Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të gjejmë kënaqësi në jetë duke zbatuar parimet biblike

Të gjejmë kënaqësi në jetë duke zbatuar parimet biblike

Të gjejmë kënaqësi në jetë duke zbatuar parimet biblike

ME SIGURI ke parë një mace që shtriqet e rehatohet dhe bën atë zhurmën e saj karakteristike nga kënaqësia. Ah, sa bukur do të ishte të rehatoheshim edhe ne e të provonim të njëjtën kënaqësi! Megjithatë, për shumë veta, kënaqësia jo vetëm që mezi gjendet, por edhe atëherë kur gjendet, është e shkurtër. Përse?

Sepse jemi të papërsosur dhe shpesh mëkatojmë, e veç kësaj, duhet të durojmë edhe të metat e të tjerëve. Për më tepër, jetojmë në periudhën që Bibla e quan «ditët e fundit», që karakterizohen nga «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1-5) Edhe sikur të kemi kujtime të bukura nga një fëmijëri e gëzuar, shumica prej nesh tani e ndien plotësisht barrën e këtyre ‘kohëve kritike’. A mund të gjejmë kënaqësi në një kohë si kjo e jona?

Po ta vësh re, Shkrimet thonë se këto kohë kritike do të ishin të vështira për t’u përballuar, jo të pamundura. Mund t’i përballojmë ato duke zbatuar parimet biblike. Ndoshta jo gjithnjë do t’i zgjidhim problemet, por do të arrijmë të gjejmë kënaqësi në jetë. Le të shqyrtojmë tri parime të tilla.

Mbaj një pikëpamje realiste

Për të gjetur kënaqësi, duhet të mbajmë një pikëpamje realiste për kufizimet tona dhe ato të të tjerëve. Në letrën drejtuar romakëve, apostulli Pavël thekson: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.» (Romakëve 3:23) Shumë aspekte të lavdisë së Jehovait as nuk arrijmë t’i kuptojmë dot. Një shembull i kësaj është pohimi i thjeshtë që gjejmë te Zanafilla 1:31: «Perëndia pa çdo gjë që kishte bërë dhe ja, ishte shumë mirë.» Kurdoherë që Jehovai vendos të shohë çfarë ka bërë, mund të thotë gjithmonë se «ishte shumë mirë». Asnjë njeri s’mund ta thotë gjithmonë këtë. Hapi i parë për të gjetur kënaqësi është të pranojmë kufizimet tona. Por nuk mbaron këtu. Duhet të kuptojmë e të pranojmë pikëpamjen e Jehovait për këtë çështje.

Rrënja e fjalës greke të përkthyer «mëkat» ka kuptimin «të mos qëllosh në shenjë». (Romakëve 3:9, shënimi, BR, anglisht) Le ta ilustrojmë: përfytyro një garë të gjuajtjes me hark, ku një njeri shpreson të qëllojë në shenjë dhe të fitojë çmimin. Ka tri shigjeta. Hedh të parën, por nuk godet në shenjë: e hedh një metër larg. Merr shenjë më mirë, por prapë shigjetën e dytë e hedh 30 centimetra larg. Pastaj, tërësisht i përqendruar, hedh shigjetën e tretë—pak fare larg shenjës. Ishte kaq afër, por gjithsesi nuk ishte në shenjë.

Të gjithë ne jemi si ai harkëtar i zhgënjyer. Nganjëherë na duket sikur shkojmë shumë larg ‘shenjës që duhet të qëllojmë’. Herë të tjera i shkojmë fare afër, por prapëseprapë gabojmë. Zhgënjehemi sepse bëmë shumë përpjekje, po prapë nuk mjaftuan. Por, tani, le të kthehemi edhe një herë te shembulli me harkëtarin.

Ai nis të largohet i mërzitur, sepse e donte vërtet atë çmim. Papritur, përgjegjësi i garës e thërret dhe i jep një çmim, duke i thënë: «Dua të ta jap këtë, sepse ti më pëlqen dhe e pashë sa shumë u përpoqe.» Harkëtari është tej mase i gëzuar.

Tej mase i gëzuar! Kështu do të ndihet çdokush që do të marrë nga Perëndia ‘dhuratën’ e jetës së përhershme në gjendje të përsosur. (Romakëve 6:23) Në atë gjendje, çdo gjë që do të bëjnë ata njerëz, do të jetë e mirë, do të qëllojnë në shenjë gjithnjë. Do të provojnë kënaqësi të plotë. Ndërkohë, nëse mbajmë në mendje këtë pikëpamje, do të kemi mendim më të mirë për veten dhe për ata që na rrethojnë.

Kupto që gjërat duan kohë

Realiteti është që çdo gjë do kohë. Por, a e ke vënë re sa e vështirë është të jesh i kënaqur, kur duket se diçka që shpreson, do më tepër kohë nga sa mendoje ose kur një situatë e pakëndshme duket sikur vazhdon më gjatë nga sa pritje? Gjithsesi, disa kanë arritur të jenë të kënaqur edhe në situata të tilla. Shqyrto rastin e Jezuit.

