Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ata lindnin si pjesëtarë të kombit të zgjedhur të Perëndisë

Ata lindnin si pjesëtarë të kombit të zgjedhur të Perëndisë

Ata lindnin si pjesëtarë të kombit të zgjedhur të Perëndisë

«Jehovai, Perëndia yt, të zgjodhi ty që të bëhesh populli i tij.»​—LIGJI I PËRTËRIRË 7:6.

1, 2. Ç’vepra madhështore kreu Jehovai për popullin e tij, e ç’marrëdhënie lidhën izraelitët me Perëndinë?

NË VITIN 1513 p.e.s., Jehovai vendosi një marrëdhënie të re me shërbëtorët e tij në tokë. Atë vit, ai poshtëroi një fuqi botërore dhe i çliroi izraelitët nga skllavëria. Kështu u bë Shpëtimtari dhe Pronari i tyre. Para se të vepronte, Perëndia i tha Moisiut: «Thuaju bijve të Izraelit: ‘Unë jam Jehovai, dhe do t’jua heq barrën e egjiptianëve, do t’ju çliroj nga skllavëria e tyre, do t’ju rimarr me krah të shtrirë dhe me gjykime të mëdha. Do t’ju marr si popullin tim, dhe do të jem Perëndia juaj.’»—Dalja 6:6, 7; 15:1-7, 11.

2 Pak kohë pasi dolën nga Egjipti, izraelitët hynë në një besëlidhje me Perëndinë e tyre, Jehovain. Pra, në vend që të merrej me individë, familje ose fise, Jehovai do të kishte në tokë një popull të organizuar, një komb. (Dalja 19:5, 6; 24:7) Ai i dha popullit të tij ligje që i drejtonin në jetën e përditshme dhe, ç’është më e rëndësishmja, në adhurimin e tyre. Moisiu u tha: «Cili komb i madh i ka aq pranë perënditë e veta, si kemi ne Jehovain, Perëndinë tonë, sa herë që e thërrasim? Cili komb i madh ka rregulla dhe ligje të drejta, si të gjitha këto ligje që po ju vë përpara sot?»—Ligji i përtërirë 4:7, 8.

Të lindur në një komb dëshmitarësh

3, 4. Cila ishte një arsye e rëndësishme pse ekzistonte Izraeli si komb?

3 Shekuj më vonë, me anë të profetit Isaia, Jehovai u kujtoi izraelitëve një arsye kryesore pse ekzistonin si komb. Isaia tha: «Kështu thotë Jehovai, Krijuesi yt, o Jakob, dhe Formuesi yt, o Izrael: ‘Mos ki frikë, se unë të kam riblerë. Të kam thirrur në emër. Ti je imi. Sepse unë jam Jehovai, Perëndia yt, i Shenjti i Izraelit, Shpëtimtari yt. . . . Silli bijtë e mi nga larg dhe bijat e mia nga skaji i tokës, të gjithë ata që thirren me emrin tim dhe që unë i kam krijuar për lavdinë time, ata që i kam formuar dhe i kam bërë unë. Ju jeni dëshmitarët e mi,—thotë Jehovai.—Jeni shërbëtori që kam zgjedhur, . . . [populli] që kam formuar për vete që të tregojë veprat e mia të denja për lëvdim.’»—Isaia 43:1, 3, 6, 7, 10, 21.

4 Si popull që thirrej me emrin e Jehovait, izraelitët do të shërbenin para gjithë kombeve si dëshmitarë për sovranitetin e tij. Ata do të ishin një popull ‘i krijuar për lavdinë e Jehovait’. Duhej ‘të tregonin veprat e Jehovait, të denja për lëvdim’, të flitnin për veprat e tij të mrekullueshme të çlirimit, duke i dhënë kështu lavdi emrit të tij të shenjtë. Me pak fjalë, duhej të ishin një komb dëshmitarësh për Jehovain.

