Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rritje mes popullsisë së larmishme të Ugandës

Rritje mes popullsisë së larmishme të Ugandës

Rritje mes popullsisë së larmishme të Ugandës

UGANDA shtrihet në të dyja anët e ekuatorit dhe ndodhet mes dy degëzimeve të Luginës së Madhe Tektonike të Afrikës Lindore. Ajo është e bekuar me një bukuri të jashtëzakonshme. Peizazhi i saj është i larmishëm, i pasur me bimësi dhe jetë shtazore interesante. Meqë ndodhet në rrafshnaltën e lartë dhe të madhe afrikane, vendi ka një klimë të butë dhe një peizazh tërheqës me kodra që shtrihen për qindra kilometra.

Pak vende kanë brenda një zone të vogël një larmi të tillë, që nga peizazhet akullnajore deri te peizazhet tropikale. E megjithatë Uganda është e tillë. Ajo shtrihet nga majat e mbuluara me borë të Maleve të Hënës, malet Ruvenzori, në perëndim, e deri në fushën gjysmë të thatë në lindje. Në rrafshinat e saj mund të gjesh elefantë, buaj afrikanë dhe luanë. Në malet dhe pyjet e dendura banojnë gorillat, shimpanzetë dhe më tepër se 1.000 lloje zogjsh. Pjesa më e madhe e kontinentit afrikan është e goditur nga thatësira dhe zia e bukës, por Uganda është e bekuar me lumenj dhe liqene të tillë, si Viktoria, liqeni i dytë më i madh në botë me ujë të ëmbël. Grykëderdhja veriore e liqenit Viktoria shtrihet në lumin Nil. Jo më kot Uinston Çërçilli e quajti këtë vend «perla e Afrikës».

«Perla» shkëlqen sot

Gjithsesi, ajo që të tërheq më shumë në Ugandë është popullsia e saj miqësore, mikpritëse dhe e larmishme. Ky vend kryesisht «i krishterë» mund të përshkruhet si një përzierje grupesh dhe kulturash të shumta etnike. Edhe sot, njerëzit e kësaj popullsie të larmishme mund të dallohen nga traditat dhe veshjet e tyre.

Kohët e fundit gjithnjë e më shumë ugandas po i përgjigjen lajmit të mirë të Biblës në lidhje me kohën kur në mbarë tokën do të mbizotërojë paqja e qëndrueshme. (Psalmi 37:11; Zbulesa 21:4) Është e vështirë t’ua japësh këtë mesazh të gjithë njerëzve, në një vend që është sa Britania e Madhe.

I pari që u pagëzua në Ugandë si Dëshmitar i Jehovait ishte një banor vendës, dhe ky pagëzim u bë në liqenin Viktoria më 1955. Nga ai pagëzim, numri i lajmëtarëve u rrit nga 1, «i pakti», në 1000 më 1992. Që nga ajo kohë, ka pasur rritje të vazhdueshme. Kjo është në përputhje me fjalët siguruese të Perëndisë: «Unë, Jehovai, do ta përshpejtoj këtë gjë në kohën e vet.»—Isaia 60:22.

Kapërcimi i pengesave gjuhësore

Anglishtja është gjuha zyrtare dhe përdoret gjerësisht, sidomos në arsim, e megjithatë nuk është gjuha amtare e shumicës së ugandasve. Prandaj duke u përpjekur që t’u japin njerëzve lajmin e mirë, Dëshmitarët e Jehovait marrin parasysh edhe gjuhët e tjera kryesore. Kjo ka qenë e domosdoshme sepse më tepër se 80 për qind e popullsisë së vendit me 25 milionë banorë, jeton në zona fshatare ose në qytete të vogla, ku njerëzit në jetën e përditshme përdorin kryesisht gjuhën e tyre amtare. Të flasësh me njerëz të këtyre grupeve gjuhësore dhe të plotësosh nevojat e tyre për të mësuar për Perëndinë, kërkohen përpjekje të mëdha.

Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait janë përpjekur t’i plotësojnë këto nevoja duke u dëshmuar njerëzve në gjuhën e tyre dhe duke shtypur literaturë biblike në shumë gjuhë. Në zyrën e degës në kryeqytetin Kampala, skuadrat e përkthimit përkthejnë në katër gjuhë: akole, lukonze, lugande dhe runjankore. Për më tepër në asambletë e krishtere që janë mbajtur në gjuhë të ndryshme anembanë vendit, ka pasur një numër të jashtëzakonshëm të pranishmish, më shumë se dyfishi i numrit të Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo tregon qartë se përpjekjet për të folur me njerëz të grupeve të ndryshme gjuhësore kanë ndihmuar në rritjen e shpejtë frymore. Por nuk është kjo e vetmja arsye.

