Bën kthesë pas një vizite
Bën kthesë pas një vizite
«MEZI prisja t’i tregoja familjes sime për dy ‘engjëjt’ që më dërgoi Perëndia.» Kështu shkruante një zotëri që e kishin vizituar dy vajza Dëshmitare të Jehovait. Disa javë më parë, ai kishte humbur gruan në moshën 45-vjeçare. Ndihej përtokë. Fëmijët, tashmë të rritur, e kishin ngushëlluar, por jetonin larg. Asnjë nga miqtë ose fqinjët nuk shkonte për ta vizituar.
«Nuk i lutem më Perëndisë»,—u tha zotëria dy vajzave që erdhën për ta vizituar. Megjithatë, ato e kuptuan dhembjen e tij dhe i lanë fletushkën e bazuar në Bibël Çfarë shprese ka për të vdekurit? E lexoi fletushkën po atë mbrëmje dhe dhembja iu lehtësua.
Pak kohë më vonë, vajzat u kthyen përsëri. Nuk e kishin harruar se sa i brengosur kishte qenë ai dhe shkuan për ta pyetur se si po ia kalonte. «U shtanga,—shkruante ai.—Këto dy vajza, që as më njihnin fare, u interesuan për mua dhe për gjendjen time.» U inkurajua mjaft nga ajo që i lexuan në Bibël. Pastaj ato i premtuan që do të ktheheshin përsëri. Ai u kënaq, dhe kjo e shtyu të shkruante fjalët e mësipërme në një letër që e dërgoi në adresën e Sallës së Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait në atë zonë.
Para se të transferohej më afër djalit, shkoi në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait dhe familja e njërës prej vajzave e ftoi të hanin një vakt së bashku. Ai shkruante: «Po largohem nga ky vend, por ato vajza dhe kisha juaj do të jenë gjithmonë në zemrën dhe lutjet e mia. Po, tani kam filluar të lutem, shumë madje. Kam bërë goxha kthesë. Ato vajza më ndihmuan shumë për këtë dhe do t’u jem mirënjohës për gjithë jetën.»