5. Në ç’kuptim ishte Izraeli një komb i kushtuar?

5 Në shekullin e 11-të p.e.s., mbreti Solomon tregoi se Jehovai e kishte ndarë Izraelin si komb veç të tjerëve. Në lutjen drejtuar Jehovait, ai tha: «Ti, o Zotëri Sovran Jehova, i ndave nga të gjithë popujt e tokës si trashëgiminë tënde.» (1 Mbretërve 8:53) Edhe individualisht, izraelitët kishin një marrëdhënie të veçantë me Jehovain. Më parë, Moisiu u kishte thënë atyre: «Ju jeni bij të Jehovait, Perëndisë tuaj. . . . Sepse ti je një popull i shenjtë për Jehovain, Perëndinë tënd.» (Ligji i përtërirë 14:1, 2) Prandaj, të rinjtë izraelitë nuk kishin nevojë t’ia kushtonin jetën Jehovait. Ata lindnin si pjesëtarë të popullit të kushtuar ndaj Perëndisë. (Psalmi 79:13; 95:7) Çdo brez i ri mësonte ligjet e Jehovait dhe kishte detyrimin t’i zbatonte, për shkak të besëlidhjes që e lidhte Izraelin me Jehovain.—Ligji i përtërirë 11:18, 19.

Të lirë të zgjidhnin

6. Cilën zgjedhje duhej të bënte çdo izraelit?

6 Edhe pse izraelitët lindnin në një komb të kushtuar, secili prej tyre duhej të vendoste personalisht nëse do t’i shërbente Perëndisë. Para se të hynin në Tokën e Premtuar, Moisiu u tha: «Unë marr sot si dëshmitarë kundër jush qiellin dhe tokën, se ju kam vënë përpara jetën dhe vdekjen, bekimin dhe mallkimin. Zgjidhni jetën, që të rroni ju dhe pasardhësit tuaj, duke dashur Jehovain, Perëndinë tuaj, duke dëgjuar zërin e tij e duke qëndruar të lidhur ngushtë me të, pasi ai është jeta juaj dhe ju jep bollëk ditësh, që të banoni në tokën që Jehovai u betua t’ua jepte paraardhësve tuaj, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.» (Ligji i përtërirë 30:19, 20) Kështu, individualisht, izraelitët duhej të zgjidhnin të donin Jehovain, të dëgjonin zërin e tij dhe të qëndronin lidhur ngushtë me të. Meqë izraelitët kishin vullnet të lirë, do t’u duhej të mbanin pasojat e zgjedhjes së tyre.—Ligji i përtërirë 30:16-18.

7. Çfarë ndodhi me brezin që pasoi brezin e Josiut?

7 Periudha e gjykatësve është një shembull i qartë i pasojave të besnikërisë dhe të jobesnikërisë. Pak para se të fillonte ajo periudhë, izraelitët kishin ndjekur shembullin e mirë të Josiut dhe ishin bekuar. «Populli i shërbeu Jehovait gjatë gjithë jetës së Josiut dhe gjatë gjithë jetës së pleqve që jetuan pas Josiut e që i kishin parë tërë gjërat madhështore që bëri Jehovai për Izraelin.» Megjithatë, ca kohë pas vdekjes së Josiut, «doli një brez tjetër që nuk e njihte Jehovain, as ato që kishte bërë ai për Izraelin. Bijtë e Izraelit nisën të bënin atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait». (Gjykatësit 2:7, 10, 11) Nga sa duket, brezi i ri e i papërvojë nuk e vlerësoi trashëgiminë që kishte, si pjesë e një populli të kushtuar, për të cilin Perëndia i tyre, Jehovai, kishte bërë vepra të fuqishme në të kaluarën.—Psalmi 78:3-7, 10, 11.

Jeta në lartësinë e kushtimit

8, 9. (a) Cili ligj u jepte mundësi izraelitëve të tregonin kushtimin ndaj Jehovait? (b) Çfarë merrnin nga Jehovai ata që bënin blatime vullnetare?

