Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Varfëria: Gjendja e sotme

Varfëria: Gjendja e sotme

Varfëria: Gjendja e sotme

VISENTIN * e sheh shpesh duke tërhequr një karrocë të ngarkuar përmes rrugëve të San-Paulos, në Brazil. Ai mbledh kartona, pjesë metalike ose plastike të hedhura. Kur fillon të erret, ai shtron ca kartona poshtë karrocës dhe fle. Duket se është mësuar me zhurmën e makinave dhe të autobusëve në rrugën e zhurmshme ku kalon natën. Njëherë e një kohë kishte një punë, shtëpi, familje, por i humbi të gjitha. Tani e nxjerr bukën e gojës nëpër rrugë.

Mjerisht, ashtu si Visenti, miliona njerëz të tjerë në të gjithë botën, jetojnë në varfëri të tejskajshme. Në vendet në zhvillim, shumë janë të detyruar të jetojnë në rrugë ose në baraka. Lypësit,—të gjymtuarit, të verbrit, gratë që i japin gji foshnjave,—janë bërë diçka e zakonshme. Nëpër semaforë, fëmijët rendin midis makinave që kanë ndaluar duke u përpjekur të shesin diçka, me shpresë se do të fitojnë ndonjë kacidhe.

Është e vështirë të shpjegosh pse ekziston një varfëri e tillë. Revista angleze The Economist shkruante: «Raca njerëzore nuk ka qenë kurrë më e pasur apo më e pajisur me njohuri në mjekësi, më e aftë në teknologji dhe më inteligjente për të mposhtur varfërinë.» Sigurisht që shumë kanë përfituar nga ky përparim. Në disa qytete shumë të zhvilluara, rrugët janë plot me makina të reja vezulluese. Dyqanet janë plot e përplot me pajisje nga më të fundit, dhe sigurisht që as blerësit nuk mungojnë. Dy qendra tregtare në Brazil organizuan një reklamë të veçantë. Nuk i mbyllën fare dyqanet mbrëmjen e 23 dhjetorit 2004, deri në agim. Një nga këto qendra mori disa kërcimtarë për të argëtuar ata që vinin. Kjo ngjarje tërhoqi gati 500.000 klientë.

Megjithatë, një numër i madh njerëzish nuk përfitojnë nga pasuria që gëzojnë disa. Kontrasti i theksuar midis të pasurve dhe të varfërve i ka shtyrë shumë të arrijnë në përfundimin se varfëria duhet zhdukur pa humbur kohë. Revista braziliane Veja shkruante: «Sivjet [2005] lufta kundër varfërisë duhet të jetë e para në listën e problemeve botërore që duhen zgjidhur.» Kjo revistë fliste edhe për propozimin e një Plani Marshall të ri, që kishte për qëllim të ndihmonte vendet më të varfra, sidomos në Afrikë. * Megjithëse këto projekte krijojnë idenë e përparimit, e njëjta revistë shtonte: «Ka mjaft arsye për të dyshuar për rezultatin e tyre. Nëse shumica e vendeve ngurrojnë të japin kontributin e tyre, kjo ndodh sepse këto fonde rrallë arrijnë deri te njerëzit për ku janë dërguar.» Mjerisht, për shkak të korrupsionit dhe burokracive, një pjesë e mirë e fondeve të dhëna nga qeveri, agjenci ndërkombëtare dhe individë të ndryshëm nuk shkojnë kurrë te ata që kanë vërtet nevojë.

Jezui e dinte se varfëria do të ishte një problem i vazhdueshëm. Ai tha: «Të varfrit do t’i keni gjithmonë.» (Mateu 26:11) A do të thotë kjo se varfëria do të jetë gjithmonë pjesë e skenës botërore? Nuk mund të bëhet asgjë për të ndryshuar gjendjen? Çfarë mund të bëjnë të krishterët për të ndihmuar të varfrit?

[Shënimet]

^ par. 2 Emri është ndryshuar.

^ par. 5 Plani Marshall ishte një program i sponsorizuar nga SHBA-ja, i projektuar për të rimëkëmbur ekonominë evropiane pas Luftës II Botërore.