Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gëzimet që kemi kur ecim me integritet

Gëzimet që kemi kur ecim me integritet

Gëzimet që kemi kur ecim me integritet

«Bekimi i Jehovait të bën të pasur dhe ai nuk shton asnjë dhembje.»—PROVERBAT 10:22.

1, 2. Pse duhet të kemi kujdes që të mos jemi tepër në merak për të ardhmen?

«KUR jemi në merak për të ardhmen . . . nuk arrijmë ta shohim të tashmen siç është»,—tha një filozof amerikan. Ndodh kështu me ata fëmijë që janë kaq në merak për të pasur privilegjet e të rriturve, saqë nuk i shijojnë kënaqësitë e fëmijërisë, dhe pastaj është tepër vonë.

2 Edhe adhuruesit e Jehovait nganjëherë kanë këtë mënyrë të menduari. Mendoni se çfarë mund të ndodhë. Ne dëshirojmë me zjarr që të përmbushet premtimi i Perëndisë për të sjellë parajsën në tokë. Mezi presim një jetë pa sëmundje, pleqëri, dhembje e vuajtje. Ndonëse është e përshtatshme t’i presim këto gjëra, ç’do të ndodhë nëse mendojmë kaq shumë për bekimet e ardhshme fizike, sa nuk shohim bekimet frymore që kemi sot? Sa gjë e trishtueshme do të ishte! Në një rast të tillë, mund të shkurajoheshim fare lehtë e ‘të na sëmurej zemra, ngaqë pritja jonë ka zgjatur’ përtej asaj që kishim menduar. (Proverbat 13:12) Problemet dhe vështirësitë e jetës mund të na bënin të binim në kurthin e dëshpërimit ose të vetëmëshirimit. Në vend që t’i përballonim situatat e këqija, mund të zhvillonim një frymë ankese. E gjithë kjo mund të shmanget, nëse meditojmë me çmueshmëri për bekimet që kemi tani.

3. Ku do ta përqendrojmë vëmendjen në këtë artikull?

3 «Bekimi i Jehovait të bën të pasur dhe ai nuk shton asnjë dhembje»,—thuhet te Proverbat 10:22. A s’është gjendja frymore e begatë që kanë shërbëtorët e sotëm të Jehovait një bekim për të cilin duhet të gëzohemi? Le të shqyrtojmë disa aspekte të begatisë sonë frymore dhe të shohim ç’domethënie kanë për secilin nga ne. Kur ndalemi dhe meditojmë për bekimet që ka derdhur Jehovai mbi ‘të drejtin që ecën me integritet’, jemi edhe më të vendosur të vazhdojmë t’i shërbejmë me gëzim Atit tonë qiellor.—Proverbat 20:7.

‘Bekime që na bëjnë të pasur’ tani

4, 5. Cilin mësim të Biblës vlerësoni në mënyrë të veçantë e përse?

4 Njohuria e saktë për mësimet biblike. Fetë e të ashtuquajturit krishterim, në përgjithësi pohojnë se besojnë te Bibla. Por nuk janë të një mendimi se çfarë mëson ajo. Edhe në të njëjtin grup fetar, shpesh anëtarët kanë pikëpamje të ndryshme për atë që mësojnë vërtet Shkrimet. Sa ndryshon gjendja e tyre nga gjendja e shërbëtorëve të Jehovait! Pavarësisht nga prejardhja kombëtare, kulturore ose etnike, ne adhurojmë Perëndinë e vërtetë, të cilit ia dimë emrin. Ai nuk është ndonjë Trinitet i mistershëm. (Ligji i përtërirë 6:4; Psalmi 83:18; Marku 12:29) Gjithashtu, jemi të vetëdijshëm se çështja kryesore e sovranitetit universal të Perëndisë do të zgjidhet së shpejti dhe se, duke mbajtur integritetin ndaj tij, secili nga ne përfshihet në këtë çështje. Njohim të vërtetën për gjendjen e të vdekurve dhe nuk kemi frikën e sëmurë se Perëndia i mundon njerëzit në ferr ose i dërgon në purgator, siç besojnë shumë veta.—Eklisiastiu 9:5, 10.

5 Për më tepër, sa gëzim i madh është të dimë se nuk jemi këtu rastësisht, si pasojë e evolucionit të verbër! Jo, jemi krijesa të Perëndisë, të bërë sipas shëmbëlltyrës së tij. (Zanafilla 1:26; Malakia 2:10) Psalmisti i këndoi Perëndisë së tij: «Do të të përlëvdoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme e që të ngjall frikë. Veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë.»—Psalmi 139:14.

6, 7. Cilat ndryshime kanë sjellë bekime në jetën tuaj ose në jetën e njerëzve që njihni?

