Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Perëndia kujdeset për të moshuarit

Perëndia kujdeset për të moshuarit

Perëndia kujdeset për të moshuarit

PËRHAPJA e keqtrajtimit të të moshuarve në ditët e sotme nuk është diçka që të habit. Kohë më parë, Bibla paratha se në «ditët e fundit» të këtij sistemi të paperëndishëm, njerëzit do të ishin «të dashuruar me veten, . . . pa përzemërsi të natyrshme». (2 Timoteut 3:1-3) Fjala greke që është përkthyer ‘përzemërsi e natyrshme’ përfshin edhe dashurinë që ekziston normalisht brenda familjes. Kjo profeci biblike është përmbushur, pasi mungesa e kësaj dashurie në ditët e sotme është më se e dukshme.

Krejt ndryshe nga ata që i keqtrajtojnë të moshuarit, Perëndia Jehova i vlerëson shumë dhe kujdeset për ata që janë në moshë të thyer. Shqyrtoni se çfarë thotë Bibla në lidhje me këtë.

«Gjykatës i vejushave»

Kujdesi që tregon Perëndia Jehova për të moshuarit kuptohet qartë te Shkrimet Hebraike. Te Psalmi 68:5, për shembull, Davidi e quan Perëndinë «gjykatës i vejushave», të cilat shpesh janë të moshuara. * Në përkthime të tjera të Biblës, fjala «gjykatës» përkthehet «mbrojtës» «ruajtës» ose «përkrahës». Është e qartë, Jehovai kujdeset për të vejat. Në të vërtetë, Bibla thotë se nëse ato keqtrajtohen, zemërimi i tij ndizet. (Eksodi 22:22-24) Vejushat, dhe të gjithë të moshuarit besnikë, vlerësohen shumë nga Perëndia dhe shërbëtorët e tij. Pikëpamja e Perëndisë Jehova dhe e popullit të tij shprehet te Proverbat 16:31: «Flokët e bardhë janë një kurorë bukurie kur gjenden në udhën e drejtësisë.»

Kjo nuk është për t’u çuditur, pasi respekti për të moshuarit ishte një pjesë themelore e Ligjit që Jehovai i kishte dhënë Izraelit. Aty Jehovai i urdhëronte izraelitët: «Duhet të ngrihesh në këmbë para flokëzbardhurit. Trego nderim për të moshuarin dhe frikësoju Perëndisë tënd. Unë jam Jehovai.» (Levitiku 19:32) Pra, në Izrael, respekti për të moshuarit lidhej ngushtë me marrëdhënien që kishte secili me Perëndinë Jehova. Askush nuk mund të thoshte se e donte Perëndinë ndërkohë që keqtrajtonte të moshuarit.

Të krishterët e sotëm nuk janë nën Ligjin e Moisiut. Megjithatë, ata janë nën «ligjin e Krishtit», që ka ndikim të thellë në sjelljen dhe qëndrimin e tyre dhe ku përfshihet dashuria dhe kujdesi për të moshuarit. (Galatasve 6:2; Efesianëve 6:1-3; 1 Timoteut 5:1-3) Dhe të krishterët tregohen të dashur me ta, jo sepse duhet t’i binden urdhrit, por sepse i duan me zemër. «Kini për njëri-tjetrin dashuri të zjarrtë nga zemra»,​—tha apostulli Pjetër.​—1 Pjetrit 1:22.

Dishepulli Jakov na dha arsye të tjera se përse duhet të kujdesemi për të moshuarit. Ai shkroi: «Adhurimi i pastër dhe i pandotur nga pikëpamja e Perëndisë, Atit tonë, është ky: të kujdesesh për jetimët dhe vejushat në vështirësitë e tyre dhe ta ruash veten të panjollë nga bota.» (Jakovi 1:27) Jakovi thekson një pikë vërtet prekëse. Ai na bën të qartë se sa të shtrenjtë janë këta individë për Jehovain.