Pionierët i prijnë veprës

Kongregacionet mbështetin me gëzim fushatat e përvitshme tremujore, gjatë të cilave predikohet në territoret e izoluara. (Veprat 16:9) Kësaj vepre i prin një numër gjithnjë e më i madh të rinjsh që janë pionierë ose ungjillëzues të zellshëm në kohë të plotë. Ata udhëtojnë për në zona të largëta ku, në disa raste, lajmi i mirë nuk është dëgjuar kurrë më parë.

Dy Dëshmitare u caktuan si pioniere speciale për një periudhë tremujore në Bushenji, një qytet i vogël në Ugandën Perëndimore. Ato bashkë me të vetmen Dëshmitare të Jehovait në atë zonë, predikuan dhe organizuan mbledhjet e krishtere. Brenda një muaji, dy pionieret bënin rregullisht biseda biblike me 40 veta, 17 prej të cilëve filluan të ndiqnin mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Pionieret tregojnë: «Disa që u kishim lënë broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? * erdhën në shtëpinë tonë disa ditë më pas dhe në shumë faqe kishin shkruar përgjigjet e pyetjeve që gjenden në broshurë. Donin të dinin nëse përgjigjet e tyre ishin të sakta.» Sot në atë qytet ka një kongregacion me Sallën e vet të Mbretërisë.

Dy pionierë shkuan në një territor në Ugandën Perëndimore ku lajmi i mirë nuk ishte predikuar më parë. Ata shkruan: «Njerëzit janë shumë të etur për të vërtetën biblike. Gjatë këtyre tre muajve që kemi qenë këtu, kemi nisur 86 studime biblike.» Shumë shpejt në atë zonë u formua zyrtarisht një grup Dëshmitarësh.

Punëtorë të tjerë të zellshëm në fushë

Ndër pionierët e zellshëm janë disa që shërbejnë prej vitesh. Patriku, para se të bëhej Dëshmitar i Jehovait, i binte klarinetës në bandën e forcave ajrore të udhëheqësit të Ugandës, Idi Amin Dada. Gjashtë muaj pas pagëzimit më 1983, Patriku hyri në radhët e shërbëtorëve në kohë të plotë. Sot është mbikëqyrës udhëtues dhe viziton e inkurajon kongregacionet.

Margarita u pagëzua në vitin 1962. Edhe pse është gati 80 vjeçe dhe ka një problem te legeni që ia kufizon lëvizjet, kalon rreth 70 orë në muaj duke u folur njerëzve për shpresën e bazuar në Bibël. Jashtë shtëpisë, mbi një stol, ajo vë literaturën dhe bisedon me çdo kalimtar që dëshiron të dëgjojë lajmin e mirë për një botë të re paqësore.

Simoni, një bujk nga Uganda Lindore, kishte 16 vjet që kërkonte të vërtetën, kur gjeti në vitin 1995 literaturë të botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Ajo çka lexoi, i ngjalli dëshirën që të dinte më shumë për Mbretërinë e Perëndisë dhe për qëllimin e mrekullueshëm të Jehovait për tokën. Në Kamuli, ku ai jetonte, nuk kishte Dëshmitarë, prandaj Simoni udhëtoi rreth 140 kilometra deri në Kampalë për t’i kërkuar. Sot në fshatin e tij ka një kongregacion.

«Kemi ardhur për të qëndruar»

Ashtu si edhe në zona të tjera të Afrikës, shumë njerëz presin që një grup fetar të ketë një vend të përshtatshëm adhurimi. Kjo dukej sikur përbënte një problem të pakapërcyeshëm për disa kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait, sepse nuk i kishin burimet financiare për të ndërtuar një Sallë Mbretërie të përshtatshme. Kur në fund të vitit 1999 në mbarë botën u themelua një program i përshpejtuar për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, fjalët nuk mund të përshkruajnë mirënjohjen që ndienin vëllezërit. Gjatë pesë viteve vijuese, në Ugandë u përfunduan 40 Salla të reja Mbretërie. Sot pothuajse të gjitha kongregacionet kanë Sallën e tyre të Mbretërisë, modeste, por të paraqitshme. Mesazhi që këto ndërtesa u përcjellin komuniteteve vendës është: «Kemi ardhur për të qëndruar.» Kjo ka ndihmuar në rritjen.