6 Çlirimi nga veset dhe praktikat e dëmshme. Në mjetet e informacionit ka me shumicë paralajmërime për rreziqet që sjell duhani, pirja me tepri dhe shthurja seksuale. Në përgjithësi, këto paralajmërime shpërfillen. Por, çfarë ndodh kur një njeri i sinqertë mëson se Perëndia i dënon këto gjëra dhe se trishtohet nga ata që i praktikojnë? Kjo e nxit t’i heqë vese të tilla! (Isaia 63:10; 1 Korintasve 6:9, 10; 2 Korintasve 7:1; Efesianëve 4:30) Edhe pse kryesisht ai e bën këtë për t’i pëlqyer Perëndisë Jehova, ka edhe dobi të tjera, si shëndet më të mirë dhe paqe mendore.

7 Shumë veta e kanë të vështirë t’i heqin veset e tyre. Gjithsesi, çdo vit dhjetëra mijë veta po e bëjnë këtë. Ata i kushtohen Jehovait dhe pagëzohen në ujë, duke bërë të ditur para të gjithëve se e kanë pastruar jetën e tyre nga zakonet që nuk i pëlqejnë Perëndisë. Sa na inkurajon të gjithëve kjo! Na bën edhe më të vendosur që të qëndrojmë të lirë nga skllavëria e sjelljes mëkatare e të dëmshme.

8. Cilat këshilla biblike ndihmojnë që të kemi një jetë të lumtur familjare?

8 Një jetë e lumtur familjare. Në shumë vende, jeta familjare ka marrë tatëpjetën. Shumë martesa përfundojnë me divorc, shpesh duke lënë pas fëmijë të dëmtuar rëndë emocionalisht. Në disa vende evropiane, familjet me një prind përbëjnë rreth 20 për qind të të gjitha familjeve. Si na ka ndihmuar Jehovai që të ecim me integritet në këtë drejtim? Ju lutemi, lexoni Efesianëve 5:22–6:4 dhe shikoni këshillat e shkëlqyera që Fjala e Perëndisë u jep burrave, grave dhe fëmijëve. Zbatimi i asaj që thuhet aty e në vargje të tjera në Shkrime, patjetër që e forcon lidhjen martesore, i ndihmon prindërit t’i rritin siç duhet fëmijët dhe ndihmon për të pasur një jetë të lumtur familjare. A nuk është ky një bekim për të cilin duhet të gëzohemi?

9, 10. Si ndryshon pikëpamja jonë për të ardhmen nga pikëpamja që ka bota?

9 Siguria se problemet e botës do të zgjidhen së shpejti. Pavarësisht nga njohuritë shkencore dhe teknologjike, si edhe nga përpjekjet e sinqerta të disa politikanëve, problemet e rënda të jetës së sotme mbeten pa u zgjidhur. Klaus Shvabi, themelues i Forumit Ekonomik Botëror, kohët e fundit tha se «lista e problemeve me të cilat përballet bota po bëhet gjithnjë e më e gjatë dhe koha për t’i zgjidhur ato po shkurtohet gjithnjë e më shumë». Ai foli për «rreziqe që i kapërcejnë kufijtë kombëtarë, si terrorizmi, degradimi i mjedisit dhe paqëndrueshmëria ekonomike». Shvabi tha si përfundim: «Tani, më tepër se kurrë, bota përballet me realitete që kërkojnë veprim të përbashkët dhe të vendosur.» Me përparimin e shekullit të 21-të, tabloja e përgjithshme e së ardhmes së njerëzimit mbetet e zymtë.

10 Sa kënaqemi duke ditur se Jehovai ka siguruar një mjet që mund t’i zgjidhë të gjitha problemet e njerëzimit: Mbretërinë Mesianike të Perëndisë! Me anë të kësaj mbretërie, Perëndia i vërtetë ‘do të pushojë luftërat’ dhe do të sjellë ‘paqe pa fund’. (Psalmi 46:9; 72:7) Mbreti i mirosur, Jezu Krishti, ‘do ta çlirojë të varfrin, të munduarin dhe të përvuajturin nga shtypja e nga dhuna’. (Psalmi 72:12-14) Nën sundimin e Mbretërisë, nuk do të ketë më mungesa ushqimi. (Psalmi 72:16) Jehovai «do të fshijë çdo lot nga sytë [tanë]. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan». (Zbulesa 21:4) Mbretëria tashmë është vendosur në qiell dhe, pas pak, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të zgjidhur çdo problem në tokë.—Danieli 2:44; Zbulesa 11:15.

11, 12. (a) A sjell lumturi të qëndrueshme rendja pas kënaqësive? Shpjegoni. (b) Çfarë sjell lumturi të vërtetë?

