Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A keni «lirshmëri në të folur»?

A keni «lirshmëri në të folur»?

A keni «lirshmëri në të folur»?

MË SHUMË se gjashtë milionë njerëz në 235 vende kanë atë që Bibla e quan «lirshmëri në të folur». Kjo shprehje ose variante të saj dalin 16 herë në Shkrimet e Krishtere Greke të botimit Shkrimet e Shenjta, Përkthimi Bota e Re. (Filipianëve 1:20; 1 Timoteut 3:13; Hebrenjve 3:6; 1 Gjonit 3:21) Çfarë do të thotë ‘të flasim me lirshmëri’? Çfarë do të na ndihmojë që ta fitojmë këtë lirshmëri? Në cilat fusha të komunikimit na ndihmon ajo që të shprehemi pa pengesë?

Sipas fjalorit të Vajnit, (Vine’s Expository Dictionary of Old and New Testament Words), fjala greke për shprehjen «lirshmëri në të folur» tregon «liri fjale, të shprehurit pa rezerva, . . . mungesën e frikës për të folur me guxim; pra, sigurinë, kurajën e madhe, guximin, që nuk ka lidhje medoemos me të folurit si veprim». Megjithatë, kjo lirshmëri nuk duhet ngatërruar me të folurit troç ose të pasjellshëm. «Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir»,—thotë Bibla. (Kolosianëve 4:6) Lirshmëria në të folur do të thotë të flasim me takt, por gjithsesi të mos lejojmë që rrethanat e vështira ose frika nga njeriu të na pengojë të flasim.

A është një e drejta jonë e lindur lirshmëria në të folur? Shikoni se çfarë u shkroi apostulli Pavël të krishterëve në Efes. Ai tha: «Mua, më të voglit nga të gjithë të shenjtët, m’u dha kjo dashamirësi e pamerituar, që t’u shpall kombeve lajmin e mirë lidhur me pasurinë e papërshkrueshme të Krishtit.» Pavli shtoi se, vetëm me anë të Jezu Krishtit, ne «kemi lirshmëri në të folur dhe mundësi që, nëpërmjet besimit tonë tek ai, t’i afrohemi me siguri Perëndisë». (Efesianëve 3:8-12) Lirshmëria në të folur nuk është një e drejtë që na takon që nga lindja, por vjen nga marrëdhënia që kemi me Perëndinë Jehova, në bazë të besimit te Jezu Krishti. Le të shohim çfarë mund të na ndihmojë që të fitojmë këtë liri dhe si mund ta shfaqim kur predikojmë, kur mësojmë të tjerët dhe kur lutemi.

Çfarë na ndihmon të predikojmë me guxim?

Jezu Krishti la shembullin kryesor si një njeri që fliste me lirshmëri. Zelli e shtynte Jezuin të përfitonte nga çdo mundësi për të predikuar. Nuk la t’i ikte asnjë rast pa folur për Mbretërinë e Perëndisë, pavarësisht se çfarë ishte duke bërë: pushonte, ishte i ftuar në shtëpinë e dikujt ose ecte rrugës. As tallja dhe as kundërshtimi i hapur nuk e frikësonin Jezuin e ta bënin të heshtte. Përkundrazi, i demaskoi me guxim udhëheqësit e rremë fetarë të kohës së tij. (Mateu 23:13-36) Edhe kur e arrestuan dhe i bënë gjyqin, Jezui foli pa u trembur.—Gjoni 18:6, 19, 20, 37.

Apostujt e Jezuit fituan të njëjtën lirshmëri në të folur. Në festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., Pjetri foli me lirshmëri para një turme me më shumë se 3.000 veta. Me interes është se, vetëm pak kohë më parë, ai ishte sprapsur nga frika kur një shërbëtore e kishte dalluar cili ishte. (Marku 14:66-71; Veprat 2:14, 29, 41) Ndërsa, kur i çuan para udhëheqësve fetarë, Pjetri dhe Gjoni nuk u strukën nga frika. Pa asnjë pikë ngurrimi, ata dëshmuan me guxim për Jezu Krishtin e ringjallur. Në fakt, pikërisht ngaqë Pjetri dhe Gjoni flitnin me guxim, udhëheqësit fetarë kuptuan se ata kishin qenë me Jezuin. (Veprat 4:5-13) Çfarë i ndihmoi të flitnin me kaq guxim?

Jezui u kishte premtuar apostujve të tij: «Kur t’ju dorëzojnë, mos jini në ankth se si do të flitni ose ç’do të thoni, mbasi në atë çast do t’ju jepet se ç’keni për të thënë, sepse nuk do të flitni ju, por fryma e Atit tuaj do të flasë nëpërmjet jush.» (Mateu 10:19, 20) Fryma e shenjtë e ndihmoi Pjetrin dhe të tjerë që të kapërcenin çfarëdo druajtjeje ose frike që mund t’i kishte penguar të flitnin lirshëm. Ndikimi i kësaj force të fuqishme mund të na ndihmojë edhe ne.

