Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

I shërbej me gëzim Jehovait pavarësisht nga kufizimet fizike

I shërbej me gëzim Jehovait pavarësisht nga kufizimet fizike

Jetëshkrim

I shërbej me gëzim Jehovait pavarësisht nga kufizimet fizike

TREGUAR NGA VARNAVAS SPETSIOTISI

Në vitin 1990, kur isha 68 vjeç, u paralizova plotësisht. Megjithatë tani bëj 15 vjet që shërbej me gëzim si shërbëtor në kohë të plotë në ishullin e Qipros. Po çfarë më ka dhënë forcë të vazhdoj të jem aktiv në shërbim të Jehovait me gjithë kufizimet fizike?

LINDA më 11 tetor të vitit 1922. Në familje ishim nëntë fëmijë, katër djem dhe pesë vajza. Jetonim në Ksilofag të Qipros. Megjithëse prindërit ishin pak a shumë në gjendje të mirë ekonomike, që të rritnin kaq shumë fëmijë, u duhej të punonin shumë në ara.

Babai, Antonisi, ishte mjaft i dhënë pas leximit dhe kureshtar si natyrë. Gjatë një vizite te mësuesi i fshatit, pak kohë pasi kisha lindur unë, babai vuri re një fletushkë me titull Katedra e popujve, botuar nga Studentët Biblikë (siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait). Filloi ta lexonte dhe e përpiu menjëherë atë që lexoi. Kështu babai dhe një nga shokët e tij, Andreas Kristu, ishin ndër të parët në ishull që u shoqëruan me Dëshmitarët e Jehovait.

Rritje, pavarësisht nga kundërshtimi

Me kalimin e kohës, të dy morën më tepër literaturë biblike nga Dëshmitarët e Jehovait. Shumë shpejt, babai dhe Andreasi u nxitën që t’ua tregonin edhe fshatarëve të tjerë të vërtetat biblike që kishin mësuar. Predikimi i tyre solli shumë kundërshtime nga kleri i Kishës Ortodokse dhe nga të tjerët që mendonin se Dëshmitarët e Jehovait kishin një ndikim të keq.

Megjithatë shumë banorë të atij vendi nuk mund të mos i respektonin këta dy mësues të Biblës. Babanë e njihnin të gjithë për mirësinë dhe bujarinë e tij. Shumë shpesh ndihmonte familjet e varfra. Ndonjëherë, fshehurazi, dilte natën dhe linte miell ose bukë në derën e familjeve që kishin nevojë. Kjo sjellje altruiste prej të krishteri e bëri mesazhin e këtyre dy shërbëtorëve edhe më tërheqës.—Mateu 5:16.

Si rezultat rreth dymbëdhjetë veta reaguan pozitivisht ndaj mesazhit biblik. Ndërsa vlerësimi i tyre për të vërtetën rritej, e kuptuan që ishte e nevojshme të mblidheshin në shtëpi të ndryshme për të studiuar Biblën në grup. Aty rreth vitit 1934, Nikos Matheakisi, një shërbëtor në kohë të plotë nga Greqia, erdhi në Qipro dhe u takua me grupin në Ksilofag. Me durim dhe vendosmëri, vëlla Matheakisi e ndihmoi grupin të organizohej dhe që të fitonin më shumë kuptueshmëri për Shkrimet e Shenjta. Ky grup ishte bërthama nga i cili më vonë u formua kongregacioni i parë i Dëshmitarëve të Jehovait në Qipro.

Ndërkohë që vepra e krishterë përparonte dhe shumë njerëz po e pranonin të vërtetën biblike, vëllezërit menduan se ishte e nevojshme të kishin një vend të përhershëm për mbledhjet e tyre. Vëllai im i madh, Jorgosi, dhe gruaja e tij, Eleni, ofruan një vend që e përdornin si plevicë. Ky vend që ishte ngjitur me shtëpinë e tyre, u rregullua dhe u kthye në një vend të përshtatshëm për mbledhje. Kjo ishte Salla e parë e Mbretërisë që patën vëllezërit në ishull. Sa mirënjohës ishin! Dhe sa mirë ndikoi në rritjen e mëtejshme!