Prandaj, nuk mjafton vetëm të mos i keqtrajtojmë të moshuarit. Por, duhet t’u tregojmë me vepra se interesohemi vërtet për ta, duke i ndihmuar konkretisht. (Shih kutinë «Dashuri me vepra» në faqet 6, 7.) Jakovi shkroi: «Besimi pa vepra është i vdekur.»​—Jakovi 2:26.

Ngushëllim «në vështirësitë e tyre»

Mësojmë edhe diçka tjetër nga fjalët e Jakovit. Ai u thoshte të krishterëve që të kujdeseshin për vejushat «në vështirësitë e tyre». Në kuptimin e parë në gjuhën greke fjala «vështirësi» do të thotë shqetësim, ankth ose vuajtje që vjen nga rrethanat ku jetojmë. Pa dyshim që shumë nga të moshuarit kalojnë vuajtje të tilla. Disa ndihen të vetmuar. Të tjerë stresohen nga kufizimet e moshës. Edhe ata që janë më se aktivë në shërbim të Perëndisë, mund të shkurajohen. Mendoni pak për Xhonin. * Ai ka qenë një lajmëtar besnik i Mbretërisë së Perëndisë për më shumë se dyzet vjet dhe tridhjetë vitet e fundit i ka kaluar në shërbimin special në kohë të plotë. Tani që është në të 80-at, Xhoni e pranon se ndonjëherë ndihet i shkurajuar. Ai thotë: «Shpesh kthej kokën prapa dhe kujtoj gabimet e mia, kaq shumë gabime. Gjithmonë mendoj me vete se shumë prej tyre mund t’i kisha shmangur.»

Këta të moshuar mund të ngushëllohen nëse e kuptojnë se Jehovai, edhe pse i përsosur, nuk kërkon përsosmëri prej nesh. Megjithëse ai i di gabimet tona, Bibla thotë për të: «Po t’i mbaje sytë te fajet, o Jah, o Jehova, kush do të mbetej në këmbë?» (Psalmi 130:3) Po, Jehovai nuk përqendrohet te gabimet tona dhe shikon çfarë kemi në zemër. Po si e dimë këtë?

Mbreti David, i cili edhe vetë gaboi e mëkatoi, u frymëzua nga Perëndia për të shkruar atë që thuhet te Psalmi 139:1-3: «O Jehova, ti më ke hetuar fund e krye dhe më njeh. Ti e di kur ulem e kur ngrihem, shqyrton nga larg çdo mendim timin. Ti peshon ecjen dhe prehjen time, i njeh mirë gjithë udhët e mia.» Fjala që këtu përkthehet «peshon» në gjuhën origjinale ka kuptimin «shoshis», në të njëjtën mënyrë që bujku heq mënjanë bykun që të mbetet gruri i pastër. I frymëzuar nga Perëndia, Davidi na siguron se Jehovai e di se si të shoshitë veprat tona që të mbajë në mend vetëm veprat tona të mira.

Ati ynë i mëshirshëm i kujton dhe kënaqet me veprat tona, për aq kohë sa i qëndrojmë besnikë atij. Në të vërtetë, Bibla thotë se ai do ta konsideronte si padrejtësi nëse do të harronte veprën tonë dhe dashurinë që tregojmë për emrin e tij.​—Hebrenjve 6:10.

«Gjërat e mëparshme shkuan»

Bibla tregon se problemet e pleqërisë nuk ishin pjesë e qëllimit që Perëndia kishte për njerëzimin. Ishte vetëm pasi prindërit tanë të parë, burri dhe gruaja e parë, u rebeluan kundër Krijuesit, që pasojat e këqija të plakjes u bënë pjesë e jetës njerëzore. (Zanafilla 3:17-19; Romakëve 5:12) Por nuk do të vazhdojë përgjithmonë kështu.

Ashtu siç thamë edhe më sipër, shumë probleme të sotme, duke përfshirë edhe keqtrajtimin e të moshuarve, provojnë që po jetojmë në «ditët e fundit» të këtij sistemi. (2 Timoteut 3:1) Qëllimi i Perëndisë është që të zhdukë pasojat e mëkatit, ku futen edhe problemet e plakjes dhe vdekja. Bibla thotë: «[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»​—Zbulesa 21:4.