Një kongregacion i vogël në Ugandën Veriore i mbante mbledhjet poshtë disa pemëve mango me gjethe të dendura. Kur u sigurua një copë truall, gjërat përparuan me shpejtësi. Vëllezërit e skuadrës së ndërtimit, duke punuar bashkë me Dëshmitarët vendës, nisën të ndërtonin një Sallë Mbretërie. Kjo vepër i bëri shumë përshtypje një ish-politikani të shquar të asaj zone. Ai u ofroi vëllezërve të përdornin garazhin e vet për të mbajtur mbledhjet derisa të përfundonte Salla e Mbretërisë. Gjithashtu pranoi një studim biblik me një vullnetar që punonte në ndërtimin e Sallës. Tani është lajmëtar i zellshëm i pagëzuar, i lumtur të adhurojë Jehovain në atë Sallë të re e të bukur Mbretërie.

Gjatë ndërtimit të një Salle Mbretërie në pjesën juglindore të vendit, një murator vendës e preku kaq shumë fryma e miqësisë, dashurisë dhe e bashkëpunimit që vërejti mes vëllezërve, saqë u ofrua vullnetarisht të ndihmonte në ndërtimin e Sallës. Në fund të projektit, ai punoi madje një natë të tërë që vëllezërit ta kishin gati Sallën e Mbretërisë për kushtimin që do të bëhej në mëngjes. Ai tha: «Ju jeni të vetmit që e doni njëri-tjetrin vërtet, e jo vetëm me fjalë.»

Mundësi për rritje, me gjithë problemet

Meqë në Ugandë po predikohet edhe në territore të reja, ka një rritje të vazhdueshme në numrin e Dëshmitarëve dhe shumë të interesuar po shoqërohen me kongregacionet. Megjithatë një shqetësim kryesor është numri i madh i refugjatëve që janë dyndur në Ugandë. Lufta civile në vendet fqinje ka ndikuar edhe te populli i Jehovait. Dëshmitarët në kampet e refugjatëve kanë treguar një besim të jashtëzakonshëm te Jehovai. Një ish-zyrtar i lartë nga një vend fqinj, i cili dikur i përndiqte Dëshmitarët kur ishin të ndaluar në vendin e tij, kujton se më parë ai bënte një jetë të rehatshme. Pasi studioi Biblën në një kamp refugjatësh e u bë Dëshmitar, ai tha: «Begatia materiale dhe një pozitë e lartë në këtë botë, nuk kanë vlerë të vërtetë. Megjithëse tani jam i varfër dhe i sëmurë, jeta ime është më e mirë se kurrë më parë. Njoh Jehovain dhe çmoj privilegjin e lutjes. Përveçse kam një shpresë të patundur për të ardhmen, di edhe se përse hasim probleme sot. Prandaj kam një paqe të brendshme që nuk e kisha përjetuar kurrë më parë.»

Thuhet se, nëse në mbrëmje ngul një shkop në dheun pjellor të Ugandës, të nesërmen në mëngjes ai do të ketë lëshuar rrënjë. Edhe rritja frymore që po ndodh në vend të lë të kuptosh se dheu frymor është po kaq pjellor. Falënderojmë Perëndinë Jehova që ka lejuar kohë që edhe njerëz të tjerë të popullsisë së larmishme në Ugandë të mësojnë për Mbretërinë e tij! Jezui e krahasoi vlerën e kësaj Mbretërie me «një margaritar me vlerë të madhe». Gjithnjë e më shumë njerëz në Ugandë po arrijnë ta kuptojnë këtë.—Mateu 13:45, 46.

[Shënimi]

^ par. 13 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Hartat në faqen 8]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

SUDAN

UGANDË

Lumi Nil

Kamuli

Tororo

Kampalë

Bushenji

Liqeni Viktoria

KENIA

TANZANI

RUANDË

[Figura në faqen 9]

Tre prej pionierëve të shumtë të zellshëm

[Figura në faqen 10]

Patriku

[Figura në faqen 10]

Margarita

[Figura në faqen 10]

Simoni

[Figura në faqen 10]

Kongres krahinor në Tororo

[Burimi i figurës në faqen 8]

Sfondi: © Uganda Tourist Board