Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A jeni të përgatitur për të mbijetuar?

A jeni të përgatitur për të mbijetuar?

A jeni të përgatitur për të mbijetuar?

«Hyr në arkë ti dhe gjithë ata të shtëpisë sate, sepse kam parë se mes këtij brezi, ti je i drejtë para meje.»—ZANAFILLA 7:1.

1. Cilën masë mori Jehovai për mbijetesën e njerëzve në ditët e Noesë?

JEHOVAI «solli një përmbytje mbi një botë me njerëz të paperëndishëm» në ditët e Noesë, por gjithashtu mori masa që disa të mbijetonin. (2 Pjetrit 2:5) Perëndia i vërtetë i dha Noesë së drejtë udhëzime të qarta se si të ndërtonte një arkë, që të shpëtonte jetën në një përmbytje globale që do të vinte. (Zanafilla 6:14-16) Siç do të pritnim nga një shërbëtor i bindur i Jehovait, «Noeja veproi në përputhje me të gjitha ato që i urdhëroi Perëndia». Po, «ai bëri pikërisht ashtu». Pjesërisht për shkak të bindjes së Noesë, jemi gjallë sot.—Zanafilla 6:22.

2, 3. (a) Si reaguan bashkëkohësit e Noesë ndaj veprimtarisë së tij? (b) Me çfarë sigurie hyri në arkë Noeja?

2 Ndërtimi i arkës nuk ishte i lehtë. Me siguri, shumë njerëz do të jenë mahnitur kur kanë parë ç’po bënte Noeja dhe familja e tij. Megjithatë, as kjo nuk mjaftoi për t’i bindur se do të shpëtonin vetëm po të hynin në arkë. Së fundi, Perëndisë iu sos durimi me atë botë të ligë.—Zanafilla 6:3; 1 Pjetrit 3:20.

3 Pasi Noeja dhe familja e tij punuan me zell e pa u lodhur për disa dhjetëvjeçarë, Jehovai i tha: «Hyr në arkë ti dhe gjithë ata të shtëpisë sate, sepse kam parë se mes këtij brezi, ti je i drejtë para meje.» Me besim te fjala e Jehovait, «Noeja hyri në arkë bashkë me bijtë, me gruan e tij dhe me gratë e bijve të tij». Jehovai e mbylli derën e arkës, për të mbrojtur adhuruesit e tij. Kur Përmbytja erdhi mbi tokë, arka që siguroi Perëndia ishte vërtet një mjet i sigurt, sepse njerëzit që ishin brenda mbijetuan.—Zanafilla 7:1, 7, 10, 16.

Paralele të ditëve të sotme me ditët e Noesë

4, 5. (a) Me çfarë e krahasoi Jezui kohën e pranisë së tij? (b) Cilat paralele ekzistojnë mes ditëve të Noesë dhe ditëve tona?

4 «Ashtu siç ishin ditët e Noesë, ashtu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut.» (Mateu 24:37) Me këto fjalë, Jezui tregoi se koha e pranisë së tij të padukshme do të ishte e ngjashme me kohën e Noesë, e kështu ka qenë vërtet. Sidomos që nga viti 1919 e më tej, njerëzve të të gjitha kombeve u është dhënë një mesazh paralajmërues i ngjashëm me atë që shpalli Noeja. Në përgjithësi, reagimi i tyre ka qenë i ngjashëm me reagimin e njerëzve në ditët e Noesë.

5 Me anë të Përmbytjes, Jehovai i dha fund një bote që ishte «plot dhunë». (Zanafilla 6:13) Për të gjithë njerëzit që e shihnin Noenë dhe familjen e tij, ishte e qartë se ata nuk merrnin fare pjesë në dhunë, por vazhdonin paqësisht punën e tyre për ndërtimin e arkës. Edhe këtu shohim një paralele me ditët tona. Njerëzit e sinqertë tani mund ta shohin «dallimin mes të drejtit dhe të ligut, mes atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben». (Malakia 3:18) Ndershmëria, mirëdashja, paqja dhe zelli që shfaqin Dëshmitarët e Jehovait, admirohen nga njerëzit që s’kanë paragjykime dhe janë cilësi që e dallojnë popullin e Perëndisë nga bota në përgjithësi. Dëshmitarët e shmangin dhunën në çfarëdolloj forme dhe lejojnë që t’i udhëheqë fryma e Jehovait. Ja përse janë bekuar me paqe dhe përse ndjekin një rrugë të drejtë.—Isaia 60:17.

6, 7. (a) Çfarë nuk arritën të kuptonin njerëzit në ditët e Noesë, dhe si është e ngjashme sot situata? (b) Cilët shembuj tregojnë se, në përgjithësi, njerëzit e pranojnë se Dëshmitarët e Jehovait janë ndryshe nga të tjerët?

