Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Unë jam me ju»

«Unë jam me ju»

«Unë jam me ju»

«Lajmëtari i Jehovait, . . . vazhdoi t’i thoshte popullit: ‘Unë jam me ju’,—thotë Jehovai.»—HAGEU 1:13.

1. Për cilën paralele profetike me ditët tona foli Jezui?

SOT jetojmë në një periudhë të rëndësishme të historisë. Siç e tregon përmbushja e profecive biblike, që nga viti 1914 jemi «në ditën e Zotërisë». (Zbulesa 1:10) Me siguri që e keni studiuar këtë temë, prandaj e dini se Jezui i krahasoi «ditët e Birit të njeriut» kur të vinte në Mbretërinë e vet, me «ditët e Noesë» dhe «ditët e Lotit». (Luka 17:26, 28) Kështu, Bibla tregon se këto janë paralele profetike. Por, ka edhe një paralele tjetër që meriton ta shqyrtojmë me vëmendje.

2. Çfarë caktimi i dha Jehovai Hageut dhe Zakarisë?

2 Le të shqyrtojmë një situatë që ekzistonte në kohët e dy profetëve hebrenj, Hageut dhe Zakarisë. Çfarë mesazhi përcollën këta dy profetë besnikë, që zbatohet në mënyrë specifike për popullin e Jehovait në ditët tona? Hageu dhe Zakaria ishin ‘lajmëtarë të Jehovait’ që u dërguan te judenjtë pas kthimit nga robëria në Babiloni. U ngarkuan me detyrën që t’i siguronin izraelitët se kishin mbështetjen e Perëndisë për rindërtimin e tempullit. (Hageu 1:13; Zakaria 4:8, 9) Ndonëse librat që shkruan Hageu dhe Zakaria janë të shkurtër, ata janë pjesë e ‘gjithë Shkrimit që është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi’.—2 Timoteut 3:16.

Duhet të na interesojnë

3, 4. Pse duhet të na interesojnë mesazhet e Hageut dhe të Zakarisë?

3 Natyrisht, mesazhet që dhanë Hageu dhe Zakaria u sollën dobi judenjve të asaj kohe, dhe profecitë e tyre patën një përmbushje në ato ditë. Por, pse mund të jemi të sigurt se këta dy libra duhet të na interesojnë neve sot? Një informacion e gjejmë te Hebrenjve 12:26-29. Aty, apostulli Pavël citon Hageun 2:6, ku thuhet se Perëndia ‘do të lëkundë qiejt dhe tokën’. Nga kjo lëkundje ose tronditje, së fundi ‘do të përmbyset froni i mbretërive dhe do të shfaroset forca e mbretërive të kombeve’.—Hageu 2:22.

4 Pasi citon fjalët e Hageut, Pavli tregon çfarë do t’u ndodhë «mbretërive të kombeve» dhe flet për epërsinë e Mbretërisë së palëkundshme që do të marrin të krishterët e mirosur. (Hebrenjve 12:28) Nga kjo kuptojmë se profecitë e Hageut dhe të Zakarisë flasin për një kohë që ende s’kishte ardhur kur u shkrua letra drejtuar hebrenjve, në shekullin e parë të erës sonë. Sot në tokë është ende një mbetje e të krishterëve të mirosur që janë bashkëtrashëgimtarë të Jezuit në Mbretërinë Mesianike. Prandaj, profecitë e Hageut dhe të Zakarisë duhet të kenë vlerë për kohën tonë.

5, 6. Cilat ishin të dhënat historike të kohës kur shërbyen Hageu dhe Zakaria?

5 Libri i Ezdrës na jep disa hollësi historike për atë kohë. Pasi judenjtë u kthyen nga robëria babilonase në vitin 537 p.e.s., guvernatori Zorobabel dhe kryeprifti Josi (ose Jeshua) mbikëqyrën hedhjen e themeleve të tempullit të ri, në vitin 536 p.e.s. (Ezdra 3:8-13; 5:1) Ky ishte shkak për një gëzim të madh, por s’kaloi shumë dhe judenjtë filluan të frikësoheshin. Kundërshtarët, që sipas Ezdrës 4:4 ishin «populli i vendit», ‘e shkurajonin pareshtur popullin e Judës për ndërtimin dhe ia ligështonin zemrën’. Këta armiq, e në veçanti samaritanët, ngritën akuza të rreme kundër judenjve. Si përfundim, e bindën mbretin e Persisë që të ndalte punën për ndërtimin e tempullit.—Ezdra 4:10-21.

