Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mos ki frikë: Jehovai është me ty!

Mos ki frikë: Jehovai është me ty!

Mos ki frikë: Jehovai është me ty!

MË SHUMË se 50 vjet më parë, pak kohë pasi shpërtheu bomba e parë nukleare, shkencëtari Harold K. Juri, fitues i çmimit Nobel, tha për të ardhmen: «Do të hamë me frikë, do të flemë me frikë, do të jetojmë me frikë dhe do të vdesim me frikë.» Sot botën e ka përpirë frika, dhe dihet pse. Çdo ditë, gazetat njoftojnë për sulme të tmerrshme terroriste, për krime të dhunshme dhe për sëmundje të çuditshme.

Si të krishterë, ne e dimë domethënien e kushteve të sotme. Ato tregojnë se po jetojmë në «ditët e fundit» të këtij sistemi të lig, të cilat, siç parashikonte Bibla, do të karakterizoheshin nga «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Prandaj, besimi ynë forcohet ngaqë Perëndia Jehova do të sjellë një botë të re ku do të banojë drejtësia. (2 Pjetrit 3:13) Po ne, a kemi frikë?

Si e shohin frikën shërbëtorët e Perëndisë?

Jakobi, Davidi dhe Elija ishin ndër ata shërbëtorë të Jehovait të cilët, deri diku, patën frikë kur u gjendën në rrethana të vështira. (Zanafilla 32:6, 7; 1 Samuelit 21:11, 12; 1 Mbretërve 19:2, 3) Këtyre burrave nuk u mungonte besimi. Përkundrazi, ata u mbështetën fort te Jehovai. Por Jakobi, Davidi dhe Elija ishin njerëz, prandaj frika nuk ishte diçka e panjohur për ta. «Elija ishte njeri me ndjenja si tonat»,—shkroi dishepulli Jakov.—Jakovi 5:17.

Edhe ne mund të na zërë frika kur mendojmë për një problem që po hasim tani ose që mund të kalojmë në të ardhmen. Kjo lloj frike është e kuptueshme. Në fund të fundit, Bibla thotë se Satana Djalli është i vendosur ‘të luftojë’ me ata që «zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe janë caktuar të japin dëshmi për Jezuin». (Zbulesa 12:17) Megjithëse këto fjalë janë në mënyrë të veçantë për të krishterët e mirosur, Pavli shkroi: «Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim hyjnor në unitet me Krishtin Jezu, do t’i përndjekin.» (2 Timoteut 3:12) Megjithatë, frika nuk duhet të na paralizojë kur jemi përballë problemeve. Pse?

«Perëndia i veprave të shpëtimit»

Psalmisti David shkroi: «Perëndia i vërtetë është për ne Perëndia i veprave të shpëtimit.» (Psalmi 68:20) Jehovai e ka treguar gjithmonë aftësinë e tij për të shpëtuar popullin e tij, ose duke e shpëtuar nga rreziqet, ose duke i dhënë forcë për të duruar. (Psalmi 34:17; Danieli 6:22; 1 Korintasve 10:13) Sa nga këto ‘vepra shpëtimi’ të kujtohen nga studimi i Biblës?

Pse nuk bën kërkime në Treguesin e Botimeve Watch Tower, * për ngjarje të vërteta siç është Përmbytja në ditët e Noesë, shpëtimi i Lotit dhe i vajzave të tij nga Sodoma dhe Gomorra, dalja e Izraelit nga Egjipti dhe kalimi përmes Detit të Kuq ose dështimi i komplotit të Hamanit për të shkatërruar judenjtë? Leximi dhe meditimi për këto tregime rrëqethëse do të të forcojë besimin se Jehovai është Perëndia i veprave të shpëtimit. Kjo në vetvete do të të ndihmojë të përballosh sprovat e besimit pa pasur frikë.