6 Bashkëkohësit e Noesë nuk e kuptuan se Noeja kishte mbështetjen e Perëndisë dhe po vepronte sipas drejtimit që i jepte Ai. Prandaj, nuk e morën seriozisht predikimin e tij dhe nuk vepruan sipas mesazhit paralajmërues që shpalli. Po sot? Edhe pse shumë vetave u bën përshtypje vepra dhe sjellja e Dëshmitarëve të Jehovait, pjesa më e madhe nuk e marrin seriozisht lajmin e mirë dhe paralajmërimet e Biblës. Fqinjët, punëdhënësit ose të afërmit ndoshta thonë fjalët më të mira për cilësitë e shkëlqyera të të krishterëve të vërtetë, po pastaj qahen: «Ah, sikur të mos ishin Dëshmitarë të Jehovait!» Ajo që shpërfillin këta njerëz është se Dëshmitarët i shfaqin cilësi të tilla, si dashuria, paqja, mirëdashja, mirësia, butësia dhe vetëkontrolli, vetëm sepse udhëhiqen nga fryma e shenjtë e Perëndisë. (Galatasve 5:22-25) Ky fakt duhej t’i bënte njerëzit që ta besonin më shumë mesazhin e tyre.

7 Në Rusi, për shembull, Dëshmitarët e Jehovait po ndërtonin një Sallë Mbretërie. Një burrë që ndaloi për të folur me një nga punëtorët, tha: «Sa i çuditshëm ky kantier: s’pinë duhan, nuk thonë fjalë të rënda dhe të tërë janë esëll! Mos je gjë Dëshmitar i Jehovait?» Punëtori e pyeti: «Po të të thosha jo, a do të më besoje?» Burri u përgjigj menjëherë: «Jo, s’do të të besoja.» Në një qytet tjetër të Rusisë, kryetarit të bashkisë i bëri shumë përshtypje kur pa Dëshmitarët teksa ndërtonin Sallën e re të Mbretërisë. Ai tha se më parë i kishte konsideruar të gjitha grupet fetare njësoj, por, kur pa altruizmin e sinqertë të Dëshmitarëve të Jehovait, ndryshoi mendim. Këta janë vetëm dy shembuj që tregojnë se populli i Jehovait ndryshon nga ata që nuk u përmbahen normave të Biblës.

8. Nga se varet mbijetesa jonë në fundin e kësaj bote të ligë?

8 Para se të merrte fund ‘bota e lashtë’ që u zhduk nga Përmbytja, Noeja shërbeu me besnikëri si ‘predikues i drejtësisë’. (2 Pjetrit 2:5) Në këto ditë të fundit të sistemit të tanishëm, populli i Jehovait po i bën të njohura normat e Tij të drejta dhe po shpall lajmin e mirë se njerëzit kanë mundësi të mbijetojnë e të hyjnë në botën e re. (2 Pjetrit 3:9-13) Noeja dhe familja e tij me frikë Perëndie shpëtuan ngaqë ishin brenda në arkë. Po kështu, mbijetesa e njerëzve sot varet nga besimi i tyre dhe nga shoqërimi me besnikëri me pjesën tokësore të organizatës universale të Jehovait.

Besimi është një kërkesë për të mbijetuar

9, 10. Pse besimi është i domosdoshëm, për të mbijetuar në fundin e sistemit të Satanait?

9 Çfarë duhet të bëjë një njeri për të mbijetuar në shkatërrimin që po i kanoset kësaj bote, e cila dergjet nën pushtetin e Satanait? (1 Gjonit 5:19) Së pari, ai duhet të kuptojë se ka nevojë për mbrojtje. Pastaj duhet të përfitojë nga kjo mbrojtje. Në ditët e Noesë, njerëzit vazhduan me jetën e tyre të përditshme si gjithnjë dhe nuk e kuptuan se u nevojitej mbrojtje nga katastrofa që po kanosej. U mungonte diçka tjetër: besimi te Perëndia.

10 Kurse Noeja dhe familja e tij e kuptuan se kishin nevojë për mbrojte e për çlirim. Gjithashtu, treguan besim te Sovrani Universal, Perëndia Jehova. Apostulli Pavël shkroi: «Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh [Jehovait], sepse kush i afrohet Perëndisë, duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.» Pastaj shtoi: «Me anë të besimit, Noeja, pasi u paralajmërua hyjnisht për gjëra që ende nuk shiheshin, tregoi frikë Perëndie dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së vet. Nëpërmjet këtij besimi, ai dënoi botën dhe u bë trashëgimtar i drejtësisë, që është sipas besimit.»—Hebrenjve 11:6, 7.