Në botën e re të Perëndisë, dhembjet dhe vuajtjet e plakjes do t’i përkasin së shkuarës. Po kështu edhe keqtrajtimi i të moshuarve. (Mikea 4:4) Edhe ata që kanë vdekur dhe janë në kujtesën e Perëndisë do të vijnë përsëri në jetë, kështu që edhe ata do të kenë mundësinë të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore. (Gjoni 5:28, 29) Në atë kohë do të bëhet më e qartë se kurrë që Perëndia Jehova kujdeset jo vetëm për të moshuarit, por për të gjithë ata që i binden.

[Shënimet]

^ par. 5 Sigurisht, jo të gjitha vejushat janë të moshuara. Që Perëndia kujdeset edhe për vejushat në moshë të re tregohet për shembull te Levitiku 22:13.

^ par. 11 Ky nuk është emri i tij i vërtetë.

[Kutia dhe figurat në faqet 6, 7]

Dashuri me vepra

Ndër Dëshmitarët e Jehovait, pleqtë e kongregacionit janë të parët që tregojnë kujdes për të moshuarit. Ata e marrin seriozisht këshillën e apostullit Pjetër: «Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj». (1 Pjetrit 5:2) Kujdesi për të moshuarit në mënyra praktike është pjesë e kujdesit që tregojnë për kopenë e Perëndisë. Por, ç’do të thotë kjo më konkretisht?

Duhet durim dhe mundësisht një numër vizitash dhe bisedash për të kuptuar tamam se për çfarë ka nevojë një i moshuar. Ndoshta kanë nevojë për ndihmë që të bëjnë pazarin, të pastrojnë, të vijnë në mbledhjet e krishtere, të lexojnë Biblën dhe botimet e krishtere, si dhe të bëjnë shumë gjëra të tjera. Nëse është e mundur, të bëhen organizime praktike dhe të besueshme, e pastaj të realizohen. *

Po sikur një motër ose vëlla i moshuar në kongregacion të ketë një nevojë urgjente, ndoshta për ndihmë financiare? Së pari, do të ishte mirë që të shikojmë nëse ndonjë nga fëmijët ose nga të afërmit mund t’i ndihmojë. Kjo është në përputhje me shkrimin e 1 Timoteut 5:4 që thotë: «Nëse një vejushë ka fëmijë ose nipa e mbesa, këta le të mësojnë më parë të praktikojnë përkushtimin hyjnor me ata të shtëpisë së vet dhe të vazhdojnë t’u japin prindërve e gjyshërve shpërblimin e duhur, sepse kjo është e pranueshme në sytë e Perëndisë.»

Ndoshta ndonjë i moshuar ka nevojë për të përcaktuar nëse i plotëson kërkesat për të përfituar nga ndihma që siguron shteti. Disa nga kongregacioni ndoshta kanë mundësi ta ndihmojnë në këtë drejtim. Në qoftë se nuk mund të përfitojë asnjë nga mundësitë që ofron shteti, atëherë pleqtë mund të vendosin nëse personi kualifikohet që të marrë ndihmë nga kongregacioni. Kjo bëhej në disa raste edhe në kongregacionin e shekullit të parë, pasi apostulli Pavël i shkroi Timoteut, bashkëpunëtorit të tij: «Në listë le të futet një vejushë që nuk është më pak se gjashtëdhjetë vjeçe, grua e një burri të vetëm, për të cilën jepet dëshmi se bën vepra të shkëlqyera, nëse ka rritur fëmijë, nëse ka mikpritur të huajt, nëse u ka larë këmbët të shenjtëve, nëse u ka ardhur në ndihmë atyre në shtrëngim, nëse ka ndjekur me zell çdo vepër të mirë.»​—1 Timoteut 5:9, 10.

[Shënimi]

^ par. 25 Për një shqyrtim të mëtejshëm, shih artikullin «Të kujdesemi për të moshuarit​—Një përgjegjësi e krishterë»Kullën e Rojës të 15 majit 2004.

[Figura në faqen 5]

Dorka kujdesej për vejushat në nevojë.​—Veprat 9:36-39