetojmë në «ditët e fundit». (Hageu 1:2; 2 Timoteut 3:1) Jezui paratha se ithtarët e tij besnikë do të predikonin lajmin e mirë të Mbretërisë dhe do të bënin dishepuj. Duhet të bëjmë kujdes që të mos e lëmë pas dore privilegjin tonë për të predikuar. Vepra e predikimit dhe e mësimdhënies, e cila u ndal përkohësisht nga kundërshtimi i kësaj bote, rifilloi në vitin 1919, por nuk ka përfunduar ende. Megjithatë, mund të jemi të sigurt se do të çohet deri në fund!
9, 10. Nga se varet bekimi i Jehovait dhe çfarë kërkon kjo që të bëjmë?
9 Në varësi të përpjekjeve të zellshme që Hageu 2:19) Do të rifitonin plotësisht miratimin e tij. Tani shqyrtoni bekimet që përmenden në këtë premtim të Perëndisë: «Do të ketë farë paqeje. Hardhia do të japë frytin e saj, toka do të japë prodhimin e saj dhe qiejt do të japin vesën e tyre. Ata që do të mbeten nga ky popull do t’i bëj të trashëgojnë të gjitha këto gjëra.»—Zakaria 8:9-13.
bëjmë në këtë vepër, do të bekohemi, si popull dhe si individë. Vini re premtimin e Jehovait nga i cili marrim siguri. Pasi judenjtë u rikthyen në adhurimin me gjithë shpirt dhe rifilluan me zell punën për themelet e tempullit, Jehovai tha: «Që sot unë do t’ju bekoj.» (10 Siç i bekoi ata judenj frymësisht dhe materialisht, Jehovai do të na bekojë edhe ne ndërsa me zell dhe me një zemër të lumtur kryejmë veprën që na ka caktuar. Ndër këto bekime janë paqja që kemi mes njëri-tjetrit, siguria, begatia dhe rritja frymore. Por, gjithsesi, e kuptojmë fare mirë se do të marrim bekime nga Jehovai vetëm nëse e kryejmë punën në tempullin frymor siç dëshiron ai.
11. Si mund të shqyrtojmë veten?
11 Tani është koha që ‘të shqyrtojmë me gjithë zemër udhët tona’. (Hageu 1:5, 7) Duhet të ndalemi e të analizojmë se çfarë ka përparësi në jetën tonë. Bekimi që na jep Jehovai sot varet nga masa në të cilën po i japim lavdi emrit të tij dhe po ecim përpara në veprën tonë në tempullin e tij frymor. Mund të pyetni veten: ‘A kanë ndryshuar gjërat që për mua kanë përparësi? Si është tani zelli im për Jehovain, për të vërtetën dhe për veprën e tij, në krahasim me zellin që kisha kur u pagëzova? A po ndikon në vëmendjen që i kushtoj Jehovait dhe Mbretërisë së tij, interesi për të pasur një jetë të rehatshme? A po më pengon disi frika e njeriut, domethënë shqetësimi se çfarë do të mendojnë të tjerët?’—Zbulesa 2:2-4.
12. Cilën situatë të judenjve thekson Hageu 1:6, 9?
12 Nuk duam që Perëndia të na e heqë bekimin e tij të pasur, ngaqë kemi lënë pas dore veprën e lëvdimit të emrit të tij. Sillni ndër mend se, pasi filluan mirë, judenjtë e rivendosur ishin «me ngut, secili për shtëpinë e vet», si thotë Hageu 1:9. U përqendruan te nevojat e përditshme dhe te jeta e tyre. Si pasojë, ‘mblidhnin pak’, nuk kishin ushqim të mirë, pije dhe rroba të ngrohta. (Hageu 1:6) Jehovai ua hoqi bekimin. A ka ndonjë mësim për ne këtu?
13, 14. Si mund ta zbatojmë mësimin që nxjerrim nga Hageu 1:6, 9, dhe pse është e rëndësishme kjo?