6 Entuziazmi i fillimit për ndërtimin e tempullit, u venit. Judenjtë filluan të shikonin interesat vetjake. Por, në vitin 520 p.e.s., 16 vjet pasi ishin hedhur themelet e tempullit, Jehovai ngriti Hageun dhe Zakarinë, që ta nxitnin popullin të rifillonte punën në tempull. (Hageu 1:1; Zakaria 1:1) Të nxitur nga lajmëtarët e Perëndisë dhe pasi morën dëshmi të qarta se Jehovai po i mbështeste, judenjtë e rifilluan punën dhe e përfunduan ndërtimin e tempullit në vitin 515 p.e.s.—Ezdra 6:14, 15.

7. Ç’paralele ka me kohët tona situata që ekzistonte në ditët e profetëve?

7 A e dini ç’domethënie ka për ne e gjithë kjo? Ne kemi një vepër për të bërë, në lidhje me predikimin e ‘lajmit të mirë për mbretërinë’. (Mateu 24:14) Kësaj vepre iu dha rëndësi e veçantë pas Luftës I Botërore. Ashtu si u çliruan judenjtë e lashtë nga robëria e mirëfilltë në Babiloni, edhe populli i Jehovait në kohët tona u çlirua nga robëria e Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme. Shërbëtorët e mirosur të Perëndisë iu futën me zell veprës së predikimit, mësimdhënies dhe drejtimit të njerëzve tek adhurimi i vërtetë. Kjo vepër vazhdon sot në një shkallë më të madhe, e ndoshta ju po merrni pjesë në të. Koha për ta bërë këtë vepër është pikërisht tani, sepse fundi i këtij sistemi të lig është shumë pranë. Kjo vepër që na ka caktuar Perëndia duhet të vazhdojë derisa ai të ndërhyjë në çështjet njerëzore, në ‘shtrëngimin e madh’. (Mateu 24:21) Atëherë do të zhduket ligësia dhe adhurimi i vërtetë do të lulëzojë plotësisht në tokë.

8. Pse mund të jemi të sigurt se Perëndia e mbështet veprën tonë?

8 Siç e tregojnë profecitë e Hageut dhe të Zakarisë, mund të jemi të sigurt se Jehovai na mbështet e na bekon ndërsa marrim pjesë me gjithë zemër në këtë vepër. Pavarësisht nga përpjekjet që kanë bërë disa për t’i kufizuar shërbëtorët e Perëndisë ose për ta ndalur veprën që ai u ka caktuar, asnjë qeveri nuk ka arritur ta ndalojë përparimin e veprës së ungjillëzimit. Mendoni se si Jehovai e ka bekuar me rritje veprën e Mbretërisë gjatë dhjetëvjeçarëve pas Luftës I Botërore e deri në kohën tonë! Por ka ende shumë për të bërë.

9. Cilës situatë në kohën e lashtë duhet t’i kushtojmë vëmendje dhe përse?

9 Si mund të na nxitë ajo që mësojmë nga Hageu dhe Zakaria, që t’i bindemi edhe më shumë urdhrit të Perëndisë për të predikuar e për të mësuar të tjerët? Le të shohim disa mësime që nxjerrim nga këta dy libra të Biblës. Për shembull, shqyrtoni disa hollësi që kanë lidhje me punën për ndërtimin e tempullit, që duhej të bënin judenjtë e rivendosur. Siç e pamë, judenjtë që u kthyen nga Babilonia në Jerusalem, e nisën punën për ndërtimin e tempullit, por nuk vazhduan. Pasi hodhën themelet, e lanë pas dore. Cilën pikëpamje të gabuar kishin zhvilluar ata? E çfarë mund të mësojmë nga kjo?