Pranoj të vërtetën

Në vitin 1938, kur isha 16 vjeç, vendosa të bëhesha marangoz, prandaj babai më dërgoi në kryeqytetin e Qipros, në Nikozia. Me largpamësi, ai bëri të mundur që të qëndroja te Nikos Matheakisi. Ky vëlla besnik ende mbahet mend në ishull për zellin dhe bujarinë. Në ato ditë të fillimit, entuziazmi dhe guximi i tij i patundur ishin cilësi më se të nevojshme për çdo të krishterë në Qipro.

Vëlla Matheakisi më ndihmoi jashtë mase që të hidhja baza të forta në njohurinë biblike dhe të përparoja nga ana frymore. Gjatë kohës që qëndroja te ai, ndiqja të gjitha mbledhjet që mbaheshin në shtëpinë e tij. Për herë të parë në jetë, ndjeva që dashuria ime për Jehovain po rritej. Me kalimin e kohës isha edhe më i vendosur që të kisha një marrëdhënie domethënëse me Perëndinë. Brenda pak muajsh, i kërkova vëlla Matheakisit nëse mund të dilja në shërbim me të. Ishte viti 1939.

Pas ca kohësh, u ktheva në shtëpi për të parë familjen time. Qëndrova me babanë për ca kohë e kjo më bindi akoma më shumë që kisha gjetur të vërtetën dhe kuptimin e jetës. Në shtator të vitit 1939 filloi Lufta II Botërore. Shumë të rinj të moshës sime dolën vullnetarë për të shkuar në luftë, por unë ndoqa drejtimin e Biblës dhe vendosa të qëndroja asnjanës. (Isaia 2:4; Gjoni 15:19) Pikërisht atë vit ia kushtova jetën Jehovait dhe u pagëzova në vitin 1940. Për herë të parë në jetën time e kuptova që isha çliruar nga frika e njeriut.

Në vitin 1948, u martova me Efprepinë. Me kalimin e kohës bëmë katër fëmijë, që ishin bekim për ne. Shumë shpejt e kuptuam se duhej të punonim shumë që t’i rritnim «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait». (Efesianëve 6:4) Luteshim dhe përpiqeshim fort që të ngulitnim tek ata dashuri të thellë për Jehovain dhe respektin për ligjet dhe parimet e tij.

Problemet e shëndetit bëhen një sfidë

Në vitin 1964, kur isha 42 vjeç, fillova të ndieja njëfarë mpirjeje në dorën dhe këmbën e djathtë. Dalëngadalë kjo mpirje kapi edhe anën tjetër. Pasi u vizitova më thanë që kisha distrofi muskulare, një sëmundje e pakurueshme që çon në paralizë të plotë. U bëra keq kur ma thanë. Ndodhi kaq shpejt dhe kaq papritur. I mbushur plot nervozizëm e indinjatë mendoja: ‘Pse pikërisht mua? Çfarë kam bërë për ta merituar?’ Por me kohë, e kapërceva tronditjen e fillimit. Pastaj më pushtoi ankthi dhe pasiguria. Në kokë më buçitnin një mori pyetjesh. A do të paralizohesha plotësisht dhe a do të varesha për çdo gjë nga të tjerët? Si do t’ia bëja? A do të isha në gjendje t’i siguroja jetesën familjes sime, gruas dhe katër fëmijëve? Vuaja vërtet kur i mendoja këto gjëra.

Në këtë pikë kritike të jetës sime, më shumë se kurrë më parë, ndieja nevojën t’i lutesha Jehovait dhe, me sinqeritet të plotë, t’i shprehja gjithë shqetësimin dhe ankthin tim. Lutesha ditë e natë me lot në sy. Dhe shumë shpejt mora ngushëllim. Fjalët e Filipianëve 4:6, 7 dolën më se të vërteta në rastin tim: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.»