13 A nuk mendoni edhe ju se, për të pasur vazhdimisht bekimet e Perëndisë, duhet të mos kërkojmë gjëra për vete duke lënë pas dore adhurimin e Jehovait? Kjo vlen pavarësisht se ç’aktivitet ose interes po na e shpërqendron vëmendjen: rendja pas pasurisë, planet për t’u pasuruar shpejt ose planet ambicioze për arsim
të lartë që pastaj të kemi një karrierë të dëshirueshme në këtë botë.14 Këto gjëra mund të mos jenë mëkate në vetvete. Por, a nuk ju duket edhe juve se ato janë vërtet ‘vepra të vdekura’, në krahasim me jetën e përhershme? (Hebrenjve 9:14) Në ç’kuptim janë të vdekura? Janë frymësisht të vdekura, të kota e të pafrytshme. Ato vepra mund të çojnë në vdekje nga ana frymore, nëse një njeri ngulmon në to. Kjo ndodhi me disa të krishterë të mirosur në kohën e apostujve. (Filipianëve 3:17-19) Ka ndodhur edhe me disa në kohën tonë. Ndoshta njihni disa që dalëngadalë i lanë pas dore veprimtaritë e krishtere dhe kongregacionin e tani nuk shfaqin ndonjë dëshirë për t’u rikthyer në shërbim të Jehovait. Sigurisht, ne shpresojmë që këta të kthehen te Jehovai, por realiteti është që rendja pas ‘veprave të vdekura’ mund të sjellë humbjen e miratimit dhe të bekimit të Jehovait. E kuptojmë sa tragjike do të ishte kjo. Do të nënkuptonte humbjen e gëzimit dhe të paqes që prodhon fryma e Perëndisë. Veç kësaj, përfytyroni çfarë humbjeje do të ishte të mos gëzonim më vëllazërinë e përzemërt të krishterë!—Galatasve 1:6; 5:7, 13, 22-24.
15. Si e tregon Hageu 2:14 rëndësinë që ka adhurimi ynë?
15 Kjo është një çështje shumë serioze. Lexoni Hageun 2:14 dhe shikoni pikëpamjen e Jehovait për judenjtë që lanë pas dore shtëpinë e tij të adhurimit, sepse duhej të vishnin me dru shtëpitë e tyre, qoftë në kuptimin e mirëfilltë, qoftë figurativ. «‘Ja se si është ky popull dhe ja se si është ky komb përpara meje,—thotë Jehovai,—dhe ja se si është gjithë puna e duarve të tyre dhe çdo gjë që paraqitin atje. Është e papastër.’» Çfarëdo flijimi që judenjtë me zemër të lëkundur paraqitnin sa për sy e faqe në altarin e përkohshëm të ndërtuar në Jerusalem, ishin të papranueshme, përderisa linin pas dore adhurimin e vërtetë.—Ezdra 3:3.
Mbështetje e siguruar
16. Për çfarë mund të ishin të sigurt judenjtë, të bazuar në vegimet që mori Zakaria?
16 Judenjtë e bindur që punuan për rindërtimin e tempullit të Perëndisë, morën sigurinë se kishin mbështetjen e Perëndisë, i cili e tregoi këtë nëpërmjet tetë vegimeve që i dha Zakarisë. Vegimi i parë i siguronte për përfundimin e tempullit dhe begatinë e Jerusalemit e të Judës, nëse judenjtë e bindur e vazhdonin punën që kishin në dorë. (Zakaria 1:8-17) Vegimi i dytë premtonte fundin e gjithë qeverive që kundërshtonin adhurimin e vërtetë. (Zakaria 1:18-21) Vegimet e tjera i siguronin se punën e ndërtimit po e mbronte Perëndia; shumë kombe do të vërshonin në shtëpinë e përfunduar të adhurimit të Jehovait; do të kishte paqe e siguri të vërtetë; do të sheshoheshin pengesat në dukje të pakapërcyeshme ndaj punës që u kishte caktuar Perëndia; do të hiqej ligësia, dhe do të kishin mbikëqyrjen e mbrojtjen e engjëjve. (Zakaria 2:5, 11; 3:10; 4:7; 5:6-11; 6:1-8) Me këto siguri për mbështetjen e Perëndisë, mund ta kuptoni përse njerëzit e bindur e rregulluan mënyrën e jetesës dhe u përqendruan te puna për të cilën i kishte çliruar Perëndia.
17. Ç’pyetje duhet t’i bëjmë vetes, duke pasur parasysh sigurinë që na jepet?
17 Po kështu, siguria që kemi ne për triumfin e padiskutueshëm të adhurimit të vërtetë, duhet të na nxitë të veprojmë dhe të na motivojë
që të mendojmë seriozisht për shtëpinë e adhurimit të Jehovait. Pyetni veten: ‘Në qoftë se e besoj se tani është koha për të bërë veprën e predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve, a janë në harmoni me këtë bindje synimet që kam dhe mënyra se si jetoj? A po kaloj një sasi të përshtatshme kohe duke studiuar Fjalën profetike të Perëndisë, duke e mbajtur në mendje dhe duke biseduar rreth saj me të bashkëkrishterët e me njerëzit që takoj?’18. Çfarë gjërash na presin, sipas kapitullit të 14-të të Zakarisë?
