Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Çfarë kishte ndër mend Jezui kur i tha Nikodemit, «askush nuk është ngjitur në qiell, përveç atij që zbriti nga qielli, Birit të njeriut»?—Gjoni 3:13.
Në atë kohë, Jezui ishte në tokë dhe ende nuk ishte ngjitur ose nuk ishte kthyer në qiell. Por, ajo që dimë për Jezuin, si edhe konteksti i fjalëve të tij, na ndihmojnë të kuptojmë këtë pikë.
Jezui «zbriti nga qielli» në kuptimin që më parë kishte jetuar në qiell, me Atin e tij, por në kohën e caktuar, Perëndia e dërgoi jetën e Birit në barkun e Marisë, e kështu Jezui lindi si njeri. (Luka 1:30-35; Galatasve 4:4; Hebrenjve 2:9, 14, 17) Pas vdekjes, Jezui do të ringjallej si krijesë frymore dhe do të kthehej përsëri pranë Jehovait. Kështu, pak para se ta vritnin, Jezui mund të lutej: «O Atë, jepmë lavdi, që të jem pranë teje e të kem atë lavdi që kisha pranë teje para se të ishte bota.»—Gjoni 17:5; Romakëve 6:4, 9; Hebrenjve 9:24; 1 Pjetrit 3:18.
Kur foli me Nikodemin, që ishte një farise dhe mësues në Izrael, Jezui ende nuk ishte kthyer në qiell. Natyrisht, asnjë njeri tjetër që kishte vdekur nuk ishte ngjitur në sferën frymore, në qiell. Vetë Jezui tha se Gjon Pagëzori ishte i pashoq si profet i Perëndisë, por «më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai». (Mateu 11:11) Gjithashtu, apostulli Pjetër shpjegoi se edhe mbreti besnik David kishte vdekur dhe ishte ende në varrin e tij; Davidi nuk u ngjit në qiell. (Veprat 2:29, 34) Kishte një arsye pse ata që vdiqën para Jezuit, si Davidi, Gjon Pagëzori dhe burra të tjerë me besim, nuk shkuan në qiell. Ata vdiqën para se Jezui të përuronte udhën ose mundësinë për ringjalljen e njerëzve në jetën qiellore. Apostulli Pavël shkroi se Jezui, si një pararendës, «përuroi . . . një udhë të re e të gjallë» në qiell.—Hebrenjve 6:19, 20; 9:24; 10:19, 20.
Meqë Jezui ende s’kishte vdekur e s’ishte ringjallur, pse i tha Nikodemit, «askush nuk është ngjitur në qiell, përveç atij që zbriti nga qielli, Birit të njeriut»? (Gjoni 3:13) Shqyrtoni kontekstin ose ndryshe çfarë po diskutonte Jezui me Nikodemin.
Kur ky farise, që ishte një nga krerët e judenjve, erdhi te Jezui natën, ai i tha: «Me të vërtetë po të them se, në qoftë se dikush nuk lind përsëri, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.» (Gjoni 3:3) Nikodemi atëherë e pyeti: ‘Po si ka mundësi? Si mund të lindë një njeri për së dyti?’ Ai nuk e kuptonte këtë mësim hyjnor, se çfarë do të thoshte të ishe në Mbretërinë e Perëndisë. A kishte ndonjë mënyrë se si ta mësonte? Sigurisht, jo nga pikëpamja njerëzore; s’kishte asnjë njeri që mund t’i tregonte për këtë, pasi asnjeri s’kishte qenë në qiell që të shpjegonte se si të hysh në Mbretëri. I vetmi që bënte përjashtim ishte Jezui. Ai mund ta mësonte Nikodemin dhe të tjerët, sepse kishte zbritur nga qielli dhe ishte i kualifikuar t’i mësonte njerëzit për këto gjëra.
Kështu, pyetja që ka lindur për këtë shkrim ilustron një aspekt të vlefshëm lidhur me studimin e Fjalës së Perëndisë. Nuk është e arsyeshme të ngecim te një pjesë e Biblës, vetëm sepse duket e vështirë për t’u kuptuar. Ajo që thotë Bibla në një vend, duhet parë e lidhur me pjesët e tjera të saj dhe të jetë në përputhje me to. Për më tepër, shpesh, konteksti, domethënë rrethanat ose çfarë po diskutohej, na ndihmon të gjejmë domethënien e arsyeshme dhe logjike të një shkrimi të vështirë.