Si e përballoj paralizën?

Gjendja ime vazhdonte të keqësohej. E kuptova se duhej të përshtatesha pa humbur kohë me rrethanat e reja. Meqë nuk mund të punoja më si marangoz, vendosa që të gjeja një punë më pak të mundimshme që ta përballoja fizikisht dhe që të më jepte mundësi të mbështetja familjen nga ana financiare. Fillova të shisja akullore me një furgon të vogël. Kjo ishte puna ime për gjashtë vjet, derisa u detyrova të përdorja karrocë invalidësh. Pastaj fillova të bëja punë më të lehta që mund t’i përballoja.

Që në vitin 1990 shëndeti im është keqësuar deri në atë pikë sa nuk mund të punoj më. Tani më duhet të mbështetem plotësisht te të tjerët, madje për të bërë edhe gjërat më të vogla të jetës së përditshme. Më ndihmojnë për të shkuar në shtrat, për t’u larë dhe për t’u veshur. Për të shkuar në mbledhjet e krishtere, duhet të më çojnë me karrocë deri te makina dhe pastaj më ngrenë në krahë e më hipin në makinë. Kur arrijmë në Sallën e Mbretërisë, më nxjerrin në krahë nga makina dhe më ulin në karrocë për të më futur brenda. Gjatë mbledhjes, mbaj afër një ngrohëse elektrike që t’i kem këmbët e ngrohta.

Pavarësisht nga paraliza, shkoj gati rregullisht në mbledhje. E kuptoj që mbledhjet janë një vend ku Jehovai na mëson, dhe motrat e vëllezërit janë një strehë e vërtetë, mbështetje dhe inkurajim për mua. (Hebrenjve 10:24, 25) Vizitat e rregullta të bashkëbesimtarëve të pjekur kanë qenë një ndihmë e vazhdueshme. Ndihem pikërisht si Davidi i cili tha: «Kupa ime është e mbushur plot.»—Psalmi 23:5.

Gruaja ime e shtrenjtë ka qenë një ndihmë e madhe për mua gjatë gjithë këtyre viteve. Edhe fëmijët kanë ndihmuar mjaft. Prej vitesh kujdesen që të më plotësohen nevojat e përditshme. Ajo që po bëjnë nuk është e lehtë dhe ndërsa vitet kalojnë, ata e kanë gjithmonë e më të vështirë për t’u kujdesur për mua. Janë vërtet shembullorë për durimin dhe sakrificat që bëjnë dhe lutem që Jehovai të vazhdojë t’i bekojë.

Një gjë tjetër e mrekullueshme që Jehovai ka dhënë që shërbëtorët e tij të jenë të fortë është edhe lutja. (Psalmi 65:2) Jehovai u është përgjigjur përgjërimeve të mia dhe më ka dhënë forcën për të ruajtur besimin gjatë gjithë këtyre viteve. Sidomos në rastet kur shkurajohem, lutja më lehtëson dhe më ndihmon që të ruaj gëzimin. Komunikimi i vazhdueshëm me Jehovain ripërtërin dhe forcon vendosmërinë time për të vazhduar. Jam më se i bindur se Jehovai i dëgjon lutjet e shërbëtorëve të tij dhe u jep paqen mendore për të cilën kanë nevojë.—Psalmi 51:17; 1 Pjetrit 5:7.

Ç’është më e rëndësishmja, marr zemër sa herë kujtoj që Perëndia do t’i shërojë të gjithë ata që do të shpërblehen dhe do të jetojnë në Parajsë nën sundimin e Mbretërisë të Birit të tij, Jezu Krishtit. Disa herë kam qarë kur kam menduar për këtë shpresë të mrekullueshme.—Psalmi 37:11, 29; Luka 23:43; Zbulesa 21:3, 4.