8 Jehovai i dha popullit të tij mundësi që të jetonin në lartësinë e kushtimit që kishte bërë si komb. Për shembull, në Ligjin e tij kishte një sistem flijimesh ose blatimesh, disa të detyrueshme dhe disa vullnetare. (Hebrenjve 8:3) Ndër këto ishin blatimet e djegura, blatimet në drithë dhe blatimet në bashkësi, të cilat ishin vullnetare, pra dhurata që i paraqiteshin Jehovait për të pasur miratimin e tij e për ta falënderuar.—Levitiku 7:11-13.

9 Ato flijime vullnetare i pëlqenin Jehovait. Për blatimin e djegur e për blatimin në grurë, thuhej se ishin ‘aromë e pëlqyeshme për Jehovain’. (Levitiku 1:9; 2:2) Në flijimin në bashkësi, gjaku e dhjami i kafshës i paraqiteshin Jehovait, kurse një pjesë të mishit e hanin priftërinjtë dhe ai që paraqiste flijimin. Pra, ishte një vakt simbolik që tregonte një marrëdhënie paqësore me Jehovain. Ligji thoshte: «Në rast se i bëni Jehovait një flijim në bashkësi, duhet ta bëni në një mënyrë që të miratoheni.» (Levitiku 19:5) Ndonëse të gjithë izraelitët i ishin kushtuar Jehovait që kur lindnin, ata që i jepnin kuptim kushtimit të tyre duke bërë blatime vullnetare, ‘miratoheshin’ prej tij dhe bekoheshin shumë.—Malakia 3:10.

10. Si e shprehu Jehovai pakënaqësinë e tij, në ditët e Isaisë dhe në ditët e Malakisë?

10 Megjithatë, edhe pse ishte i kushtuar ndaj Jehovait, kombi i Izraelit shpesh nuk i qëndroi besnik atij. Me anë të profetit Isaia, Jehovai i tha atij kombi: «Nuk më solle delen për blatimin e plotë të djegur dhe me flijimet e tua nuk më dhe lavdi. Unë nuk të mundova duke të kërkuar dhurata.» (Isaia 43:23) Veç kësaj, blatimet që nuk bëheshin vullnetarisht e nga dashuria, nuk kishin vlerë në sytë e Jehovait. Për shembull, tri shekuj pas Isaisë, në kohën e profetit Malakia, izraelitët paraqitnin për flijime kafshë me të meta. Prandaj Malakia u tha: «Nuk jam fare i kënaqur me ju,—ka thënë Jehovai i ushtrive,—dhe nuk kënaqem fare me blatimin e duarve tuaja. . . . Keni sjellë diçka të rrëmbyer, të çalë dhe të sëmurë, po, e keni sjellë si dhuratë. A mund të kënaqem me këtë që vjen nga dora juaj?—ka thënë Jehovai i ushtrive.»—Malakia 1:10, 13; Amosi 5:22.

Perëndia e hedh poshtë si komb të kushtuar

11. Cila mundësi iu dha Izraelit?

11 Në kohën kur izraelitët u bënë një komb i kushtuar ndaj Jehovait, ai u premtoi: «Nëse i bindeni pikë për pikë zërit tim dhe mbani besëlidhjen time, nga të gjithë popujt e tjerë, ju keni për t’u bërë prona ime e veçantë, sepse gjithë toka më përket mua. Ju do të bëheni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë.» (Dalja 19:5, 6) Mesia i premtuar do të shfaqej mes tyre dhe do t’ua jepte atyre të parëve mundësinë që të bëheshin pjesëtarë të Mbretërisë së Perëndisë. (Zanafilla 22:17, 18; 49:10; 2 Samuelit 7:12, 16; Luka 1:31-33; Romakëve 9:4, 5) Por, shumica dërrmuese e kombit izraelit nuk veproi sipas kushtimit që kishte bërë. (Mateu 22:14) Ata e hodhën poshtë Mesinë dhe në fund e vranë.—Veprat 7:51-53.