Para se të vinte në tokë, Jezui ishte shembullor në qiell për sa i përket bindjes. Megjithatë, këtu në tokë ai «mësoi bindjen». Po si? «Nga ato që vuajti.» Më përpara kishte parë vuajtje, po kurrë s’i kishte provuar vetë. Kur ishte në tokë, e sidomos pas pagëzimit në lumin Jordan e deri në vdekje, në Golgotë, ai kaloi shumë rrethana të vështira. Nuk i dimë të gjitha hollësitë se si «u bë i përsosur» Jezui në këtë aspekt, por e dimë se për këtë u desh kohë.—Hebrenjve 5:8, 9.

Jezui ia doli mbanë, sepse meditonte për ‘gëzimin që i ishte vënë përpara’, pra shpërblimin për besnikërinë e tij. (Hebrenjve 12:2) Gjithsesi, pati raste kur ai, «me klithma të forta dhe lot, . . . bëri përgjërime dhe kërkesa». (Hebrenjve 5:7) Edhe ne, nganjëherë, mund të jemi lutur në këtë mënyrë. Si e sheh Jehovai këtë? I njëjti varg tregon se Jehovai e ‘dëgjoi’ Jezuin. Të njëjtën gjë do të bëjë me ne. Pse?

Sepse Jehovai i njeh kufizimet tona dhe na vjen në ndihmë. Të gjithë e kanë një kufi se sa mund të durojnë. Në Benin, Afrikë, ka një fjalë të urtë: «Kur ka tepër ujë, mbyten edhe bretkosat.» Jehovai e di më mirë se ne kur po i afrohemi kufirit të durimit. Me dashuri, ai na jep «mëshirë e . . . dashamirësi të pamerituar, për ndihmë në kohën e duhur». (Hebrenjve 4:16) E bëri këtë në rastin e Jezuit dhe ka vepruar njësoj për shumë të tjerë. Shiko se si e ka provuar Monika këtë.

Ajo u rrit pa shumë halle dhe ishte një vajzë e gjallë, e qeshur. Në vitin 1968, kur sapo kishte mbushur të 20-at, u trondit kur mori vesh se ishte me sklerozë të shumëfishtë, një sëmundje që në përgjithësi shkakton paralizë të pjesshme. Jeta e saj ndryshoi krejt dhe iu desh të bënte përshtatje të mëdha në shërbimin e plotkohor. Monika e kuptoi se sëmundja e saj do të zgjaste për shumë kohë. Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, tha: «Sëmundja ime është ende e pakurueshme e mund të mbetet e tillë derisa Perëndia të sjellë sistemin e ri dhe të bëjë çdo gjë të re.» E pranoi se nuk kishte qenë e lehtë: «Edhe pse miqtë thonë se vazhdoj të jem e qeshur dhe e gjallë si më parë, . . . miqtë e mi më të ngushtë e dinë se ka raste kur lotët më rrjedhin çurg.»

Gjithsesi, ajo komentoi: «Kam mësuar të jem e duruar e të gëzohem edhe me një shenjë të vogël përmirësimi. Kam parë sa i pafuqishëm është njeriu në luftën kundër sëmundjes, dhe kjo e ka forcuar marrëdhënien time me Jehovain. Vetëm ai mund të sjellë shërim të plotë.» Me ndihmën e Jehovait, Monika ka arritur të gjejë kënaqësi në jetë dhe tani mund të mendojë me ëndje për më shumë se 40 vitet që ka kaluar në shërbim të plotkohor.

Qartë, situatat si ajo e Monikës nuk janë të lehta. Por, me siguri do të jesh më i kënaqur, po të pranosh se disa gjëra duan më shumë kohë nga sa ke menduar. Ashtu si Monika, edhe ti mund të jesh i sigurt se Jehovai do të të japë «ndihmë në kohën e duhur».

Mos bëj krahasime, por vër synime të arsyeshme

Secili nga ne është një individ më vete. Nuk ka asnjë që të jetë identik me ty. Një fjalë e urtë e shpreh shumë thjesht këtë: «S’janë të gjithë gishtërinjtë njësoj.» S’ka kuptim të krahasosh një gisht me tjetrin. Ti nuk do të doje që Jehovai të të krahasonte me dikë tjetër, dhe ai nuk ka për ta bërë kurrë këtë. Mirëpo, te njerëzit ekziston prirja për të krahasuar, një prirje që nuk të ndihmon të jesh i kënaqur. Shiko sa bukur e ilustroi Jezui këtë, te Mateu 20:1-16.

Jezui foli për ‘të zotin’ e një vreshti që donte punëtorë për vreshtin e tij. Gjeti disa burra të papunë dhe i mori me mëditje «në të gdhirë», ndoshta rreth orës 6 të mëngjesit. Ranë dakord për pagën e zakonshme ditore të asaj kohe, një denar për një ditë pune 12-orëshe. Me siguri, ata burra ishin të kënaqur që gjetën punë e, për më tepër, me pagën e zakonshme. Më vonë, i zoti i vreshtit gjeti disa të tjerë të papunë, të cilët i mori me mëditje—në orën 9 të mëngjesit, 12 të drekës, 3 pasdite dhe 5 pasdite. Nga këta të dytët, asnjëri s’do të punonte një ditë të plotë. Si pagë, pronari u premtoi «ç’të jetë e drejtë» dhe ata ishin dakord.

