Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai e thotë «përfundimin qysh në fillim»

Jehovai e thotë «përfundimin qysh në fillim»

Jehovai e thotë «përfundimin qysh në fillim»

«Ai që thotë përfundimin qysh në fillim dhe që prej shumë kohësh gjërat që ende nuk kanë ndodhur.»—ISAIA 46:10.

1, 2. Çfarë kanë të habitshme ngjarjet që lidhen me rënien e Babilonisë dhe ç’tregon kjo për Jehovain?

NË ERRËSIRËN e natës, ushtarët armiq përparojnë fshehurazi përgjatë shtratit të lumit Eufrat, drejt objektivit të tyre, qytetit të fuqishëm të Babilonisë. Ndërsa i afrohen hyrjes së qytetit, u del para syve një pamje që i shtang. Dyert gjigante dykanatëshe të murit mbrojtës të Babilonisë, janë lënë hapur! Pasi dalin nga shtrati i lumit, ata ngjiten dhe hyjnë në qytet. Me të shpejtë, qyteti bie. Kiri, komandanti i tyre, e merr nën kontroll menjëherë vendin e pushtuar dhe më vonë nxjerr një dekret për të çliruar robërit izraelitë. Mijëra të mërguar kthehen në vendlindje, për të rivendosur adhurimin e Jehovait në Jerusalem.—2 Kronikave 36:22, 23; Ezdra 1:1-4.

2 Sot, ato ngjarje të viteve 539-537 p.e.s. janë të dokumentuara mirë nga historianët. E habitshme është se dihej që 200 vjet më përpara se këto ngjarje do të ndodhnin. Jehovai frymëzoi profetin Isaia që të përshkruante rënien e Babilonisë shumë më përpara. (Isaia 44:24–45:7) Perëndia nuk zbuloi vetëm rrethanat në të cilat do të binte Babilonia, por edhe emrin e komandantit që do ta pushtonte. * Duke iu drejtuar izraelitëve, të cilët ishin dëshmitarët e tij në atë kohë, Jehovai tha: «Kujtoni gjërat e para të kohëve të lashta, që unë jam Hyjnori dhe që s’ka Perëndi tjetër, as ndonjë të ngjashëm me mua; Ai që thotë përfundimin qysh në fillim dhe që prej shumë kohësh gjërat që ende nuk kanë ndodhur.’» (Isaia 46:9, 10a) Jehovai është vërtet një Perëndi që mund ta dijë para kohe se çfarë do të ndodhë.

3. Përgjigjet e cilave pyetje do të shqyrtojmë tani?

3 Sa e njeh Perëndia të ardhmen? A e di që më përpara se çfarë do të bëjë secili nga ne? Vërtet, a është e paracaktuar e ardhmja jonë? Në këtë artikull e në artikullin vijues, do të shqyrtojmë përgjigjet që jep Bibla për këto pyetje e për të tjera që lidhen me këtë argument.

Jehovai​—Perëndi që bën profeci

4. Cili është Burimi i profecive të dokumentuara në Bibël?

4 Meqë mund ta njohë që më përpara të ardhmen, në kohët biblike Jehovai i frymëzoi shërbëtorët e tij të dokumentonin shumë profeci, të cilat na japin mundësi të dimë edhe ne që më përpara se çfarë ka si qëllim Jehovai. «Ja, gjërat e mëparshme kanë ndodhur, por unë po njoftoj gjëra të reja. Unë jua shpall para se ato të shfaqen»,—thotë Jehovai. (Isaia 42:9) Sa i privilegjuar është populli i Perëndisë!

5. Çfarë përgjegjësie sjell njohja që më përpara e asaj që do të bëjë Jehovai?

5 Profeti Amos na siguron: «Zotëria Sovran Jehova nuk do të bëjë asgjë, pa ua treguar më parë çështjen e tij konfidenciale shërbëtorëve të tij, profetëve.» Mirëpo, njohja e gjërave që më përpara, sillte me vete edhe përgjegjësi. Shikoni ilustrimin e gjallë që përdor më tej Amosi: «Luani ulëriti! Kush nuk do të frikësohet?» Ashtu si ulërima e luanit nxit një reagim të menjëhershëm te njerëzit a te kafshët që janë afër, po kështu profetë të tillë, si Amosi, i shpallën menjëherë gjërat që deklaronte Jehovai. «Zotëria Sovran Jehova foli! Kush nuk do të profetizojë?»—Amosi 3:7, 8.