11 Dimë se çfarë sjell lumturi të vërtetë. Çfarë sjell lumturi të vërtetë? Një psikolog tha se lumturia ka tre përbërës: kënaqësinë, angazhimin (përfshirjen në veprimtari të tilla si puna dhe familja) dhe qëllimin (të punosh duke pasur si synim të mirën e të tjerëve). Nga të tria, kënaqësinë e renditi si më pak të rëndësishmen dhe komentoi: «Këtë duhet ta marrin vesh të gjithë, sepse janë të shumtë njerëzit që e ndërtojnë jetën rreth kënaqësive.» Cila është pikëpamja e Biblës në këtë drejtim?

12 Solomoni, mbret i Izraelit të lashtë, tha: «Unë thashë me vete: ‘Eja pra, tani, të provosh gëzimin e të shohësh edhe të mira.’ Por ja, edhe kjo ishte kotësi. Për të qeshurën thashë: ‘Marrëzi!’ Dhe për gëzimin: ‘Po ky çfarë bën?’» (Eklisiastiu 2:1, 2) Sipas Shkrimeve, çfarëdo lumturie që vjen nga kënaqësitë, është veçse e përkohshme. Po përfshirja në punë? Ne kemi veprën më domethënëse në të cilën mund të përfshihemi: veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Duke u dhënë të tjerëve mesazhin e shpëtimit që përmban Bibla, përfshihemi në një punë që mund të sjellë si rrjedhim shpëtimin tonë dhe të atyre që na dëgjojnë. (1 Timoteut 4:16) Si «bashkëpunëtorë të Perëndisë», ne provojmë se «ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh». (1 Korintasve 3:9; Veprat 20:35) Kjo vepër i jep qëllim jetës sonë dhe i siguron Krijuesit një përgjigje për atë që e sfidon, Satana Djallin. (Proverbat 27:11) Po, Jehovai na ka treguar se përkushtimi hyjnor sjell lumturi të vërtetë e të qëndrueshme.—1 Timoteut 4:8.

13. (a) Në ç’mënyrë Shkolla e Shërbimit Teokratik është një bekim për të cilin duhet të gëzojmë? (b) Si keni nxjerrë dobi nga Shkolla e Shërbimit Teokratik?

13 Një program i rëndësishëm dhe i efektshëm stërvitjeje. Gerharti shërben si plak në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Ai thotë për rininë e tij: «Kur isha i ri, kisha shumë probleme në të folur. Po të isha nën presion, mezi i nxirrja fjalët dhe filloja të belbëzoja. Kjo më bënte të ndihesha më poshtë se të tjerët dhe më dëshpëronte. Prindërit më çuan në një kurs për ata që kishin probleme me të folurit, por përpjekjet e tyre ishin të kota. Problemi im nuk ishte fizik, ishte psikologjik. Megjithatë, kishte një masë të mrekullueshme nga Jehovai—Shkolla e Shërbimit Teokratik. Regjistrimi në këtë shkollë më dha guxim. Përpiqesha me sa mundja t’i praktikoja ato që mësoja. Dhe bëri punë vërtet! U bëra më i lirshëm në të folur, nuk isha më i dëshpëruar dhe u bëra më i guximshëm në shërbim. Tani madje mbaj fjalime publike. I jam vërtet mirënjohës Jehovait, i cili më dha një jetë të re me anë të kësaj shkolle.» A nuk është arsye për t’u gëzuar mënyra se si na stërvit Jehovai për të bërë veprën që na ka caktuar?

14, 15. Cilën ndihmë kemi gjithnjë pranë, në kohë vështirësish? Ilustrojeni.

14 Një marrëdhënie personale me Jehovain dhe mbështetja e një vëllazërie të bashkuar ndërkombëtare. Katrina, e cila jeton në Gjermani, u trondit kur dëgjoi lajmet për një tërmet të madh e për tsunamin që shkaktoi në Azinë Juglindore. Kur ra kjo katastrofë, e bija ishte në Tajlandë për vizitë. Për 32 orë, kjo nënë nuk dinte nëse e bija ishte gjallë apo ishte ndër viktimat që shtoheshin orë pas ore. Sa u lehtësua, më në fund, kur i telefonuan për ta siguruar se e bija ishte shëndoshë e mirë!

15 Çfarë e ndihmoi Katrinën gjatë atyre orëve tërë ankth? Ajo shkruan: «Gati tërë atë kohë e kalova duke iu lutur Jehovait. Gjithnjë e vija re se kjo më jepte shumë forcë e paqe mendore. Për më tepër, vëllezërit e dashur në besim erdhën për të më parë dhe më qëndruan pranë.» (Filipianëve 4:6, 7) Kushedi sa keq do të kishte qenë situata e saj, nëse do t’i ishte dashur t’i kalonte ato orë të ankthshme pa bekimin e lutjes ndaj Jehovait dhe pa ngushëllimin e një vëllazërie të dashur frymore! Marrëdhënia e ngushtë që kemi me Jehovain e me Birin e tij, si edhe shoqërimi ngushtësisht me vëllazërinë e krishterë është një bekim i pashoq, tepër i çmuar për t’u marrë si diçka e zakonshme.