Shembuj të ditëve të sotme

A të kujtohet ndonjë shembull i ditëve të sotme në vendin tënd që ka treguar qëndrueshmëri? Mund të jetë dikush që e kanë futur në burg për besnikërinë ndaj Perëndisë. Ndoshta njeh ndonjë të krishterë të moshuar që po i shërben Jehovait, pavarësisht nga problemet e shëndetit. Ose të vijnë në mendje të rinj që qëndrojnë larg nga bota, pavarësisht nga presioni i tmerrshëm i shokëve të shkollës. Përveç këtyre janë edhe prindërit e vetëm, që po i rritin fëmijët pa bashkëshortin, dhe beqarët që po i shërbejnë Jehovait, pavarësisht nga ndjenjat e vetmisë. Çfarë mëson nga këta? Meditimi për besnikërinë e tyre mund të të ndihmojë të tregosh qëndrueshmëri e të mos kesh frikë pavarësisht nga sprova.

Nuk duhet të frikësohemi jo vetëm kur hasim kundërshtim dhe përndjekje, por edhe kur fillojmë të dyshojmë për dashurinë e Jehovait. Duhet të zhvillojmë besimin se shpërblesa e Krishtit vlen për secilin prej nesh. (Galatasve 2:20) Kështu mund t’i afrohemi Jehovait pa u druajtur dhe pa u frikësuar më kot. Nëse ndihemi sikur nuk e meritojmë dashurinë e Jehovait, mund të mendojmë për fjalët që i tha Jezui ithtarëve të tij: «A nuk shiten dy harabela për një qindarkë? E megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie përtokë pa dijeninë e Atit tuaj. Megjithatë edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj, mos kini frikë: ju vleni më tepër se shumë harabela.»—Mateu 10:29-31.

Revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! shpesh botojnë përvoja të Dëshmitarëve të Jehovait në ditët e sotme të cilët i kanë kapërcyer sprovat pa pasur frikë. Kjo nuk do të thotë që nuk kanë pasur ndjenja negative për gjendjen e vështirë në të cilën ndodheshin. Por ata nuk lejuan që këto ndjenja të bëheshin shkak pengese në shërbimin që i bënin Jehovait. Artikujt e jetëshkrimeve mund të të ndihmojnë që edhe ti të qëndrosh i patundur. Le të shohim dy prej këtyre shembujve.

Aksidenti i ndryshon gjithë jetën

Në revistën Zgjohuni! të 22 prillit 2003, ishte një artikull me titull: «Një aksident më ndryshoi gjithë jetën.» Në atë artikull, Stenli Ombeva, një Dëshmitar i Jehovait nga Kenia, tregon për problemet që hasi pasi e shtypi një makinë që po ecte me shpejtësi. Ndërsa shëndeti i keqësohej, humbi punën dhe gjithë të mirat që vinin prej saj. «Kur e kuptova që po më rëndohej gjendja,—pranon vëlla Ombeva,—u bëra pesimist, i përqendruar te vetja dhe acarohesha shpejt. Nganjëherë zemërohesha dhe sillesha ashpër.» Por, pavarësisht nga këto probleme, ky i krishterë nuk u spraps. Ai nuk lejoi që ta mposhtte zhgënjimi dhe ta bënte që të dorëzohej plotësisht. Përkundrazi, ai u mbështet te Jehovai. Duke folur për Jehovain, vëlla Ombeva vazhdonte: «Ai më mbështeti gjithnjë në gjithçka që kalova, madje kaq shumë, saqë disa herë më vinte turp nga vetja. Prandaj vendosa që të lexoja e të meditoja për disa shkrime që e dija se ishin ngushëlluese për gjendjen që ndodhesha.»

Komentet e sinqerta të këtij vëllai forcuan shumë të tjerë që t’i përballonin pa frikë sprovat e tyre. «Qava kur e lexova këtë artikull,—shkroi një motër e krishterë. —E ndieja që gjatë gjithë artikullit Jehovai po më tregonte ngrohtësinë dhe kujdesin e tij të dashur, dhe po më ngushëllonte.» Një Dëshmitar tjetër shkruante: «Artikuj të tillë janë një inkurajim i vërtetë për ne që kalojmë përvoja të ngjashme dhe që vuajmë në heshtje.»