«Fjala» e Jehovait përmbushet patjetër

6. Si u përmbush «qëllimi» i Jehovait për sa i përket rënies së Babilonisë?

6 Me anë të profetit Isaia, Jehovai tha: «Qëllimi im do të qëndrojë dhe do të bëj çdo gjë që më pëlqen.» (Isaia 46:10b) «Qëllimi» i Perëndisë ose vullneti i tij lidhur me Babiloninë, përfshinte thirrjen e Kirit nga Persia për të pushtuar Babiloninë dhe për ta rrënuar. Jehovai e shpalli shumë kohë më përpara atë qëllim. Siç u tha tashmë, ai u përmbush plotësisht në vitin 539 p.e.s.

7. Pse mund të jemi të sigurt se «fjala» e Jehovait përmbushet gjithnjë?

7 Rreth katër shekuj para se Kiri të pushtonte Babiloninë, Jehozafati, mbret i Judës, u gjend përballë forcave të bashkuara ushtarake të Amonit dhe Moabit. I sigurt, ai u lut: «O Jehova, Perëndia i paraardhësve tanë, a nuk je ti Perëndi në qiej? A nuk ke ti pushtet mbi gjithë mbretëritë e kombeve? A nuk janë në dorën tënde fuqia dhe forca, saqë askush nuk të bën dot ballë?» (2 Kronikave 20:6) Isaia shprehu një siguri të ngjashme, kur tha: «Jehovai i ushtrive e ka marrë vendimin. Kush mund ta anulojë? Dora e tij është shtrirë. Kush mund ta kthejë mbrapsht?» (Isaia 14:27) Më vonë, kur erdhi në vete pas një periudhe çmendurie, Nabukodonosori, mbret i Babilonisë, i përulur pranoi: «Nuk ka njeri që t’ia ndalë dorën [Perëndisë] ose që t’i thotë: ‘Ç’bëre kështu?’» (Danieli 4:35) Po, Jehovai e siguron popullin e tij: «Fjala që del nga goja ime, nuk do të kthehet prapë tek unë pa dhënë fryt. Përkundrazi, do ta bëjë atë që më pëlqen dhe do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.» (Isaia 55:11) Mund të jemi plotësisht të sigurt se «fjala» e Jehovait gjithnjë përmbushet. Qëllimi i Perëndisë është i padështueshëm.

‘Qëllimi i përjetshëm’ i Perëndisë

8. Cili është ‘qëllimi i përjetshëm’ i Perëndisë?

8 Në letrën drejtuar të krishterëve efesianë, apostulli Pavël tha se Perëndia kishte një ‘qëllim të përjetshëm’. (Efesianëve 3:11) Ky nuk është thjesht një plan veprimi, sikur Perëndia të kishte nevojë ta planifikonte mënyrën se si do të vepronte. Jo, ka të bëjë me vendosmërinë e Jehovait për të kryer atë që kishte si qëllim në fillim për njerëzimin e për tokën. (Zanafilla 1:28) Që ta kuptojmë më mirë se qëllimi i tij është i padështueshëm, le të shqyrtojmë profecinë e parë që gjendet në Bibël.

9. Si lidhet Zanafilla 3:15 me qëllimin e Perëndisë?

9 Nga premtimi te Zanafilla 3:15 kuptojmë se, menjëherë pasi Adami dhe Eva mëkatuan, Jehovai përcaktoi se gruaja e tij simbolike do të lindte një farë ose një bir. Gjithashtu, Jehovai parashikoi si do të përfundonte armiqësia mes gruas së tij simbolike dhe Satanait, si edhe mes dy farërave kundërshtare. Ndonëse Jehovai do të lejonte që Fara e gruas simbolike të plagosej në thembër, në kohën e caktuar nga Perëndia, kjo Farë do t’i shtypte kokën gjarprit ose Satana Djallit. Ndërkohë, qëllimi i Jehovait vazhdoi të përmbushej nëpërmjet linjës së zgjedhur gjenealogjike, deri te shfaqja e Jezuit si Mesia i premtuar.—Luka 3:15, 23-38; Galatasve 4:4.

Çfarë paravendos Jehovai?

10. A e paracaktoi që në fillim Jehovai se Adami dhe Eva do të mëkatonin? Shpjegoni.

10 Duke folur për rolin e Jezuit në qëllimin e Perëndisë, apostulli Pjetër shkroi: «Ai [Jezui] njihej që më parë, përpara themelimit të botës, por u shfaq në fund të kohëve për hirin tuaj.» (1 Pjetrit 1:20) A e kishte paracaktuar që në fillim Jehovai se Adami dhe Eva do të mëkatonin dhe se do të nevojitej flijimi shpërblyes me anë të Jezu Krishtit? Jo. Fjala ‘themelimi’ është përkthyer nga një fjalë greke, që fjalë për fjalë do të thotë «hedhja e farës». A kishte pasur ‘hedhje të farës’, ose ngjizje të pasardhësve njerëzorë, para se Adami dhe Eva të mëkatonin? Jo. Ata lindën fëmijë pas rebelimit të tyre. (Zanafilla 4:1) Prandaj, pas rebelimit, por përpara ngjizjes së pasardhësve të Adamit dhe Evës, Jehovai paravendosi shfaqjen e «farës». Nëpërmjet vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit u sigurua shpërblesa, kjo masë e dashur me anë të së cilës do të asgjësohet mëkati i trashëguar dhe gjithë përpjekjet e Satanait.—Mateu 20:28; Hebrenjve 2:14; 1 Gjonit 3:8.

