Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përpjekje e guximshme për të nxitur leximin e Biblës

Përpjekje e guximshme për të nxitur leximin e Biblës

Përpjekje e guximshme për të nxitur leximin e Biblës

Ai dha frymën e fundit në stepat e akullta të Siberisë Lindore, i përbaltur e i çnderuar. Pak veta e dinë se ishte një nga figurat kryesore që ndihmoi në përparimin shpirtëror të grekëve. Emri i këtij pionieri të lënë në harresë ishte Serafim. Përpjekja e tij e guximshme për të nxitur leximin e Biblës, ishte një ndër faktorët që çuan në fundin e tij.

SERAFIMI jetoi në periudhën kur Greqia ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Sipas studiuesit të historisë së Kishës Ortodokse Greke, Xhorxh Metalinos, ajo periudhë karakterizohej nga «mungesa e shkollave të duhura» dhe nga «mungesa e arsimimit te pjesa dërrmuese e popullsisë», duke përfshirë edhe klerikët.

Kishte një hendek të madh mes greqishtes koine (të thjeshtë) dhe greqishtes që flitej në atë kohë, si edhe dialekteve të shumta të saj. Ky hendek u zgjerua kaq shumë, saqë koineja, në të cilën ishin shkruar Shkrimet e Krishtere Greke, nuk kuptohej më nga ata që s’kishin arsim. Në debatin që lindi prej kësaj, kisha zgjodhi të mbante greqishten koine që nuk kuptohej më.

Në këtë atmosferë, lindi Stefanos Joanis Pogonatosi, në një familje me emër në ishullin Lesbos, Greqi, rreth vitit 1670. Në atë ishull mbizotëronte varfëria dhe analfabetizmi. Mungesa e shkollave e detyroi Stefanosin të merrte arsim fillor në një manastir të atjeshëm. Në një moshë shumë të re, u emërua dhjak i Kishës Ortodokse dhe iu dha emri Serafim.

Rreth vitit 1693, dëshira e zjarrtë për të marrë dije, e çoi Serafimin në Kostandinopojë (Stambolli i sotëm, Turqi). Pas njëfarë kohe, aftësitë e tij bënë që të fitonte respektin e njerëzve të famshëm të Greqisë. S’kaloi shumë dhe një lëvizje e fshehtë nacionaliste greke e çoi si emisar te Pjetri i Madh, cari i Rusisë. Në këtë udhëtim vajtje-ardhje deri në Moskë, Serafimi përshkoi një pjesë të madhe të Evropës, ku e rrahën erërat e reformave fetare dhe intelektuale. Në vitin 1698, Serafimi shkoi në Angli dhe krijoi lidhje të rëndësishme me njerëz në Londër e në Oksford. E prezantuan me kryepeshkopin e Kantërbërit, kreun e Kishës Anglikane, një lidhje që pak më vonë do t’i vlente shumë Serafimit.

Boton një Bibël

Kur ishte në Angli, Serafimi arriti në përfundimin se grekët kishin urgjentisht nevojë për një version të ri të «Besëlidhjes së Re» (Shkrimet e Krishtere Greke) që të kuptohej lehtë. Duke u nisur nga përkthimi që kishte bërë murgu Maksimus më shumë se gjysmë shekulli më parë, Serafimi ia nisi punës për një version të ri e pa gabime, që të kuptohej më lehtë. E nisi punën me entuziazëm, por shpejt i mbaruan fondet. Shpresat iu rigjallëruan kur kryepeshkopi i Kantërbërit i premtoi se do t’i jepte ndihmën financiare që i duhej. I nxitur nga kjo përkrahje, Serafimi bleu letër shtypi dhe lidhi kontratë me një botues.

Mirëpo, shtypja vazhdoi deri aty nga mesi i Ungjillit të Lukës. Pastaj, ndryshimet politike në Angli e bënë kryepeshkopin e Kantërbërit të mos i jepte më fonde. Pa u stepur, Serafimi kërkoi ndihmë te disa njerëz të pasur dhe ia doli mbanë ta botonte versionin e rishikuar, në vitin 1703. Një pjesë të kostos e mbuloi Shoqata për Përhapjen e Ungjillit në Vendet e Huaja.