Gjithashtu, Jezui u dha ithtarëve të tij detyrën për të bërë dishepuj. Kjo ishte e përshtatshme, sepse Atij i është dhënë «çdo autoritet në qiell dhe në tokë». Veç kësaj, ‘ai është me ta’. (Mateu 28:18-20) Ngaqë e dinin se kishin përkrahjen e Jezuit, dishepujt e hershëm ndiheshin të sigurt kur përballeshin me autoritetet që ishin të vendosura ta ndalnin predikimin. (Veprat 4:18-20; 5:28, 29) Kjo dijeni mund të na ndihmojë njësoj edhe ne.

Duke treguar edhe një arsye tjetër pse flasim me lirshmëri, Pavli e lidhi shpresën me ‘lirshmërinë e madhe në të folur’. (2 Korintasve 3:12; Filipianëve 1:20) Mesazhi i shpresës ishte aq i mrekullueshëm sa të krishterët nuk mund ta mbanin për vete, prandaj duhej t’u tregonin të tjerëve për të. Po, vërtet, shpresa jonë përbën një bazë për të folur me lirshmëri.—Hebrenjve 3:6.

Predikojmë me guxim

Si të predikojmë me guxim edhe në rrethana që mund të na frikësojnë? Shqyrtoni shembullin e apostullit Pavël. Kur ishte i burgosur në Romë, ai u kërkoi bashkëbesimtarëve të luteshin që ‘kur të hapte gojën, t’i jepej aftësia për të folur, që të fliste me guxim, siç duhej të fliste’. (Efesianëve 6:19, 20) A morën përgjigje ato lutje? Po! Ndërkohë që ishte i burgosur, Pavli vazhdoi ta «predikonte mbretërinë e Perëndisë . . . me shumë lirshmëri fjale, pa asnjë pengesë».—Veprat 28:30, 31.

Lirshmëria jonë në të folur mund të vihet në provë kur duam të përfitojmë nga rastet për të dhënë dëshmi në punë, në shkollë ose kur udhëtojmë. Druajtja, frika nga reagimi që mund të hasim ose kur nuk kemi besim në aftësitë tona, mund të na bëjë të heshtim. Edhe në këtë drejtim, apostulli Pavël lë një shembull të mirë. «Morëm guxim nga Perëndia t’ju thoshim lajmin e mirë të Perëndisë mes shumë përpjekjesh»,—shkroi ai. (1 Selanikasve 2:2) Vetëm ngaqë u mbështet te Jehovai, Pavli arriti të bënte atë që s’do ta kishte bërë dot vetë.

Lutja e ndihmoi një grua me emrin Sheri të merrte guximin të fliste kur iu paraqit një rast për të dhënë dëshmi joformale. Një ditë, ndërsa priste të shoqin të kthehej nga një takim, ajo pa se një grua tjetër po priste gjithashtu. «M’u mblodh një lëmsh në grykë nga sikleti, por iu luta Jehovait për guxim»,—tha ajo. Ndërkohë që iu afrua gruas, erdhi një pastor baptist. Sheri nuk e kishte menduar se do të takonte një klerik, megjithatë u lut prapë dhe arriti të jepte dëshmi. I la literaturë gruas dhe vendosën të takoheshin përsëri. Kur përfitojmë nga mundësitë për të dhënë dëshmi, mund të jemi të sigurt se do të flasim me lirshmëri, ngaqë mbështetemi te Jehovai.

Kur mësojmë të tjerët

Lirshmëria në të folur lidhet ngushtësisht me mësimdhënien. Në lidhje me «burrat që shërbejnë në mënyrë të shkëlqyer» në kongregacion, Bibla thotë: «[Ata] fitojnë një qëndrim të mirë dhe lirshmëri të madhe në të folur, në lidhje me besimin në Krishtin Jezu.» (1 Timoteut 3:13) E fitojnë këtë lirshmëri në të folur duke e zbatuar vetë atë që u mësojnë të tjerëve. Kjo e mbron dhe e forcon kongregacionin.

Kur kemi lirshmëri fjale në këtë mënyrë, këshillat tona janë më të efektshme dhe të tjerët ka më shumë të ngjarë t’i zbatojnë. Kështu dëgjuesit nuk shpërqendrohen nga shembulli i keq, por marrin zemër duke parë zbatimin në praktikë të asaj që po u mësohet. Kjo lirshmëri u jep mundësi atyre që kanë kualifikime frymore ‘ta ndreqin vëllanë e tyre’, para se problemi të keqësohet. (Galatasve 6:1) Përkundrazi, një njeri që po lë një shembull negativ mund të ngurrojë të këshillojë dikë, sepse e ndien që nuk ka të drejtë të flasë. Kjo vonesë për të dhënë këshillat e nevojshme mund të çojë në pasoja shkatërrimtare.