11. Cilin zhvillim paravendosi Jehovai për përmbushjen e qëllimit të tij?

11 Perëndia paravendosi një zhvillim tjetër në përmbushjen e qëllimit të tij. Këtë e tregojnë fjalët që Pavli u shkroi efesianëve, domethënë se Perëndia ‘do të mbledhë përsëri së bashku në Krishtin të gjitha gjërat, gjërat në qiej dhe gjërat në tokë’. Pastaj, duke folur për «gjërat në qiej», domethënë për ata që zgjidhen si bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, Pavli shpjegoi se ‘ata u paravendosën sipas qëllimit të Perëndisë, që i bën të gjitha gjërat ashtu si këshillon vullneti i tij’. (Efesianëve 1:10, 11) Po, Jehovai vendosi që më përpara që një numër i kufizuar njerëzish të përbënin pjesën dytësore të farës së gruas simbolike të Perëndisë dhe të punonin bashkë me Krishtin për të zbatuar dobitë e shpërblesës. (Romakëve 8:28-30) Apostulli Pjetër i quan këta një «komb i shenjtë». (1 Pjetrit 2:9) Apostulli Gjon pati privilegjin që, në një vegim, të mësonte numrin e atyre që do të ishin bashkëtrashëgimtarë me Krishtin: 144.000. (Zbulesa 7:4-8; 14:1, 3) Duke mbështetur Krishtin Mbret, ata shërbejnë ‘për lëvdimin e lavdishëm [të Perëndisë]’.—Efesianëve 1:12-14.

12. Si e dimë që 144.000 personat nuk janë të paracaktuar si individë?

12 Paravendosja e 144.000 vetave nuk nënkupton që disa individë u paracaktuan t’i shërbejnë Perëndisë me besnikëri në këtë funksion. Në fakt, këshillat në Shkrimet e Krishtere Greke u shkruan kryesisht për të udhëhequr e për të forcuar të mirosurit që të mbajnë integritetin dhe të jenë të denjë për thirrjen e tyre qiellore. (Filipianëve 2:12; 2 Selanikasve 1:5, 11; 2 Pjetrit 1:10, 11) Jehovai e di që më përpara se do të kualifikohen 144.000 individë për të përmbushur qëllimin e tij. Se cilët do të jenë përfundimisht, varet nga mënyra se si zgjedhin të jetojnë ata që janë ftuar, një vendim që secili prej tyre duhet ta marrë personalisht.—Mateu 24:13.

Çfarë njeh Jehovai që më përpara?

13, 14. Me çfarë është në harmoni mënyra se si e ushtron Jehovai aftësinë e tij për t’i njohur gjërat që më përpara, dhe përse?

13 Duke qenë se është një Perëndi që bën profeci e që përmbush qëllimet, si e ushtron Jehovai aftësinë për t’i njohur gjërat që më përpara? Në radhë të parë, jemi të sigurt se të gjitha udhët e Perëndisë janë të vërteta, të drejta e të dashura. Kur po u shkruante të krishterëve hebrenj të shekullit të parë të e.s., apostulli Pavël ripohoi se beja dhe premtimi i Perëndisë janë ‘dy gjëra të pandryshueshme, në të cilat është e pamundur që Perëndia të gënjejë’. (Hebrenjve 6:17, 18) Pavli e shprehu këtë mendim edhe në letrën drejtuar dishepullit Titi, ku shkroi se Perëndia «nuk mund të gënjejë».—Titit 1:2.

14 Për më tepër, ndonëse Jehovai ka fuqi të pakufishme, ai kurrë nuk vepron padrejtësisht. Moisiu e përshkroi Jehovain si ‘një Perëndi të besueshëm, tek i cili nuk ka padrejtësi. I drejtë dhe i ndershëm është ai’. (Ligji i përtërirë 32:4) Çfarëdo që të bëjë Jehovai, është në harmoni me personalitetin e tij të mrekullueshëm. Veprimet e tij pasqyrojnë harmoninë e përsosur që ekziston mes cilësive kryesore që ka: dashurisë, mençurisë, drejtësisë dhe fuqisë.