Të kemi pikëpamjen e duhur

10. Cilën pikëpamje të gabuar zhvilluan judenjtë, dhe me çfarë pasojash?

10 Judenjtë e rivendosur thoshin: «Nuk ka ardhur ende koha.» (Hageu 1:2) Kur e filluan punën për ndërtimin e tempullit, duke hedhur themelet në vitin 536 p.e.s., nuk thoshin «nuk ka ardhur ende koha». Por, s’kaloi shumë dhe lejuan që kundërshtimi i fqinjëve dhe ndërhyrja nga ana e qeverisë t’i ngadalësonte. Judenjtë filluan t’u kushtonin më shumë rëndësi shtëpive dhe rehatisë së tyre. Duke parë dallimin midis shtëpive të tyre të veshura me dru të cilësisë së mirë dhe tempullit të lënë përgjysmë, Jehovai i pyeti: «Mos është vallë koha që ju të banoni në shtëpitë tuaja të veshura me dru, ndërkohë që kjo shtëpi është e shkretë?»—Hageu 1:4.

11. Pse u desh që Jehovai t’i këshillonte judenjtë e kohës së Hageut?

11 Po, judenjtë nuk po u jepnin më përparësi gjërave të duhura. Nuk mbajtën në vend të parë qëllimin e Jehovait për të rindërtuar tempullin, por u përqendruan te vetja dhe te shtëpitë e tyre. E lanë pas dore punën për shtëpinë e adhurimit të Perëndisë. Te Hageu 1:5, Jehovai u bëri thirrje judenjve ‘të shqyrtonin me gjithë zemër udhët e tyre’. Ai po u thoshte të ndaleshin e të meditonin për atë që po bënin, të shqyrtonin se çfarë pasojash kishin ngaqë nuk po e mbanin në vend të parë në jetën e tyre punën për ndërtimin e tempullit.

12, 13. Si e përshkruan Hageu 1:6 situatën e judenjve dhe çfarë kuptimi ka ky varg?

12 Siç mund ta merrni me mend, judenjtë patën pasoja negative ngaqë i dhanë përparësi gjërave të gabuara. Shikoni pikëpamjen e Perëndisë, të shprehur te Hageu 1:6: «Keni mbjellë shumë farë, por mblidhni pak. Hani, por s’keni të ngopur. Pini, por jo aq sa të deheni. Vishni rroba, por askush nuk ngrohet dhe kush pajtohet në punë, pajtohet për një torbë të shpuar.»

13 Judenjtë ishin në vendin që u kishte dhënë Perëndia, e megjithatë toka nuk po prodhonte aq sa do të donin ata. Siç i kishte paralajmëruar, Jehovai nuk po i bekonte. (Ligji i përtërirë 28:38-48) Ngaqë nuk kishin mbështetjen e tij, edhe pse judenjtë mbillnin farë, të korrat ishin të pakta, jo aq sa të ngopeshin me ushqim. Duke mos pasur bekimin e tij, nuk arrinin të visheshin me rroba të ngrohta. Madje dukej sikur paratë që fitonin, i futnin në një torbë me vrima, pra nuk u sillnin asnjë dobi atyre që punonin. Po shprehja, «pini, por jo aq sa të deheni», ç’kuptim ka? Sigurisht, nuk do të thoshte se, po të deheshin, kishin bekimin e Perëndisë, sepse ai e dënon dehjen. (1 Samuelit 25:36; Proverbat 23:29-35) Kjo shprehje është një tregues tjetër se judenjtë nuk kishin bekimin e Perëndisë. Sado verë të prodhonin, kjo do të ishte në sasi të vogla, jo aq sa të deheshin. Në versionin Diodati i Ri, Hageu 1:6 është përkthyer kështu: «Ju pini, por jo aq sa të shuani etjen tuaj.»

14, 15. Ç’mësim nxjerrim nga Hageu 1:6?

14 Mësimi që duhet të nxjerrim këtu nuk ka të bëjë me projektin ose me zbukurimin e shtëpive. Shumë kohë para mërgimit në Babiloni, profeti Amos i kishte qortuar të pasurit e Izraelit për «shtëpitë prej fildishi» që kishin bërë dhe që ‘shtriheshin në shtretër të fildishtë’. (Amosi 3:15; 6:4) Shtëpitë luksoze dhe mobiliet e zbukuruara nuk mbetën për shumë kohë. Pushtuesit plaçkitën gjithçka. E prapëseprapë, vite më vonë, pas mërgimit 70-vjeçar, shumë veta në popullin e Perëndisë s’kishin nxjerrë mësim nga kjo. Po ne, a do të mësojmë? Është e përshtatshme që secili të pyesë veten: ‘Sinqerisht, sa vëmendje i kushtoj shtëpisë dhe zbukurimit të saj? Po planeve për t’u arsimuar më tej që të kem një karrierë, edhe pse kjo do të më merrte goxha kohë, për disa vjet, e kështu do të lija mënjanë aspekte të rëndësishme të adhurimit tim ndaj Perëndisë?’—Luka 12:20, 21; 1 Timoteut 6:17-19.