Përkthimi më i vjetër me dy vëllime i murgut Maksimus, kishte edhe origjinalin në greqisht. Ishte libër i madh dhe i rëndë. Versioni i rishikuar i Serafimit u bë me shkronja më të vogla, kishte vetëm përkthimin në greqishten e re dhe ishte më i vogël nga përmasat e me çmim më të ulët.

I fryn zjarrit të debatit

«Sigurisht, ky botim i përditësuar përmbushi një nevojë reale të njerëzve,—komenton studiuesi Xhorxh Metalinos.—Gjithsesi, Serafimi përfitoi nga ky rast për të sulmuar një grup klerikësh që ishte kundër përkthimeve [të Biblës].» Kleri u xhindos kur Serafimi pohoi në parathënien e tij se e kishte botuar atë version ‘veçanërisht për hir të disa priftërinjve dhe ca pleqve që nuk e kuptonin greqishten [koine], me qëllim që, me ndihmën e Frymës Shumë të Shenjtë, të arrinin të lexonin e të kuptonin diçka nga teksti origjinal, për t’ua përcjellë të krishterëve të thjeshtë’. (Përkthimi i Biblës në greqishten e re—Gjatë shekullit të 19-të, anglisht) Kështu, Serafimi u përfshi në furtunën lidhur me përkthimin e Biblës, në radhët e Kishës Ortodokse Greke.

Në njërën anë të konfliktit ishin ata që e kuptonin se zhvillimi shpirtëror e moral i njerëzve varej nga sa e kuptonin Biblën. Gjithashtu, ata mendonin se edhe vetë pjesëtarët e klerit duhej të përmirësonin njohurinë që kishin për Shkrimet. Për më tepër, përkrahësit e përkthimit të Biblës mendonin se të vërtetat biblike mund të shprehen në çdo gjuhë.—Zbulesa 7:9.

Kundërshtarët e përkthimit të Biblës nxirrnin pretekstin se po të përkthehej Bibla, përmbajtja e saj do të përdhosej dhe autoriteti i kishës për interpretimin dhe për doktrinat do të binte fare. Por, në të vërtetë, kishin frikë se mos protestantët po e përdornin përkthimin e Biblës për të minuar autoritetin e Kishës Ortodokse Greke. Shumë klerikë mendonin se e kishin për detyrë t’i kundërviheshin çdo prirjeje që mund të anonte nga protestantizmi, duke përfshirë edhe përpjekjet për t’ua bërë të kuptueshme Biblën njerëzve të thjeshtë. Kështu, përkthimi i Biblës u bë pika e nxehtë e konfliktit midis protestantizmit dhe ortodoksisë.

Edhe pse nuk kishte ndër mend të braktiste Kishën Ortodokse, Serafimi doli hapur kundër padijes dhe paragjykimeve të kundërshtarëve të tij klerikë. Në parathënien e «Besëlidhjes së Re» që botoi, ai shkroi: «Çdo i krishterë i devotshëm duhet ta lexojë Biblën e Shenjtë», me qëllim që «të bëhet imitues i Krishtit dhe t’i bindet mësimit të [tij]». Serafimi thoshte se ndalimi i studimit të Shkrimeve vinte nga Djalli.

Një valë kundërshtimi

Kur versioni i Serafimit mbërriti në Greqi, shkaktoi zemërim në sferat fetare të Kishës Ortodokse. Versioni i ri u ndalua. Kopjet e librit u dogjën dhe kushdo që kishte një të tillë ose që e lexonte, rrezikonte shkishërimin. Patriku Gabriel III e ndaloi qarkullimin e versionit të Serafimit, pasi e quajti të panevojshëm e të padobishëm.

Edhe pse nuk i humbi shpresat, Serafimi e pa të nevojshme të ishte më i kujdesshëm. Pavarësisht nga ndalimi zyrtar që vuri kisha, mjaft klerikë dhe besimtarë të thjeshtë e pëlqyen përkthimin e tij. Ai pati shumë sukses në shpërndarjen e këtij versioni të Biblës. Por, përplasja me kundërshtarë të fuqishëm sapo kishte filluar.