Kur luftojnë me problemet emocionale

Një përvojë tjetër prekëse është edhe ajo e Herbert Xheningsit që tregohet në artikullin me titull: «Nuk e dini se ç’do të bëhet nesër me jetën tuaj.» * Vëlla Xheningsi vuan nga çrregullimi bipolar. Duke sjellë ndër mend fillimet e sëmundjes së tij, ai thotë: «Ishte një luftë e vërtetë edhe të ndiqja mbledhjet e krishtere. Megjithatë, isha plotësisht i bindur për vlerën e shoqërisë frymore. Për ta përballuar këtë, zakonisht hyja në Sallën e Mbretërisë pasi të pranishmit ishin ulur dhe dilja prej saj para se të fillonin të gjallëroheshin në fund të programit.»

Edhe predikimi ishte shumë i vështirë për të. Ai tregon: «Disa herë, edhe pasi mbërrija te një shtëpi, nuk arrija dot të mblidhja veten për t’i rënë ziles. Megjithatë, nuk hiqja dorë, sepse e kuptoja që shërbimi ynë do të thotë shpëtim për ne dhe për ata që reagojnë në mënyrë të favorshme. (1 Timoteut 4:16) Pas pak minutash, arrija t’i sillja nën kontroll ndjenjat, kaloja në derën tjetër dhe përpiqesha prapë. Duke vazhduar të merrja pjesë në shërbim, mbajta një shëndet të arsyeshëm frymor, dhe kjo ma shtoi aftësinë për të përballuar situatën.»

Fjalët e sinqerta të vëlla Xheningsit ndihmuan shumë lexues që t’i përballonin problemet emocionale me të njëjtin guxim. Për shembull, një motër e krishterë shkroi: «Gjatë 28 vjetëve që kam lexuar revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! asgjë nuk më ka prekur kaq shumë sa ky artikull. Kisha ndërprerë shërbimin e plotkohor dhe ndihesha në faj, pasi mendoja se po të kisha pasur më shumë besim, mund të kisha vazhduar. Kur lexova për vëlla Xheningsin, që i ishte dashur të linte caktimin e tij që të kujdesej për shëndetin, kjo më ndihmoi që ta shihja situatën time në mënyrë të drejtpeshuar. Ishte përgjigjja e lutjeve të mia.»

Po kështu, një vëlla tjetër i krishterë shkruante: «Pasi kisha shërbyer për dhjetë vjet si plak kongregacioni, m’u desh të hiqja dorë nga ky privilegj për shkak të një sëmundjeje mendore. Ndjenja e dështimit ishte kaq e fortë brenda meje, sa e kisha tepër të vështirë të lexoja artikujt me jetëshkrime, të cilët shpesh tregojnë arritje të jashtëzakonshme të popullit të Jehovait. Por këmbëngulja e vëllait më dha vërtet zemër. Nuk mbahet mend sa herë e kam lexuar këtë artikull.»

Ecin përpara me besim

Ashtu si vëllezërit Ombeva dhe Xheningsi, shumë Dëshmitarë të Jehovait vazhdojnë me guxim ta adhurojnë Perëndinë Jehova pavarësisht nga pengesat shkurajuese. Nëse je një prej tyre, je për t’u përgëzuar. Të jesh i sigurt se: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij, duke qenë se u keni shërbyer të shenjtëve dhe vazhdoni t’u shërbeni.»—Hebrenjve 6:10.

Ashtu si ndihmoi popullin e tij besnik në kohët e lashta që të fitonin ndaj armiqve të tyre, Jehovai mund të të ndihmojë edhe ty që të triumfosh ndaj pengesave që mund të hasësh. Prandaj, merr zemër nga fjalët që Jehovai tha nëpërmjet profetit Isaia: «Mos ki frikë, se unë jam me ty. Mos i hidh sytë rreth e përqark, se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj. Unë do të të mbaj fort me të djathtën time të drejtësisë.»—Isaia 41:10.

[Shënimet]

^ par. 9 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figurat në faqen 16]

Ashtu si Stenli Ombeva (sipër) dhe Herbert Xheningsi (djathtas), shumë të tjerë po i shërbejnë Jehovait me guxim

[Burimi i figurës në faqen 14]

Foto e USAF