15 Ajo që lexojmë te Hageu 1:6 duhet të na bëjë të mendojmë se kemi nevojë për bekimin e Perëndisë në jetën tonë. Ata judenj të lashtë nuk e kishin këtë bekim, dhe pasojat ishin të rënda. Edhe ne, pavarësisht nëse kemi apo jo gjëra materiale me bollëk, po nuk patëm bekimin e Jehovait, me siguri do të kemi pasoja nga ana frymore. (Mateu 25:34-40; 2 Korintasve 9:8-12) Por, si mund ta marrim këtë bekim?

Jehovai ndihmon me anë të frymës së tij

16-18. Çfarë kuptimi ka Zakaria 4:6 në kontekstin e lashtë?

16 Zakaria, që profetizoi në të njëjtën kohë me Hageun, u frymëzua të theksonte mjetin me anë të të cilit Jehovai i motivonte dhe i bekonte në atë kohë shërbëtorët e kushtuar. Kjo tregon se si do të na bekojë edhe ne. Lexojmë: «‘Jo me ndonjë forcë ushtarake, as me fuqi, por me frymën time’,—thotë Jehovai i ushtrive.» (Zakaria 4:6) Ndoshta e keni dëgjuar shpesh këtë varg, por çfarë donte të thoshte për judenjtë në kohën e Hageut dhe të Zakarisë, e prandaj, ç’do të thotë për ne?

17 Sillni ndër mend se fjalët e frymëzuara të Hageut dhe të Zakarisë patën një ndikim të mrekullueshëm në atë kohë. Ajo që thanë ata dy profetë, i rigjallëroi judenjtë besnikë. Hageu filloi të profetizonte në muajin e gjashtë të vitit 520 p.e.s. Zakaria nisi të profetizonte në muajin e tetë të po atij viti. (Zakaria 1:1) Siç mund ta shihni nga Hageu 2:18, puna për themelet rifilloi me zell në muajin e nëntë. Pra, judenjtë u nxitën të vepronin dhe iu bindën Jehovait, duke pasur besim se ai do t’i mbështeste. Fjalët që gjejmë te Zakaria 4:6 tregojnë për mbështetjen e Perëndisë.

18 Kur u kthyen në vendlindje, në vitin 537 p.e.s., judenjtë nuk kishin ndonjë forcë ushtarake. Megjithatë, Jehovai i mbrojti dhe i udhëhoqi gjatë udhëtimit të kthimit nga Babilonia. Edhe pak më vonë, kur filluan punën për ndërtimin e tempullit, fryma e tij po i drejtonte gjërat. Pasi ta rifillonin punën me gjithë zemër, ai do t’i mbështeste me anë të frymës së tij të shenjtë.

19. Cilin ndikim të fortë kapërceu fryma e shenjtë e Perëndisë?

19 Nëpërmjet tetë vegimeve, Zakarisë iu dha siguria se Jehovai do të ishte me popullin e vet, që do të vazhdonte me besnikëri punën për ndërtimin e tempullit derisa ta mbaronte. Vegimi i katërt, që e gjejmë në kapitullin e tretë, tregon se Satanai po bënte çmos që t’i pengonte përpjekjet e judenjve për të përfunduar ndërtimin e tempullit. (Zakaria 3:1) Natyrisht, Satanai nuk do të kënaqej duke parë kryepriftin Josi të kryente shërbimet në dobi të popullit, në një tempull të ri. Por, edhe pse Djalli po punonte për t’i penguar judenjtë që të ndërtonin tempullin, fryma e Jehovait do të luante një rol kryesor për të hequr pengesat dhe për t’u dhënë fuqi judenjve që të vazhdonin përpara, derisa ta përfundonin tempullin.