Shërbej në kohë të plotë

Aty rreth vitit 1991, pasi analizova rrethanat e mia, e kuptova që mënyra më e mirë për të shmangur vetëmëshirimin ishte duke marrë pjesë sa më shumë në përhapjen e lajmit të çmuar të Mbretërisë. Atë vit, fillova të shërbeja si shërbëtor në kohë të plotë.

Për shkak të kufizimeve fizike, pjesën më të madhe të dëshmisë e jap me anë të letrave. Por, edhe shkrimi për mua nuk është një detyrë e lehtë, kërkon shumë mund. E kam të vështirë ta mbaj stilolapsin pa lëvizur, pasi dora më është dobësuar nga distrofia muskulare. Por me këmbëngulje dhe lutje, kam më shumë se 15 vjet që jap dëshmi me letra. Përveç kësaj, përdor edhe telefonin për të predikuar. Nuk lë të më ikë asnjë rast pa folur për shpresën e botës së re dhe për tokën parajsore, me të afërmit, miqtë dhe komshinjtë që më vizitojnë në shtëpi.

Nga kjo kam pasur shumë përvoja inkurajuese. Jam i lumtur që një nga fëmijët e djalit, me të cilin kam studiuar Biblën 12 vjet më parë, ka përparuar nga ana frymore dhe e ka vlerësuar të vërtetën biblike. I drejtuar nga një ndërgjegje e stërvitur nga Bibla, ai ka qëndruar besnik dhe i patundur në lidhje me çështjen e asnjanësisë së krishterë.

Ndiej kënaqësi të veçantë kur njerëzit të cilëve u shkruaj lidhen me mua për të mësuar më shumë rreth Biblës. Ndonjëherë disa kërkojnë më shumë literaturë biblike. Për shembull, një grua më telefonoi dhe më falënderoi për letrën inkurajuese që i kisha dërguar burrit të saj. Asaj iu dukën mjaft interesante ato që i kisha shkruar. Kjo çoi në shumë biseda biblike me të dhe burrin e saj në shtëpinë time.

Një pikëpamje optimiste

Gjatë këtyre viteve kam parë radhët e lajmëtarëve të Mbretërisë të shtohen në këtë pjesë të botës. Salla e vogël e Mbretërisë, ngjitur me shtëpinë e vëllait tim, Jorgosit, është zgjeruar dhe restauruar disa herë. Është një vend i bukur adhurimi që përdoret nga dy kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait.

Babai vdiq në vitin 1943, në moshën 52-vjeçare. Por çfarë trashëgimie frymore na la! Tetë nga fëmijët e tij përqafuan të vërtetën dhe vazhdojnë t’i shërbejnë Jehovait edhe sot e kësaj dite. Në fshatin e Ksilofagut, ku lindi babai, dhe në fshatrat përreth, tani janë tri kongregacione dhe 230 lajmëtarë gjithsej.

Këto rezultate të shkëlqyera kanë qenë burim gëzimi për mua. Tani, në moshën 83-vjeçare, përsëris me besim të plotë fjalët e psalmistit: «Luanët e rinj kanë pak për të ngrënë dhe kanë uri, kurse atyre që kërkojnë Jehovain, s’do t’u mungojë asgjë e mirë.» (Psalmi 34:10) Pres me padurim kohën kur të përmbushet profecia që gjendet te Isaia 35:6: «I çali do t’i ngjitë të përpjetat si një dre.» Deri atëherë, jam i vendosur që të vazhdoj t’i shërbej Jehovait me gëzim, pavarësisht nga kufizimet fizike.

[Harta në faqen 17]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

TURQI

SIRI

LIBAN

QIPRO

Nikozia

Ksilofag

Deti Mesdhe

[Figura në faqen 17]

Salla e parë e Mbretërisë në Ksilofag, sallë që vazhdon të përdoret edhe sot e kësaj dite

[Figurat në faqen 18]

Me Efprepinë në vitin 1946 dhe sot

[Figura në faqen 20]

Gjej gëzim duke dhënë dëshmi me telefon dhe me anë të letrave