11. Ç’mund të mësojmë nga mënyra se si ka siguruar mbrojtje Jehovai në të kaluarën?

11 Që të mbijetojmë në fundin e sistemit të tanishëm të lig, nuk mjafton vetëm të besojmë se ky sistem do të shkatërrohet. Duhet të kemi besim te masat që ka marrë Perëndia për mbijetesë dhe ta tregojmë këtë besim duke i përdorur plotësisht këto masa. Natyrisht, duhet të tregojmë besim në flijimin shpërblyes të Birit të Perëndisë, Jezu Krishtit. (Gjoni 3:16, 36) Megjithatë, duhet të mbajmë në mend se vetëm ata që ishin brenda në arkën e Noesë, mbijetuan nga Përmbytja. Në mënyrë të ngjashme, qytetet e strehimit në Izraelin e lashtë i siguronin mbrojtje atij që vriste padashur dikë, por vetëm nëse shkonte me të shpejtë në një nga ato qytete dhe qëndronte brenda derisa të vdiste kryeprifti. (Numrat 35:11-32) Në plagën e dhjetë që ra mbi Egjiptin në kohën e Moisiut, të parëlindurit e egjiptianëve u vranë, kurse të parëlindurit e izraelitëve jo. Përse? Jehovai e kishte udhëzuar Moisiun: «[Izraelitët] të marrin ca gjak [nga qengji i Pashkës] e të spërkatin me të dy shtalkat dhe pjesën e sipërme të hyrjes së shtëpive ku do të hanë. . . . Askush të mos dalë nga dera e shtëpisë deri në mëngjes.» (Dalja 12:7, 22) Cili i parëlindur izraelit do të guxonte t’i shpërfillte këto udhëzime të Perëndisë e të dilte nga shtëpia e shënuar me gjakun e spërkatur në dy shtalkat dhe në pjesën e sipërme të hyrjes?

12. Cilën pyetje duhet t’i bëjë vetes secili nga ne, dhe përse?

12 Prandaj, duhet të mendojmë me kujdes për situatën në të cilën ndodhemi personalisht. Ç’të themi për rregullin që ka vendosur Jehovai për mbrojtje frymore; a jemi «brenda» tij? Kur të godasë shtrëngimi i madh, në sytë e atyre që kanë kërkuar këtë mbrojtje do të ketë lot gëzimi e mirënjohjeje. Për të tjerë, do të ketë vetëm lot hidhërimi e keqardhjeje.

Përmirësimet e vazhdueshme na përgatitin

13. (a) Për çfarë qëllimi kanë shërbyer përmirësimet organizative? (b) Shpjegoni disa nga përmirësimet e vazhdueshme që janë bërë.

13 Jehovai ka bërë përmirësime të vazhdueshme në pjesën tokësore të organizatës së tij. Këto kanë shërbyer për ta zbukuruar, për ta bërë më të qëndrueshëm dhe për ta forcuar rregullin që ka vendosur ai për mbrojtjen tonë frymore. Nga vitet 1870 e deri në vitin 1932, pleqtë dhe dhjakët zgjidheshin me vota nga anëtarët e kongregacionit. Në vitin 1932, pleqtë e zgjedhur me vota u zëvendësuan nga një komitet shërbimi i zgjedhur nga kongregacioni, që do të ndihmonte një drejtues shërbimi të emëruar. Gjatë vitit 1938, u morën masa që të gjithë shërbëtorët në kongregacion të emëroheshin në mënyrë teokratike. Nën drejtimin e Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, që nga viti 1972, bëhen rekomandime dhe, nëse miratohen, kongregacionet marrin letra ku mbikëqyrësit dhe shërbëtorët ndihmës emërohen në mënyrë teokratike. Gjatë viteve, pesha e punës që bën Trupi Udhëheqës është rritur shumë dhe janë bërë disa ndryshime për t’ia lehtësuar punën.

14. Cili program stërvitjeje filloi në vitin 1959?

14 Në vitin 1950 u bë një shqyrtim i kujdesshëm i Psalmit 45:16, që më pas i dha shtysë një programi stërvitjeje i cili vazhdon edhe sot. Në këtë shkrim thuhet: «Në vend të paraardhësve të tu, do të jenë bijtë e tu, që ti do t’i emërosh si princa në mbarë tokën.» Pleqtë që po marrin drejtimin në kongregacion, po stërviten për detyra teokratike të sotme dhe për ato pas Harmagedonit. (Zbulesa 16:14, 16) Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë filloi në vitin 1959. Në atë kohë, përbëhej nga një kurs njëmujor që ishte kryesisht për shërbëtorët e kongregacionit, siç quheshin atëherë mbikëqyrësit drejtues. Tani kjo shkollë është zgjeruar dhe ofron udhëzime për gjithë mbikëqyrësit dhe shërbëtorët ndihmës. Këta vëllezër më pas marrin drejtimin për të stërvitur Dëshmitarët e Jehovait në kongregacionet ku shërbejnë. Kështu, të gjithë marrin ndihmë frymore dhe ndihmohen që të shtojnë efektshmërinë në shërbim, si lajmëtarë të lajmit të mirë të Mbretërisë.—Marku 13:10.

