Televizori: Një dado e mirë?
Televizori: Një dado e mirë?
NDONJËHERË t’i lësh fëmijët të argëtohen duke parë televizor, ndërkohë që merreni me punë të tjera, mund të duket ide e mirë. Por si do të ndikonte te fëmijët kjo gjë?
«Edhe foshnjat mund të ndikohen nga emocionet që përçohen në ekranin e televizorit»,—thotë gazeta The New York Times. Gjatë një studimi të kohëve të fundit, lanë disa foshnja njëvjeçare të shihnin disa fragmente televizive ku një aktore reagonte në mënyra të ndryshme ndaj një lodre. «Kur aktorja reagonte me frikë ndaj lodrës,—thotë Times,—fëmija nuk donte të luante më me të dhe, në shumicën e rasteve, dukej i shqetësuar, rrudhte vetullat, ngryste fytyrën ose qante. Kur aktorja tregonte entuziazëm për lodrën, fëmija dukej më i prirur për të luajtur me të.»
Me sa duket, televizori mund të ndikojë te foshnjat. Po ç’mund të themi për një ndikim më afatgjatë që mund të ketë te fëmijët? Dr. Naoki Kataoka, profesor i pediatrisë në Kolegjin Mjekësor të Kavasakit në Kurashiki të Japonisë, ka vëzhguar shumë fëmijë që janë tepër të qetë dhe kanë një fytyrë jo shumë shprehëse. Të gjithë këta kishin parë televizor ose videokaseta për një kohë të gjatë. Një djalë dyvjeçar nuk arrinte të bisedonte me njerëzit dhe kishte një fjalor shumë të varfër. Ai kishte parë videokaseta nga mëngjesi në darkë që kur ishte një vjeç. Vetëm kur nëna e tij, sipas këshillës së mjekut, ia ndaloi videokasetat dhe filloi të merrej me fëmijën, fjalori i tij u rrit gradualisht. Po, prindërit duhet të komunikojnë me fëmijët e tyre.
Perëndia Jehova, Nismëtari i familjes, theksoi rëndësinë e një komunikimi të mirë. Kohë më parë i tha popullit të tij: «Ngulitua [mësimet e Perëndisë] bijve të tu dhe fol për to kur rri ulur në shtëpi, kur ecën rrugës, kur shtrihesh dhe kur ngrihesh.» (Ligji i përtërirë 6:7) Prindërit, e jo televizori, mund t’i mësojnë fëmijët në mënyrën më të mirë me anë të fjalëve dhe shembullit të tyre, «në udhën e drejtë».—Proverbat 22:6.