15, 16. Çfarë mundësish vuri Jehovai përpara Adamit, në kopshtin e Edenit?

15 Shqyrtoni se si lidhet e gjithë kjo me ngjarjet në kopshtin e Edenit. Si një Atë i dashur, Jehovai siguroi gjithçka që u duhej krijesave njerëzore. I dha Adamit aftësinë për të menduar, për të arsyetuar rreth çështjeve dhe për të arritur në përfundime. Ndryshe nga kafshët, që kryesisht udhëhiqen nga instinkti, Adami kishte aftësinë të zgjidhte. Pas krijimit të Adamit, Perëndia pa që nga froni i tij qiellor «çdo gjë që kishte bërë dhe ja, ishte shumë mirë».—Zanafilla 1:26-31; 2 Pjetrit 2:12.

16 Kur Jehovai vendosi t’i jepte Adamit urdhrin që të mos hante nga «pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes», i dha udhëzime të qarta, kështu që ai mund të vendoste çfarë do të bënte. E lejoi Adamin të hante nga «çdo pemë e kopshtit», përveç njërës, dhe e paralajmëroi për pasojat vdekjeprurëse që do të kishte po të hante nga pema e ndaluar. (Zanafilla 2:16, 17) I shpjegoi Adamit pasojat e veprimeve të tij. Çfarë do të bënte Adami?

17. Pse mund të themi se Jehovai është përzgjedhës për atë që vendos të njohë që më përpara?

17 Nga sa duket, Jehovai vendosi të mos e parashikonte se çfarë do të bënte Adami, si edhe Eva, ndonëse e ka aftësinë për të ditur çdo gjë që më përpara. Prandaj, nuk është çështja a mund ta parashikojë Jehovai të ardhmen, por a vendos ta bëjë këtë. Veç kësaj, mund të arsyetojmë se, duke qenë Perëndi i dashurisë, Jehovai nuk do të paracaktonte me dijeni të plotë e me mizori se do të kishte një rebelim, me gjithë pasojat e tij të hidhura. (Mateu 7:11; 1 Gjonit 4:8) Pra, Jehovai është përzgjedhës kur vendos të ushtrojë aftësinë për t’i njohur gjërat që më përpara.

18. Pse fakti që Jehovai është përzgjedhës në atë që vendos të njohë më përpara, nuk është shenjë papërsosmërie nga ana e tij?

18 Fakti që Jehovai është përzgjedhës në atë që vendos të njohë që më përpara, a do të thotë se i mungon diçka, se është i papërsosur? Jo. Moisiu e përshkroi Jehovain si «Shkëmbi» dhe shtoi: «E përsosur është vepra e tij.» Nuk e ka ai fajin për pasojat e mëkatit njerëzor. Pasojat shkatërrimtare që i ndiejmë të gjithë sot, vijnë nga ai veprim i padrejtë mosbindjeje. Në mënyrë të qartë, apostulli Pavël arsyetoi se «ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar».—Ligji i përtërirë 32:4, 5; Romakëve 5:12; Jeremia 10:23.

19. Çfarë pyetjesh do të shqyrtohen në artikullin tjetër?

19 Nga sa kemi shqyrtuar, kemi parë se te Jehovai nuk ka padrejtësi. (Psalmi 33:5) Përkundrazi, aftësitë, cilësitë dhe normat e Jehovait mbështetin qëllimin e tij. (Romakëve 8:28) Si Perëndi që bën profeci, Jehovai e thotë «përfundimin qysh në fillim dhe që prej shumë kohësh gjërat që ende nuk kanë ndodhur». (Isaia 46:9, 10) Kemi parë edhe se ai është përzgjedhës kur vendos çfarë të njohë që më përpara. Atëherë, si ndikon kjo te ne? Si mund të sigurohemi që vendimet tona të jenë në harmoni me qëllimin e dashur të Perëndisë? E çfarë bekimesh do të kemi nga kjo? Këto pyetje do të shqyrtohen në artikullin tjetër.

[Shënimi]

^ par. 2 Shih broshurën Një libër për të gjithë njerëzit, faqja 28, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

A mund të shpjegoni?

• Cilët shembuj të lashtë dëshmojnë se «fjala» e Perëndisë përmbushet gjithnjë?

• Çfarë ka paravendosur Jehovai në lidhje me «qëllimin e tij të përjetshëm»?

• Si e ushtron Jehovai aftësinë e tij për t’i njohur gjërat që më përpara?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 22]

Jehozafati kishte besim te Jehovai

[Figura në faqen 23]

Perëndia paratha vdekjen dhe ringjalljen e Jezuit

[Figura në faqen 24]

A e paravendosi Jehovai se çfarë do të bënin Adami dhe Eva?