12. Cilat fjalë të Jezuit tregojnë se Jehovai e hodhi poshtë Izraelin si një komb i kushtuar ndaj tij?

12 Disa ditë para se të vdiste, Jezui u tha udhëheqësve fetarë judenj: «Nuk e keni lexuar kurrë në Shkrime: ‘Guri që ndërtuesit e hodhën poshtë, u bë guri kryesor i qoshes. Këtë gur e bëri vetë Jehovai, dhe është i mrekullueshëm në sytë tanë.’ Prandaj po ju them se Mbretëria e Perëndisë do t’ju merret dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frytet e saj.» (Mateu 21:42, 43) Duke treguar se Jehovai i kishte hedhur poshtë si komb i kushtuar ndaj Tij, Jezui tha: «Jerusalem, Jerusalem, vrasës i profetëve, që i vret me gurë ata që janë dërguar te ti! Sa herë desha t’i mblidhja bashkë fëmijët e tu, ashtu si i mbledh klloçka zogjtë nën krahë! Por ju nuk deshët. Ja, shtëpia juaj është braktisur dhe ju është lënë juve.»—Mateu 23:37, 38.

Një komb i ri i kushtuar

13. Ç’deklaratë profetike bëri Jehovai në ditët e Jeremisë?

13 Në kohën e profetit Jeremia, Jehovai paratha diçka të re në lidhje me popullin e tij. Lexojmë: «Ja, po vijnë ditët,—thotë Jehovai,—kur unë do të bëj një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës. Jo si besëlidhja që bëra me paraardhësit e tyre ditën që i kapa për dore për t’i nxjerrë nga vendi i Egjiptit, besëlidhje që ata e prishën, ndonëse isha zotëria i tyre,—thotë Jehovai.—Sepse kjo është besëlidhja që do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve,—thotë Jehovai.—Do ta vë ligjin tim brenda tyre dhe do t’ua shkruaj në zemër. Unë do të jem Perëndia i tyre, e ata do të jenë populli im.»—Jeremia 31:31-33.

14. Kur dhe mbi ç’baza erdhi në ekzistencë kombi i ri i kushtuar ndaj Jehovait? Identifikoni këtë komb të ri.

14 Baza për këtë besëlidhje të re u hodh kur Jezui vdiq dhe më vonë i paraqiti Atit vlerën e gjakut të tij të derdhur, në vitin 33 të e.s. (Luka 22:20; Hebrenjve 9:15, 24-26) Gjithsesi, kjo besëlidhje e re hyri në fuqi me derdhjen e frymës së shenjtë në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. dhe me lindjen e një kombi të ri, ‘Izraelit të Perëndisë’. (Galatasve 6:16; Romakëve 2:28, 29; 9:6; 11:25, 26) Apostulli Pjetër, duke u shkruar të krishterëve të mirosur, tha: «Ju jeni ‘racë e zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull për zotërim të veçantë, që të shpallni kudo virtytet’ e atij që ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme. Sepse dikur nuk ishit një popull, por tani jeni populli i Perëndisë.» (1 Pjetrit 2:9, 10) Marrëdhënia e veçantë që kishte Jehovai me Izraelin natyror kishte përfunduar. Nga viti 33 i e.s., Jehovai nuk miratonte më Izraelin tokësor, por Izraelin frymor, domethënë kongregacionin e krishterë, ‘një komb që prodhon frytet’ e Mbretërisë Mesianike.—Mateu 21:43.

