Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pse, sipas Ligjit të Moisiut, disa funksione të natyrshme seksuale e bënin një njeri «të papastër»?

Perëndia e krijoi seksin për shtimin e racës njerëzore dhe për kënaqësinë e çifteve të martuara. (Zanafilla 1:28; Proverbat 5:15-18) Por, në kapitujt 12 dhe 15 të librit të Levitikut, gjejmë ligje të hollësishme për papastërtinë lidhur me lëshimin e farës, të përmuajshmet e grave dhe lindjen e fëmijëve. (Levitiku 12:1-6; 15:16-24) Këto ligje që iu dhanë Izraelit të lashtë, ndihmonin për të pasur një mënyrë jetese të shëndetshme, nxitnin vlera të larta morale dhe theksonin shenjtërinë e gjakut, si edhe nevojën për shlyerjen e mëkateve.

Kërkesat e Ligjit të Moisiut për sa u përket funksioneve seksuale, ndër të tjera, ndihmonin për shëndetin e përgjithshëm të izraelitëve. Në librin Bibla dhe mjekësia moderne (anglisht) thuhet: «Respektimi i ciklit menstrual, si edhe periudha gjatë së cilës duhej të përmbaheshin nga marrëdhëniet seksuale, përbënin një metodë të efektshme për të parandaluar disa sëmundje seksuale, . . . si edhe një parandalues të fortë për formimin dhe zhvillimin e kancereve të qafës së mitrës.» Këto ligje e mbronin popullin e Perëndisë nga sëmundje që ndoshta në atë kohë nuk njiheshin ose as dalloheshin dot. Higjiena e mirë vetjake shtonte pjellorinë e kombit të cilit Perëndia i kishte premtuar shtim dhe begati. (Zanafilla 15:5; 22:17) Këto ligje mbronin edhe shëndetin emocional të popullit të Perëndisë. Duke iu bindur atyre ligjeve, burrat dhe gratë mësonin të kontrollonin pasionin seksual.

Gjithsesi, çështja kryesore që përfshihej në llojet e papastërtisë të cilat vinin nga gjërat që lidheshin me seksin, ishte rrjedhja ose humbja e gjakut. Ligjet e Jehovait për gjakun u ngulitnin në mendje izraelitëve jo vetëm shenjtërinë e gjakut, por edhe vendin e veçantë që ka ai në adhurimin e Jehovait, domethënë në flijime dhe në shlyerjen për mëkatet.—Levitiku 17:11; Ligji i përtërirë 12:23, 24, 27.

Kështu, kërkesat e hollësishme të Ligjit në këtë drejtim lidhen ngushtësisht me papërsosmërinë njerëzore. Izraelitët e dinin se Adami dhe Eva, pasi mëkatuan, nuk mund të lindnin fëmijë të përsosur. Të gjithë pasardhësit e tyre do të vuanin pasojat e mëkatit të trashëguar, domethënë papërsosmërinë dhe vdekjen. (Romakëve 5:12) Për këtë arsye, prindërit mund të transmetonin vetëm jetë të papërsosur e mëkatare, ndonëse organet riprodhuese të njeriut u projektuan fillimisht për të transmetuar jetë të përsosur, gjithnjë brenda martesës.

Kërkesat e Ligjit për pastrimin do t’u kujtonin izraelitëve jo vetëm mëkatin që e kishin të trashëguar, por edhe nevojën për një flijim shpërblyes që të mbulonte mëkatet dhe të sillte prapë përsosmërinë te njerëzit. Natyrisht, flijimet në kafshë që paraqitnin, nuk e arrinin dot këtë. (Hebrenjve 10:3, 4) Qëllimi i Ligjit të Moisiut ishte t’i udhëhiqte te Krishti dhe t’i ndihmonte të kuptonin se vetëm nëpërmjet flijimit të përsosur njerëzor të Jezuit bëhej e mundur falja, e cila do t’u hapte rrugën njerëzve besnikë drejt jetës së përhershme.—Galatasve 3:24; Hebrenjve 9:13, 14.