20. Si i ndihmoi judenjtë fryma e shenjtë për të përmbushur vullnetin e Perëndisë?

20 Në atë kohë dukej sikur kishte një kundërshtim ngjashëm një pengese të pakapërcyeshme, që vinte nga zyrtarët të cilët kishin arritur të vinin një ndalim për ndërtimin. E megjithatë, Jehovai premtoi se kjo pengesë, që ishte si «mal», do të hiqej dhe do të bëhej «vend i rrafshët». (Zakaria 4:7) Ndodhi pikërisht kështu! Mbreti, Dari I, bëri një hetim dhe gjeti dekretin e Kirit që i autorizonte judenjtë të rindërtonin tempullin. Prandaj, Dari e hoqi ndalimin dhe autorizoi që judenjve t’ju jepeshin para nga thesari mbretëror, për shpenzimet e punës. Çfarë kthese mahnitëse që morën ngjarjet! A kishte pasur rol në këtë fryma e Perëndisë? Mund të jemi të sigurt që po. Tempulli përfundoi në vitin 515 p.e.s., vitin e gjashtë të mbretërimit të Darit I.—Ezdra 6:1, 15.

21. (a) Si ‘i lëkundi kombet’ Perëndia në kohën e lashtë, dhe si erdhën «gjërat e dëshirueshme»? (b) Cila është përmbushja në kohët tona?

21 Te Hageu 2:5, profeti u kujtoi judenjve besëlidhjen që Perëndia kishte bërë me ta në malin Sinai, kur «tërë mali dridhej shumë». (Dalja 19:18) Në ditët e Hageut dhe të Zakarisë, Jehovai do të shkaktonte një tjetër lëkundje, siç përshkruhet me një gjuhë të figurshme në vargjet 6 dhe 7. Gjendja në Perandorinë Perse do të bëhej e paqëndrueshme, por puna në tempull do të vazhdonte derisa të përfundonte. Johebrenj, «gjërat e dëshirueshme të kombeve», do t’i jepnin lavdi Perëndisë, së bashku me judenjtë, në atë vend adhurimi. Në një shkallë edhe më të madhe në kohët që po jetojmë, Perëndia i ka ‘lëkundur kombet’ me anë të predikimit tonë, dhe «gjërat e dëshirueshme të kombeve» kanë ardhur për të adhuruar Perëndinë krah për krah mbetjes së mirosur. Me të vërtetë, të mirosurit, së bashku me delet e tjera, po e mbushin tani shtëpinë e Jehovait me lavdi. Këta adhurues të vërtetë presin me besim kohën kur Jehovai ‘do t’i lëkundë qiejt dhe tokën’ në një kuptim tjetër. Do ta bëjë këtë për të përmbysur dhe shfarosur forcën e mbretërive të kombeve.—Hageu 2:22.

22. Si po ‘lëkunden’ kombet dhe cili është rezultati? Çfarë mbetet ende të ndodhë?

22 Na vijnë ndër mend trazirat që kanë ndodhur në elementë të ndryshëm të paraqitur nga ‘qiejt, dheu, deti dhe toka e thatë’. Për shembull, Satana Djalli dhe demonët e tij janë hedhur në afërsi të tokës. (Zbulesa 12:7-12) Gjithashtu, predikimi i drejtuar nga shërbëtorët e mirosur të Perëndisë me siguri që i ka lëkundur e tronditur elementët e shoqërisë së sotme njerëzore. (Zbulesa 11:18) Nga ana tjetër, ‘një shumicë e madhe’ gjërash të dëshirueshme nga të gjitha kombet është bashkuar me Izraelin frymor, për t’i shërbyer Jehovait. (Zbulesa 7:9, 10) Shumica e madhe punon përkrah të krishterëve të mirosur për të predikuar lajmin e mirë se, së shpejti, Perëndia do t’i tronditë kombet në Harmagedon. Kjo ngjarje do të hapë rrugën që adhurimi i vërtetë të arrijë përsosmërinë në mbarë tokën.

A ju kujtohet?

• Kur dhe në ç’rrethana shërbyen Hageu dhe Zakaria?

• Si mund t’i zbatoni mesazhet që dhanë Hageu dhe Zakaria?

• Pse ju duket inkurajues shkrimi i Zakarisë 4:6?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 20]

Shkrimet e Hageut dhe të Zakarisë na sigurojnë për mbështetjen e Perëndisë

[Figura në faqen 23]

«Mos është vallë koha që ju të banoni në shtëpitë tuaja të veshura me dru, ndërkohë që kjo shtëpi është e shkretë?»

[Figura në faqen 24]

Populli i Jehovait merr pjesë për të gjetur ‘njerëzit e dëshirueshëm të kombeve’