Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Beteja i përket Jehovait»

«Beteja i përket Jehovait»

«Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve»

«Beteja i përket Jehovait»

DY USHTRI armike janë përballë njëra-tjetrës, në dy anët e një lugine. Për 40 ditë, burrat e Izraelit dridhen tërë frikë dhe bombardohen nga fyerjet e Goliadit, kampionit të filistinëve.—1 Samuelit 17:1-4, 16.

Goliadi i sfidon izraelitët duke u thirrur: «Zgjidhni një burrë dhe le të zbresë ai tek unë. Nëse është në gjendje të luftojë me mua dhe më vret, atëherë ne do të bëhemi shërbëtorët tuaj. Por nëse unë arrij ta vras, atëherë ju do të bëheni shërbëtorët tanë dhe do të na shërbeni. . . . Sot unë po sfidoj forcat ushtarake të Izraelit. Më jepni një burrë dhe le të luftojmë me njëri-tjetrin!»—1 Samuelit 17:8-10.

Në kohët e lashta, nuk ishte e pazakontë që ushtritë të përfaqësoheshin nga kampionë që bënin dyluftime. Fitorja e betejës i takonte palës së atij që fitonte dyluftimin. Por ky luftëtar që po sfidon Izraelin nuk është një ushtar i zakonshëm. Është një gjigant i madh, një kundërshtar i egër dhe i frikshëm. Megjithatë, me talljet që i bën ushtrisë së popullit të Jehovait, Goliadi firmos fundin e tij.

Kjo nuk është thjesht një betejë ushtarake. Sfida është mes Jehovait dhe perëndive të filistinëve. Por, në vend që të tregohet i guximshëm e ta udhëheqë ushtrinë e tij kundër armiqve të Perëndisë, mbreti Saul i Izraelit është paralizuar nga frika.—1 Samuelit 17:11.

Një i ri që ka besim te Jehovai

Gjatë kësaj kohe, një i ri që tashmë është mirosur për t’u bërë mbret i Izraelit, shkon të takojë vëllezërit e tij në ushtrinë e Saulit. Emrin e ka David. Kur dëgjon fjalët e Goliadit, ai pyet: «Kush na qenka ky filistin i parrethprerë që sfidoka forcat ushtarake të Perëndisë së gjallë?!» (1 Samuelit 17:26) Për Davidin, Goliadi paraqet jo vetëm filistinët, por edhe perënditë e tyre. I mbushur me të drejtë me indinjatë, Davidi shpreh dëshirën që të mbrojë emrin e Jehovait e të Izraelit dhe të luftojë me gjigantin pagan. Por mbreti Saul i thotë: «Ti nuk je në gjendje të luftosh kundër këtij filistini, sepse ti s’je veçse një djalosh.»—1 Samuelit 17:33.

Sa ndryshon pikëpamja që ka Sauli nga ajo e Davidit! Sauli sheh vetëm një bari të vogël që dëshiron të luftojë me një gjigant mizor. Kurse Davidi sheh te Goliadi një njeri që po sfidon Zotërinë Sovran Jehova. Davidi e ka këtë guxim sepse është i bindur se Perëndia nuk do të lejojë që dikush të tallet me emrin e Tij dhe me popullin e Tij e të shpëtojë pa u ndëshkuar. Ndërkohë që Goliadi mburret me forcën e vet, Davidi e ka sigurinë te Jehovai, duke e peshuar gjendjen nga pikëpamja e Perëndisë.

«Unë po vij në emër të Jehovait»

Besimi i Davidit është me themele të forta. Ai e mban mend se Perëndia e ndihmoi të çlironte delet nga një ari e një luan. Djaloshi bari është i sigurt se edhe tani Jehovai do ta ndihmojë që të mundë këtë kundërshtar të frikshëm filistin. (1 Samuelit 17:34-37) I armatosur vetëm me një hobe dhe pesë gurë të lëmuar, Davidi i del përpara Goliadit.

Djaloshi David vendos ta marrë përsipër këtë sfidë në dukje të pamundur, me forcën që jep Jehovai. Me guxim, ai i thotë filistinit: «Ti po vjen me shpatë, heshtë dhe ushtë, kurse unë po vij në emër të Jehovait të ushtrive, Perëndisë së forcave ushtarake të Izraelit, të cilin ti e ke sfiduar. Sot Jehovai do të të dorëzojë në dorën time . . . . Gjithë dheu do ta marrë vesh se Izraeli ka një Perëndi. Tërë ky kongregacion do ta marrë vesh se Jehovai nuk shpëton as me shpatë e as me heshtë, sepse beteja i përket Jehovait.»—1 Samuelit 17:45-47.

Cili është përfundimi? Tregimi i frymëzuar vazhdon: «Davidi, me një hobe e një gur doli më i fortë se filistini, e goditi atë dhe e vrau. Davidi nuk kishte shpatë në dorë.» (1 Samuelit 17:50) Vërtet që s’kishte shpatë, por kishte mbështetjen e fuqishme të Perëndisë Jehova. *

Pa dyshim, besimi që kishte Davidi te Jehovai u shpërblye gjatë asaj beteje! Kur duhet të zgjedhim midis frikës nga njeriu apo besimit te fuqia e Jehovait për të na shpëtuar, zgjedhja është e qartë: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve.» (Veprat 5:29) Për më tepër, kur i shohim situatat e vështira nga këndvështrimi i Perëndisë Jehova, arrijmë t’i shohim me syrin e duhur edhe problemet që mund të na trembin.

[Shënimi]

^ par. 13 Shih Kalendarin e Dëshmitarëve të Jehovait 2006, maj-qershor.

[Kutia dhe figura në faqen 9]

SA I MADH ISHTE GOLIADI?

Tregimi te 1 Samuelit 17:4-7 na thotë se Goliadi ishte më shumë se gjashtë kute i gjatë, pra rreth 3 metra. Diçka tjetër që tregonte përmasat dhe fuqinë e atij filistini ishte thuraku i tij prej bakri, që peshonte 57 kilogramë. Shkopi i drunjtë i heshtës ishte si shul tezgjahu, kurse hekuri i tehut të heshtës peshonte 7 kilogramë. Përfytyroni që vetëm armatura e Goliadit peshonte, me sa duket, më tepër se vetë Davidi!