Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të lënë pas dore, të keqtrajtuar dhe të moshuar

Të lënë pas dore, të keqtrajtuar dhe të moshuar

Të lënë pas dore, të keqtrajtuar dhe të moshuar

NDËRSA bënte xhiron e kontrollit, roja i natës nuk e priste të shihte diçka aq të tmerrshme. Atje, poshtë një pallati luksoz, pa dy trupa të pajetë, një çift të moshuarish që ishin hedhur nga dritarja e apartamentit të tyre në katin e tetë. Megjithëse vetëvrasja e tyre ishte tronditëse, arsyeja pse e kishin bërë ishte edhe më e tmerrshme. Në një letër që u gjend në xhepin e burrit thuhej: «Po i japim fund jetës për shkak të keqtrajtimit të vazhdueshëm dhe armiqësisë nga ana e djalit dhe nuses sonë.»

Detajet e kësaj historie mund të jenë të veçanta, por ky problem sot është bërë diçka e zakontë, dhe kjo është shqetësuese. Në të vërtetë, keqtrajtimi i të moshuarve është një dukuri që ndodh në çdo pjesë të globit. Këtë e tregojnë edhe statistikat e mëposhtme:

• Nga një studim u zbulua se 4 për qind e të moshuarve kanadezë keqtrajtoheshin dhe shfrytëzoheshin, në përgjithësi nga një pjesëtar i familjes. Megjithatë, shumë të moshuarve u vjen turp ose kanë frikë të flasin për gjendjen e tyre. Prandaj ekspertët mendojnë se kjo shifër mund të arrijë deri në 10 për qind.

• «Pas fasadës së familjeve të forta në dukje, kombi indian po rrënohet për shkak të numrit gjithnjë e në rritje të të moshuarve të padëshiruar nga fëmijët e tyre»,—raporton revista India Today.

• Sipas llogaritjeve më të sakta, «1 deri në 2 milionë amerikanë të moshës 65 vjeç e lart janë dëmtuar fizikisht, janë shfrytëzuar ose keqtrajtuar nga dikush që duhej t’i mbronte ose të kujdesej për ta»,—thotë qendra Kombëtare për Keqtrajtimin e të Moshuarve. Një zëvendës prokuror në San-Diego të Kalifornisë e quan keqtrajtimin e të moshuarve si «një nga çështjet më serioze me të cilat përballet ligji sot». Ai shton: «Parashikoj që në vitet e ardhshme problemi të rritet.»

• Në Kantërbëri të Zelandës së Re, po rritet gjithnjë e më shumë shqetësimi për të moshuarit që po vihen në shënjestër nga anëtarët e familjes, sidomos nga ata që kanë probleme me drogën, alkoolin ose bixhozin. Numri i rasteve të raportuara për keqtrajtim të të moshuarve në Kantërbëri u rrit ndjeshëm nga 65 në vitin 2002 në 107 raste në vitin 2003. Drejtori i përgjithshëm i një agjencie që merret me parandalimin e këtij keqtrajtimi thotë se këto shifra mund të paraqesin vetëm «majën e ajsbergut».

• Një gazetë japoneze thotë se Federata Japoneze e Shoqatave të Avokatëve këshillon që «të moshuarve të keqtrajtuar t’u kushtojmë më tepër vëmendje sesa fëmijëve ose personave të tjerë të keqtrajtuar brenda familjes». (The Japan Times) Përse? Sipas gazetës, një arsye është se, «në krahasim me abuzimin e fëmijëve apo të bashkëshortëve, keqtrajtimi i të moshuarve zakonisht do kohë të dalë në sipërfaqe. Kjo, pjesërisht, sepse të moshuarit ndihen fajtorë kur fëmijët fillojnë t’i keqtrajtojnë, e sepse qeveria dhe pushtetarët lokalë nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje për problemin».

Megjithëse këto janë vetëm disa statistika, ato pasqyrojnë atë që po ndodh në mbarë globin dhe na shtyjnë të bëjmë pyetjen: Përse kaq shumë të moshuar lihen pas dore dhe keqtrajtohen? A ka shpresë që gjërat të rregullohen? Çfarë ngushëllimi ka për të moshuarit?