Në fund të ditës, i zoti i vreshtit urdhëroi përgjegjësin t’u jepte pagën punëtorëve. I tha t’i thërriste punëtorët dhe së pari t’u jepte pagën atyre që punësoi të fundit. Këta kishin punuar vetëm një orë, por, për çudi, morën pagën e një dite të plotë. E marrim me mend debatin e zjarrtë që ka lindur. Duke parë çfarë ndodhi, ata që kishin punuar 12 orë menduan se do të merrnin më tepër. Megjithatë, edhe ata morën të njëjtën sasi parash.

Si reaguan? «Kur e morën [pagën], ata nisën të murmuritnin kundër të zotit të shtëpisë dhe thoshin: ‘Këta të fundit punuan një orë, e megjithatë ti i trajtove njësoj si ne që mbajtëm barrën e ditës në vapën përvëluese!’»

Mirëpo, i zoti i vreshtit mendonte ndryshe. Ai u tha se kishin marrë atë për të cilën kishin rënë dakord, jo më pak. Sa për të tjerët, ai kishte vendosur t’u jepte pagën e një dite të plotë, me siguri më shumë nga sa kishin menduar ata. Në të vërtetë, asnjë nuk mori më pak nga sa kishte rënë dakord, përkundrazi, shumë morën më tepër nga sa kishin menduar. Prandaj, si përfundim, i zoti i vreshtit pyeti: «A s’është e ligjshme të bëj ç’të dua me gjërat e mia?»

Tani mendo sikur përgjegjësi t’i kishte dhënë në fillim pagën grupit të parë, dhe këta të ishin larguar menjëherë. Do të kishin qenë të kënaqur. Pakënaqësia lindi vetëm kur panë se të tjerët kishin marrë të njëjtën pagë, edhe pse kishin punuar më pak. Kjo i zemëroi, madje aq sa murmuritën kundër të zotit të vreshtit, të cilit normalisht do t’i kishin qenë mirënjohës, sepse i kishte marrë në punë.

Kjo ilustron më së miri çfarë ndodh kur bëjmë krahasime. Po të meditosh për marrëdhënien tënde me Jehovain dhe të çmosh se sa po të bekon, do të jesh i kënaqur. Mos e krahaso gjendjen tënde me atë të të tjerëve. Nëse duket se Jehovai ka vendosur të bëjë diçka më tepër për të tjerët, ji i lumtur për ta dhe gëzo bashkë me ta.

Por Jehovai pret diçka nga ti. Çfarë? Te Galatasve 6:4 thuhet: «Secili të tregojë me prova se si është vepra e vet, dhe atëherë do të ketë shkak të ngazëllohet vetëm për veten.» Me fjalë të tjera, vër synime të arsyeshme për veten. Planifiko atë që mund të bësh në mënyrë realiste, dhe pastaj ji i vendosur ta arrish. Nëse synimi është i arsyeshëm dhe e arrin, do të kesh ‘shkak të ngazëllohesh’. Do të jesh i kënaqur.

Të presin shpërblime

Tri parimet që kemi shqyrtuar tregojnë se, kur zbaton parimet e Biblës, mund të gjesh vërtet kënaqësi në jetë, edhe në këto ditë të fundit dhe pavarësisht nga papërsosmëria. Pse të mos kërkosh parime të tilla gjatë leximit të përditshëm të Biblës, që mund të jenë thënë ose drejtpërdrejt, ose janë shprehur nëpërmjet tregimeve dhe ilustrimeve?

Nëse e ndien që po të pakësohet kënaqësia, përpiqu të përcaktosh shkakun e vërtetë. Pastaj kërko parime që mund t’i zbatosh për të ndrequr situatën. Për shembull, mund të shohësh në faqet 110 dhe 111 të librit «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm». * Atje shqyrtohet libri i Proverbave dhe do të gjesh një përmbledhje të madhe parimesh e këshillash, të grupuara në 12 nëntituj. Treguesi i botimeve Watch Tower* dhe Biblioteka Watchtower në CD-ROM* janë burime të shkëlqyera informacioni. Duke i përdorur shpesh ato, do të bëhesh mjeshtër për të gjetur parime që zbatohen në raste të ndryshme.

Po vjen koha kur Jehovai do t’u japë atyre që e meritojnë jetën e përhershme në përsosmëri, në një tokë parajsore. Atëherë, jeta e tyre do të jetë e mbushur plot me kënaqësi.

[Shënimet]

^ par. 30 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht.

Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht.

Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht.

[Diçitura në faqen 12]

«Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.»​—Romakëve 3:23

[Diçitura në faqen 13]

Jezui «mësoi bindjen nga ato që vuajti».​—Hebrenjve 5:8, 9

[Diçitura në faqen 15]

«[Ai] do të ketë shkak të ngazëllohet vetëm për veten e jo të krahasohet me një tjetër.»​—Galatasve 6:4