18 Zakaria përshkroi shkatërrimin e Babilonisë së Madhe, që do të pasohet nga lufta e Harmagedonit. Aty lexojmë: «Ajo do të kthehet në një ditë që do të njihet si dita e Jehovait. Nuk do të jetë as ditë, as natë, dhe në mbrëmje do të bëhet dritë.» Po, dita e Jehovait do të jetë vërtet një ditë e errët dhe e zymtë për armiqtë e tij këtu në tokë! Por, për adhuruesit besnikë të tij, do të jetë një ditë me dritë dhe miratim të përhershëm. Zakaria përshkroi edhe se si çdo gjë në botën e re do të shpallë shenjtërinë e Jehovait. Adhurimi i vërtetë në tempullin e madh frymor të Perëndisë do të jetë e vetmja formë adhurimi në tokë. (Zakaria 14:7, 16-19) Çfarë sigurie që na jepet! Do të përjetojmë përmbushjen e asaj që ishte parathënë dhe do të shohim shfajësimin e sovranitetit të Jehovait. Sa e pashoqe do të jetë ajo ditë që do të njihet si dita e Jehovait!
Bekime të përhershme
19, 20. Pse ju duket nxitës shkrimi i Zakarisë 14:8, 9?
19 Pas kësaj ngjarjeje mahnitëse, Satanai dhe demonët e tij do të kufizohen në një humnerë joaktiviteti. (Zbulesa 20:1-3, 7) Pastaj, gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, bekimet do të vërshojnë. Zakaria 14:8, 9 thotë: «Atë ditë nga Jerusalemi do të dalin ujëra jetëdhënëse. Gjysma e tyre do të shkojë drejt detit lindor, kurse gjysma tjetër drejt detit perëndimor. Kjo do të ndodhë në verë dhe në dimër. Jehovai do të bëhet mbret mbi gjithë tokën. Atë ditë Jehovai do të tregojë se është një i vetëm dhe se emri i tij është një i vetëm.»
20 «Ujëra jetëdhënëse» ose «një lumë me ujin e jetës», që paraqet masat e Jehovait për të mbështetur jetën, do të rrjedhin vazhdimisht nga selia e Mbretërisë Mesianike. (Zbulesa 22:1, 2) Një shumicë e madhe me adhurues të Jehovait, pasi të kenë mbijetuar nga Harmagedoni, do të nxjerrin dobi duke u çliruar nga dënimi i vdekjes adamike. Edhe ata që tashmë kanë vdekur, do të nxjerrin dobi me anë të ringjalljes. Kështu do të fillojë një fazë e re e sundimit të Jehovait mbi tokën. Njerëzit në mbarë tokën do ta pranojnë Jehovain si Sovranin Universal, të vetmin që duhet adhuruar.
21. Cilën vendosmëri duhet të kemi?
21 Duke parë gjithçka që parathanë Hageu dhe Zakaria e që u përmbush, kemi arsye të vlefshme për të ecur përpara në veprën që na ka caktuar Perëndia në oborrin tokësor të tempullit të tij frymor. Derisa adhurimi i vërtetë të arrijë përsosmërinë, le të përpiqemi të gjithë të mbajmë interesat e Mbretërisë në vend të parë! Zakaria 8:9 na nxit: «Merrni zemër dhe vërini krahët punës, o ju që këto ditë po dëgjoni këto fjalë nga goja e profetëve.»
A ju kujtohet?
• Cila paralele historike i bën të rëndësishëm sot librat e Hageut dhe të Zakarisë?
• Çfarë mësimi na japin Hageu dhe Zakaria për sa u përket gjërave që duhet të kenë përparësi?
• Pse shqyrtimi i librave të Hageut dhe të Zakarisë na jep arsye për të qenë të sigurt për të ardhmen?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 26]
Hageu dhe Zakaria i nxitën judenjtë të punonin me gjithë shpirt, që të merrnin bekimin
[Figurat në faqen 27]
A je ‘me ngut, për shtëpinë tënde’?
[Figura në faqen 28]
Jehovai premtoi një bekim, dhe e ka dhënë