A je vërtet i lumtur?
A je vërtet i lumtur?
PO, MUND ta pyesësh veten: ‘A jam vërtet i lumtur?’ Studiuesit e shkencave shoqërore po përpiqen të zbulojnë se si do t’i përgjigjeshe ti ose njerëzit e tjerë kësaj pyetjeje, por nuk e kanë të lehtë. Të matësh lumturinë është njëlloj si të matësh dashurinë e një burri për gruan e tij ose dhembjen që shkakton vdekja e dikujt në familje. Nuk është e lehtë t’i matësh me saktësi emocionet. Megjithatë shkencëtarët pranojnë një të vërtetë themelore: të gjithë njerëzit e kanë aftësinë për të qenë të lumtur.
Edhe pse kemi këtë aftësi të lindur, problemet serioze kanë bërë që mungesa e lumturisë të ndihet mjaft në të gjithë botën. Shqyrtoni këtë shembull: Në disa qytete, viktimat e SIDA-s kanë mbushur varrezat. Autoritetet po hapin varret e vjetra që të varrosin ata që vdesin në ditët e sotme. Në disa vende të Afrikës, të bësh arkivole është një nga burimet kryesore të punësimit. E pavarësisht se ku jeton, edhe ti ke parë pikëllimin e atyre që vuajnë nga sëmundje të rënda ose nga humbja e të afërmve dhe e miqve.
Po ç’mund të themi për vendet më të zhvilluara? Diçka e papritur mund t’u rrëmbejë sigurinë financiare atyre që nuk e presin. Në Shtetet e Bashkuara, shumë pensionistëve u është dashur të kthehen në punë pasi u është mohuar pensioni që u takon. Faturat mjekësore shpesh hanë të gjitha kursimet e një familjeje. «Të ther në zemër kur vijnë disa njerëz që kërkojnë këshilla për shpenzimet e mëdha që duhet të bëjnë për problemet e shëndetit,—thotë një këshillues ligjor.—Shumë herë detyrohemi t’u themi: ‘Do të të duhet të shesësh shtëpinë.’» Po ata që nuk kanë kufizime financiare? A janë gjithmonë të lumtur?
Disa janë si kompozitori i famshëm Riçard Roxhers. Për të thuhej: «Të paktë janë ata që u kanë falur njerëzve kaq shumë kënaqësi.» Por, edhe pse këngët e tij lumturonin të tjerët, ai vuante nga depresioni kronik. Arriti dy gjëra që shumë veta i synojnë: pasurinë dhe famën. Por, a ishte i lumtur? Një biograf shkruante: «[Roxhers] pati një sukses të jashtëzakonshëm në punën e tij, bënte një jetë plot privilegje dhe mori dy herë çmimin Pulitzer. Por nuk ishte i lumtur dhe shumicën e kohës ishte me depresion.»
Siç mund ta kesh vënë re, kur e kërkon lumturinë te pasuria, shpesh zhgënjehesh. Një gazetar që shkruan për investimet në një gazetë të Torontos në Kanada, përshkroi «izolimin dhe boshllëkun» në të cilën jetojnë shumë njerëz të pasur. (The Globe and Mail) Sipas një këshilluesi financiar, kur prindërit e pasur i mbulojnë fëmijët e tyre me para dhe dhurata, në këtë mënyrë «shpesh kanë hedhur farat e para për mjerimin e mëvonshëm».
A ka ndonjë bazë të qëndrueshme për të qenë i lumtur?
Që të lulëzojë, një lule ka nevojë për dhè të mirë, ujë dhe për klimën e duhur. Po kështu, studiuesit e kuptojnë se për të qenë të lumtur nevojiten disa kushte. Këtu futet mirëqenia fizike, një punë e mirë, ushqimi i bollshëm, strehimi, veshja, plotësimi i prirjeve krijuese dhe miqtë e mirë.
Ndoshta edhe ti je dakord që këto kushte ndikojnë për mirë në lumturinë e njeriut. Por ka edhe një faktor më të rëndësishëm. Është njohuria për ‘Perëndinë e lumtur’, emri i të cilit është Jehova. (1 Timoteut 1:11) Si na ndihmon kjo njohuri që të jemi të lumtur? Jehovai është Krijuesi ynë dhe na ka dhënë aftësinë për të qenë të lumtur. Është logjike që ai e di se çfarë mund të na bëjë vërtet të lumtur. Artikulli vijues flet për mënyrën se si i drejton njerëzit, pavarësisht se në ç’vend ose në ç’rrethana jetojnë, drejt një jete ku lumturia është e përhershme.
[Figura në faqen 4]
Ashtu si një lule, lumturia kërkon kushtet e duhura për t’u zhvilluar
[Burimi i figurës në faqen 3]
© Gideon Mendel/CORBIS