Një mësim për krenarinë dhe përulësinë
Një mësim për krenarinë dhe përulësinë
NJË ngjarje në jetën e mbretit David nxjerr në pah ndryshimin mes përulësisë së vërtetë dhe krenarisë. Ndodhi pasi Davidi kishte pushtuar Jerusalemin dhe e kishte bërë kryeqytetin e tij. Davidi e konsideronte Jehovain si Mbretin e vërtetë të Izraelit, prandaj mori masa që të sillej në qytet Arka, e cila simbolizonte praninë e Perëndisë. Kjo ngjarje ishte kaq e rëndësishme për Davidin, saqë e shfaqi gëzimin në sy të të gjithëve ndërsa ndiqte priftërinjtë që mbartnin Arkën. Banorët e Jerusalemit e panë mbretin e tyre që «hidhej përpjetë» dhe që «hidhte valle me sa fuqi që kishte».—1 Kronikave 15:15, 16, 29; 2 Samuelit 6:11-16.
Kurse gruaja e Davidit, Mikala, nuk mori pjesë në atë procesion festiv. Ajo shikonte nga dritarja dhe, në vend që ta admironte mënyrën se si Davidi i jepte lavdi Jehovait, «filloi ta përbuzte në zemër të vet». (2 Samuelit 6:16) Pse ndihej kështu Mikala? Me sa duket, ajo i jepte shumë rëndësi vetes, sepse ishte bija e Saulit, mbretit të parë të Izraelit, dhe tani gruaja e mbretit të dytë të Izraelit. Ndoshta mendonte se burri i saj, mbreti, nuk duhej ta ulte veten e të festonte ashtu siç bënin njerëzit e thjeshtë. Ky fodullëk doli në pah në mënyrën se si e përshëndeti Davidin kur u kthye në shtëpi. Me sarkazëm ajo i tha: «Sa të nderuar e bëri sot veten mbreti i Izraelit, kur u zbulua në sy të skllaveve të shërbëtorëve të tij, ashtu si zbulohet krejtësisht një kokëbosh!»—2 Samuelit 6:20.
Si reagoi Davidi ndaj kësaj kritike? E qortoi Mikalën duke i thënë se Jehovai kishte zgjedhur atë si mbret në vend të babait të saj, Saulit. Ai shtoi: «Unë do të bëhem edhe më pak i vlerësuar se kaq dhe do ta ul veten në sytë e mi. Prej skllaveve që përmende ti, prej tyre kam vendosur të marr lavdi.»—2 Samuelit 6:21, 22.
Po, Davidi ishte i vendosur t’i shërbente Jehovait me përulësi. Ky lloj qëndrimi na bën të kuptojmë se përse Jehovai e quajti Davidin «një njeri siç ma do zemra». (Veprat 13:22; 1 Samuelit 13:14) Në fakt, Davidi po ndiqte shembullin më të mirë të përulësisë, atë të vetë Perëndisë Jehova. Është interesante se shprehja që përdori Davidi kur i tha Mikalës «do ta ul veten» vjen nga e njëjta rrënjë e një foljeje hebraike që përdoret edhe për të treguar pikëpamjen e Perëndisë për njerëzimin. Megjithëse Jehovai është Personi më i lartë në univers, Psalmi 113:6, 7 thotë se ai «përkulet [zbret nga rangu ose dinjiteti i tij kur ka të bëjë me dikë më të ulët se veten] për të parë në qiell dhe në tokë, dhe e ngre të përvuajturin nga pluhuri. Ai e merr të varfrin nga gropa e hirit dhe e larton».
Jehovai është i përulur, ja pse nuk është çudi që i urren «sytë krenarë» të njerëzve fodullë. (Proverbat 6:16, 17) Ngaqë shfaqi këtë tipar të keq dhe tregoi mungesë respekti për mbretin që kishte zgjedhur Perëndia, Mikala u privua nga privilegji për t’i dhënë një djalë Davidit. Ajo vdiq pa lindur fëmijë. Ç’mësim i rëndësishëm për ne! Të gjithë ata që kërkojnë miratimin e Perëndisë duhet të ndjekin atë që thuhet në këto vargje: «Ngjishuni . . . me përulësi mendjeje ndaj njëri-tjetrit, sepse Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve.»—1 Pjetrit 5:5.