Të folurit me guxim nuk do të thotë të bëhemi kritikë, dogmatikë ose mendjengushtë. Pavli i bëri thirrje Filemonit «në bazë të dashurisë». (Filemonit 8, 9) E me sa duket, fjalët e apostullit ndikuan për mirë. Po, çdo këshillë që jep një plak duhet të ketë si bazë dashurinë.

Lirshmëria në të folur patjetër që është jetësore kur jepen këshilla. Por, është e rëndësishme edhe në raste të tjera. Pavli i shkroi kongregacionit në Korint: «Mund t’ju flas me shumë lirshmëri. Kam shumë me se të mburrem për ju.» (2 Korintasve 7:4) Pavli nuk ua kursente lavdërimin vëllezërve dhe motrave të tij, kur ata e meritonin. Dashuria e nxiste të përqendrohej te cilësitë e mira të bashkëbesimtarëve, ndonëse ishte në dijeni të mangësive të tyre. Edhe sot, kongregacioni i krishterë ndërtohet kur pleqtë i lavdërojnë lirshëm dhe u japin zemër vëllezërve e motrave.

Për të qenë të efektshëm në mësimdhënie, të gjithë të krishterët duhet të kenë lirshmëri në të folur. Sheri, e përmendur më sipër, donte t’i nxiste fëmijët e vet që të jepnin dëshmi në shkollë. Por ajo pranon: «Edhe pse unë vetë u rrita në të vërtetën, rrallë jepja dëshmi në shkollë. E veç kësaj, rrallë jap dëshmi joformale. Pyeta veten: ‘Çfarë shembulli po u lë fëmijëve të mi?’» Kjo e shtyu Sherin të bënte edhe më shumë përpjekje për të dhënë dëshmi joformale.

Po, të tjerët i shohin veprat tona dhe e kuptojnë kur nuk po e zbatojmë vetë atë që u mësojmë. Atëherë, le të fitojmë lirshmëri në të folur duke u përpjekur që veprat tona të jenë në përputhje me fjalët që themi.

Në lutje

Është veçanërisht e rëndësishme të kemi lirshmëri kur i lutemi Jehovait. Pa druajtje, mund t’i hapim zemrën Jehovait, me sigurinë se ai i dëgjon lutjet tona dhe do t’u përgjigjet. Kështu gëzojmë një marrëdhënie të ngushtë e të përzemërt me Atin tonë qiellor. Kurrë nuk duhet të ngurrojmë t’i afrohemi Jehovait, duke menduar se jemi tepër të parëndësishëm. Po sikur të kemi ndjenja faji për ndonjë mangësi ose mëkat tonin, e këto të na pengojnë të shprehemi nga zemra? A mund t’i afrohemi gjithsesi lirisht Sovranit të universit?

Pozita e lartësuar e Jezuit si Kryeprift na jep një bazë të mëtejshme për të qenë të sigurt kur lutemi. Te Hebrenjve 4:15, 16 lexojmë: «Ne nuk kemi si kryeprift një njeri që nuk bashkohet dot me ndjenjat tona në dobësitë që kemi, por dikë që është sprovuar në çdo aspekt si ne, por pa mëkat. Prandaj, le t’i afrohemi me lirshmëri në të folur fronit të dashamirësisë së pamerituar, që të marrim mëshirë e të gjejmë dashamirësi të pamerituar, për ndihmë në kohën e duhur.» Ja se çfarë vlere ka vdekja e Jezuit dhe roli i tij si Kryeprift!

Nëse përpiqemi me ngulm t’i bindemi Jehovait, kemi çdo arsye të shpresojmë se do të na dëgjojë me miratim. Apostulli Gjon shkroi: «Të dashur, nëse zemra jonë nuk na dënon, mund të flasim me lirshmëri me Perëndinë, dhe çdo gjë që kërkojmë, e marrim nga ai, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që janë të pëlqyeshme në sytë e tij.»—1 Gjonit 3:21, 22.

Të mos jemi të kufizuar kur i lutemi Jehovait do të thotë që mund t’i themi çdo gjë. Çfarëdo frike të kemi, çfarëdo meraku, ankthi ose pasigurie, mund t’ia themi Jehovait, të sigurt se ai kurrë nuk do t’i mbyllë veshët ndaj lutjeve tona të sinqerta. Edhe nëse kemi mëkatuar rëndë, faji nuk ka pse të na bllokojë kur shprehemi në lutje, nëse jemi penduar sinqerisht.

Dhurata e pamerituar e lirshmërisë në të folur është vërtet e çmuar. Me të mund t’i japim lavdi Perëndisë në predikim e në mësimdhënie dhe mund t’i afrohemi gjithnjë e më shumë në lutje. Le ‘të mos e flakim tej lirshmërinë në të folur, e cila sjell një shpërblim të madh’, shpërblimin e jetës së përhershme.—Hebrenjve 10:35.

[Figura në faqen 13]

Apostulli Pavël fliste me guxim

[Figurat në faqen 15]

Mësimdhënia e efektshme kërkon lirshmëri në të folur

[Figura në faqen 16]

Është thelbësore të kemi lirshmëri në të folur, kur lutemi