Kushtimi bëhet individualisht

15. Për cilin pagëzim i nxiti Pjetri dëgjuesit e tij, në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.?

15 Pas festës së Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., çdo individ—jude ose johebre—duhej t’i kushtohej personalisht Perëndisë dhe të pagëzohej «në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë». * (Mateu 28:19) Në festën e Ditës së Pesëdhjetë, apostulli Pjetër u tha judenjve dhe prozelitëve të interesuar: «Pendohuni, e secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit, që t’ju falen mëkatet. Atëherë do të merrni falas si dhuratë frymën e shenjtë.» (Veprat 2:38) Me pagëzimin e tyre, ata judenj dhe prozelitë duhej të tregonin jo vetëm që ia kishin kushtuar jetën Jehovait, por edhe se e kishin pranuar Jezuin si mjetin me anë të të cilit Jehovai do t’u falte mëkatet. Ata duhej ta pranonin Jezuin si Kryepriftin e caktuar nga Jehovai dhe si Udhëheqësin e tyre, Kreun e kongregacionit të krishterë.—Kolosianëve 1:13, 14, 18.

16. Si u bënë pjesëtarë të Izraelit frymor njerëzit e prirur për jetën e përhershme—si judenjtë, edhe johebrenjtë—në ditët e Pavlit?

16 Vite më vonë, apostulli Pavël tha: «Ua çova lajmin së pari atyre në Damask, e më pas atyre në Jerusalem, si edhe mbarë Judesë e kombeve, se duhej të pendoheshin dhe të ktheheshin te Perëndia, me vepra të denja për pendim.» (Veprat 26:20) Pasi i bindte njerëzit—si judenjtë, edhe johebrenjtë—se Jezui ishte Krishti, pra Mesia, Pavli i ndihmonte të kushtoheshin e të pagëzoheshin. (Veprat 16:14, 15, 31-33; 17:3, 4; 18:8) Duke u kthyer te Perëndia, këta dishepuj të rinj bëheshin pjesëtarë të Izraelit frymor.

17. Cila vepër vulosjeje po i afrohet përfundimit dhe ç’vepër tjetër po vazhdon me ritme të shpejta?

17 Sot, po afron vulosja përfundimtare e izraelitëve frymorë që kanë mbetur. Kur të ketë përfunduar kjo vulosje, ‘katër engjëjt’ që mbajnë fort erërat e shkatërrimit të ‘shtrëngimit të madh’ do të autorizohen që t’i lëshojnë këto erëra. Ndërkohë, po vazhdon me ritme të shpejta mbledhja e ‘shumicës së madhe’ që shpreson të jetojë përgjithmonë në tokë. Me vullnet të lirë, këto «dele të tjera» zgjedhin të tregojnë besim në «gjakun e Qengjit» dhe pagëzohen në simbol të kushtimit që i kanë bërë Jehovait. (Zbulesa 7:1-4, 9-15; 22:17; Gjoni 10:16; Mateu 28:19, 20) Ndër ta ka edhe shumë të rinj që janë rritur me prindër të krishterë. Nëse je një nga këta të rinj, do të të interesojë artikulli vijues.

[Shënimi]

^ par. 15 Shih Kullën e Rojës, 15 maj 2003, faqet 30, 31.

Pyetje për rishikim

• Pse të rinjtë izraelitë nuk duhej t’i bënin një kushtim individual Jehovait?

• Si mund ta tregonin izraelitët se po jetonin në lartësinë e kushtimit të tyre?

• Pse Jehovai e hodhi poshtë Izraelin si kombin e vet të kushtuar, dhe me çfarë u zëvendësua ai komb?

• Ç’duhej të bënin judenjtë dhe johebrenjtë për t’u bërë pjesëtarë të Izraelit frymor, që nga festa e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s. e më tej?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 21]

Të rinjtë izraelitë lindnin si pjesëtarë të kombit të zgjedhur të Perëndisë

[Figura në faqen 23]

Çdo izraelit duhej të merrte një vendim personal nëse do t’i shërbente Perëndisë

[Figura në faqen 23]

Blatimet vullnetare u jepnin mundësi izraelitëve të tregonin dashurinë për Jehovain

[Figura në faqen 25]

Pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., ithtarët e Krishtit duhej t’i kushtoheshin individualisht Perëndisë dhe ta simbolizonin këtë me pagëzimin