16. Tregoni një përvojë që ilustron vlerën e shpresës së ringjalljes.

16 Shpresa për t’i parë përsëri njerëzit e dashur që na kanë vdekur. (Gjoni 5:28, 29) Një i ri me emrin Matias u rrit në një familje Dëshmitarësh të Jehovait. Por, ngaqë s’i shihte bekimet që kishte, u largua nga kongregacioni i krishterë gjatë adoleshencës. Tani shkruan: «Faktikisht, asnjëherë nuk bëra biseda të thella me babanë. Patëm shumë mosmarrëveshje gjatë viteve. Po megjithatë, babai gjithnjë donte më të mirën për mua. Ai më donte shumë, por atëherë nuk e kuptoja. Në vitin 1996, ulur te shtrati i tij, duke i mbajtur dorën e duke qarë me hidhërim, i thashë se më vinte shumë keq për gjithçka që kisha bërë dhe se e doja shumë. Por ai nuk më dëgjonte dot. Pas një sëmundjeje të shkurtër, ra në gjumin e vdekjes. Nëse do të jem gjallë për ta takuar babanë kur të ringjallet, do të rifitojmë gjithë kohën e humbur në të kaluarën. E ai me siguri do të jetë i lumtur kur të dëgjojë se tani unë shërbej si plak dhe se, bashkë me gruan time, kemi privilegjin të shërbejmë si pionierë.» Sa bekim i madh është për ne shpresa e ringjalljes!

«Ai nuk shton asnjë dhembje»

17. Si na ndihmon meditimi rreth bekimeve të Jehovait?

17 Jezu Krishti tha për Atin e tij qiellor: «Ai e bën diellin e tij të ngrihet mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët.» (Mateu 5:45) Nëse Perëndia Jehova u jep bekime edhe të padrejtëve e të ligjve, aq më tepër do të bekojë ata që ecin në udhën e integritetit! Në Psalmin 84:11 thuhet: «Jehovai nuk do t’i kursejë asgjë të mirë kujtdo që ecën në mënyrë të patëmetë.» Sa na gufon zemra me mirënjohje e gëzim, kur meditojmë për kujdesin dhe interesimin e veçantë që ai u ka treguar atyre që e duan!

18. (a) Pse mund të themi që Jehovai nuk shton asnjë dhembje me bekimet e tij? (b) Pse vuajnë shumë shërbëtorë besnikë të Perëndisë?

18 «Bekimi i Jehovait» i ka dhënë begati frymore popullit të tij. Gjithashtu, na jepet siguria se «ai nuk shton asnjë dhembje». (Proverbat 10:22) Po atëherë, pse shumë shërbëtorëve besnikë të Perëndisë u bien sprova e vështirësi, që u shkaktojnë shumë dhembje e vuajtje? Vështirësitë dhe hallet na bien për tri arsye kryesore. (1) Prirja jonë mëkatare. (Zanafilla 6:5; 8:21; Jakovi 1:14, 15) (2) Satanai dhe demonët e tij. (Efesianëve 6:11, 12) (3) Bota e ligë. (Gjoni 15:19) Jehovai lejon që të na ndodhin gjëra të këqija, por ai nuk është shkaktari i tyre. Në fakt, «çdo dhuratë e mirë dhe çdo gjë e përsosur që na jepet, është nga lart, sepse zbret nga Ati i dritave qiellore». (Jakovi 1:17) Bekimet e Jehovait nuk shkaktojnë dhembje.

19. Çfarë i pret ata që vazhdojnë të ecin me integritet?

19 Begatia frymore vjen gjithnjë kur i afrohemi Perëndisë. Kur zhvillojmë një marrëdhënie të ngushtë me të, ‘vëmë si thesar të sigurt një themel të shkëlqyer për të ardhmen, që të rrokim jetën e vërtetë’, jetën e përhershme. (1 Timoteut 6:12, 17-19) Në botën e re që Perëndia do të sjellë në të ardhmen, pasuritë tona frymore do të shoqërohen edhe me bekime fizike. Në atë kohë, jeta e vërtetë do të jetë trashëgimia e atyre që ‘e dëgjojnë vazhdimisht zërin e Jehovait’. (Ligji i përtërirë 28:2) Me një vendosmëri edhe më të madhe e me gëzim, le të vazhdojmë të ecim me integritet!

Çfarë keni mësuar?

• Pse nuk është e mençur të jemi tepër në merak për të ardhmen?

• Çfarë bekimesh kemi tani?

• Pse vuajnë shërbëtorët besnikë të Perëndisë?

[Pyetjet]