Ngjarjet që çuan në fundin e tij

Përveçse nxiste përhapjen e Biblës, Serafimi u përfshi në lëvizje revolucionare dhe nacionaliste. Për të ndjekur këto lëvizje, në verën e vitit 1704 ai u kthye në Moskë. U bë mik i besuar i Pjetrit të Madh dhe, për njëfarë kohe, ishte profesor në Akademinë Mbretërore Ruse. Megjithatë, nga meraku se çfarë mund të ndodhte me përkthimin e tij, Serafimi u kthye në Kostandinopojë në vitin 1705.

Në një rishtypje të versionit të tij po atë vit, Serafimi e hoqi parathënien kritike që kishte pasur versioni i parë. Në vend të saj vuri një parathënie të thjeshtë, në të cilën nxiste leximin e Biblës. Ky botim pati qarkullim të gjerë dhe nuk ka të dhëna që të ketë hasur ndonjë reagim armiqësor nga patrikana.

Por, në vitin 1714, atij i erdhi një goditje shkatërrimtare nga Aleksandër Heladiosi, udhëtar grek dhe kundërshtar i përkthimit të Biblës. Në librin e tij Status Præsens Ecclesiæ Græcæ (Gjendja aktuale e Kishës Greke), ai tërë mllef sulmonte përkthyesit dhe përkthimet e Biblës. Heladiosi i kishte kushtuar një kapitull të tërë Serafimit, duke e përshkruar si hajdut, mashtrues dhe një njeri analfabet e imoral. A kishte ndonjë të vërtetë në këto akuza? Shkrimtari Stilianos Bajraktaris, duke shprehur opinionin e mirinformuar të shumë studiuesve, e quan Serafimin ‘një punëtor dhe pionier me mendje të hapur’, të cilin e sulmuan sepse ishte përparimtar për kohën e tij. E megjithatë, libri i Heladiosit çoi në fundin e hidhur të Serafimit.

Nën hijen e dyshimit

Në kohën kur Serafimi u kthye në Rusi në vitin 1731, Pjetri i Madh kishte vdekur. Prandaj, ky dhjak grek s’kishte më mbrojtje zyrtare. Perandoresha Ana Ivanovna tregohej shumë e kujdesshme për veprimtaritë që mund të shkaktonin trazira në perandorinë e saj. Në janar të vitit 1732, në Shën-Pjetërburg u përhapën zëra se një spiun grek po punonte kundër interesave të perandorisë. I dyshuari ishte Serafimi. E arrestuan dhe e dërguan në manastirin e Nevskit për ta marrë në pyetje. Atje në manastir ishte edhe një kopje e librit të Heladiosit, ku Serafimi akuzohej për krime të ndryshme. Në tri letra përgënjeshtrimi, ai u përpoq të mbronte veten nga ato akuza. Hetimi zgjati rreth pesë muaj, por hija e dyshimit që kishte rënë mbi Serafimin, ishte e vështirë të hiqej.

Meqë nuk u paraqit asnjë dëshmi konkrete kundër tij, Serafimin nuk e dënuan me vdekje. Por, për shkak të shpifjeve të Heladiosit, autoritetet nuk donin ta linin të lirë. Kështu që dhjakun grek e dënuan me internim në Siberi për gjithë jetën. Në gjykimin që u dha, përmendej se vendimi u bazua në akuzat që kishte «libri i botuar nga autori grek, Heladiosi».Në korrik të vitit 1732, Serafimi mbërriti në Siberinë Lindore, i lidhur me zinxhirë. E hodhën në burgun famëkeq të Ohotskut.

Serafimi vdiq rreth tre vjet më vonë, i braktisur dhe i harruar. Vërtet që nganjëherë vendimet dhe metodat e tij ishin të gabuara e të pakujdesshme, por versioni i tij është një nga përkthimet e shumta të Biblës që ka sot në greqishten e re. * Ndër to është edhe Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, një përkthim që është i lehtë për t’u kuptuar e që gjendet edhe në mjaft gjuhë të tjera. Sa mirënjohës jemi që Perëndia Jehova e ka ruajtur Fjalën e tij, me qëllim që njerëzit kudo qofshin të kenë mundësi «të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës»!—1 Timoteut 2:3, 4.

[Shënimi]

^ par. 26 Shih artikullin «Lufta për të pasur një Bibël në greqishten moderne», në Kullën e Rojës, 15 nëntor 2002, faqet 26-29.

[Figura në faqen 12]

Pjetri i Madh

[Burimi i figurave në faqen 10]

Fotografitë: Me mirësjellje nga American Bible Society