15. Cilat janë dy mënyra se si ruhet pastërtia e kongregacionit të krishterë?

15 Individët që duan të bëhen pjesë e kongregacionit të krishterë duhet të plotësojnë disa kërkesa. Është logjike që të mbahen jashtë tij tallësit e ditëve të sotme, ashtu siç nuk gjetën vend njerëz të tillë në arkën e Noesë. (2 Pjetrit 3:3-7) Sidomos që nga viti 1952, Dëshmitarët e Jehovait kanë përkrahur gjithnjë e më shumë një masë që ndihmon për të mbrojtur kongregacionin, domethënë përjashtimin e mëkatarëve të papenduar. Sigurisht, keqbërësit që pendohen vërtet, ndihmohen me dashuri që ‘të bëjnë shtigje të drejta për këmbët e tyre’.—Hebrenjve 12:12, 13; Proverbat 28:13; Galatasve 6:1.

16. Cila është gjendja frymore e popullit të Jehovait?

16 Nuk është për t’u habitur, dhe as e rastësishme, që populli i Jehovait gëzon një gjendje të begatë frymore. Me anë të profetit Isaia, Jehovai tha: «Ja, shërbëtorët e mi do të hanë, kurse ju do të keni uri. Shërbëtorët e mi do të pinë, kurse ju do të keni etje. Shërbëtorët e mi do të gëzojnë, kurse juve do t’ju vijë turp. Shërbëtorët e mi do të lëshojnë britma gëzimi për gjendjen e mirë të zemrës, kurse ju do të bërtitni nga dhembja që do të ndieni në zemër dhe do të ulërini për shkak të frymës së dërrmuar.» (Isaia 65:13, 14) Jehovai vazhdon të na sigurojë me bollëk ushqim frymor të shëndetshëm e në kohën e duhur, që na mban të fortë frymësisht.—Mateu 24:45.

Jini të përgatitur për të mbijetuar

17. Çfarë do të na ndihmojë të përgatitemi për të mbijetuar?

17 Si kurrë më parë, sot është koha «të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjet tona, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin». (Hebrenjve 10:23-25) Nëse qëndrojmë të lidhur ngushtë me një nga më shumë se 98.000 kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe jemi aktivë në të, do të jemi të përgatitur për të mbijetuar. Do të kemi mbështetjen e bashkëbesimtarëve ndërsa përpiqemi të shfaqim «personalitetin e ri» dhe bëjmë me gjithë zemër përpjekje për të ndihmuar të tjerët që të mësojnë rreth masës që ka marrë Jehovai për shpëtim.—Efesianëve 4:22-24; Kolosianëve 3:9, 10; 1 Timoteut 4:16.

18. Përse jeni të vendosur të qëndroni të lidhur ngushtë me kongregacionin e krishterë?

18 Satanai dhe bota e tij e ligë duan me çdo kusht të na joshin e të na largojnë nga kongregacioni i krishterë. Megjithatë, ne mund të mbetemi pjesë e kongregacionit dhe të mbijetojmë në fundin e sistemit të tanishëm të lig. Le të na nxitë dashuria për Jehovain dhe mirënjohja për masat e tij të dashura, që të jemi më të vendosur se kurrë për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Satanait. Kjo vendosmëri na bëhet edhe më e fortë kur meditojmë për bekimet që kemi tani. Disa nga këto bekime do t’i shqyrtojmë në artikullin vijues.

Si do të përgjigjeshit?

• Cilat paralele ekzistojnë mes ditëve tona dhe ditëve të Noesë?

• Cila cilësi është thelbësore për të mbijetuar?

• Cilat përmirësime të vazhdueshme e kanë forcuar rregullin që ka vendosur Jehovai për mbrojtjen tonë?

• Si mund të përgatitet për të mbijetuar secili nga ne?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 22]

Bashkëkohësit e Noesë nuk e morën atë seriozisht

[Figura në faqen 23]

Ia vlen t’i marrim seriozisht paralajmërimet e Perëndisë

[Figura në faqen 24]

Për cilin qëllim shërben Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë?

[Figura në faqen 25]

Tani është koha të qëndrojmë të lidhur ngushtë me kongregacionin e krishterë